Gjykimi për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit në Drenas, dëshmitarja thotë se banesën ia kishte dhënë i akuzuari

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prishtinë – Dëshmitarja M.S tha se banesën të cilën e shfrytëzon për banim, ia kishte dhënë ish-drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm në Komunën e Drenasit, tani i akuzuari Idriz Hysenaj.

Këtë deklarim, dëshmitarja e bëri të martën në gjykimin ndaj Hysenajt, i cili akuzohet për  keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitarja deklaroi se në viti 2014 është vendosur në ndërtesën “Kulla Com”, ku sipas saj ishte vendosur nga tani i akuzuari, pasi që e njëjta disa herë kishte kërkuar nga komuna për t’i bërë zgjidhje për vendbanim.

“Tani i akuzuari më ka vendosur në objektin e lartcekur, pasi që unë kam qenë grua e dëshmorit, vajzën e kam pas të plagosur dhe vet jam viktimë e luftës si dhe kërkesat që i kam pas në komunë për me më bo zgjidhje për vendbanim”, tha dëshmitarja.

Ajo shtoi se çelësat e banesës ia kishte dhënë i akuzuari Hysenaj dhe ka pasur njohuri se banesa është e komunës.

E pyetur nga prokurori Bashkim Zeqaj se a e ka paguar rrymë në atë banesë, dëshmitarja tha se ka paguar rrymën, e cila i ka ardhur në emër të të akuzuarit Hysenaj dhe të gjitha shpenzimet tjera komunale.

Tutje, e pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Hysenaj, avokati Tahir Rrecaj se a është e sigurt se çelësat e banesës ia ka dhënë i akuzuari, dëshmitarja e pohoi një gjë të tillë dhe tha se ata ia dorëzoi në zyrat e kompanisë “Kulla Com”.

Në fund, dëshmitarja tha se akoma jeton në banesën e njëjtë, por tani është duke u ballafaquar në gjykatë me Komunën e Drenasit, e cila po kërkon lirimin e banesës.

Në seancën e sotme është dëgjuar edhe dëshmitarja Violeta Baleci, e cila ka thënë se në lidhje me këtë çështje vetëm ka dorëzuar dokumentacionin e siguruar nga drejtoria përkatëse e urbanizmit në prokurori dhe këtë në cilësinë e zyrtares ligjore me autorizim të përkohshëm të komunës dhe në kohën kur është bërë ndërtimi i banesave nuk ka qenë zyrtare në komunë.

Seanca e radhës për këtë çështje pritet të mbahet më 18 korrik 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Idriz Hysenaj në mes të periudhës kohore nga viti 2014 e deri më 15 tetor 2019, në vazhdimësi, si person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti në cilësinë e personit zyrtar, fillimisht asamblist i Kuvendit Komunal në Drenasit e pastaj drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në këtë komunë, në mënyrë të kundërligjshme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe biznesin e tij, ua kishte dhënë me qira në shuma të ndryshme gjashtë banesa në kate të ndryshme personave N.K, B.O, D.H, L.B, J.R, M.S, të cilat kanë qenë pronë e komunës në fjalë.

Sipas aktit akuzues, në disa raste u kishte dhënë në shfrytëzim banesat të cilat kanë qenë pronë e Komunës së Drenasit personave të caktuar nga të cilët kishte marrë tokën për ndërtimin e banesave, apo prej qytetarëve që kishin blerë banesë nga ana e firmës së tij “Kulla Com”, deri në përfundim të banesave.

Në këtë mënyrë, në aktakuzë thuhet se Kuvendit Komunal në Drenas i kishte shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa vetes dhe kompanisë së tij i kishte sjellë dobi të kundërligjshme pasurore.

Me këtë, Hysenaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë