Gjykimi për korrupsion, dëshmitari thotë se rojtari nuk ishte përgjegjës për pyllin por operatori që fitoi tenderin

217
Author
Korrik 21, 2021

Gjilan – Drejtori Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në Komunën e Kamenicës, Naim Arifi ia ka hequr përgjegjësinë për ruajtjen e pyllit rojtarit Skender Fetiu, i cili akuzohet se duke mos ruajtur pyllit ka shkaktuar dëm mbi 16 mijë euro komunës.

Arifi ka thënë se operatori që ka fituar tenderin për atë pjesë e ka pasur për obligim ruajtjen e pyllit.

Këtë deklarim, drejtori Arifi në cilësinë e dëshmitarit e ka dhënë në seancën e mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjilan, në rastin ku Fetiu po akuzohet  për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Kamer Leci i cili akuzohet për veprën penale veprimtaria e pandërgjegjshme ekonomike.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Skender Fetiu, avokatit Kadri Sylaj, dëshmitari Arifi tha se nuk e di se kur është lidhë kontrata, por e di se afati i kryerjes ka qenë 90 ditë, dhe se të njëjtën e ka nënshkruar  zyra e prokurimit pasi që kjo është kompetencë e tyre.

Ai shtoi se gjatë punime që janë bërë në atë ngastër nga operatori, por edhe pas janë vjedhë drunjtë.

“Gjatë punimeve të cilat janë bërë në atë ngastër nga operatori, kanë hyrë  hajnat dhe e kanë vjedh drunjtë, unë së bashku me rojën e pyllit Skenderin kemi dal dhe aty kemi hasur vetëm traktorin, ngase hajnat veç se kishin ikur, dhe për këtë e kemi lajmëruar policinë”, ka thënë ai.

Dëshmitari tutje tha se edhe pasi që operatori kishte bërë njoftimin për tërheqje nga kontrata- tenderi, ka pasur dëm dhe prerje të drunjëve në ngastrën 52.

“Unë e kam formu komisioni prej tre anëtarëve për të konstatu dëmin në vendin e ngjarjes, dhe aty dhe aty kemi vendosur kamera për të verifikuar se kush po i prenë, por që aty kemi parë vetëm lëvizje të njerëzve dhe jo me traktora ”, tha dëshmitari Arifi.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Kamer Leci, avokatit Selman Sadiku, dëshmitari Arifi tha se operatori deri në shkëputjen e kontratës është përgjegjës për ruajtjen e pyllit, për të cilin e ka fituar tenderin.

Tutje, në këtë seancë është bërë dhe administrimi i provave, mirëpo, mirëpo është ndërprerë pasi që trupi gjykues ka qenë i  angazhuar me një lëndë tjetër penale.

Kryetari i trupit gjykues Sabedin Mushinca seancën e radhës e ka caktuar më  30 shtator 2021,  në ora 09:00.

Prokuroria Themelore në Gjilan më 25 gusht 2020 ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Skender Fetiu sepse i njëjti duke qenë në pozitën e personit zyrtar, roje pylli, pranë autoritetit pyjor në Kamenicë, e po ashtu i autorizuar edhe për kryerjen e shërbimeve lidhur me dhënien e fletë përcjellësve për transportimin e masës drurore dhe përcjelljen e punimeve të firmës “Mirvete Leci-BI”, në Kamenicë, në ngastrën kadastrale nr.52, në territorin e fshatit Krilevë, Komuna e Kamenicës, i pandehuri nuk i ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për sigurimin e pyjeve, përkatësisht masës drunore, të prerë në ngastrën në fjalë, pas lajmërimit të kompanisë së përmendur se më 27 prill 2019 i ka ndërprerë punimet në këtë ngastër, e që pastaj për pasojë në ngastrën e përmendur, nga personat e panjohur janë marrë drunjë në vëllim prej 130.016 m3 duke i shkaktuar me këtë autoritetit pyjor në Kamenicë dëm material në vlerë prej 16 mijë e 712 euro e 89 cent.

Me këto veprime, ai ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i pandehuri Kamer Leci, duke qenë në pozitën e të autorizuarit nga kompania “Mirvete Leci-BI”, në Kamenicë, për implementimin dhe mikëqyrjen e punimeve në ngastrën kadastrale nr.52, në fshatin Krilevë, ku kompania në fjalë ka qenë në implementim të kontratës, për punimet në këtë ngastër, i pandehuri pas njoftimit nga kompania se i ndërpret punimet e mëtejshme në këtë ngastër, nuk ka vepruar sipas udhëzimit administrative nr. 06/2010 për mënyrën dhe procedurat e shitjes së trungjeve pyjore dhe asortimenteve drunore nga pyjet publike, përkatësisht nga nenit 9 të këtij udhëzimi, për të siguruar mos dëmtimin e pyjeve dhe masës drunore, derisa të bëhet pranim dorëzimi i punimeve në këtë ngastër nga një komision përkatës, ashtu që pas ndërprerjes së punimeve nga subjekti në fjalë, personave të panjohur deri më tani i është mundësuar marrja e masës drunore në ngastrën e përmendur në vëllim prej 130.016 m3 me ç’rast autoritetit pyjor në Kamenicë i është shkaktuar dëm material në lartësinë prej 16 mijë e 712 euro e 89 cent.

Me këto veprime, ai ka kryer veprën penale “veprimtaria e pandërgjegjshme ekonomike”, nga neni 279 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi