Gjykimi për keqpërdorim detyre, ish-zyrtari i “Lesna” në Mitrovicë thotë se ishte viktimë

Nora Kelmendi- Rasti Ardian Jonuzi etj- Raporto për Web-  8 janar 2019
Author

Raporton: Nora KELMENDI

Janar 8, 2019

Mitrovicë – Ish-zyrtari i institucionit financiar “Lesna” në Mitrovicë, Berat Hasani, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ka thënë se në rastin konkret ka qenë viktimë e mashtruesve, duke e fajësuar në këtë rast të akuzuarin tjetër, Ardian Jonuzi.

Një deklarim të tillë, i akuzuari Hasani, e ka bërë në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Berat Hasani dhe Ardian Jonuzi, në cilësinë e analistëve kreditorë, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, po akuzohen se kanë nënshkruar kontrata në emër të kredimarrësve, me ç’rast kanë mundësuar lidhjen e kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale, ku vlera e tërësishme e përfitimit të personave të tjerë, sipas aktakuzës, arrin shumën prej 55.500 euro.

Berat Hasani, gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtësi i tij, avokati Gani Rexha, u pyet lidhur me kreditë e lëshuara në emër të kredimarrësve, Ariana Tahiri, Shefkije Misini dhe Exhevit Tmava,  për çfarë tha se me këta klientë është marrë ish-kolegu i tij, i akuzuari tjetër në këtë rast, Ardian Jonuzi.

I akuzuari Hasani, lidhur me këtë, ka cekur se Ardian Jonuzi sipas  tij, i ka njohur edhe më parë kredimarrësit e lartpërmendur duke shtuar se kreditë në fjalë janë lëshuar në bashkëpunim ndërmjet Ardian Jonuzit dhe Avdullah Ferizit.

Bazuar në deklaratën e të akuzuarit Berat Hasani, lejimin e këtyre kredive e ka mundësuar Ardian Jonuzi pas aprovimit nga qendra në Prishtinë, për çfarë tha se dokumentacionin ia ka sjellë i akuzuari Jonuzi.

Ai më pas tha se pasi që kishte vërejtur që këta klientë pas disa muajve janë me vonesë në pagimin e kredisë e ka vërejtur se diçka nuk është në rregull dhe se për këtë e ka njoftuar të akuzuarin tjetër Ardian Jonuzi.

Ndërkaq, gjatë marrjes në pyetje nga ana e prokurorit të rastit Ismet Ujkani, i akuzuari Hasani, mohoi të ketë pranuar aplikacionin dhe të ketë shqyrtuar atë për këta klientë, duke thënë se aplikacionin e kishte pranuar të gatshëm nga ana e të akuzuart Jonuzi.

Ai shtoi se në prezencën e tij, nuk janë nënshkruar këto kontrata për kredi dhe se ato vetëm i kishte procesuar më pas në sistem, pasi që siç tha ai, i kishte besuar kolegut të tij, Ardian Jonuzit.

Ndërkaq, në pyetjet e prokurorit Ujkani, lidhur me Avdullah Ferizin, të përmendur nga dëshmitarët si “hoxha”, tha se ky i fundit sipas tij, ka shkuar shumë shpesh në zyrat e institucionit financiar  “Lesna” dhe se i ka interesuar shumë puna e këtij institucioni.

Lidhur me këtë, ai shtoi se Avdullah Ferizit  nuk i ishte lejuar marrja e një kredie dhe se sipas tij, pas vizitave të tij të shpeshta në këtë institucion kishte filluar të dyshojë se diqka nuk është në rregull.

Përveç tij, në seancën e së martës, mbrojtjen e tij e ka dhënë edhe i akuzuari tjetër Ardian Jonuzi.

I akuzuari Jonuzi, gjatë dhënies së deklaratës së tij, ka përmendur se në degën e institucionit financiar “Lesna” në Mitrovicë, ka punuar si analist kreditor së bashku me të akuzuarin Berat Hasani, dhe se në degën e këtij institucioni sipas tij, nuk ka pasur menaxher.

Lidhur me këtë, ai tha se nga qendra e institucionit financiar “Lesna” në Prishtinë, është autorizuar që ai të nënshkruajë në ato situata ku është kërkuar të nënshkruajë menaxheri i degës.

Në vazhdim të marrjes në pyetje nga ana e prokurorit Ujkani, i akuzuari Jonuzi nuk mohoi se ka nënshkruar  kontratat e  kredive  gjatë kohës sa ka punuar në atë institucion si analist kreditor.

I akuzuari Ardian Jonuzi, ndër të tjera tha se më vonë e ka kuptuar se pas disa kredive qëndron Avdullah Ferizi, për të cilin tha se edhe më herët ka aplikuar për kredi në këtë institucion dhe se të njëjtit i ishte refuzuar marrja e kredisë.

Pas përfundimit të dhënies së mbrojtjes nga ana e të akuzuarve Berat Hasani dhe Ardian Jonuzi, të njëjtat në kuptim të mbrojtjes u kundërshtuan nga ana e avokatëve Gani Rexha dhe Adem Vokshi.

Ndërkaq, përfshirja e dëshmitarit Avdullah Ferizi në këtë rast, ka të bëjë me një rast tjetër penal, ku prokurori Ismet Ujkani në seancën e mbajtur më 8 shkurt 2018, kishte kërkuar bashkimin e kësaj procedure penale, me aktakuzën për mashtrim ndaj Abdullah Ferizit.

Mirëpo, rasti ndaj të akuzuarit Ferizi është zhvilluar ndaras, me ç’rast i njëjti pas pranimit të fajësisë nën akuzën për mashtrim, nga ana e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, më 27 shkurt 2018, është dënuar me dy vjet burgim dhe është obliguar që në vlerë prej 43.500 euro, të kompensojë 14 të dëmtuarit, të cilët sipas Prokurorisë kanë rënë pre e mashtrimit gjatë vitit 2011, përderisa i akuzuari ka ushtruar detyrën e menaxherit të fermës së bagëtive.

Pasi që paraprakisht, në seancën e së martës palët nuk kanë pasur propozime për nxjerrjen e provave të reja, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Beqir Halili, ka revokuar vendimin për dëgjimin e Avdullah Ferizit në cilësinë  e dëshmitarit, pasi që nga ana e Stacionit Policor në Mitrovicë,  Gjykata është njoftuar se i njejti gjendet që një kohë në Gjermani.

Meqenëse nga ana e Gjykatës është bërë administrimi i të gjitha provave materiale, seanca e së martës është shtyrë për 1 shkurt 2019, ku palët pritet të japin fjalën përfundimtare.

Ndryshe, Ardian Jonuzi dhe Berat Hasani, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelroe në Mitrovicë, të ngritur më 4 maj 2016, po akuzohen se në cilësinë e analistëve të kredive në institucionin jo bankar “LESNA”, dega në Mitrovicë, kanë nënshkruar kontrata në emër të kredi marrësve, me ç’rast kanë mundësuar lidhjen e kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale, ku vlera e tërësishme e përfitimit të personave të tjerë arrin shumën prej 55.500 euro.

Përkatësisht, Jonuzi akuzohet se ka mundësuar lidhjen e gjithsej 48 kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale në vlerë prej 46.800 euro dhe se ka nënshkruar vetë 33 kontrata në emër të kredi marrësve.

Ndërsa, Hasani po ashtu akuzohet se në emër të kredi marrësve ka mundësuar lidhjen e gjithsej 3 kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale në vlerë prej 8.700 euro.

Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale  “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e cila dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet./Betimipërdrejtësi