Gjykimi për krim të organizuar, dëshmitari thotë se babai i tij nuk e kishte autorizuar askënd për shitjen e pronës 10 hektarëshe

Arben Bashota
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Korrik 13, 2018

Prishtinë – Dëshmitari Dragan Mitroviq, ka thënë se babai i tij, tani i ndjeri Marko Mitroviq, nuk i kishte dhënë autorizim askujt e as të akuzuarit Arben Bashota, që të shesë pronën prej 10 hektarësh, e cila gjendet në Fushë Kosovë.

Këtë deklaratë, Mitroviq e ka dhënë në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e shënjëstruar për liberalizim të vizave, ku për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve, po akuzohen Arben Bashota dhe vëllezërit Osman dhe Sylejman Bajrami.

Ndryshe, dëshmitari Dragan Mitroviq, është i biri i të ndjerit Marko Mitroviqit, i cili figuron pronar i pronës e cila bëhet fjalë në aktakuzë, por që sipas së njëjtës, i akuzuari Arben Bashota, me një autorizim të falsifikuar kishte pretenduar se është i autorizuari i Mitroviqit, që të ndërmarrë të gjitha veprimet juridike në lidhje me pronën.

Sipas aktakuzës, tashmë i ndjeri Mitroviq, me anë të gjashtë kontratave të shitblerjes ia kishte shitur pronën kontestuese Xhavit Bashotës, Shemsije Bashotës, Smajl Mehmetit, Xhyle Marajt, Violeta Ahmetit dhe Myzafer Maliqit.

Dëshmitari Mitroviq, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Merita Bina-Rugova tha se babai i tij i ndjerë Marko Mitroviq nuk e kishte autorizuar asnjëherë askënd që të shesë pronën në emër të tij, edhe pas kërkesave të shumta nga disa persona, si dhe nga i akuzuari Arben Bashota.

Ai tha se Bashota kishte ardhur në shtëpinë e tij për ta bindur babanë e tij, Markon, që t’ia jepte autorizimin që t’ia sheste pronën, mirëpo sipas dëshmitarit, ai i kishte thënë se nuk do t’ia jepte askujt autorizimin, ngase procedura ishte duke vazhduar akoma në gjykatë.

“Arben Bashota për herë të parë ka ardhur në shtëpinë time kur ka filluar procesi, kanë ardhur edhe një person i quajtur Nasuf, tjetri Shaban dhe disa të tjerë, e kanë sjellë një avokat me emër Skender Dumani dhe i kanë thënë babit se do t’ia kthejnë tokën në mënyrë legale, por duhet të heqësh dorë të thuash se nuk është toka ime”, tha dëshmitari.

Prokurorja e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratën e dhënë në prokurori me 26 maj 2016, në të cilën kishte thënë se i akuzuari Bashota i kishte thënë babait të tij, Markos, që ai pikërisht e kishte bërë këtë falsifikim dhe se toka ishte e të dyve, dhe ia kishte ofruar një milion euro, që Marko ta autorizonte atë që t’ia shesë tokën.

“Kam një përmirësim, unë nuk kam thënë se Bashota i ka thënë babait se unë e kam bërë, por i ka thënë se kjo tokë është e jotja dhe e imja, dhe se ama autorizimin unë ti jap 50 mijë euro, por babai i ka thënë se as për 1 milion euro nuk ta jap autorizimin, sepse jam në proces gjyqësor. Babai e ka përzënë nga shtëpia dhe i ka thënë s’më duhen paret tua dil nga oborri” tha dëshmitari.

Ai tha se 83 ari të kësaj prone, i takonin babait të tij dhe familjarëve tjerë, por tha se nuk ishte në dijeni se sa pronarë kishin qenë.

Tutje, tha se prona nuk i ishte shitur askujt dhe se për të njëjtën nuk kishin marrë asnjëherë asnjë cent nga askush.

Dëshmitari tha se nuk ishte në dijeni se ndaj babai të tij, Marko Mitroviqit në vitin 2006 ishte zhvilluar procedurë penale për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë dhe se ishte liruar nga akuza.

Për ngastrën kadastrale, e cila gjendet në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë, tha se babai i tij së bashku me disa të afërt që nga viti 1990 kishin filluar të punonin atë tokë, për të cilën derisa ata kishin qenë duke e punuar, kishin ardhur Kombinati Bujqësor Industrial (KBI) për t’i larguar nga aty, dhe më pas nga policia ishin njoftuar se mund të vazhdonin ta punonin tokën, mirëpo duhet ta paraqesin rastin në gjykatë.

Ai tha se e njëjta tokë ishte nacionalizuar pas luftës së dytë botërore, dhe pastaj e kishte marrë kombinati “Dobreva”, të cilën pronë tha se asnjëherë nuk kishin tentuar që ta kthejnë në pronësi të tyre.

Ndryshe, në këtë shqyrtim gjyqësor ka dhënë deklaratën e saj edhe bashkëshortja e  të akuzuarit Osman Bajrami, dëshmitarja Emigreta Morina.

Morina tha se parcela prej 10 hektarësh, e cila është objekt i këtij procesi gjyqësor i takonte gjashtë pronarëve dhe se bashkëshorti i saj, Osman Bajrami, kishte bërë investime në të.

“E di që kjo parcelë u takon gjahtë pronarëve dhe se burri im është investitor në këtë parcelë, pra nuk është pronar por veç investitor. Ai ka bërë investime dhe nuk ka arritur deri në atë shkallë që ti përkthejë dokumentet në emër të tij, ka investuar një shumë të madhe qe përkatësisht e bënë aksionar”, tha ajo.

Ajo tha se i akuzuari Osman Bajrami për këtë parcelë kishte investuar vetëm të holla, por nuk kishte ndërtuar objekte, dhe sa se nuk ishte në dijeni se a u ka paguar të holla të gjashtë pronarëve.

“Nuk janë bërë investime materiale në ndërtim, por është bërë investim duke u paguar të holla pronarëve, përderisa nuk e ka përkthyer në emër të vet nuk mund ta konsideroj blerje”, tha dëshmitarja.

Pronarë të kësaj parcele sipas dëshmitares Morina, janë Arben, Xhavit dhe Shemsije Bashota dhe tre të tjerë të cilëve tha se nuk ua dinte emrat.

Ajo tha se Osman Bajrami kishte qenë i autorizuari i Xhavit Bashotës për menaxhimin e qerasë, por mohoi se e dinte shumën të cilën ai e merrte nga pronarët e kësaj parcele, po ashtu as vlerën e investimit të tij, tha se nuk e dinte.

Në pyetjen e prokurores Merita Bina-Rugova se pasi i akuzuari Osman Bajrami kishte investuar të holla për këtë parcelë, a kishte shpresuar që të merrte një pjesë të pronës në emër të tij, dëshmitarja është përgjigjur “ai i ka bërë investimet jo me shpresë, por duke e ditur se çfarë është duke vepruar, përderisa dikush është investitor është e pritshme që ka pasur qellim të bëjë pronën të veten”.

Ajo tha se me 5 janar 2015, kishte qenë në pronën në Fushë Kosovë, së bashku me kunatën e saj Halime Shaqirin dhe shokun e të akuzuarit Osman Bajrami, Gëzim Latifajn, për menaxhimin e qirasë pasi sipas saj, i kishte takuar që ta vazhdojë punën e bashkëshortit të saj.

Në pyetjen e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Skënder Musa se a kishte pasur njohuri dëshmitarja se prona në fjalë ishte pronë publike shoqërore, ajo tha se vetëm gjatë marrjes në pyetje në polici kishte dëgjuar për këtë fakt.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 18 korrik 2018, në ora 9:00.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, i ngarkon me veprat penale të krimit të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas aktakuzës së PSRK-së, prona kontestuese  në sipërfaqe prej mbi 10 hektarësh, gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë dhe se ajo ishte marrë në shfrytëzim nga Murat Tërnava për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004, së bashku me Ruzhdi Shaqirin e njohur si “Baksi” (i vrarë në gusht të vitit 2014), kanë bërë presione të vazhdueshme ndaj të dëmtuarve Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet, në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

Sipas prokurorisë, i dëmtuari Murat Tërnava, pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “ Bujqësia”.

Gjithashtu, në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Ruzhdi Shaqiri, por ai ishte vrarë në gusht të vitit 2014, në Skenderaj, për të cilin rast Gani Geci, më 3 qershor të vitit të kaluar, ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, me 4 vjet e gjashtë muaj burgim, por që në tetor të vitit të kaluar ky rast ishte kthyer në rigjykim.