Gjykimi për korrupsion ndaj doganierit, mbrojtja pretendon se aktakuza e Prokurorisë nuk mbështetet në prova

Raporton: Driton Nocaj dhe Arlinda Muqa

Pejë- Mbrojtësi i zyrtarit doganor Veton Turjaka, avokati Kujtim Kërveshi, ka kundërshtuar aktakuzën e Prokurorisë së Pejës, me cilën të mbrojturin e tij e ngarkon me marrje ryshfeti prej 50 euro dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ai tha se aktakuza nuk mbështetet në prova.

Turjaka ngarkohet nga Prokuroria e Pejës se nuk kishte marrë veprimet e duhura që malli t’i nënshtrohet kontrollit doganor dhe se për këtë kishte marrë 50 euro nga i pandehuri Shefqet Gusturanaj. Ky i fundit akuzohet për dhënie të ryshfetit.

Gjatë seancës së shqyrtimit të dytë të premten, avokati  Kërveshi kundërshtoi tri prova, në të cilat sipas tij, prokuroria kishte bërë shkelje ligjore dhe se nuk qëndronin akuzat që e ngarkojnë të mbrojturin e tij.

Ai shtoi se prokuroria nuk kishte evidentuar në procesverbal se bashkëshortja dhe vajza e të pandehurit Gusturanaj nuk kishin heqë dorë nga e drejta për t’u liruar nga dëshmia siç parashihej në nenin 127, par.3 të KPP-së.

“Prokuroria i ka udhëzuar për të drejtat e tyre, por heqja dorë nga të njëjtat nuk është shënuar në procesverbal”, tha avokati Kërveshi.

Tutja, ai kundërshtoi edhe deklaratën e të pandehurit Gusturanaj të dhënë si dëshmitar në polici, e që sipas avokatit, ai asnjëherë nuk kishte thënë se paratë i kishte marrë i pandehuri Veton.

Kërveshi tha se i mbrojturi i tij, nuk i kishte prekur paratë dhe kjo sipas tij ishte vërtetuar me provë të ADN-së.

“Aktakuza ndaj të mbrojturit tim nuk mund të qëndrojë. Nuk ka dëm e as që ka provë që vërteton dëmin”, shtoi Kërveshi.

Më pas, gjykatësi Sami Sharraxhiu tha se në lidhje me kërkesën për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave do të vendosë jashtë seancës.

Ndryshe, në seancën e shqyrtimit fillestar, i pandehuri Turjaka ishte deklaruar i pafajshëm, ndërsa i pandehuri Shefqet kishte pranuar fajësinë për dhënie ryshfeti, por që ishte refuzuar nga Gjykata e Pejës. 

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 7 shtator 2021 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Veton Turjaka akuzohet së më 8 mars 2020, në pikën kufitare në Kullë, Komuna e Pejës, në cilësinë e personit zyrtar, nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim që personi tjetër të përfitojë dobi pasurore.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Shefqet Gusturanaj po e drejtonte automjetin “Mercedes” dhe rimorkion, ku kishte të ngarkuara gjësende të ndryshme (motorrsharra, kositëse bari, biçikleta, etj). Lidhur me këtë, thuhet se i pandehuri Turjaka, si zyrtar doganor, nuk ndërmerr veprimet e duhura që malli në fjalë t’i nënshtrohet kontrollit doganor.

Me këtë, thuhet se i pandehuri Gusturanaj përfiton duke mos paguar tatimet reale dhe si rrjedhojë dëmtohet buxheti i shtetit, në vlerë prej 225 euro.

Më këtë, Veton Turjaka akuzohet ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1 të Kodit Penal, ku parashihet dënimi me burgim prej një deri në tetë vjet.

Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se me qëllim që malli që posedonte i pandehuri Gusturanaj të mos i nënshtrohej procedurave të kontrollit doganor, nga i njëjti i pandehuri Turjaka kërkon dhe merr shumën prej 50 euro, në zyrën e tij.

Më këtë, Turjaka akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 1 të Kodit Penal, ku parashihet dënimi me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.

Kurse, në dispozitivin e tretë të aktakuzës thuhet se bankënotën prej 50 euro të cilën e kishte marrë ryshfet i pandehuri Turjaka, vajza e të pandehurit Gusturanaj që gjendej në automjet, me kërkesën e këtij të fundit, e vendosë në pasaportë dhe më pas ia jep të pandehurit të parë në zyrën e tij.

Me këtë, Shefqet Gusturanaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së, ku parashihet dënimi me gjobë dhe me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë