Gjykimi për korrupsion, refuzohet propozimi i mbrojtjes për pushim të procedurës për shkak të parashkrimit

Raporton: Adelina Ajeti

Gjilan- Gjykata Themelore në Gjilan e ka refuzuar propozimin  e mbrojtësit të të akuzuarit Suad Pireva, avokatit Naser Sopjani për pushimin e procedurës penale për të mbrojturin e tij, Fatlum Pirevën si dhe “El Bau” sh.p.k, për shkak  të parashkrimit të ndjekjes penale.

Këtë vendim e mori kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Agim Ademi, në seancën e së martës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në këtë rast, ish-shefi i Prokurimit në Gjilan, Salih Kqiku, ish-drejtori i Urbanizmit Valon Shefiku, udhëheqësi i zyrës së Prokurimit Izet Kurteshi dhe ish-zyrtarja e shërbimeve publike Ganimete Kastrati, ngarkohen për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Fatlum Pireva, Suad Pireva, dhe Muhadin Zuka, ngarkohen me veprën penale “mashtrimi”, duke i shkaktuar komunës së Gjilanit dëm mbi 40 mijë euro.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor, avokati Sopjani tha se duke qenë se aprovimi i propozimit për ekspertizë tjetër nuk ka të bëjë me klientin e tij Suad Pireva, po ashtu edhe me Fatlum Pirevën dhe “El Bau” SHPK, theksoi se po ballafaqohen me proces gjyqësor për vepër penale të parashkruar.

Avokati Sopjani tha se vepra penale e mashtrimit nga paragrafi 2, neni 335, nuk është konform provave materiale, ngase sipas tij këtu kemi cilësim juridik që përkon në rastet kur kemi dëm apo përfitim që kalon shumën së paku prej 10 mijë euro.

I njëjti i ka propozuar gjykatës që ta pushojë këtë procedurë penale ndaj të pandehurve Fatlum Pireva dhe Suad Pireva, po ashtu edhe ndaj kompanisë, “El Bau”, për shkak se ekzistojnë pengesa për ndjekjen penale, saktësisht është arritur dyfishi i ndjekjes penale.

Këtë propozim e ka kundërshtuar prokurori Agron Uka, duke thënë se mbetet pranë aktakuzës dhe kualifikimit juridik të aktit akuzues në aktakuzë.

Më pas, gjyqtari Ademi ka refuzuar propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Fatlum Pireva, avokatit Naser Sopjani, për hudhjen e aktakuzës, me arsyetim se vepra penale është kualifikuar sipas paragrafit 2 të nenit 335, lidhur me nenin 335, e po ashtu prokurori ka mbetur pranë kualifikimit të njëjtë dhe lënda ka shkuar në riekspertim, ashtu që rezultati i riekspertimit do të përcaktojë kualifikimin juridik.

Paraprakisht, gjyqtari Ademi në fillim të shqyrtimit gjyqësor ka njoftuar se i është dërguar urdhëresë Fakultetit të Ndërtimtarisë që të hartohet ekspertizë nga ana e ekspertëve, e po ashtu edhe për ekspertin e gjeodezisë, por që deri tani ekspertiza nuk ka përfunduar, duke qenë se për një kohë dekani i këtij fakulteti kishte qenë jashtë vendit, në mënyrë që më pas lënda t’i ndahet ekspertëve.

Prokurori Uka tha se nuk mund të veprohet pa ekspertizë pasi që është aprovuar propozimi i mbrojtësve që në këtë çështje penale të bëhet riekspertimi nga ana e ekspertëve të ndërtimtarisë dhe gjeodezisë dhe që aktualisht ekspertiza nuk ka arritur.

Mbrojtësit e të akuzuarve Valon Shefkiu dhe Muhadin Zuka, avokatët Ymer Huruglica dhe Sevdail Robelli kanë deklaruar që mbesin pranë propozimit për hartimin e ekspertizave, andaj kanë propozuar që derisa të sigurohet ekspertiza seanca të shtyhet.

Gjyqtari Ademi e ndërpreu seancën e sotme në mungesë të ekspertizave të ekspertit të ndërtimtarisë dhe gjeodezisë dhe seanca e radhës është caktuar më 18 korrik 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, i pandehuri Salih Kqiku në cilësinë e personit zyrtar si udhëheqës i Zyrës së Prokurimit Publik, pa i përmbushur detyrat e tij zyrtare, në bashkëkryerje me të pandehurin Valon Shefkiu, menaxher i projektit, kanë lidhur kontratë me operatorin ekonomik “Zuka Comerc” për asfaltimin e katër rrugëve të reja në projektin “Asfaltimi i rrugës në fshatin Përlepnicë” deri te kompleksi “Vali Ranch” me vlerë të kontratës prej 245 mijë e 825 euro e 89 centë.

Aktakuza thotë se në projekt ka qenë paraparë që trashësia e asfaltit duhet të jetë 11.00 cm, ndërsa është implementuar 8.93 cm, që do të thotë më pak se trashësia sipas projektit për 2.07cm.

Tutje, thuhet se të pandehurit nuk kanë përcjellë këtë ndryshim edhe pse në bazë të ligjit mbi prokurimit në bazë të detyrave dhe autorizimeve kanë qenë të obliguar për mbikëqyrjen dhe përcjelljen e kontratës me rastin e implementimit, ashtu që për veprimet e tyre i është shkaktuar dëm Komunës së Gjilanit në shumën prej 10 mijë e 702 euro e 23 centë.

Me këtë, në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Po ashtu, të njëjtit, sipas aktakuzës akuzohen se kanë lidhur aneks-kontratë, me të cilën është kontraktuar për të dytën herë me operatorin ekonomik “Zuka Comerc” duke theksuar se aneks kontrata është mbështetur në paramasa dhe parallogari tjetër, nga e cila rezulton se ndërtimi i urës ka përfshirë punët e dheut në vlerë prej 7 mijë e 881 euro e 16 centë dhe objektin (urën) në vlerë prej 15 mijë e 239 euro e 39 centë, gjithsej në shumë prej 23 mijë e 120 euro e 55 centë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, për ndërtimin e kësaj ure ka munguar projekti i veçantë dhe se është zbatuar një projekt tjetër mbi bazën e të cilit është ndërtuar ura në Malësinë e Karadakut, përkatësisht ura në lagjen e Bilallëve, e cila është konsideruar nga të pandehurit se është ekuivalente me urën për të cilën mungon projekti, ashtu që diferenca e kontraktuar dhe e paguar më tepër është 14 mijë e 818 euro e 98 centë.

Me çka në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Tutje sipas aktakuzës, i pandehuri Salih Kqiku akuzohet se në bashkëkryerje edhe me të pandehurit Izet Kurteshi dhe Ganimete Kastrati menaxherë të projektit, në atë mënyrë që anëtarët e komisionit Valon Shefkiu, Arsim Ibrahimi e Bashkim Bunjaku, përkundër vërejtjeve të tyre që i kanë paraqitur për punët e filluara dhe të kryera, kanë kërkuar nga zyra e prokurimit udhëzime dhe përgjigje se si të veprohet më tutje, mirëpo të njëjtit kurrfarë përgjigje nuk ua kanë dhënë, ashtu që anëtarët e komisionit në vendim kanë sqaruar se nuk bartin përgjegjësi për punët e ekzekutuara dhe nuk mund të kryejnë punën e mbikëqyrjes profesionale.

Gjithnjë sipas aktakuzës, është bërë faturimi i punëve të kryera në shumën prej 231 mijë e 94 euro e 96 centë, ku është përfshirë edhe shuma e aneks-kontratës 20 mijë e 99 euro e 36 centë, dhe nga kjo konsiderohet dëm i shkaktuar Komunës së Gjilanit në vlerë prej 3 mijë e 496 euro e 33 centë.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Kompania private “Zuka Comerc” me seli në Gjilan, akuzohet se në cilësi të personit juridik ka kryer punët joprofesionale ndërtimore në kundërshtim me standardet e parapara profesionale, me ç’rast shuma e përgjithshme në përftimin material me qëllim përvetësimi për veten dhe në dëm të komunës është 25 mijë e 521 euro e 21 centë.

I pandehuri Muhadin Zuka, akuzohet se si person fizik, përfaqësues i autorizuar i personit juridik “Zuka Comerce”, me qëllim përfitimi nga fondet publike i ka paraqitur fakte të rreme Komunës së Gjilanit, ngase nuk ka realizuar rrugën sipas kontratës, duke shkaktuar dëm material me qëllim përvetësimi për vete, në dëm të komunës së Gjilanit në shumë prej 25 mijë e 521 euro e 21 centë.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrim” nga neni 355, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

Tutje, kompania private ‘El-Bau” me seli në Gjilan, akuzohet se në cilësi të personit juridik ka vënë në lajthim Komunën e Gjilanit, duke mos iu përmbajtur kontratës sipas tenderit, me ç’rast shuma e përgjithshme në përftimin material me qëllim përvetësimi për veten në dëm të komunës së Gjilanit është në shumë prej 2 mijë e 662 euro e 26 centë.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrim” nga neni 355, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

Ndërsa, të pandehurit Fatlum Pireva dhe Suad Pireva, akuzohen se si persona fizik dhe përfaqësues të autorizuar të personit juridik “El-Bau”, me qëllim përfitimi nga fondet publike i kanë paraqitur fakte të rreme komunës së Gjilanit, ashtu që të njëjtit nuk kanë realizuar rrugën sipas kontratës duke i shkaktuar dëm komunës së Gjilanit në vlerën prej 2 mijë e 662 euro e 26 centë.

Me çka, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Mashtrim” nga neni 355, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë