Gjykimi për korrupsion, zyrtari në Komunën e Gjakovës thotë se veprimi i tij është normal dhe i ligjshëm

Shkelzen Ahmeti foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Tetor 16, 2020

Gjakovë – Të premten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ka dhënë mbrojtjen e tij ish-zyrtari i gjendjes civile në Komunën e Gjakovës, tani zyrtar i emergjencave në këtë komunë, Shkëlzen Ahmeti, i akuzuar për keqpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

I akuzuari Ahmeti, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Meshari Selimaj, tha se ka punuar si zyrtar i gjendjes civile në Komunën e Gjakovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E i pyetur se sipas aktakuzës i njëjti ka bërë ndryshimin e vendbanimit për personin Bujar Vishaj, i cili më pas është pajisur me dokumente personale, ai tha se ka vepruar në mënyrë të ligjshme.

“Për mua është shumë normale dhe shumë e ligjshme çka kam vepru, në bazë të dokumenteve që më kanë ardhë”, tha i akuzuari Ahmeti.

Ai tha se procesi i ndërrimit të vendbanimit të një personi zgjatë prej 30 sekonda deri në një minutë.

Ai shtoi se në këtë rast, me rastin e ndërrimit të vendbanimit, kanë përdorur një faturë rryme, e cila sipas tij ka qenë dëshmi kryesore për ndërrimin e vendbanimit.

E prokurori Ramiz Buzhala, e pyeti të akuzuarin se sipas përvojës së tij, a lejohet ndërrimi i vendbanimit kur parashtrohet një dokument në emër të prindit me adresë të lokalit, për çka i akuzuari tha se konsideron se adresa vjen në emër të prindit atëherë edhe te adresa e fëmiut mund të shkruhet e njëjta adresë.

I akuzuari Ahmeti në fund të mbrojtjes së tij tha se ka vërejtje tek personi zyrtar në Deçan, i cili e ka futur personin në fjalë në sistem pa qenë personi dhe kjo sipas tij është thyerje e ligjit.

“Po ashtu kam vërejtje në rastin e dhënies së pasaportës dhe dokumenteve tjera për arsye se si ka mundësi që një person i tillë të pajiset me pasaportë, patentë shofer etj, me vetëm një esktrakt të lindjes.”, tha i akuzuari në fund të mbrojtjes së tij.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Gëzim Pozhegu kanë caktuar 29 tetorin për dhënien e fjalëve përfundimtare në këtë rast.

Ndryshe, i akuzuari Ahmeti ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 3 shtator të vitit 2019.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 28 maj 2019, Shkëlzen Ahmeti akuzohet se më 11 maj 2016, në Gjakovë, në cilësinë e zyrtarit në Zyrën e Gjendjes Civile në Komunën e Gjakovës, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të sjell dobi pasurore të kundërligjshme për vete apo të tjerët.

Siç përshkruhet në aktakuzë, në kundërshtim me nenin 6 të Ligjit nr.02/L-121 për vendbanimin dhe vendqëndrimin, personit të deri tani të panjohur N.N, në mënyrë të kundërligjshme pa ia verifikuar të dhënat ia vërteton të dhënat se gjoja quhet Bujar Vishaj, i lindur më 07/02/1971, dhe se është banues në Gjakovë.

Në aktakuzë thuhet, se i -akuzuari personit të njëjtë po atë ditë ia lëshon ekstraktin, duke ia mundësuar që në ish-zyrën e regjistrimit civil, tani Q.P.D në Gjakovë, me të dhënat e rrejshme të vërtetuara të pajiset me dokumente personale si letërnjoftim, ndërsa më 16/5/2016, me pasaportë dhe patentë shoferë.

Për këtë, sipas aktakuzës po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” nga neni 422 para.2-1-2.1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i njëjti më datë, kohë dhe vend të njëjtë si në pikën e parë të dispozitivit të kësaj aktakuze, në dokumentin zyrtar, përkatësisht në ekstrakt, me nënshkrimin e tij si dhe vulën zyrtare vërteton dokumentin zyrtar-ekstraktin, të cilat përmbajnë të dhëna të rreme për këtë person, i cili në mënyrë të kundërligjshme në zyrën e regjistrimit civil, tani Q.P.D në Gjakovë, me të dhënat e rrejshme të vërtetuara nga  i pandehuri më 12.5.2016, të pajiset me dokumente personale si letërnjoftim, ndërsa më 16/5/2016, me pasaportë dhe patentë shofer.

Për këtë, sipas aktakuzës po akuzohet se ka kryer veprën penale “falsifikim i dokumentit zyrtar” nga neni 434 para.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi