Gjykimi për korrupsion ndaj gjeodetëve të Komunës së Prizrenit, kolegu i tyre thotë se me rastin e matjes së pronës është dashur të jenë prezent të gjithë vëllezërit

thumbnail_image0
Author

Raporton: Floridin Osmanaj

Korrik 19, 2021

Prizren – Gjeodeti Ferat Sezairi ka thënë se gjatë matjes së pronës nga gjeodeti i licencuar, do të duhej të ishin prezentë të gjithë vëllezërit Gjevlekaj.

Këtë deklaratë, Sezairi e ka bërë të hënën, në gjykimin ndaj gjeodetëve Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj, të cilët po akuzohen se kanë bërë ndarjen e parcelave pa lejen, dokumentin dhe kërkesën e njërit nga tre bashkëpronarët, Gjek Gjevlekaj, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vëllezërit Gjon dhe Mihill Gjevlekaj.

Lidhur me këtë rast, Sezairi tha se kemi të bëjmë me copëtimin e parcelës e jo me ndarje fizike, duke shtuar se nuk janë ndryshuar pronarët por vetëm është bërë ndarja në katër pjesë ideale me ¼ dhe se pronarë mbesin të gjithë ashtu siç kanë qenë para copëtimit.

Tutje, ai tha se lënda në fjalë së pari i është caktuar gjeodetes Luljeta Rizanaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Hapi i parë ka qenë regjistrimi i copëtimit të parcelës në librat kadastral, hapi i dytë është regjistrimi i copëtimit të parcelës në kadastral map, ku gjeodetja kontrollon sipërfaqet e ngastrave të reja si dhe kontrollon nëse është tejkaluar kufijtë e parcelës së mëhershme. Pastaj lënda i shkon juristit për lëshimin e vendimit  e pastaj lënda shkon tek referenti i cili regjistron pjesën tekstuale të copëtimit të parcelës.

Po ashtu, ai tha se vet e kishte nënshkruar manualin për copëtimin e parcelave të reja te rasti i vëllezërve Gjevlekaj dhe se nuk mund të deklarohet lidhur me atë se a ka ekzistuar pëlqimi i të gjithë vëllezërve Gjevlekaj apo jo, si dhe tha se gjatë matjes në terren të gjeodetit të licencuar, do të duhej të ishin prezentë të gjithë vëllezërit.

Dëshmitari tha se nuk është obligative sipas Ligjit për Kadastër që parcela pas copëtimit të ketë sipërfaqen e njëjtë, pasi që të gjithë bashkëpronarët janë bashkëpronarë në të gjitha pjesët ideale të copëtuara.

Po ashtu, Sezairi deklaroi se kur ekziston një objekt në terren i cili është regjistruar në librat kadastral, gjeodeti që e bën matjen në terren, nuk ka të drejtë të fshijë objektin nga librat kadastrale dhe se me rastin e copëtimit të një ngastre kadastrale duhet të jepet pëlqimi nga të gjithë bashkëpronarët dhe i njëjti pëlqim duhet të jetë me shkrim dhe të jetë pjesë e shkresave të lëndës.

Meqë nuk kishte më pyetje për dëshmitarin, seanca përfundoi kurse e radhës u caktua më 21 korrik 2021, në ora 09:00.

Ndryshe, sipas aktit akuzues, i akuzuari Bajram Selmani, gjeodet i licencuar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetit e tij, në kundërshtim me kornizën e punës të Agjencionit Kadastral të Kosovës, për standardizimin e matjeve kadastrale, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vëllezërit Gjon dhe Mihill Gjevlekaj, nga fshati Karashëngjergj në Komunën e Prizrenit, duke shkelur të drejtat e personit tjetër, të dëmtuarit Gjek Gjevlekaj, në atë mënyrë që në cilësi të gjeodetit të licencuar ka bërë ndarjen e parcelave 488 dhe 518 ZK-Karashëngjergj pa lejen, dokumentin dhe kërkesën e njërit bashkëpronar Gjek Gjevlekaj, me ç‘rast parashtron kërkesën dhe realizon regjistrimin me ndryshime të pronës në Kadastral-Map në kundërshtim me rregullativën ligjore.

Për të akuzuarën Luljeta Rizanaj, në aktakuzë thuhet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, gjeodete në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkalon kompetencat e saj, ashtu që me qëllim shkel të drejtat e personit tjetër Gjek Gjevlekaj, duke vepruar në kundërshtim me rregullat ligjore.

Tutje, në aktakuzë thuhet se e akuzuara Rizanaj si gjeodete bën regjistrimin me ndryshime të pronës së bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj në Kadastral-Map, në kundërshtim me rregullat ligjore.

Sipas aktakuzës, edhe pse lënda nuk ishte e kompletuar, pasi që mungonte dokumenti i identifikimit, kërkesa dhe i autorizuari i bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj, pa pëlqimin e tij, e pandehura Luljeta Rizanaj bënë ndarjen e parcelave me aktvendimin 07-942/05-176194/T, më 12 shkurt 2018.

Për këtë, të pandehurit Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi