Gjykimi për krim të organizuar, e dëmtuara kërkon nga gjykata të mos i udhëzoi në kontest civil, por të realizoi kompensimin në procedurë penale

12 janar 2021 foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Janar 12, 2021

Pejë – E dëmtuara Arta Makolli ka kërkuar që  kompensimin e dëmit për të hollat e dhëna për blerjen e banesës, t’i realizoi në procedurë penale dhe jo gjykata t’i udhëzojnë në kontest civil.

Një deklarim të tillë, e dëmtuara e kanë dhënë në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Pejë, ku  Estrida Bunjaku Vigan Bunjaku, Burim Vokrri, Xhemail Arifi, Faton dhe Valon Orllan nga PSRK po akuzohen për kryerjen e veprave penale ”krim i organizuar”, “mashtrim”, “shpëlarje e parave”, “shkaktim i falimentimit”, dhe “shmangie tatimi”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të njëjtit akuzohen se kanë përfituar 2 milionë euro duke u shitur 176 blerësve banesa të cilat nuk i kanë shfrytëzuar kurrë.

Ajo sqaroi se kishte lidhur parakontratë me të pandehuren Estrida Bunjaku për blerjen e banesës. E dëmtuara shtoi se për këtë banesë i kishte dhënë të pandehurës shumën prej 10 mijë euro, mirëpo banesën nuk e kishte marrë.

“As të hollat e as banesën nuk e kemi marrë me arsyetimin se ka falimentuar. E kam lutur të mi kthente paratë pasi që kam qenë në gjendje jo të mirë eknomike. Kërkoj nga gjykata që të vendos për kompensim në çështje penale dhe jo të na udhëzoj në kontest civil”, tha dëshmitarja.

I dëmtuari i radhës në procesin gjyqësor ishte i dëmtuari Arben Kabashi. Ai ka rrëfyer para trupit gjykues se kishte dhënë rreth 13 mijë e 740 euro të pandehures Estrida për blerjen e një banese.

Ai shtoi se përkundër faktit se kishte bërë pagesën fillestare në bazë të parakontratës, banesa nuk i ishte dorëzuar dhe parat nuk u ishin kthyer.

“Unë i kam thanë Estridës ose paret ose banesën. Ajo më ka thënë se paratë nuk kthehen ma për shkak se projektet e filluara nuk mundet mi ndalu vetëm mi kthy 50 ose 60 % më pak’, tha dëshmitari.

Një deklaratë tjetër para trupit gjykues është dhënë edhe nga e dëmtuara Edita Ukshini, e cila sqaroi se kishte huazuar të hollat nga babai i saj për të lidhur parakontratë me Estridën për blerjen e banesës.

“Së pari oferta ka qenë kinse për policë dhe oferta ka qenë e voltshme dhe paratë i kam huazuar nga babai. Paraprakisht kam biseduar me Estridën dhe kam shkuar me të së bashku me Vigan Bunjakun dhe në vendin ku do të ndërtohej ka qenë një gropë”, tha dëshmitarja.

Dëshmitarja Ukshini sqaroi se kishte bërë pagesën prej 10 mijë euro në fillim ndërsa më pas kishte paguar edhe 2 këste prej 170 euro, mirëpo sipas saj ndërtimi nuk ishte kryer siç parashihej me parakontratë.

Përveç se ndërtimet nuk ishin kryer, dëshmitarja sqaroi se të hollat të cilat kishte kërkuar, Estrida nuk i’a kishte kthyer.

E dëmtuara tjetër, e cila u dëgjua në seancën e sotme, ishte dëshmitarja Angjelina Kryeziu, e cila sqaroi se kishte dëgjuar se po behshin shitje të banesave në kushte të volitshme.

Ai sqaroi se kishte nënshkruar parakontratë me Estridën dhe kishte dhënë shumën prej 10 mijë euro dhe pagesën në emër të tre kësteve prej 200 eurove në muaj.

Mirëpo, ndërtimi e banesave nuk ishte realizuar dhe se e pandehura Estrida nuk i kishte bërë kthimin e të hollave  e as të mjeteve të sigurara në emër të qerasë, në rast se punimet nuk realizohen brenda kontratës.

Ndërsa e dëmtuara Vjollca Markaj sqaroi se të pandehurës Estrida i kishte dhënë avansë në shumë prej 10 mijë euro dhe 600 euro për këstet mujore për blerjen e një banese.

“Banesën nuk e kemi marrë. Kemi kërkuar me i kthy të hollat sepse banesa nuk ishte ndërtuar dhe vetëm morëm arsyetime nga ana e saj”, tha e dëmtuara.

Ajo kërkoi që t’i kompensohet dëmi material për të hollat të cilat i kishte dhënë.

Seanca e radhës u caktua më 25 dhe 26 shkurt 2021, ora 10:00.

Fillimisht, ky rast ka qenë duke u gjykuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por që më pas ai është deleguar në kompetencë të Gjykatës në Pejë, për shkak të numrit të madh të të dëmtuarve, si dhe në mesin e tyre ka edhe gjykatës dhe për t’i ikur ndonjë konflikti eventual, rasti është transferuar për gjykim në Pejë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 12 maj 2016, të pandehurit Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, dhe Burim Vokrri, ngarkohen më veprat penale “krim i organizuar” dhe “mashtrim”, pasi që, sipas aktakuzës, nga 2 shtatori i vitit 2009 e deri më 15 maj 2014, të tre duke vepruar në formë të grupit kriminal, kanë përfituar mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej rreth 2,000.000,00 euro.

Një gjë e tillë, sipas aktakuzës, ishte arritur përmes paraqitjes së rreme, duke i fshehur faktet, gjë që i ka shtyrë personat e tjerë të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, dhe ka sjell në lajthim rreth 176 qytetarë duke ju paraqitur oferta të volitshme për shitjen e banesave, në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.

Prokuroria pretendon se fillimisht Estrida Bunjaku, e ka regjistruar kompaninë e biznesit NSHN “ERA”, ndërkohë më 14 tetor 2009, ka regjistruar edhe kompaninë “Venis-O-GR”, SHPK, sipas të cilës kjo kompani ka pasur për veprimtari primare ndërtimin e lartë dhe të ulët, përmes të cilës, sipas prokurorisë ka filluar aktiviteti i grupit të organizuar kriminal, i udhëhequr dhe mbikëqyrur nga Estrida Bunjaku.

Prokuroria është duke pretenduar se këta tre të pandehur fillimisht, të dëmtuarve iu kanë ofruar nënshkrimin e para kontratave me të gjitha të drejtat dhe obligimet, me premtimin e ndërtimit dhe dorëzimit të banesave, në afatin e paraparë si në para kontratë 12-18 muaj.

Gjithnjë sipas aktakuzës, paraprakisht të dëmtuarit kanë qenë të detyruar që mjetet financiare në shumë më të vogël prej 5000 euro e deri në shumën më të madhe prej 200.000 euro, t’i paguajnë në xhirollogarinë e kompanisë “Venis O – Group”, dh në xhirollogarinë personale të të pandehurës Estrida Bunjaku, e që përmes zyrtarëve të vet këto shuma i ka tërhequr brenda ditës.

Ndryshe, Estrida Bunjaku, Xhemail Arifi, Burim Vokrri, Valon Orllani dhe Faton Orllani, akuzohen për kryerjen e veprës penale “shpëlarja e parave”, ashtu që mjetet financiare në shumën e lartcekur, duke ditur se burojnë nga aktiviteti kriminal, duke tentuar t’i konvertonin, transferonin, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë.

E pandehura Estrida Bunjkau, në pikën e tretë të aktakuzës ngarkohet edhe për kryerjen e veprës penale “shkaktim i falimentimit”, ashtu që si person përgjegjës në organizatën e biznesit, duke ditur paaftësinë paguese të organizatës së biznesit, me shpenzim jo racional të mjeteve apo transferimin e tyre me çmim tejet të ulët, ngarkim të tepruar me borxh, apo marrjen përsipër të detyrimeve jo proporcionale, ka shkaktuar falimentimin e subjektit të saj biznesor “Venis O – Group” sh.p.k, biznes ky që, sipas aktakuzës, është themeluar me qëllim të përfitimeve financiare të kundërligjshme.

Ndërsa, po e njëjta, në pikën e katërt të aktakuzës, ngarkohet me kryerjen e veprës penale “shmangie tatimi”, në vlerë prej 80.610, 50 euro, ashtu që me qëllim të fshehjes së pjesshme të obligimeve buxhetore, në emër të pagesës së tatimit të të gjitha llojeve që kërkohen me ligj ka dhënë të dhëna të pa vërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të saj dhe fakteve të tjera relevante rreth gjendjes financiare. /BetimipërDrejtësi