GJYKIMI PËR KORRUPSION NDAJ ISH-AVOKATIT PUBLIK TË PRIZRENIT, DREJTË FUNDIT

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, është mbajtur shqyrtimi i radhës ndaj të akuzuarit Eqrem Muçaj, ish-avokat publik në Komunën e Prizrenit, nën akuzën se ka shpërdoruar pozitën zyrtare, me çka i ka shkaktuar dëm material Komunës së Prizrenit dhe Agim Kanlinuros.

Pasi që i akuzuari ka vendosur të mbrohet në heshtje, duke mos u përgjigjur në pyetjet e prokurorit, seanca ka vazhduar me paraqitjen e fjalëve përfundimtare nga palët.

Prokuri Mehdi Sefa, në fjalën e tij, fillimisht ka bërë ri-cilësimin e veprës penale, sipas kodit të ri penal, me arsye se është më i favorshëm për të pandehurin. Më tutje ka shtuar se gjatë shqyrtimeve gjyqësore që janë mbajtur, me provat e administruara me pa mëdyshje është vërtetuar përshkrimi faktik i kësaj vepre penale, kur duke kryer detyrat zyrtare, tejkaluar kompetencat me rastin e de-eksproprijimit të pronës  sepse nuk ka ekzistuar një ligj që e rregullon një gjë të tillë, me ç’rast u shkakton dëm komunës së Prizrenit dhe Agim Kanlinuros në mes të të cilëve kishte marrëveshje për shfrytëzimin e tokës.

Gjithashtu, ka theksuar se Gjykata Komunale në Prizren, në vitin 2010, e ka prishë këtë barazim gjyqësor të përpiluar nga i akuzuari por pasojat e shkaktuara nuk janë evituar, poashtu ka kërkuar nga trupi gjykues që gjatë caktimit të lartësisë së dënimit, të ketë parasysh rrezikshmërinë shoqërore të kësaj vepre penale që sipas tij, shfaqet në të gjitha komunat, prandaj dënimi duhet të ketë edhe efekt preventiv të kësaj dukurie.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Besim Morina, gjatë fjalës së tij përfundimtare atakon fjalën përfundimtare të prokurorit, duke cekur se organi i akuzës vetëm përmend tejkalimin e kompetencës nga i akuzuari, ndërsa nuk jep asnjë argument shtesë se cili akt e tregon se i akuzuari ka tejkaluar kompetencat, që sipas tij janë të përcaktuara mirë, me nenin 29 të ish-ligjit mbi avokaturën publike. Më tej ka theksuar se ligji i vjetër i avokaturës publike ka përmbajtur kompetenca të plota në lidhje me veprimet e avokatit publik, të cilat i merr edhe konform vendimeve të Kuvendit Komunal.

Përfaqësuesi i të dëmtuarit Agim Kanlinuro, avokati Dren Rogova, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se nga provat e administruara në shqyrtimet gjyqësore, është vërtetuar se prona, e cila është marrë dhe dhënë dikujt tjetër, me veprimet e të akuzuarit, ka qenë pronë e Agim Kalinuros, një pronë e tillë i është dhënë me një vendim nga Komuna e Prizrenit dhe nuk ka pasur një vendim tjetër nga komuna që ta rimarrë këtë pronë, në bazë të së cilit vendim i akuzuari do të kishte bazë për veprim, me veprimet e tij, i ka shkaktuar dëm të pa riparueshëm të dëmtuarit Agim Kalinuro dhe ka paraqitur kërkesë pasurore-juridike.

I akuzuari, Eqrem Muçaj, në fjalën e tij përfundimtare, ka thënë se barazimi gjyqësor është bërë si kompensim i paluajtshmërive të eksproprijuara të familjes Vehapi, e cila paluajtshmëri është kompensuar nga fondi i pronës shoqërore, që sipas tij është e rregulluar me Ligjin mbi Eksproprijimin. Më tej ka shtuar se pronari ka pasur afat që të ndërtojë në atë pronë përndryshe i humbet e drejta e shfrytëzimit, ka theksuar se nuk ndihet fajtor dhe ka kërkuar nga trupi gjykues të marrë vendim lirues.

Kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, e ka shpallur të përfunduar shqyrtimin gjyqësor në këtë rast penal dhe shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar me datë 15 mars 2016, në ora 15:00

Prokuroria Themelore në Prizren, në vitin 2010, ka ngritur aktakuzë, ndaj tani ish-avokatit publik të Komunës së Prizrenit, Eqrem Muçaj, për shpërdorim të detyrës apo autorizimit zyrtar, për arsye se më 7 dhjetor 2007,  në ish-Gjykatën Komunale në Prizren, në lëndën e propozuar nga familja Vehapi për kthimin e pronës së eksproprijuar, i akuzuari duke vepruar si përfaqësuar  i Komunës së Prizrenit si kundër propozues, i tejkalon autorizimet, duke e arritur barazimin gjyqësor dhe duke ua kthyer paluajtshmërinë në sipërfaqe prej 1.36.14 ha., që sipas organit të akuzës një ari ka vlerën e 15.000 eurove, me këtë rast i ka shkaktuar dëm material Komunës së Prizrenit dhe Agim Kalinuros, i cili e kishte pronën në shfrytëzim me vendim të ligjshëm.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë