Gjykimi për korrupsion, tregti të ndaluar dhe shmangie nga tatimi, mohojnë fajësinë katër ish-zyrtarët policorë dhe të tjerët

Nora Kelmendi- Raporti për Web- Rasti Mentor Dallku etj- 7 shkurt 2019
Author

Raporton: Nora KELMENDI

Shkurt 7, 2019

Mitrovicë – Ish-zyrtarët policorë Mentor Dallku, Ruzhdi Kajtazi, Beqir Dajakaj dhe Bedri Haliti janë deklaruar të pafajshëm nën akuzën për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur këtë të enjte, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Përveç tyre, nën akuzën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, për kryerjen e veprave penale  “tregti e ndaluar” nga neni 305,  paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, e lidhur me nenin 81 paragrafi 1 e 31 dhe “shmangia nga tatimi” nga neni 313 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1  të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të pafajshëm janë deklaruar edhe 10 të akuzuarit e tjerë, Besim Zeqiri, Jeton Zymeri, Driton Spahija, Ukë Atashi, Gentrit Zymeri, Agim Jashari, Liridon Hyseni, Etrit Idrizi, Ali Muzliukaj dhe Canabeg Hyseni, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuarit e lartpërmendur, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit të rastit Njazi Rexha, u shprehen se sipas tyre, asnjëri nuk ka kryer veprat penale me të cilat ngarkohen duke mohuar të jenë marrë me veprimtari kriminale, siç thuhet në aktakuzë.

Në fjalën hyrëse të dhënë nga të gjitha palët në këtë procedurë, prokurori Rexha tha se aktakuza e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë do të vërtetohet gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, ndërkaq mbrojtësit e disa të akuzuarve dhe të akuzuarit e tjerë, aktakuzën në fjalë e quajtën të pa bazë dhe të pavërtetuar mirë.

Në fjalën hyrëse, prokurori Njazi Rexha tha se pretendimi i aktakuzës  e cila të akuzuarit i ngarkon me veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “tregti e ndaluar” dhe “shmangia nga tatimi” ku thuhet se të njëjtit kanë vepruar si grup kriminal, sipas tij do të vërtetohet edhe fakti se i akuzuari Besim Zeqiri ka organizuar rrjetën e shitësve dhe blerësve ku thuhet se ka përcaktuar detyrat e të pandehurve të tjerë për transportim të derivateve të naftës me automjete të ndryshme e në disa raste edhe me autocisterna.

Ai më pas tha se kjo gjendje faktike do të vërtetohet nga transkriptet e bisedave telefonike dhe prova të tjera të cilat siç tha ai do të dëshmojnë se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Besim Zeqiri, avokati Arsim Bilalli, në fjalën e tij hyrëse tha se sipas tij, në asnjë provë të vetme të propozuar në aktakuzë nuk është vërtetuar dyshimi i bazuar mirë se Besim Zeqiri është kryerës i këtyre veprave të cilat i vihen në barrë, e tërë kjo siç tha ai është e pakuptimtë pasi që i akuzuari Zeqiri nuk ka biznes në emër të tij dhe se për tu kryer kjo vepër sipas tij, mallrat dhe sendet duhet të jenë të ndaluara e që në rastin konkret avokati Bilalli, tha se derivatet e naftës nuk bëjnë pjesë në mallrat dhe sendet e ndaluara.

Aktakuza, u kundërshtua edhe nga ana e mbrojtësit të të akuzuarit Driton Spahia, avokatit Arben Ramadani, i cili deklaroi se i akuzuari Driton Spahia sipas aktakuzës konstatohet si bashkëpronar i pompës së derivateve “Spahia Petrol” e që ky pretendim siç tha ai nuk qëndron pasi që sipas tij, pronar i këtij biznes është janë familjar i tij dhe jo i akuzuari në fjalë.

Ai më pas tha se Gjykata në mungesë të provave, të mbrojturin e tij, Driton Spahia duhet la lirojë nga akuza.

Aktakuza dhe provat e saj u kundërshtuan edhe nga mbrojtësi i të akuzuarit Mentor Dallku, avokatit Xhafer Maliqi, i cili tha se  ndër provat e tjera ka kërkuar që të dorëzohet edhe burimi i transkripteve (CD)- ja  për çfarë tha se nga Prokuroria është njoftuar se nuk disponojnë me atë CD, e që sipas tij, asnjëherë Prokuroria nuk ka provuar se bisedat telefonike dhe numri i telefonit ku në aktakuzë thuhet se janë zhvilluar në mes të të akuzuarit Dallu dhe Besim Zeqirit i kanë takuar të mbrojturit të tij, ish-zyrtarit policorë Mentor Dallku.

Pretendimet e aktakuzës, u kundërshtuan edhe nga ana e mbrojtësit të të akuzuarit Ruzhdi Kajtazi, avokatit Asdren Hoxha i cili tha se nëse me vëmendje analizohet oraret e punës së të akuzuarit Kajtazi me datat dhe ora e përgjimeve telefonike, sipas tij do të vërtetohej fakti se i akuzuari Ruzhdi Kajtazi nuk ka qenë fare në punë atë ditë. Ai tha se pas administrimit të të gjitha provave pret që për të mbrojturin e tij, të merret aktgjykim lirues.

Aktgjykime liruese u shprehen se presin të merret edhe ndaj ish-zyrtarëve policorë Beqir Dajakaj dhe Bedri Haliti,  avokatët Sheremet Ademi dhe Behar Ekupi, pasi që sipas tyre, prokuroria nuk do të arrijë të dëshmojë fajësinë e tyre.

Po ashtu, të akuzuarit Etrit Idrizi, Jeton dhe Gentrit Zymeri, Ukë Atashi, Agim Jashari, Liridon Hyseni, Ali Muzliukaj dhe Canabeg Hyseni, kundërshtuan aktakuzën dhe secili veç e veç u shprehën se sipas tyre Prokuroria i ka ngarkuar ata padrejtësisht.

Pas përfundimit të dhënies së fjalës hyrëse nga ana e të gjitha palëve në këtë procedurë dhe pasi që disa nga palët u deklaruan se nuk janë të pajisur me të gjitha provat, kryetari i trupit gjykues Avni Mehmeti, mori vendim me anë të së cilit, seancën e së enjtes e ka shtyrë për 21 dhe 22 mars 2019 nga ora 10:00.

Ai tha se ky komunikim palëve u shërben në vend të ftesave të rregullta.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 10 prill 2015, zyrtarët policorë Mentor Dallku, Ruzhdi Kajtazi, Beqir Dajakaj, Bedri Haliti, akuzohen se nga 21 marsi i vitit 2013 e deri më 12 prill 2013,  përderisa kanë qenë në orarin e punës duke punuar në pika kontrolli të ndryshme, në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre si persona zyrtarë.

Sipas aktakuzës, vepra është kryer në atë mënyrë që gjersa i pandehuri Besim Zeqiri me ndihmësit e tij, kanë transportuar mallra pa autorizim, konkretisht derivate të naftës, ata janë njoftuar nga të pandehurit mbi gjendjen në rrugë me qëllim që kur rrugët kanë qenë të lira të bëhet transportimi, duke mos i penguar për kryerjen e veprave penale ashtu si  kanë qenë të detyruar sipas ligjit.

Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Përveç tyre, me këtë aktakuzë, Besim Zeqiri, Jeton Zymeri, Driton Spahija dhe Ukë Atashi, akuzohen se në bashkëkryerje, që nga 21 mars 2013 e deri më 12 prill 2013, në fshatin Shupkovc të Mitrovicës, në vazhdimësi pa autorizim kanë shitur-blerë apo edhe shkëmbyer derivate të naftës, paraprakisht duke organizuar rrjetin e shitësve-blerësve si dhe të ndërmjetësve, duke realizuar përfitimin i cili kalon shumën 15.000 euro, ku dhe janë fshehur dhe shmangur tërësisht pagesës në tatim, tarifave apo dhe kontributeve të tjera që kërkohet me ligj.

Me këtë, ata akuzohen se kanë kryer veprat penale “tregti e ndaluar” nga neni 305,  paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, e lidhur me nenin 81 paragrafi 1 e 31 dhe “shmangia nga tatimi” nga neni 313 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1  të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktakuza po ashtu, ngarkon edhe të pandehurit Agim Jashari, Liridon Hyseni, Etrit Idrizi, Ali Muzliukaj dhe Canabeg Hyseni, për kryerjen e veprës penale, ndihmë për kryerjen e veprës penale “tregti e ndaluar ‘ nga neni 305 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi