Gjykimi për korrupsion, dëshmitarja thotë se nuk është në dijeni se është favorizuar ndonjë kandidat për pozitën e operatorit në SISH

Vera lleshi etj foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Nëntor 18, 2020

Gjakovë – Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ka vazhduar gjykimi ndaj anëtares së komisionit për zgjedhjen e operatorit në SISH në Spitalin e Gjakovës, Vera Leshi, e cila akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Lleshi akuzohet se gjatë tërë procedurës së rekrutimit sipas konkursit të spitalit rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ka favorizuar kandidaten Jehona Arapi që të përzgjidhet në cilësinë e operatores së SISH-it, duke ndërhyrë në testin me plotësime shtesë.

Së bashku me të akuzohet edhe kandidatja Jehona Arapi për deklarim të rremë, gjatë deklarimit të saj në stacionin Policor në Gjakovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo seancë ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitares Afërdita Spasi, e cila tha se punon si motër medicionale në Spitalin Rajonal të Gjakovës.

Dëshmitarja Spasi tha se e ka zëvendësuar Afërdita Vulën si anëtare të komisionit për pranimin e një operatori në SISH, pasi që kjo e fundit ka qenë në pushim mjekësor.

Ajo tha se për këtë pozitë kanë qenë 8 ose 10 kandidatë, duke shtuar se nuk ka pasur qasje në dokumentacionin e kandidatëve.

E pyetur nga prokurori Ali Uka, se a i kujtohet se cilit kandidat ia ka dhënë vlerësimin maksimal, dëshmitarja tha se ka pasur kandidat me vlerësim të lartë, duke shtuar se kandidatja Jehona Arapi, tani e akuzuar ka qenë shumë e përgatitur me gojë gjatë vlerësimit të saj.

Ajo tha se nuk është në dijeni se është favorizuar ndonjë kandidat, derisa shtoi se nuk ka vërejtur asgjë se ka pasur ndërhyrje në testin e Jehona Arapit nga ana e anëtarëve të komisionit.

E pyetur se testet a janë vlerësuar dhe lexuar nga secili anëtarë veç e veç apo i ka lexuar dikush, dëshmitarja tha se janë lexuar aty veç e veç.

Në fund të deklaratës së saj ajo tha se nuk ka vërejtur diçka të dyshimtë në shkrimin e testit.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika seancën e radhës e ka caktuar që të mbahet më 16 dhjetor, ku pritet të dëgjohen dëshmitarët Leonora Lleshi, Jeton Huma, Leonora Ymeraga si dhe ekspertja e grafologjisë.

Ndërsa, për propozimin e mbrojtësit të të akuzuarës Vera Lleshi, avokatit Prenk Pepaj qe të bëhet një superekspertizë grafologjike, si dhe propozimin e mbrojtësit të të akuzuarës Jehona Arapi, avokatit Fadil Sinanaj që të ftohet një ekspert i oftalmologjisë do të vendoset më vonë nga trupi gjykues.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 21 maj 2020, Vera Lleshi po akuzohet se më 15 maj 2017, rreth orës 11:00, në cilësinë e anëtares së komisionit për pranimin e një operatori në SISH, ka keqpërdorur detyrën e saj zyrtare duke tejkaluar kompetencat e saj, me qëllim që të sjellë dobi të kundërligjshme pasurore në mënyrë të kundërligjshme për vete dhe për të tjerët.

Tutje sipas aktakuzës, këtë e ka bërë në atë mënyrë që gjatë tërë procedurës së rekrutimit sipas konkursit të spitalit rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ka favorizuar kandidaten Jehona Arapi që të përzgjidhet në cilësinë e operatores së SISH-it, duke ndërhyrë në testin me plotësime shtesë.

Për këtë po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës publike apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, e akuzuara në po të njëjtën ditë ndryshon dokumentin origjinal me qëllim për shfrytëzimin e atij dokumenti si origjinal, duke ndërhyrë në testin me shkrim të kandidates Jehona Arapi, duke e riplotësuar me qëllim që t’ia mundësoj ngritjen e pikëve gjatë vlerësimit të testit me shkrim, ashtu që  në bazë të raportit të eksperimentimit grafologjik të AKF-së janë identifikuar karakteristikat e përgjithshme dhe individuale që përputhen me karaktaristikat e dorëshkrimeve të anëtares së komisionit punues Vera Lleshi në testin origjinal të kandidates Jehona Arapi.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit” nga neni 434 paragrafi 1 të KPRK-së.

Ndërsa, e akuzuara Jehona Arapi po akuzohet se më 8 gusht 2019, gjatë dhënies së deklaratës në cilësinë e dëshmitares në Stacionin Policor në Gjakovë me vetëdije paraqet deklarim të rremë, në atë mënyrë se kinse gjatë procedurës së rekrutimit sipas konkursit të spitalit në Gjakovë, me rastin e plotësimit të testit nuk e kishte ndihmuar askush nga anëtaret e komisionit dhe se shkrimi në testin e saj është i tëri i saj dhe kishte përdorur dy stilolapsa, dhe në bazë të kësaj deklarate arrin të punësohet si operatore e SISH-it, duke i dëmtuar kandidatët e tjerë.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Deklarim i rremë” 392 paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi