Gjykimi për korrupsion, veterinari mohon se lëshoi dokumentacion përkatës për kafshët e kontrabanduara

82485398_610986536410273_1707576789552857088_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Janar 13, 2020

Gjilan – Mjeku i veterinarisë në zyrën regjionale në Ferizaj, Mexhid Haxhimusa, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ka deklaruar se nuk ka lëshuar certifikata, numra identifikues dhe pasaporta për kafshë të kontrabanduara.

Këtë deklarim, ai e ka bërë gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Në këtë rast, për moslajmërim të veprës penale po akuzohet edhe Artan Pajaziti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtësit të tij, avokatit Mustafë Musa, si dhe prokurorit Agron Uka, i akuzuari Haxhimusa ka thënë se nuk e ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, por vetëm se ka kryer punën e tij të paraparë me ligj.

Ai ka thënë se profesionin e veterinarisë e ushtron që 22 vjet, dhe në vazhdimësi ka punuar me licencë përkatëse.

Haxhimusa, ka deklaruar se në ambulancën e veterinarisë “Indriti” në Ferizaj, punon si përgjegjës profesional, dhe se themeluese e kësaj ambulance ka qenë bashkëshortja e tij.

“Stacioni veteriner është privatizuar në vitin 2006, dhe stacioni është vazhdimësi e stacionit qendror të veterinarisë ku unë kam pasu pozitën e drejtorit. Kemi pas qasje vazhdimisht në sistemin e identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve, në kuadër të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, në stacionin veterinar”, ka thënë i akuzuari.

Sipas tij, obligimet e fermerit janë, që ai si person fizik apo juridik, pa marr parasysh kafshën a e mbanë përkohësisht apo periudhë më të gjatë, ai duhet ta informojë veterinerin qysh në momentin e lindjes së kafshës, brenda shtatë ditëve, ndërsa veterinari duhet që brenda javës të bëjë matrikulimin e kafshës.

“Dokumentet e nevojshme për qarkullimin e kafshës janë pasaporta e kafshës, të ketë certifikatën shëndetësore që e lëshon personit zyrtar ose veterinari, certifikatën e dezinfektimit të mjetit transportues, dhe certifikatën e transportit të cilën e lëshon inspektori komunal, të gjitha këto janë obligimet e pronarit të kafshës, të cilat sigurohen për lëvizjen e kafshës brenda territorit të Kosovës, ndërsa për jashtë Kosovës është inspektori regjional ose kufitar”, ka thënë i akuzuari Haxhimusa.

Ai ka thënë se tani nga disa dëshmitarë, që ishin edhe të akuzuar në këtë rast, nuk e din nëse ata kanë kontrabanduar kafshë, sepse sipas tij, pronari i kafshëve është përgjegjës, dhe jo ai.

Ai ka thënë se i akuzuari tjetër, Artan Pajaziti, në ordinancën veterinere “Indriti”, ka punuar si punëtor teknik, dhe se tekniku është ndihmës i veterinerit, siç tha i akuzuari Haxhimua “gjatë punës kirurgjikale ndihmon mjekun, kryen punë teknike në terren, sipas nevojës punë teknike brenda dhe jashtë ambulancës”.

“Unë nga të akuzuarit e tjerë i njohë disa, si Aif  Mehmetin, Daut Reqicën e ndonjë tjetër, derisa të akuzuarit e tjerë nuk i njohë. Për periudhën që kur flitet unë nuk kam lëshuar asnjë certifikatë shëndetësore të kafshëve. Për këta persona nuk më kujtohet se kam lëshuar certifikata shëndetësore të kafshëve. Pasaporta të kafshëve sipas kërkesës i takon pronarit të kafshëve, i cili posedon kafshën në fermë. Në atë periudhë nuk kam lëshuar as certifikatë për dezinfektimin e automjeteve për transportim të kafshëve” deklaroi Haxhimusa.

Tutje, ai ka thënë se Artan Pajaziti, e ka ditur për dokumentacionin që kanë lëshuar, lidhur me pasaportat, matrikulimin dhe të tjera dokumente të kafshëve.

I akuzuari tjetër, Artan Pajaziti, po ashtu ka mohuar fajësinë me të cilën e ngarkon akti akuzues.

Ai ka thënë se punon si teknik i veterinarisë, ku në kuadër të punës së tij, ai bënë vaksinimin, sterilizimin, matrikulimin e kafshëve, dhe punë të tjera.

“Në përjashtim të akuzuarit Daut Reqica, të tjerët që kanë qenë të akuzuar nuk i njohë. Ordinanca ku unë kam punuar ka qenë e licencuar, dhe çmimi i një pasaporte të kafshëve kushton një euro. Unë nuk kam lëshuar certifikata të kafshëve për gjendjen shëndetësore, unë nuk jam kompetent”, deklaroi i akuzuari Pajaziti.

Ai ka thënë se në periudhën kohore korrik-nëntor 2016, përpos pasaportave, dokumente të tjera në ordinancën e veterinarisë “Indriti”, nuk janë lëshuar, dhe se ai nuk e din sepse ato janë lëshuar në terren.

Sipas tij, në ordinancën “Indriti”, me rastin e bastisjes së policisë janë gjetur 13 numra identifikues të kafshëve, matrikula, dhe se ato i kanë marrë nga kontraktori, e vet ata kanë qenë nënkontraktor.

“Unë po ashtu, kam pas qasje në sistem por me dijen e veterinarit. Kur kanë bërë lëshimin e pasaportave, në atë kohë edhe pse ka qenë sëmundja gungore e kafshëve, nuk kemi pasur obligim të lëshojmë certifikatë  për gjendjen shëndetësore të kafshëve, sepse në fillim lëshohet pasaporta e më pas certifikata. Ne si nënkontraktor nuk kemi bërë autorizime te ndonjë ambulancë tjetër veterinere” deklaroi Pajaziti.

Kryetari i trupit gjykues Agim Ademi, seancën tjetër e ka caktuar të mbahet më 21 janar 2020, në ora 8:45.

Ndryshe, në këtë rast për kontrabandim me kafshë kanë qenë të akuzuar edhe Izet Toqilla dhe Kadri Rrahmani, të cilët në seancën e 18 qershorit 2019, në shqyrtimin kryesor pasi kishin pranuar fajësinë, janë dënuar secili me nga tetë muaj burgim me kusht.

Shpallja e këtij aktgjykimi kishte ndodhur, pas propozimit të mbrojtësit të akuzuarit Toqilla, avokatit Esat Gutaj, me arsyetimin e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të të mbrojturit të tij.

Ndërkaq, ndaj të akuzuarit Zenun Zejnullahu ishte veçuar procedura, pasi që ka një kohë të gjatë që ai është i paarritshëm për gjykatën.

Në këtë çështje penale, të akuzuar të tjerë ishin edhe Heset Shefkiu, Avni Bilalli, Arif Ahmeti, Daut Reqica, Meriton Hasani, Nesim Hasani, Mejdi Zejnullahu, Murat Ilazi, Bekim Reqica dhe Indrit Haxhimusa, por që për të njëjtit ishte veçuar procedura, pasi që kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 28 shkurt 2017, i akuzuari Mexhid Haxhimusa, nga maji i vitit 2016 deri më 8 nëntor 2016, në regjionin e Vitisë dhe Ferizajt, më qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror për vete apo tjetrin, në cilësinë e personit zyrtar-mjek i veterinarisë në zyrën regjionale në Ferizaj, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, ashtu që është qasur pa autorizim në sistemin e identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve të Agjencisë së Veterinarisë dhe të Ushqimit të Kosovës (AVUK).

Sipas aktakuzës, Mexhid Haxhimusa, ka lëshuar certifikata, numra identifikues dhe pasaporta të kafshëve, për të cilat e ka ditur se të njëjtat janë të kontrabanduara nga të akuzuarit Heset Shefkiu, Bekim dhe Daut Reqica etj, dhe në këtë mënyrë ia ka mundësuar që të pandehurve me këto dokumente që të transportojnë me kamion kafshët e kontrabanduara nga Republika e Maqedonisë, nëpër territorin e Republikës së Kosovës për në Republikën e Shqipërisë.

Më këto veprime, prokuroria thotë se ai ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i detyrës zyrtare” nga neni 422 paragrafi 1 i KPRK-së.

Kurse, sipas akuzës në fjalë, të akuzuarit Heset Shefkiu, Avni Bilalli, Arif Ahmeti, Daut Reqica, Meriton Hasani, Nesim Hasani, Zenun Zejnullahu, Izet Toqilla dhe Kardri Rrahmani, akuzohen për veprën penale në bashkëkryerje “kontrabandimi i mallrave” nga neni 317 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të kodit në fuqi, pasi që të njëjtit që nga muaji korrik i vitit 2016 deri më 9 nëntor 2016, me qëllim përfitimi pasuror në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi kanë kontrabanduar kafshë dhe kanë kaluar vijën kufitare si dhe kanë shmangur kontrollin doganor.

Ata, përmes Republikës së Maqedonisë, jashtë pikës së rregullt kufitare, përmes fshatit Debëllde-Komuna e Vitisë, me traktor dhe kamionë kanë bartur gjedhe, ashtu që të akuzuarit Heset Shefkiu dhe Avni Bilalli në Maqedoni i kanë blerë kafshët dhe i kanë sjellë në fshatin Debëllde, ku Shefkiu i ka vendosur shenjat e matrikulimit dhe i ka ngarkuar në kamion duke i dërguar në fshatin Greme tek i akuzuari Arif Ahmeti, i cili përveçse ka strehuar kafshët i njëjti edhe ka kontrabanduar kafshë dhe nga i pandehuri Mexhid Haxhimusa ka siguruar matrikulla e dokumente për transportin e tyre për në Republikën e Shqipërisë tek i akuzuari Izet Toqilla.

Ata, përmes Republikës së Maqedonisë, jashtë pikës së rregullt kufitare, përmes fshatit Debëllde-Komuna e Vitisë, me traktor dhe kamionë kanë bartur gjedhe, ashtu që të akuzuarit Heset Shefkiu dhe Avni Bilalli në Maqedoni i kanë blerë kafshët dhe i kanë sjellë në fshatin Debëllde, ku Shefkiu i ka vendosur shenjat e matrikulimit dhe i ka ngarkuar në kamion duke i dërguar në fshatin Greme tek i akuzuari Arif Ahmeti, i cili përveçse ka strehuar kafshët i njëjti edhe ka kontrabanduar kafshë dhe nga i pandehuri Mexhid Haxhimusa ka siguruar matrikulla e dokumente për transportin e tyre për në Republikën e Shqipërisë tek i akuzuari Izet Toqilla.

Kurse, siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Daut Reqica  së bashku me të akuzuarin Bekim Reqicam me kamionin e tyre nga Maqedonia kanë kontrbanduar kafshë dhe kanë siguruar dokumente dhe matrikulla nga i pandehuri Mexhid Haxhimusa dhe të njëjtat kafshë i kanë dërguar në thertoren në fshatin Llukë e Epërme-Komuna e Deçanit, kurse të pandehurit Kadri Rrahmani dhe Murat Ilazi, kanë kontrabanduar kafshë duke i transportuar me traktor përmes rrugëve malore deri te shtëpia e të pandehurit Heset, edhe të pandehurit Nesim e Meriton Hasani në bashkëkryerje me të akuzuarit e tjerë kanë kontrabanduar dhe strehuar kafshët me qëllim të transportojnë në Shqipëri, tek i akuzuari Izet Toqilla.

Gjithmonë sipas aktakuzës, i akuzuari Zenun Zejnulahu vazhdimisht me automjetin e tij transportues ka bartur kafshët e kontrabanduara të pandehurve Heset dhe Avni, ashtu që, më 9 nëntor 2016, në Suharekë është ndalur nga policia, ku janë gjetur 11 kafshë me dokumente të falsifikuara, kurse gjatë bastisjes në pronat e të akuzuarve: Zenun Zejnullahu janë gjetur 15 krerë gjedhe të kontrabanduara, te Arif Ahmeti janë gjetur 9 krerë gjedhe, te Daut Reqica, 26 krerë gjedhe si dhe te Nesim e Meriton Hasani, 14 krerë gjedhe, gjithsej 64 krerë gjedhe, duke iu shmangur në këtë mënyrë detyrimeve doganore në vlerë prej 16.333.00 euro.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Arif Ahmeti, Daut Reqica, Zenun Zejnullahu, Heset Shefkiu, Avni Bilalli dhe Nesim e Meriton Hasani, akuzohen edhe për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve” nga neni 398 paragrafi 1, pasi që më 9 nëntor 2016, gjatë bastisjes sipas urdhrit të Gjykatës Themelore në Gjilan, në shtëpitë e të akuzuarve janë gjetur dokumente të falsifikuara me qëllim që të njëjtat ti përdorin si origjinal.

Ashtu që, siç thuhet në akuzë, në shtëpinë e Arif Ahmetit janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë matrikulla, tri pasaporta të kafshëve dhe tre formularë nga sistemi AUV-it, në shtëpinë e Daut Reqicës janë gjetur dhe sekuestruar 26 krerë kafshë dhe 8 matrikulla të papërdorura dhe 134 matrikulla më nga një numër dhe tri palë mjete për matrikulim; në shtëpinë e Zenun Zejnullahut janë gjetur dhe sekuestruar 3 vathë matrikullimi të gjedheve dhe 12 pasaporta të gjedheve; në shtëpinë e Heset Shefkiut janë gjetur 49 vathë matrikullimi të gjedheve, 23 pasaporta të gjedheve dhe një palë mjete për vendosjen e vathëve të matrikullimit të gjedheve, 14 pasaporta të kafshëve, 14 certifikata të kafshëve dhe tri pasaporta të tjera për kafshë kurse në shtëpinë e Nesim e Meriton Hasani, janë gjetur dhe sekuestruar 134 pasaporta të kafshëve dhe 116 matrikulla, të cilat dokumente nga të gjithë të akuzuarit janë përpiluar dhe ndryshuar me qëllim që të njëjtit t’i përdorin si origjinal me rastin e kontrabandimin të kafshëve.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Indrit Haxhimusa dhe Artan Pajaziti, akuzohen se nga muaji korrik 2016 deri më datë 8 nëntor 2016, në ordinancën veterinare “Indriti”, në Ferizaj, të pandehurit kanë qenë në dijeni për identitetin e kryerësit të veprës penale të akuzuarit Mexhid Haxhimusa, ashtu që nuk e lajmërojnë një fakt të tillë edhe pse zbulimi me kohë i kryerësit të veprës penale varet nga ky lajmërim.

Andaj, Indrit Haxhimusa dhe Artan Pajaziti, akuzohen se në bashkëkryerje “moslajmërimi i veprave penale apo kryersve të tyre” nga neni 386 paragrafi 1 nënparagrafi 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Kurse, Meriton Hasani dhe Mejdi Zejnullahu, me rastin e bastisjes, tek shtëpia e të akuzuarit Hasani, është gjetur arma e llojit “Zastava 635”, ndërsa, tek shtëpia e të akuzuarit Zejnullahu, është gjetur pushka e gjuetisë, për çka akuzohen edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi