Gjykimi për korrupsion, eksperti financiar thotë se procedurat e komasacionit kishin qenë në kundërshtim me dispozitat ligjore

IMG_0943 (1)
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Shkurt 14, 2020

Prishtinë – Me dëshminë e ekspertit financiar, Xhevdet Krasniqi, si dhe dëshmitarit Nehat Veliu, të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka vazhduar gjykimi në rastin ku për keqpërdorim të detyrës zyrtare po akuzohet zyrtari i Komunës së Obiliqit, Osman Stullqaku.

Ai po akuzohet se gjatë viteve 2009-2013, si kryetar i Komisionit për Komasacion në Komunën e Obiliqit, duke vepruar në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm për komasacion, është shërbyer me vendime të viteve të 80-ta, me të cilat ua ka mundësuar bartjen e disa parcelave personave të ndryshëm fizikë, përmes procesit të komasacionit, ashtu që ka bërë tjetërsimin e disa parcelave të të dëmtuarës “Shkabaj Sh.P.K”, duke i shkaktuar dëm prej 620.060 euro.

Në pyetjet e prokurorit Arian Gashi, eksperti Krasniqi ka thënë se përmes ekspertizës financiare kishte konstatuar se procedurat e komasacionit kishin qenë në kundërshtim me dispozitat ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me të gjeturat për Ndërmarrjen e Re – toka bujqësore “Shkabaj”, Krasniqi tha se në bazë të ekspertizë është vërtetuar se pronat e kësaj ndërmarrje janë përfshirë në procesin e komasacionit, pa pëlqimin e pronarit të kësaj kompanie.

“Këto prona nuk i janë ndërruar pronarit të tokës, por janë tjetërsuar dhe janë bartur tek pronarët e ri”, deklaroi Krasniqi.

Sipas tij, kjo bartje ishte bërë edhe përkundër vendimit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e cila e kishte urdhëruar Komisionin Komunal të Komasacionit – organet komunale, që ta shfuqizonin procedurën e komasacionit.

Ndryshe, në fillim të këtij shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar dhënien e dëshmisë dëshmitari, njëherit anëtari i komisionit monitorues për kryerjen e komasacionit në Komunën e Vushtrrisë dhe Obiliqit, Nehat Veliu.

Dëshmitari Veliu deklaroi se kompania private kishte lidhur një kontratë me MBPZHR-në, sipas së cilës, kjo kompani kishte pasur rolin që të bënte komasacionin e tokave në Komunën e Obiliqit.

Tutje, Veliu tha se kompania mbikëqyrëse dhe kompania implementuese kishin bërë një raport, me të cilin kishin konstatuar se të gjitha aktivitetet e parapara ishin kryer sipas kontratës dhe se procesi i komasacionit ishte bërë në mënyrë të rregullt.

Po ashtu, Veliu shtoi se gjatë procesit të komasacionit, nuk kishte vërejtur ndonjë anomali apo parregullsi ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk kam vërejtur për shkak se kompania mbikëqyrëse e kompanisë implementuese që ka qenë “Consulting” MMSHP, ka raportuar se procesi i komasacionit të tokave është duke shkuar në mënyrë të rregullt”, ka thënë Veliu.

Në pyetje të kryetares së trupit gjykues, Naime Krasniqi Jashanica, se a kishte qenë në vend shikim të këtyre parcelave, Veliu tha se nuk kishte qenë meqenëse më tepër kishte qenë i angazhuar në regjionin e Vushtrrisë.

Për shkak të angazhimit në një gjykim tjetër të njërit nga anëtarët e trupit gjykues, gjyatqarit Vesel Ismajli, seanca e së premtes është ndërprerë dhe e njëjta do të vazhdoj më 16 mars 2020, në ora 10:30.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 dhjetor 2017, Osman Stullqaku po akuzohet se gjatë viteve 2009-2013, si person zyrtar në Komunën e Obiliqit, kishte shfrytëzuar dhe tejkaluar kompetencat e tij, në atë mënyrë që si kryetar i Komisionit për Komasacion në këtë komunë, dhe me qëllim të përfitimit, kishte vepruar në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm për komasacion, ku duke u shërbyer me vendime të viteve të 80-ta ua ka mundësuar bartjen e disa parcelave personave të ndryshëm fizik përmes procesit të komasacionit, ashtu që ka bërë tjetërsimin e disa parcelave të të dëmtuarës, të cilës, në mënyrë të kundërligjshme i janë marrë 14 hektar e 42 ari e 86 m2.

Siç thuhet në aktakuzë, me këto veprime i ishte shkaktuar dëm të dëmtuarës Ndërmarrja e Re – toka bujqësore “Shkabaj”, me bashkëpronar Besim Elshani, në vlerë prej 620.060 euro.

Për këtë, ai po akuzohet për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi