Gjykimi për korrupsion, Komuna e Prishtinës obligohet t’ia sigurojë gjykatës 496 vërtetime të taksës komunale për regjistrimin e automjeteve

IMG-7696
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Korrik 28, 2020

Prishtinë – Përfaqësuesja e Komunës së Prishtinës, Fitore Byqmeti është obliguar që t’ia sigurojë gjykatës 496 vërtetime të taksës komunale për regjistrimin e automjeteve, për keqpërdorimin e të cilave po akuzohet zyrtarja e kësaj komune, Nerxhivane Demolli.

Demolli po akuzohet se nga marsi e deri me tetor 2019, kishte marr nga qytetarët shumën e parave në vlerë prej 10 euro, duke lëshuar vërtetime pa mbulesë me zero euro, kinse është përmbushur taksa komunale për regjistrimin e automjeteve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këto veprime, Demolli po pretendohet se i kishte shkaktuar dëm Komunës së Prishtinë 4,960 euro.

Sigurimin e këtyre vërtetimeve i kishte kërkuar mbrojtësi i të akuzuarës Demolli, avokati Naim Rudarim, në seancën e mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Avokati Rudari ka kërkuar që të sigurohen 496 vërtetimet, për të cilat Demolli po akuzohet se pa u siguruar prova se personat sipas ligjit kishin qenë të liruar nga taksa komunale, kishte lëshuar këtë numër të vërtetimeve me zero euro.

Sipas avokatit Rudari, edhe pse i kishin kërkuar edhe më parë këto vërtetime, të njëjtat nuk ishin siguruar me arsyetimin se materiali ishte në sasi të madhe, por sipas tij, mbrojtja kishte pranuar vetëm në formë tabelare emra dhe mbiemra të personave të cilët pretendohet se kishin marrë vërtetime pa mbulesë.

Avokati Rudari tha se në këto lista gjendet edhe persona që kishin qenë të liruar nga kjo pagesë, ku njeri prej tyre sipas tij kishte edhe kartelën e veteranit të UÇK-së, ndërsa tjetri vërtetimin e shoqatës së të shurdhëve.

“Po ashtu ka edhe shumë emra të tjerë që ne besojmë që bëjnë pjesë në kategorinë e liruar nga pagesa, në mesin e tyre ekziston edhe Adem Sylejmani dëshmitar i prokurorisë, e që në realitet prokuroria pretendon se në secilin rast e akuzuara ka marrë nga 10 euro, ndonëse nuk është vërtetuar, propozoj që ti kemi këto dosje të kompletuara dhe të ftohen në cilësi të dëshmitarëve së paku një pjesë e këtyre personave që ekzistojnë në këtë listë”, ka thënë avokati Rudari.

Ai i propozoi gjykatës që të ftohen dy dëshmitarë, njëri prej tyre që kishte pasur kartelën e veteranit dhe tjetri kartelën nga shoqata e të shurdhëve, që sipas tij ishte e nevojshme që të deklarohen se si ekzistonin në listën e të liruarve.

Këto propozime të avokatit Rudari i ka kundërshtuar prokurori Ibrahim Berisha, pasi sipas tij ishte e pamundur që të sillet një pjesë e këtyre dosjeve për shkak se ishin voluminoze dhe gjenden në Komunën e Prishtinës.

“Gjatë hetimeve në mënyrë të mjaftueshme prokuroria ka siguruar prova mbi bazat e të cilave e ka ngritur aktakuzën ku provat kryesore është lista e siguruar për periudhën kohore mars 2019 dhe tetor 2019. Gjatë verifikimit nga komisionit përkatës, në bashkëpunim me prokurorinë dhe policinë, i kemi shikuar në tërësi këto dosje dhe kemi ardhur në përfundim se nga numri i madh i dosjeve të cilat i ka pasur në punë e akuzuara mungojnë dëshmitë për të cilat dëshmi është dashtë që të gjinden në shkresa të lëndës”, ka thënë prokurori Berisha.

Por sipas tij, nuk përjashtohej mundësia që gjatë punës së të akuzuarës Demolli të jetë ndonjëri nga ata persona të cilët sipas ligjit kishin qenë të liruar nga pagesa e taksës rrugore, por sipas prokurorit kjo nuk qon peshë pasi në rastin konkret tha se ishin mbi 496 persona të cilët figurojnë në lista me vlerë 00.

Edhe përfaqësuesja e Komunës së Prishtinës, Fitore Byqmeti ka kërkuar që të refuzohet ky propozim, pasi sipas saj ekzistojnë prova të mjaftueshme.

Mirëpo, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Vesel Ismaili aprovoi propozimin e avokatit Rudari, që të sigurohen dosjet e të gjithë atyre personave që konsiderohen që ishin liruar nga pagesa e taksës rrugore.

Trupi gjykues obligoi përfaqësuesen e Komunës së Prishtinë që t’i sigurojë këto dosje, ku pas analizimit të tyre do të vendoset që së paku personi i parë i cili kishte lajmëruar për keqpërdorimet nga ana e të akuzuarës Demolli të ftohet si dëshmitar.

Sipas gjykatësit Veseli, qëllimi i tyre ishte që të konstatohet e vërteta në këtë çështje penale.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 17 shtator 2020, në ora 09:30.

Sipas aktakuzës së ngritur me 13 nëntor 2019, e pandehura Nerxhivane Demolli akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, kishte tejkaluar kompetencat ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për veti.

Demolli po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, se gjatë periudhës kohore prej muajit mars 2019 e deri në muajin tetor 2019, si person zyrtar në Komunën e Prishtinës, përkatësisht si zyrtare e tatimit në pronë, e ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar duke marr nga qytetarët shumën e parave në vlerë prej 10 euro, duke lëshuar vërtetime pa mbulesë me zero (0) euro, kinse është përmbushur taksa komunale për regjistrimin e automjeteve.

Sipas prokurorisë, e akuzuara një gjë të tillë e kishte bërë pa u siguruar prova se personat sipas ligjit kanë qenë të liruar nga taksa komunale, duke lëshuar 496 vërtetime me zero  euro, me ç’rast e ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Prishtinës në shumë prej 4,960 euro.

Me këtë, prokuroria e ngarkon Demollin se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi