Gjykimi për korrupsion, krim të organizuar e kontrabandë me mallra, dy nga pesë të akuzuari pranojnë fajësinë

20200626_101714
Author

Raporton: Medina Kadriu

Qershor 26, 2020

Prishtinë – Të akuzuarit Aleksandër Dimitrijeviq dhe Darko Saviq, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të premten, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e kanë pranuar fajësinë për kontrabandë me mallra dhe dhënie të ryshfetit, për çka po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Kurse tre zyrtarët policor, Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq, që po akuzohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur me keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për marrje ryshfeti, e kanë mohuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me pranimin e fajësisë nga i akuzuari Aleksandër Dimitrijeviq, mbrojtësi i tij, avokati Nebojsha Vlajiq bëri të ditur se kanë pasur mjaft kohë për tu konsultuar mes vete, duke shtuar se pranimi i fajësisë është në interes të klientit të tij.

I njëjti i propozoi prokurorit që të pajtohet me këtë pranim fajësie, kurse nga gjykata që të aprovohet, me arsyetimin se i plotëson kushtet ligjore, duke kërkuar që edhe të merret si rrethanë e dukshme lehtësuese.

Në anën tjetër, avokati Hasan Hoti, mbrojtës i Darko Saviq, gjithashtu konfirmoi se është konsultuar mjaftueshëm me klientin i tij lidhur me pranimin e fajësisë.

Lidhur me këtë, prokurori Qerkini deklaroi se pranimi i fajësisë nga të akuzuarit mbështetet në nenin 248 të Kodit të Procedurës Penale.

“Është bërë në konsultim të mjaftueshëm me mbrojtësit dhe mbështetet në faktet dhe provat e kësaj çështje penale. Sa i përket, propozimit për shqiptimin e dënimit, ne kërkojmë gjykatës që të merr parasysh që me rastin e shqiptimit të dënimit duke marrë për bazë se të pandehurit e kanë cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues”, ka thënë ai.

Tutje, i njëjti kërkoi nga gjykata që me rastin e shqiptimit të dënimit të merren për bazë rrethanat veçanërisht lehtësuese ,si statusin e tyre që janë dëshmitarë bashkëpunues dhe të aplikohet neni 75, paragrafi 1, paragrafi 1.3, ku me rastin e shqiptimit të dënimit ndaj të pandehurve të shkohet përtej minimumit të zbutjes së dënimit.

Gjykatësja e Departamentit Special, Albina Rama-Shabani aprovoi pranimin e fajësisë, duke deklaruar se është bërë me vullnetin e plotë të akuzuarve, pas konsultimit me mbrojtësit.

“Gjykata gjeti se e kanë kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajësisë dhe ky pranim i fajësisë gjen mbështetje në provat dhe faktet që gjenden në shkresat e lëndës. Meqenëse, të pandehurit tjerë nuk e kanë pranuar fajësinë, atëherë, gjykata i njofton se brenda 30 dite përmes mbrojtësve të tyre mund të paraqesin kundërshtime në provat e aktakuzës, të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës. Pas përgjigjes së prokurorit me aktvendim do tu njoftoj përveç nëse shfaqet ndonjë arsye që të hapet seancë”, ka deklaruar ajo.

Gjykatësja Rama-Shabani bëri të ditur se shpallja e aktgjykimit për ta do të bëhet pasi të përfundoj shqyrtimi gjyqësor për këtë rast, pasi sipas saj të njëjtit janë edhe dëshmitarë bashkëpunues dhe do të dëgjohen gjatë gjykimit.

E mbrojtësi i të akuzuarës Ana Vasoviq-Baraq, avokati Faruk Korenica deklaroi se insiston që të caktohet seanca e shqyrtimit të dytë, pasi është e drejtë e tyre që të ballafaqohen drejtpërdrejtë me prokurorin.

“Paragrafi 4 i nenit 254 thotë se seanca mbahet nëse është e nevojshme. Nëse ti konsideron se është e nevojshme, ne e caktojmë”, ka thënë gjykatësja, për çka avokati Korenica e konfirmoi si të nevojshme për ta si mbrojtje caktimin e seancës.

Kërkesën e tij e ka përkrahur edhe avokati Millosh Deleviq, i cili mbron të akuzuarin Veroljub Dimitrijeviq, me arsyetimin se është në pyetje materiali voluminoz, andaj dhe konsideron se seanca e shqyrtimit të dytë është më tepër se e domosdoshme.

Tutje është deklaruar i akuzuari Izet Uskoviq, i cili tha se i pranon disa veprime të kundërligjshme të tij personalisht, por se nuk pajtohet me aktakuzën.

Mirëpo, gjykatësja Rama- Shabani e ka njoftuar se në mënyrë që të konsiderohet pranimi i fajësisë, aktakuza duhet të pranohet ashtu si është, për çka i akuzuari deklaroi se nuk e pranon si të tillë.

Lidhur me këtë, mbrojtësi i tij, avokati Abit Asllani pyeti nëse do të ishte e arsyeshme që ndaj klientit të tij të veçohet procedura.

“Nuk e di në konsultim edhe me prokurorin se a do të ishte e arsyeshme që ndaj të mbrojturit tonë të veçohet procedura dhe të bashkëpunojë edhe më tutje, sepse pranimi i aktakuzës në tërësi realisht e krijon një pengesë në arritjen e qëllimit nga statusi ose pozita e dëshmitarit bashkëpunues”, ka thënë ai.

Prokurori Qerkini deklaroi se prokuroria do t’i ofrojë të akuzuarit të gjitha ato benefitet që i ka si dëshmitar bashkëpunues dhe do t’i propozojë ato, por për veçim të procedurës, ai tha se nuk mund të jap propozim sepse nuk plotësohen ato kushtet.

“Nëse është ajo pjesa që lejohet veçimi i procedurës me marrëveshje për pranim të fajësisë”, ka thënë ai.

Në këto rrethana, avokati Asllani propozoi që të hyjnë në negociata për marrëveshje të pranimit të fajësisë me PSRK-në, për çka prokurori Qerkini deklaroi se janë të gatshëm për një veprim të tillë.

Pas këtyre deklarimeve, gjykatësja caktoi seancën e shqyrtimit të dytë për 10 gusht, me fillim nga ora 10:00.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 23 prill 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq, Izet Uskoviq, për shkak të veprave penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 283, paragrafi 1 të KPRK-së, lidhur me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 2, nën paragrafi 2.3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Marrja e ryshfetit”, nga neni 429 paragrafi 2 të KPRK-së, ndaj Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq për veprën penale “Kontrabandë me mallra”, nga neni 317, paragrafi 1 të KPRK-së dhe “Dhënia e Ryshfetit”, nga neni 429, paragrafi 2 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq akuzohen se nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, në bashkëpunim edhe me të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq dhe Dragan Radojeviq, të cilët gjenden në arrati, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki në grup dhe me role të përcaktuara, nën udhëheqjen e të pandehurit Rade Radosaljeviq, komandant i stacionit në SPMK Leposaviq, ashtu që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëpunim ndërmjet veti, me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar ose qëllimit të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale të dënueshme me së paku katër vjet burgim, aktivisht merr pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit e lartcekur akuzohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë përmbushë detyrat zyrtare të tyre, me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personat tjerë, duke lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshëm dhe atë si mallra ushqimor, transportin e drunjëve, barnave dhe derivateve, nga Serbia për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, nëpërmjet rrugëve ilegale.

Prokuroria pretendon se Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq, derisa kanë qenë në detyrë zyrtare, duke mbikëqyrë rrugët e brezit kufitar në fshatrat Mure, Sharpel dhe Tresava, ashtu që kanë bashkëpunuar edhe me të pandehurit Aleksandër Dimitrijeviq, Darko Saviq dhe persona të tjerë, si transportues të mallrave, ku nga të njëjtit për kalimin e automjeteve me mallra kanë pranuar shuma të ndryshme të parave për të vepruar në kundërshtim me detyrën zyrtare, sipas tarifave të përcaktuara për çdo automjet dhe atë nga 20 euro për vetura të vogla, 30-50 euro për furgona dhe 100-150 euro për çdo kamion.

Gjithnjë sipas prokurorisë, një pjesë të këtyre parave ata e kanë marrë për vete, një pjesë e parave ka shkuar për udhëheqësin e grupit-komandantin e stacionit, tani të pandehurin Rade Radosavljeviq, ku kanë pas obligim që secili ndërrim të paguaj dhe atë në baza mujore shumën prej 700 euro, ndërsa pjesa tjetër është ndarë tek policët e ndërrimit, e që këtë shumë të parave e kanë marrë direkt nga ana e kontrabanduesve apo edhe në vende të caktuar ku ata janë udhëzuar që t’i lënë, si tek pompa e derivateve “Çekalic”, dyqani “Te Mira”, si dhe në veturën e tani të pandehurit Millan Jovanoviq-Llaki, me ç’rast kanë përfituar shuma të konsiderueshme të parave dhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

E akuzuara Ana Vasoviq-Baraq akuzohet se duke vepruar si anëtare e grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, saktësisht udhëheqëse e ndërrimit në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale, duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë si dhe me kontrabanduesit, në atë mënyrë që dhe pas komunikimit dhe marrëveshjes me ta ka dhënë udhëzimet për kohën dhe vendin ku duhet të kalojnë dhe nga ta ka pranuar shuma të ndryshme të parave, qoftë personalisht apo në vende të caktuara, ku një pjesë e ka mbajtur për vete dhe pjesën tjetër për komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit Rade Radosavjleviq.

I akuzuari Veroljub Dimitrijeviq akuzohet se duke vepruar si anëtarë i grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, polic patrullues në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë si dhe me kontrabanduesit, në atë mënyrë që ka zbatuar udhëzimet e shefave të ndërrimit dhe komandantit të stacionit dhe pas komunikimit me të njëjtët, i ka udhëzuar kontrabanduesit se në cilat vende dhe në çfarë kohe të kalojnë, ku nga ta ka marrë shuma të ndryshme të parave dhe një pjesë të shumës e ka mbajtur për vete, kurse pjesën tjetër e ka dorëzuar për udhëheqësit e ndërrimeve dhe komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit Rade Radosavljeviq.

I akuzuari Izet Uskoviq akuzohet se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, zëvendës i udhëheqësit të ndërrimit në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë, e sidomos me të pandehurin Dragana Radojeviq, të cilin e ka pas epror ku ka zbatuar udhëzimet e tij dhe të komandantit të stacionit, duke udhëzuar kontrabanduesit se në cilat vende të kalojnë, duke marrë shuma të ndryshme të parave dhe duke shkuar në vende të caktuara për të mbledhë shumat e parave e të cilët kontrabandistët i kishin lënë dhe të njëjtat shuma i ka dorëzuar për udhëheqësin e ndërrimit dhe komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit, Rade Radosavljeviq.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”.

Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq akuzohen se që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, me qëllim të përfitimit material të kundërligjshëm kanë kontrabanduar mallra, dhe atë mallra ushqimorë, transportin e drunjëve, barnave dhe derivateve, nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, duke iu shmangur kontrollit doganor dhe tarifave doganore me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave, në atë mënyrë që duke bashkëpunuar me tani të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq, Ana Vasoviq Baraç, Izet Uskoviq dhe Dragan Radojeviq, në cilësinë e personave zyrtarë në Policinë e Kosovës në SPMK-Leposaviq, me ç’rast kanë përfituar shuma të konsiderueshme të parave dhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq se kanë kryer veprën penale “Kontrabandë me mallra”.

Sipas dispozitivit të tretë të kësaj aktakuze, Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq akuzohen se që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, me qëllim të kalimit të mallrave kontrabandë nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, u kanë dhënë shuma të parave apo përfitim tjetër personave zyrtarë-policëve të SPMK në Leposaviq, në mënyrë që personat zyrtarë të veprojnë ose të mos veprojnë në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare, ku me të njëjtit janë dakorduar që me rastin e kalimit të mallrave të paguajnë shuma të parave sipas tarifave të përcaktuara për çdo automjet, dhe atë nga 20 euro për vetura të vogla, 30-50 euro për furgona dhe 100-150 për çdo kamion, që këto shuma të parave i kanë paguar tek zyrtarët policorë, por edhe i kanë lënë nëpër vende të caktuara si tek pompa e derivateve “Cekaliç”, dyqani “Te Mira”, si dhe në veturën e tani të pandehurit Millan Jovanoviq-Llaki, ku pas hetimit nga ana e policisë edhe janë arrestuar.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit  Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq se kanë kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”. /BetimipërDrejtësi