Gjykimi për korrupsion ndaj gjeodetëve të Komunës së Prizrenit, kolegu i tyre thotë se me rastin e ndarjes së parcelës nuk ka pasur dëme për asnjërin bashkëpronar

thumbnail_image0 (1)
Author

Raporton: Floridin Osmanaj

Korrik 21, 2021

Prizren – Gjeodeti Dukagjin Berisha ka thënë se me rastin e ndarjes së parcelës në pjesë ideale për bashkëpronarët-vëllezërit Gjevlekaj, nuk ka pasur dëme për asnjërin prej tyre. 

Këtë deklaratë, Berisha e ka bërë të mërkurën, në gjykimin ndaj gjeodetëve Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj, të cilët po akuzohen se kanë bërë ndarjen e parcelave pa lejen, dokumentin dhe kërkesën e njërit nga tre bashkëpronarët, Gjek Gjevlekaj, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vëllezërit Gjon dhe Mihill Gjevlekaj.

Dëshmitari Berisha tha se rasti konkret i vëllezërve Gjevlekaj nuk i kujtohet, mirëpo pas shikimit të shkresës së elaboratit theksoi se në këtë dokument është nënshkrimi i tij ku e ka verifikuar çështjen profesionale të elaboratit.

Tutje tha se me rastin e ndarjes së parcelës në pjesë ideale për bashkëpronarët, nuk ka pasur dëme për ndonjërin prej tyre.

Po ashtu, Berisha deklaroi se pas përfundimit të copëtimit në regjistrat kadastral për parcelat të cilat janë në bashkëpronësi, nëse njëri prej bashkëpronarëve nuk pajtohet me formën e ndarjes, mund të parashtrojë kërkesë pranë zyrës katastrale komunale për kthimin e parcelës në gjendje të mëparshme, duke respektuar afatet procedurale.

Në fund theksoi se gjeodeti i caktuar nga ana e drejtorit për përpunimin e lëndës nuk e ka obligim që t’i shikoj edhe kushtet teknike të lëndës duke përfshirë këtu nënshkrimet e palëve, letërnjoftimet e palëve etj.

Pas kësaj, seanca ka vazhduar me leximin e provave materiale të propozuara nga ana e palëve si dhe propozimin e provave të reja për të cilat propozime gjykata do të vendosë në seancën e radhës, e cila u caktua më 30 shtator 2021 në ora 13:00 dhe datat 29 tetor dhe 1 nëntor në ora 09:00.

Ndryshe, sipas aktit akuzues, i akuzuari Bajram Selmani, gjeodet i licencuar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetit e tij, në kundërshtim me kornizën e punës të Agjencionit Kadastral të Kosovës, për standardizimin e matjeve kadastrale, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vëllezërit Gjon dhe Mihill Gjevlekaj, nga fshati Karashëngjergj në Komunën e Prizrenit, duke shkelur të drejtat e personit tjetër, të dëmtuarit Gjek Gjevlekaj, në atë mënyrë që në cilësi të gjeodetit të licencuar ka bërë ndarjen e parcelave 488 dhe 518 ZK-Karashëngjergj pa lejen, dokumentin dhe kërkesën e njërit bashkëpronar Gjek Gjevlekaj, me ç ‘rast parashtron kërkesën dhe realizon regjistrimin me ndryshime të pronës në Kadastral-Map në kundërshtim me rregullativën ligjore.

Për të akuzuarën Luljeta Rizanaj, në aktakuzë thuhet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, gjeodete në Drejtorinë për gjeodezi dhe kadastër, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkalon kompetencat e saj, ashtu që me qëllim shkel të drejtat e personit tjetër Gjek Gjevlekaj, duke vepruar në kundërshtim me rregullat ligjore.

Tutje, në aktakuzë thuhet se e akuzuara Rizanaj si gjeodete bën regjistrimin me ndryshime të pronës së bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj në Kadastral-Map, në kundërshtim me rregullat ligjore.

Sipas aktakuzës, lënda edhe pse nuk ishte e kompletuar, pasi që mungonte dokumenti i identifikimit, kërkesa dhe i autorizuari i bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj, pa pëlqimin e tij, e pandehura Luljeta Rizanaj bënë ndarjen e parcelave me aktvendimin 07-942/05-176194/T, më 12 shkurt 2018.

Për këtë, të pandehurit Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi