Gjykimi për kontrabandë me armë e tregti ilegale me barna, dëshmitari thotë se nuk e dinte përmbajtjen e pakove që kishte transportuar

Raporton: Gzime HASHANI

Prishtinë –  Dëshmitari Milot Kukaj tha se vetëm kishte zbatuar urdhrat e tani të akuzuarit Izedin Mejzini, kur kishte bërë transportimin e pakove të cilat sipas prokurorisë dyshohet se kanë qenë armët dhe medikamentet, ndërsa shtoi se nuk e dinte përmbajtjen atyre pakove që kishte transportuar.

Këtë deklarim, dëshmitari Kukaj e ka bërë të hënën në gjykimin ku bashkë me Mejzinin, për krim të organizuar lidhur me kontrabandim me armë dhe barëra ngarkohen edhe Vesat Imeri, Nexhip Gashi, Besim Sylejmanit, Sylë Sulejmanit, Naim Abrashit dhe i ndjeri F.H. për të cilin është pushuar procedura penale.

Sipas dëshmitarit, Mejzini kishte qenë pronar i kompanisë “Simi Logistic”, në të cilën ai kishte punuar si postier, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, i pyetur nga prokurorja speciale Fikrije Zejnullahu se a i kujtohet që ka punuar edhe në postën private “Sim Logistic”, dëshmitari Kukaj tha se kishte punuar si vozitës.

Dëshmitari deklaroi se me tani të akuzuarin Izedin Mejzini kishte lidhur kontratë për shpërndarjen e mallrave.

Tutje, ai tha se pas marrjes së pakove, të njëjtat i kishte dërguar në depon “Simi Logistic” në fshatin Mazgit.

“Detyrë e imja ka qenë vetëm me i zbraz, pastaj kam vazhdu me përfundu orarin e punës”, tha ai duke shtuar se pas dërgimit të pakove e kishte njoftuar menaxherin e kompanisë, i cili kishte qenë Naim Abrashi.

Dëshmitari u pyet nga prokurorja se cili ishte kuptimi i fjalës “konotë”, për të cilën Kukaj tha se konota përmban të dhënat e dërguesit dhe të pranuesit.

Kurse, i pyetur nëse dërgesa në fjalë kishte konotë, dëshmitari e mohoi një gjë të tillë, duke theksuar se nuk e kishte ditur se çfarë kishte pasur në ato pako.

Po ashtu, ai tha se lidhur me përmbajtjen e këtyre pakove ishte njoftuar nga ana e Policisë së Kosovës, të cilët po ashtu kishin kërkuar nga ai të tregonte vendin se ku i kishte marrë këto pako.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Izedin, avokatit Mahmut Halimi, se ditën kur kishte dërguar këto pako, a kishte pasur pako të tjera, dëshmitari tha se kishte pasur edhe pako të tjera me gjëra ushqimore.

Avokati po ashtu e pyeti se gjatë punës së tij në shërbimin postar a ka të drejtë që të kërkojë përmbajtjen e pakove apo t’i hapë para se t’i merr për transport, e për këtë, dëshmitari Kukaj tha se ka të drejtë, mirëpo menaxheri merret me këto dhe jo ai.

Dëshmitari shtoi se ai nuk ka pasur ndonjë rast ku ka kërkuar që të hapet pako, pasi që zakonisht kishin pasur pako ushqimore.

Në këtë rast, avokati Halimi e pyeti se si e dinte që në ato pako kishte gjëra ushqimore, për këtë dëshmitari tha se ato dukeshin me sy sepse kishin qenë të vendosura në paketime të tejdukshme.

Po ashtu, avokati Halimi me leje të gjykatës e ballafaqoi atë me deklaratën e dhënë në poliic, ku kishte thënë se kishte pranuar pagesë prej 50 euro për transportin e pakove afro tre ditë pas marrjes së pakove.

Por, lidhur me këtë, ai tha se nuk i kujtohet, pasi ishte ngjarje që ka më shumë se dy vite.

Sa i përket mungesës së konotave, avokati kërkoi nga dëshmitari të di se si po i kujtohet ky fakt, për çka ai tha se ka qenë vetëm paketë blanko, pa asgjë.

Kur u pyet se si vozitës i postës, a ka guxuar të marrë pako pa konota, dëshmitari tha se nuk kishte guxuar, ngas nuk ka ditur se ku ta dërgojë atë pako.

Mbrojtësi i të akuzuarit Naim Abrashi, avokati Shyqeri Syla kërkoi nga dëshmitari të di se cila ka qenë pozita e të mbrojturit të tij, për çka dëshmitari Kukaj tha se i akuzuari Abrashi kishte pasur pozitën e menaxherit dhe se i njëjti kishte udhëhequr punën e transportit.

Dëshmitari pasi u pyet se a e ka thirrë ndonjëherë i njëjti për të marrë tjetër pako diku, pranoi se i akuzuari Naim e kishte thirrë në përditshmëri pasi që kjo kishte qenë punë e tij.

“Naimi na ka thirrë, e na ka bërë listën se çka kemi me bë të nesërmen, ku kemi m’i marrë porositë, ku kemi m’i shpërnda”, shtoi ai.

Ndërsa, në rimarrje në pyetje, prokurorja Zejnullahu kërkoi nga dëshmitari të di se cila ishte arsyeja që kishte marrë pakot pa konotë.

“Po të thirrë drejtori, të thotë shko merri”, tha ai duke shtuar se ka qenë urdhër i drejtorit dhe ose është dashur t’i marrë ose largohet nga puna.

Tutje, prokurorja e pyeti se kush ia kishte treguar vendin se ku duhet të shkojë t’i marrë pakot, ndërsa Kukaj tha se drejtori e kishte telefonuar dhe i kishte treguar se ku të shkonte.

Në pyetjen e gjykatësit Vesel Ismajli se çfarë peshe kishin pasur pakot, dëshmitari tha se nuk kishin qenë edhe aq të lehta.

Gjatë seancës së mbajtur të hënën është dëgjuar edhe dëshmitari Besart Mikullovci, i cili është pronar i kompanisë “BV – Tech”.

Dëshmitari Mikullovci u pyet se kush kishte punuar në lokalin e tij më 2019, meqë rast tha se kishte pasur një punëtor me emrin F.H., duke iu referuar tani të ndjerit i cili në këtë rast kishte qenë i akuzuar.

Ndërsa, lidhur me pyetjen e prokurores se a e njeh Vesat Imerin, dëshmitari Mikullovci tha se e njeh dhe e ka shok, duke shtuar se gjatë vitit 2019 me të kishte pasur edhe bashkëpunim lidhur me pajisjet të cilat janë shitur në lokalin e tij.

Mikullovci tha se Vesat Imeri kishte blerë pajisjet nga jashtë dhe se ai i kishte shitur më pas në lokalin e  tij.

Prokurorja e pyeti dëshmitarin edhe lidhur me domethënien e “BV-Tech”, ku dëshmitari tha se janë inicialet e emrit të tij dhe të Vesatit.

Po ashtu, prokurorja Zejnullahu e pyeti nëse kishte qenë në njohuri se në lokalin e tij kishte pasur edhe gjëra të tjera që nuk i përkasin pajisjeve elektro – shtëpiake, por dëshmitari tha se nuk kishte pasur njohuri për këtë.

Ai po ashtu u pyet nëse kishte qenë në dijeni se në lokalin e tij ishin vendosur disa pako, e që më vonë kanë shkuar në një depo tjetër, ku dëshmitari tha se nuk kishte qenë në njohuri për këtë gjë.

Ndërsa, lidhur me kontrollin e lokalit nga ana e policisë, dëshmitari tha se ishte njoftuar nga hetuesit e policisë.

I pyetur se çfarë kishin gjetur në lokal, dëshmitari Mikullovci tha se në lokalin e tij nuk ishte gjetur asgjë gjatë bastisjes dhe se arsyeja e bastisjes kishte qenë se po kërkohej për armë dhe barëra.

Sa i përket të ndjerit F.H. dëshmitari tha se ai kishte qenë punëtor i tij dhe i kishte raportuar për shitjet.

Tutje, prokurorja Zejnullahu e pyeti nëse i njëjti e kishte njoftuar që nga lokali i tij janë tërhequr disa pako, ku dëshmitari tha se nuk ishte informuar për ato pako.

Kjo pyetje e prokurores u kundërshtua nga avokati Betim Shala, i cili tha se dëshmitari veç se deklaroi se nuk ka pasur njohur se në lokalin e tij është gjetur diçka gjatë bastisjes.

Dëshmitari theksoi se lokali kishte qenë me dy pjesë të veçanta, njëra kishte qenë e tij dhe pjesa tjetër kishte qenë e Vesatit dhe Nexhipit.

“Ndarja e lokalit ishte bërë për arsye të shpenzimeve dhe pjesa ime kishte qenë nën menaxhimin tim”, tha ai.

Derisa sa i përket punëtorit të tij, F.H. nuk kishte qenë në dijeni se ai kishte punuar edhe për të edhe për dikë tjetër.

Prokurorja e pyeti dëshmitarin Mikullovci se a janë njohur tani i ndjeri F.H. dhe Vesat Imeri, ai e pohoi një gjë të tillë.

Pas ngjarjes, dëshmitari tha se kishte vazhduar të mbaj raporte me tani të akuzuatin Vesat Imeri.

Mbrojtësi i të akuzuarit Vesat Imeri, kërkoi nga dëshmitari të di se pas ndarjes së lokalit për shkak të shpenzimeve, a është arritur marrëveshje sa i përket lartësisë së çmimit.

Lidhur me këtë, dëshmitari tha se ishe arritur marrëveshje, ku ai kishte paguar 300 euro, ndërsa Vesati 200.

Mbrojtësi i të akuzuarit Nexhip, avokati Haxhi Millaku kërkoi nga dëshmitari të di se a është e saktë deklarata e tij, ku kishte thënë se nuk ka kurrfarë raporti me të akuzuarin Nexhip, dëshmitari e pohoi se është e vërtetë.

Në rimarrje në pyetje, prokurorja kërkoi nga dëshmitari të di se si e kishte kuptuar që pjesa e ndarë e lokalit do t’iu takojë Vesatit dhe Nexhipit, dëshmitari Mikullovci tha se ishte marrë vesh me Vesatin.

Kurse, lidhur me atë se si e kuptoi që edhe Nexhipi do të jetë pjesë e lokalit, dëshmitari tha se e kishte kuptuar natyrshëm.

Në pyetjen e gjykatësit Krasniqi se a kishte diskutuar me Vesatin lidhur me bastisjen, dëshmitari tha se nuk kishte biseduar ndonjëherë për këtë.

Ai deklaroi se në atë objekt kishte pasur edhe zyrë, ku ndonjëherë edhe kishin qëndruar së bashku.

Qëllimi i ndarjes së lokalit sipas dëshmitarit kishte qenë vetëm financiar, duke shtuar se nuk e dinte aktivitetin e pjesës tjetër të lokalit dhe se kjo nuk kishte qenë çështje e tij.

I pyetur nga gjykatësi Shala se a kishte pasur ndonjë marrëveshje apo kontakt me postën “Simi Logistic”, dëshmitari tha se nuk kishte pasur asnjëherë.

Ndryshe, këtë seancë ishte ftuar të dëshmonte edhe dëshmitarja Indire Mehmeti, e cila nuk u paraqit për seancë dhe mungesën nuk e kishte arsyetuar.

Prokurorja Zejnullahu lidhur me këtë tha se dëshmitarja në mungesë të kontaktit me gjykatën ka informuar prokurorinë se për shkaqe shëndetësore nuk mund të prezantojë.

Ndryshe, kjo seancë filloi me vonesë për shkak të mungesës së mbrojtësit të të akuzuarit Besim Sylejmani, avokatit Ymer Beka.

Beka përmes avokatit Emrush Thaqi njoftoi gjykatën se nuk do të paraqitet për seancë dhe do të dërgojë për zëvendësim avokatin Nuhi Paqarizi.

Me këtë u pajtua edhe i akuzuari Sylejmani, i cili pranoi që të mbrohet nga avokati Paqarizi.

Ndërkohë gjatë seancës u paraqit avokati Ymer Beka i cili vazhdoi përfaqësimin e të akuzuarit Sylejmani.

Pas kësaj, seanca e radhës u caktua më 30 nëntor 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, Izedin Mejzini, Vesat Imeri, Nexhip Gashi, Besim Sylejmanit, Sylë Sulejmanit, F.H. dhe Naim Abrashit akuzohen se nga periudha e panjohur kohore në vazhdimësi e deri më 21 mars 2019, duke vepruar si grup i organizuar kriminal, i udhëhequr nga të pandehurit Vesat Imeri dhe Izedin Mejzini, me qëllim të kryerjes së veprave penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve” dhe tregtia e ndaluar, me role të ndara si anëtarë të grupit kriminal, kanë transportuar, ndërmjetësuar dhe shitur armë në mënyrë të paautorizuar dhe kanë blerë e shitur mallra, për të cilat nuk kanë pasur autorizim, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme.

Sipas PSRK-së, i pandehuri Vesat Imeri, fillimisht i ka siguruar 25 pako me armë të llojit Glock, Austria dhe Sig Suer, nga një person tani për tani i panjohur me nofkën “Doni”, të cilat i ka vendosur në njërën nga zyrat e lokalit të tij në Fushë Kosovë si dhe disa pako me medikamente të llojeve të ndryshme me përmbajtje të substancave narkotike (metamorfinë) si Tamol XX, të cilat i kanë siguruar të pandehurit Nexhip Gashi dhe Besim Sylejmani.

Prokuroria pretendon se pas disa ditësh, i pandehuri Vesat Imeri, sipas marrëveshjes e thërret të pandehurin F.H. punëtor në lokalin e tij në Fushë Kosovë dhe i thotë që këto pako t’ia jepte personit që do të shkonte t’i merrte, ku edhe postieri i postës “Sim Logistik”, Milot Kukaj, pronar i së cilës është i pandehuri Izedin Mejzini, i kishte marrë këto pako dhe i kishte dërguar në objektin e “Sim Logistik”, në fshatin Mazgit, e pas kësaj të pandehurit Izedin Mejzini, Vesat Imeri dhe Nexhip Gashi, i kishin ndarë armët dhe medikamentet nëpër pako me qëllim të dërgimit në vende të ndryshme.

Sipas kësaj aktakuze, Besim Sylejmani fillimisht shkon në depon e “Sim Logistik”, me veturën e tij, ku nga i pandehuri Naim Abrashi, menaxher i kompanisë i merr disa pako dhe takohet me të pandehurin Sylë Sylejmani, në lagjen Ulpiana, të cilit ia jep një pako me medikamente dhe i fut në veturën e tij “Opel Corsa”, ku edhe janë ndarë, mirëpo duke qenë nën vëzhgim nga ana e Policisë së Kosovës, të pandehurit Besim dhe Sylë Sylejmani, në veturat e tyre u gjenden dhe konfiskohen pako me medikamente, e pastaj në garazhin e banesës së të pandehurit Besim në rrugën “Uran Ajeti” në lagjen Mati 1, i gjenden dhe konfiskohen edhe pako të tjera me medikamente.

Sipas prokurorisë, gjatë kontrollimit në depon e “Sim Logistik” në Mazgit, gjenden dhe konfiskohen gjithsej 99 armë të llojit “Glock-Austria”, një sasi municioni, vlera e të cilave nuk dihet si dhe një sasi medikamentesh, vlera e të cilave përfshirë edhe sasinë e konfiskuar te të pandehurit Besim dhe Sylë Sylejmani, është rreth 17 mijë euro.

Sipas aktit akuzues, po ashtu nga i pandehuri Armend Ilazi, të pandehurit Besim Sylejmani dhe Nexhip Gashi janë furnizuar me barëra pa banderola, me qëllim që t’i shesin nëpër barnatore të ndryshme, në atë mënyrë që i dyshuar Armend Ilazi, barërat i ka siguruar nga Indire Mehmeti, farmaciste në barnatoren “Bio Pharm” në Ferizaj, e pastaj ua ka shpërndarë të pandehurve Besim dhe Nexhip, me këtë rast si pjesëmarrës të grupit kanë ushtruar veprimtari me qëllim të kryerjes së veprave penale për shkak të përftimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme.

PSRK-ja pretendon se i pandehuri Vesat Imeri gjatë muajit mars të vitit 2019, i ka siguruar në mënyrë të panjohur 25 pako me armë dhe barëra dhe i ka vendosur në lokalin e tij në Fushë Kosovë, e pastaj sipas kërkesës së tij, këto pako i pandehuri F.H. ia jep vozitësit të kompanisë “Sim Logistik”, Milot Kukaj, pronar i së cilës është i pandehuri Izedin Mejzini.

Gjithnjë sipas akuzës, më 10 dhe 15 mars 2019, të pandehurit Izedin Mejzini, Vesat Imeri, Nexhip Gashi dhe Naim Abrashi, pasi koordinohen mes vete, bëjnë ripaketimin e pakove të lartpërmendura duke i futur në pako armë dhe barëra, në njërën nga zyrat e kompanisë “Sim Logistik”, me pronar Izedin Mejzinin, e në të cilën punon edhe i pandehuri Naim Abrashi, me qëllim të shpërndarjes së tyre.

Sipas kësaj aktakuze, më 21 mars 2019, i pandehuri Besim Sylejmani, i merr disa pako me barna të llojit Tamoil XX në depon “Sim Logistik”, e pastaj takohet me të pandehurin Sylë Sylejmani, të cilit ia jep një pako me barëra me qëllim të shitjes së tyre nëpër barnatore të ndryshme në Prishtinë, Ferizaj e vende të tjera, mirëpo pasi që të njëjtit ishin duke u vëzhguar nga ana e policisë janë arrestuar, ndërkaq gjatë kontrollit të banesave dhe automjeteve të tyre, janë gjetur sasi të konsiderueshme të barërave të lartpërmendura për shitjen e të cilave nuk kanë pasur autorizim. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë