Gjykimi për krim të organizuar, dëshmitari tregon se njërit prej të akuzuarve ia kishte shitur një parcelë në Çagllavicë

29 prill 2021 foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Prill 29, 2021

Pejë – Pronari i “Bau Market”, Bajram Gashani, ka treguar para trupit gjykues se babai i të pandehurës Estrida Bunjaku, Avni Bunjaku në vitin 2009 kishte blerë prej tij një parcelë në Çakgllavicë të Prishtinës.

Dy vite pas kësaj, dëshmitari rrëfeu se edhe të akuzuarit Valon Orllani, i kishte shitur një parcelë në Çagllavicë të Prishtinës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo deklaratë nga dëshmitari u dha gjatë gjykimit në gjykatoren e Pejës, ku po mbahet gjykimi ndaj Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, Burim Vokrri, Xhemail Arifi, Faton dhe Valon Orllani  të cilët akuzohen nga Prokuroria Speciale se kanë përfituar 2 milionë euro duke u shitur 176 blerësve banesa të cilat nuk i kanë shfrytëzuar kurrë, në drejtim të veprave penale të ve ”krimit të organizuar”, “mashtrim”, “shpëlarje e parave”, “shkaktim i falimentimit” dhe “shmangie nga tatimi’’.

“Valoni ka qenë blerës. Të hollat nuk më kujtohet kush mi ka dhënë. Kontakte me Valonin kam patur shumë pak, por ka patur kontakte me të autorizuarin tim”, tha Gashi.

Gashani shtoi se me të pandehurën Estrida kishte patur raporte banesore pasi e njëjta kishte blerë material ndërtimor në biznesin e tij “Bau Market”.

“Estridën e njoh si blerëse të materialit ndërtimor në biznesin tim dhe kemi patur raporte biznesore. Kurse Valonin e kam parë së bashku me Estridën të cilën e shoqëronte”, tha Gashi.

Për të pandehurin Xhemajl Arifi dëshmitari shtoi se kishte shoqëri dhe e njihte vetëm si afarist.

Në këtë seancë janë dëgjuar edhe disa të dëmtuar, prej të cilëve ishte edhe i dëmtuari Muhamet Berisha.

I dëmtuari Berisha tregoi se ndërtimi i banesës për të cilën kishte kontraktuar me të pandehurën Estrida Bunjaku, nuk kishte vazhduar edhe pse paguar një pjesë të hollave.

I dëmtuari shpjegoi se në vendin ku kishte blerë banesën, kishte qenë vetëm një pllakë ndërtimore dhe nuk kishte pasur ndërtime të banesave.

“Ka qenë vetëm një pllakë dhe s’ka pas ndërtime tjera. Më është arsyetuar se vonesa po ndodhin për shkak të problemeve me disa persona që ia kanë marrë pronën”, tha i dëmtuari.

Si rrjedhojë e mosndërtimeve, i dëmtuari  kishte hezituar të bënte pagesën e kësteve mujore përveç shumës prej 10 mijë euro, të cilën i dëmtuari  përmes xhirollogarisë ia kishte paguar të pandehurës.

“Shumën prej 10 mijë euro në përpilimin e parakontratës e kam bërë përmes xhirollogarisë bankare mirëpo pagesën e kësteve nuk e kam bërë sepse kur kam shkuar në lokacionin ku planifikohej ndërtimi i banesës, nuk ka patur ndërtime”, tha i dëmtuari.

Ai kërkoi kthimin e mjeteve prej 10 mijë euro dhe kompensimin e dëmeve tjera pasi sipas të dëmtuarit, e pandehura ende nuk ia kishte kthyer mjetet.

Në këtë seancë trupi gjykues dëgjoi edhe rrëfimin e të dëmtuarit Haki Krasniqi i cili tregoi se kishte dërguar 300 kubik beton të pandehurës Estrida, në mënyrë që e njëjta të fillonte ndërtimin e banesave.

“Ajo mka lutur mi qu beton për t’ia vendosur pllaken e banesës. I kam qu 300 kubik beton në vlerë prej 21 mijë euro”, tha i dëmtuari Krasniqi.

Ai sqaroi se e pandehura Estrida i kishte premtuar se shumën prej 21 mijë euro, do t’ia kompensonte me një banesë, mirëpo, e pandehura nuk ia kishte kthyer as parat dhe as banesë.

“Më pas më ka thënë nëse s’ti dha paret do të kompensojë me një banesë dhe kemi bërë një kontratë me të. Mirëpo s’mi ka kthyer as paret e as banesën”, tha i dëmtuari.

Gjykimi vazhdoi me dëgjimin e të dëmtuarit Florim Elshani, i cili ishte me profesion zyrtar policor. Ai shtoi se me të akuzuarën Estrida kishte rënë në kontakte përmes një kolege të tij, ndërsa me të akuzuarën Estrida kishte hyrë në raporte kontraktuale për blerjen banesës.

“I kam paguar rreth 6000 mijë euro përmes xhirollogarisë bankare për të cilat posedojë faturat. Unë e kam ndërprerë vazhdimin e pagesave për shkak të mosndërtimit të banesave edhe pse e akuzuara Estrida ka thënë çdoherë do të vazhdoj ndërtimi”, tha Elshani.

Në këtë seancë u prezantua edhe i dëmtuari Kreshnik Maloku i cili dorëzoi provat materiale për dy prindërit e tij, për të cilat tha se kishin paguar shumën prej 25 mijë euro përmes xhirollogarisë bankare për blerjen e banesës.

“Kërkoj kompensim e dëmit edhe për pjesët e penalltisë të parapara me kontratë”, tha Maloku.

Në këtë seancë u dëgjua edhe dëshmitari tjetër Safet Sahiti. Ai shtoi se me të pandehurës Estrida ishte njoftuar përmes të akuzuarit Burim Vokrri, ku ky i fundit sipas dëshmitarit ishte i punësuar tek e pandehura Estrida për dërguar klient për blerjen e banesës.

Dëshmitari Sahiri bëri të ditur se të pandehurës Estrida i kishte siguruar disa klientë për blerjen e banesës , të cilat sipas tij ishin familjarë dhe pjesë e shoqërisë së tij.

“Për projektin e ndërtimit të banesave të Estridës i kam njoftuar edhe familjarët e mijë edhe disa persona për të blerë banesa”, tha dëshmitari.

Sipas tij, ai asnjëherë nuk kishte qenë pjesë e negociatave kur ishin bërë pagesat dhe se asnjëherë nuk kishte përfituar ndonjë nga e pandehura për sigurimin e klientave për blerjen e banesave.

Dëshmitari shtoi se ishte blerës i njërës nga banesat e të pandehurës Estrida mirëpo nuk kishte njohuri për lartësinë e blerjes dhe sipërfaqes së banesës të blerë nga Estrida.

“Fillimisht ia kam dhënë një veturë Citroen dhe krejt ia kam dhënë 12 mijë euro “, tha dëshmitari.

Prokurorja e shtetit Habibe Salihu tha se në polici dëshmitari kishte deklaruar se nuk kishte blerë banesë nga Estrida dhe se e njëjta i kishte ofruar  çmim të volitshëm për blerjen e një banese si shpërblim për sigurimin e klientëve.

Prokurorja Saliu po ashtu e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratën në polici, i cili kishte deklaruar se kishte qenë prezent kur klienti Naim Llugali i kishte dhënë të akuzuari Burim Vokrri një veturë dhe 10 mijë euro.

“Për të hollat nuk e di, por  për veturë e mbaj mend ka qenë Mitsubish”, tha dëshmitari.

Dëshmitari po ashtu e konfirmoi deklaratën e tij kur kishte thënë se kishte qenë prezent kur klienti Vajdin Hasani i kishte dhënë 10 mijë euro dhe 300 euro këste në emër të blerjes së banesës.

Ndryshe, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, njoftoi palët se sipas detyrës zyrtare kishte caktuar një ekip nga lëmia financiare për të përcaktuar shumën e përgjithshme të dëmit ndaj të dëmtuarve.

Seanca e radhës u caktua më 21 dhe 31 maj 2021, duke filluar prej orës 10:00 në Ministrinë e Drejtësisë në Prishtinë.

Fillimisht, ky rast ka qenë duke u gjykuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por që më pas ai është deleguar në kompetencë të Gjykatës në Pejë, për shkak të numrit të madh të të dëmtuarve, si dhe në mesin e tyre ka edhe gjykatës dhe për t’i ikur ndonjë konflikti eventual, rasti është transferuar për gjykim në Pejë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 12 maj 2016, të pandehurit Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, dhe Burim Vokrri, ngarkohen më veprat penale “krim i organizuar” dhe “mashtrim”, pasi që, sipas aktakuzës, nga 2 shtatori i vitit 2009 e deri më 15 maj 2014, të tre duke vepruar në formë të grupit kriminal, kanë përfituar mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej rreth 2,000.000,00 euro.

Një gjë e tillë, sipas aktakuzës, ishte arritur përmes paraqitjes së rreme, duke i fshehur faktet, gjë që i ka shtyrë personat e tjerë të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, dhe ka sjell në lajthim rreth 176 qytetarë duke ju paraqitur oferta të volitshme për shitjen e banesave, në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.

Prokuroria pretendon se fillimisht Estrida Bunjaku, e ka regjistruar kompaninë e biznesit NSHN “ERA”, ndërkohë më 14 tetor 2009, ka regjistruar edhe kompaninë “Venis-O-GR”, SHPK, sipas të cilës kjo kompani ka pasur për veprimtari primare ndërtimin e lartë dhe të ulët, përmes të cilës, sipas prokurorisë ka filluar aktiviteti i grupit të organizuar kriminal, i udhëhequr dhe mbikëqyrur nga Estrida Bunjaku.

Prokuroria është duke pretenduar se këta tre të pandehur fillimisht, të dëmtuarve iu kanë ofruar nënshkrimin e para kontratave me të gjitha të drejtat dhe obligimet, me premtimin e ndërtimit dhe dorëzimit të banesave, në afatin e paraparë si në para kontratë 12-18 muaj.

Gjithnjë sipas aktakuzës, paraprakisht të dëmtuarit kanë qenë të detyruar që mjetet financiare në shumë më të vogël prej 5000 euro e deri në shumën më të madhe prej 200.000 euro, t’i paguajnë në xhirollogarinë e kompanisë “Venis O – Group”, dh në xhirollogarinë personale të të pandehurës Estrida Bunjaku, e që përmes zyrtarëve të vet këto shuma i ka tërhequr brenda ditës.

Ndryshe, Estrida Bunjaku, Xhemail Arifi, Burim Vokrri, Valon Orllani dhe Faton Orllani, akuzohen për kryerjen e veprës penale “shpëlarja e parave”, ashtu që mjetet financiare në shumën e lartcekur, duke ditur se burojnë nga aktiviteti kriminal, duke tentuar t’i konvertonin, transferonin, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë.

E pandehura Estrida Bunjkau, në pikën e tretë të aktakuzës ngarkohet edhe për kryerjen e veprës penale “shkaktim i falimentimit”, ashtu që si person përgjegjës në organizatën e biznesit, duke ditur paaftësinë paguese të organizatës së biznesit, me shpenzim jo racional të mjeteve apo transferimin e tyre me çmim tejet të ulët, ngarkim të tepruar me borxh, apo marrjen përsipër të detyrimeve jo proporcionale, ka shkaktuar falimentimin e subjektit të saj biznesor “Venis O – Group” sh.p.k, biznes ky që, sipas aktakuzës, është themeluar me qëllim të përfitimeve financiare të kundërligjshme.

Ndërsa, po e njëjta, në pikën e katërt të aktakuzës, ngarkohet me kryerjen e veprës penale “shmangie tatimi”, në vlerë prej 80.610, 50 euro, ashtu që me qëllim të fshehjes së pjesshme të obligimeve buxhetore, në emër të pagesës së tatimit të të gjitha llojeve që kërkohen me ligj ka dhënë të dhëna të pa vërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të saj dhe fakteve të tjera relevante rreth gjendjes financiare. /BetimipërDrejtësi