Gjykimi për korrupsion, dëshmitari thotë se gjatë vlerësimit të testit të kandidates nuk ka vërejtur parregullsi

Vera Lleshi etj.-Shqyrtim Kryesor
Author

Raporton: Avni Berisha

Tetor 16, 2020

Gjakovë – Kryetari i komisionit për përzgjedhjen e operatorit në Sistemin Informativ Shëndetësor (SISH) në spitalin rajonal “Isa Grezda në Gjakovë, Zenel Morina, ka thënë se gjatë vlerësimit të testit të kandidates Jehona Arapi, nuk kishte vërejtur asnjë parregullsi.

Një deklaratë të tillë, ai e ka bërë të premten në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ku ka filluar gjykimi ndaj anëtares së komisionit për zgjedhjen e operatorit në (SISH), Vera Leshi, e cila akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lleshi akuzohet se gjatë tërë procedurës së rekrutimit sipas konkursit të spitalit rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ka favorizuar kandidaten Jehona Arapi që të përzgjidhet në cilësinë e operatores së SISH-it, duke ndërhyrë në testin me plotësime shtesë.

Së bashku me të akuzohet edhe kandidatja Jehona Arapi për deklarim të rremë, gjatë deklarimit në stacionin Policor në Gjakovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së premtes, dëshmitari Zenel Morina, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Ali Uka, ka treguar përbërjen e komisionit për zgjedhjen e operatorit për (SISH) dhe procedurat e testimit.

“Në komision kam qenë unë kryetar, ndërsa anëtar kanë qenë Vera Lleshi, Armend Koshi, Leonora Lleshi dhe Aferdita Spasi, vlerësimi i testeve me shkrim është bërë nga anëtarët e komisionit menjëherë pas përfundimit të testit ku secili anëtar ka shpreh mendimin, ndërsa në fund unë kam vendosur poenat në formular”, ka thënë Morina.

Ai tha se me kërkesë të anëtarëve të komisionit dhe pëlqimit të kandidatëve menjëherë pas testimit me shkrim është bërë edhe intervistimi me gojë.

“Pas përfundimit të testit me shkrim anëtarët e komisionit kanë propozuar që kandidatët që e kanë kaluar testin me shkrim të intervistohen po atë ditë, i kam pyetur kandidatët të gjithë janë pajtuar”, tha dëshmitari Morina.

Duke u përgjigjur në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, gjyqtarit Mentor Bajraktari se a iu keni shpërndarë kandidatëve stilolapsa, dëshmitari deklaroi se së bashku me testin kanë shpërndarë stilolapsa dhe flet të bardh shtesë, mirëpo sipas tij, nuk ka qenë e ndaluar përdorimi i stilolapsave të tjerë.

Ndërsa sipas dëshmitarit Morina, ekspertiza grafologjike e AFK-së është e pa besueshme për të, pasi që ai nuk kishte vërejtur asnjë parregullsi gjatë procesit të testimit.

Në seancën e së premtes, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar edhe anëtari i komisionit Armend Koshi.

Dëshmitari Koshi, ka thënë se me sa i kujtohet pasi që kanë hyrë në sallë asnjë anëtar i komisionit nuk ka dalë nga salla deri në përfundimin e procesit të testimit.

Ndërsa, në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarës Vera Lleshi, avokatit Prenk Pepaj, se a ka lëvizur brenda sallës e akuzuar Leshi, dëshmitari tha se jo.

“Me sa e mbaj mend unë, as Vera, e as ndonjë anëtar tjerë i komisionit nuk ka lëvizur në sallë gjatë testimit” tha dëshmitari Koshi.

Ai tha se nuk kishte dëgjuar asnjë nga anëtarët e komisionit se duhet të favorizohet Jehona Arapi dhe sipas tij, apsulotisht një gjë të tillë nuk e ka kërkuar as e akuzuara Vera Lleshi.

Në këtë seancë, ka qenë e paraparë të dëgjohen edhe dëshmitaret Leonora Lleshi dhe Aferdita Spasi, por me kërkesën e prokurorit Ali Uka, është ndërprerë seanca, me arsyetimin se i njëjti është i ngarkuar me punë të tjera në prokurori, pasi që i njëjti është edhe ushtrues detyre i kryeprokurorit.

Ndërkaq, në seancën e së premtes, palët në procedurë i kanë dhënë edhe fjalët e tyre hyrëse.

Prokurori i rastit, Ali Ukaj, ka deklaruar se nga provat e grumbulluara që do të administrohen në këtë gjykim, e që i janë bashkëngjitur lëndës, sipas tij, do të provohet përtej dyshimit të bazuar se të akuzuarët, kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Prokurori Ukaj, njëherit ka bërë rikualifikimin e veprës penale nga vepra penale “falsifikim i dokumentit”, tha se duhet të jetë “falsifikim i dokumentit zyrtarë”, ndërsa pjesa tjetër e aktakuzës sipas tij mbetet e pandryshuar.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarës Lleshi, avokati Prek Pepaj, ka thënë se aktakuza e ngritur nuk ka mbështetje të mjaftueshme në provat e propozuara, pasi që sipas tij, për të ekzistuar vepra penale “Falsifikim i dokumentit zyrëtar” duhet të plotësohen disa elemente të figurës penale.

Sipas tij, vepra penale keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar e apsorbon veprën penale falsifikim i dokumentit zyrtar.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarës Jehona Arapi, avokati Fadil Sinanaj, ka thënë se e mbrojtura e tij në ditën kritike ka qenë në gjendje të keqe emocionale dhe shëndetësore pasi që sipas tij, ajo ka qenë hera e parë qe ka hyrë në Stacionin Policor.

Ai tha se nga kjo gjendje emocionale të njëjtës i është shfaqur sëmundja “Tensioni i Syve” me çka rezulton me dobësim të shikimit, prandaj e njëjta gjatë shikimit të testit kishte deklarua se shkrimi është i saj.

Sipas avokatit Sinanaj, pas administrimit të provave do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturës së tij.

Seanca e radhës  për këtë rast është caktuar më 18 nëntor 2020, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 21 maj 2020, Vera Lleshi po akuzohet se më 15 maj 2017, rreth orës 11:00, në cilësinë e anëtares së komisionit për pranimin e një operatori në SISH, ka keqpërdorur detyrën e saj zyrtare duke tejkaluar kompetencat e saj, me qëllim që të sjellë dobi të kundërligjshme pasurore në mënyrë të kundërligjshme për vete dhe për të tjerët.

Tutje sipas aktakuzës, këtë e ka bërë në atë mënyrë që gjatë tërë procedurës së rekrutimit sipas konkursit të spitalit rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ka favorizuar kandidaten Jehona Arapi që të përzgjidhet në cilësinë e operatores së SISH-it, duke ndërhyrë në testin me plotësime shtesë.

Për këtë po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës publike apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, e akuzuara në po të njëjtën ditë ndryshon dokumentin origjinal me qëllim për shfrytëzimin e atij dokumenti si origjinal, duke ndërhyrë në testin me shkrim të kandidates Jehona Arapi, duke e riplotësuar me qëllim që t’ia mundësoj ngritjen e pikëve gjatë vlerësimit të testit me shkrim, ashtu që  në bazë të raportit të eksperimentimit grafologjik të AKF-së janë identifikuar karakteristikat e përgjithshme dhe individuale që përputhen me karaktaristikat e dorëshkrimeve të anëtares së komisionit punues Vera Lleshi në testin origjinal të kandidates Jehona Arapi.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit” nga neni 434 paragrafi 1 të KPRK-së.

Ndërsa, e akuzuara Jehona Arapi po akuzohet se më 8 gusht 2019, gjatë dhënies së deklaratës në cilësinë e dëshmitares në Stacionin Policor në Gjakovë me vetëdije paraqet deklarim të rremë, në atë mënyrë se kinse gjatë procedurës së rekrutimit sipas konkursit të spitalit në Gjakovë, me rastin e plotësimit të testit nuk e kishte ndihmuar askush nga anëtaret e komisionit dhe se shkrimi në testin e saj është i tëri i saj dhe kishte përdorur dy stilolapsa, dhe në bazë të kësaj deklarate arrin të punësohet si operatore e SISH-it, duke i dëmtuar kandidatët e tjerë.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Deklarim i rremë” 392 paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi