Gjykimi për keqpërdorim detyre, auditori i brendshëm thotë se shumica e rekomandimeve ishin zbatuar nga ish-drejtori i Inspeksionit në Pejë

13 maj foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Maj 13, 2019

Pejë – Shumica e rekomandimeve të dhëna nga ana e auditorit të brendshëm të Komunës së Pejë, ishin zbatuar nga ana e ish-drejtori të Inspeksionit në Komunën e Pejës, Demë Dashi.

Një deklaratë të tillë e dha të hënën, auditori i brendshëm i Komunës së Pejës, Senad Adroviq, në gjykimin ku për keqpërdorim të pozitës zyrtare po akuzohet ish-drejtori i Inspeksionit në Pejë, Demë Dashi.

Auditori Adroviq tha se në vitin 2016, kishte përpiluar një raport auditimi, me të cilin kishte konstatuar parregullsi në Drejtorinë e Inspektoratit, në kohën kur drejtor i së cilës ishte tani i akuzuari Dashi.

Në dëshminë e tij, Adroviq tha se nuk i kujtohet se çfarë rekomandimesh kishte dhënë për Drejtorinë e Inspektoratit të Pejës, mirëpo sipas tij, këto rekomandime nuk kanë fuqi ekzekutuese dhe detyruese.

“Rekomandimet tona iu drejtohen drejtorive përkatëse, mirëpo nuk kemi kompetencë të ekzekutimit të këtyre rekomandimeve dhe roli jonë është vetëm këshillëdhënës”, tha dëshmitari Adroviq.

Në pyetjen e prokurorit Ali Uka, se në atë raport a kishte konstatuar se tani i akuzuari Demë Dashi nuk i është përmbajtur rregullave, dëshmitari tha se asnjë drejtor nuk është në gjendje t’i aplikojë dhe të implementojë të gjitha rekomandimet e dhëna, mirëpo sipas tij, i akuzuari i kishte implementuar shumicën e rekomandimeve.

Mirëpo, se cilat rekomandime i kishte përmbushur i akuzuar Dashi, dëshmitari tha se nuk mund të përgjigjet, pasi që siç tha, nuk e kishte evidencën e rastit.

Pyetje dëshmitarit i parashtroi edhe vet i akuzuari Dashi, i cili Adroviqin e pyeti nëse i njëjti kishte njohuri se çfarë ishin dënimet mandatore, me këtë të fundit që u përgjigj se dënimet mandatore shumë vështirë ekzekutohen dhe kur ndodh një gjë e tillë, ajo bëhet me para kesh.

Raportet në fjalë të hartuara nga auditori i brendshëm, prokurori Uka tha se nuk i ka në shkresat e lëndës, me arsyetimin se nuk kishte qenë bartës i kësaj lënde penale.

Dëshminë e tij në seancën e së hënës e dha edhe menaxheri i personelit në Komunën e Pejës, Muhamet Kelmendi, i cili tha se pozita të cilën e mbante i akuzuari është pozitë politike dhe për të njëjtën, Komunë e Pejës nuk posedon organogram për të përcaktuar se çfarë detyrash dhe përgjegjësi ka në kompetencë Drejtori i Inspektoratit.

Dëshmitari Kelmendi tha se Drejtorët e Inspeksionit janë staf politik të cilët emërohen dhe shkarkohen direkt nga Kryetari i Komunës dhe sipas tij, përjashtohen nga nënshtrimi i konkurse në raport me shërbyesit civil.

“Në rastit konkret, për drejtorët nuk ka organogram. Për staf politik e cila hynë kategoria e drejtorit nuk ka organogram për përcaktimin e detyrave të punëve, por ka organogram vetëm për shërbyesit civil dhe stafin mbështetës ku përshkruhen detyrat dhe të drejtat e punës së tyre”, tha dëshmitari Kelmendi.

Tutje, Kelmendi tha se përkundër mungesës së organogramit në të cilat shpjegohen detyrat e Drejtorit, sipas tij kompentencat e drejtorit përcaktohen në nenin 61 të Ligjit mbi Qeverisjen Lokale.

Duke u përgjigjur në pyetjen  e mbrojtësit të pandehurit Dashi, avokatit Isa Osdautaj, dëshmitari tha se detyrat e inspektorëve të ndërtimit në mënyrë taksative përshkruhen në formularët të quajtur “Përshkrimi i detyrave të Punë”, por të cilat formularë, sipas dëshmitarit nuk ekzistojnë për kategorinë e drejtorëve.

“E kam pas lejen për 150 m2, unë e kam bërë 180 m2 për pjesën e zgjeruar nuk kam pasur leje”, tha dëshmitari i tretë që u dëgjua në këtë rast, Valdet Berisha.

Për këto zgjerime, dëshmitari tha se ishte dënuar me nga 2500 euro gjobë dy herë nga inspektorët e ndërtimit ndërsa pjesa e zgjeruar nuk i ishte rrëzuar nga inspektorët kurse tani është në pritje të legalizimit.

Sa i përket të akuzuarit Demë Dashin, dëshmitari tha se e njeh të njëjtin dhe se ishte e vërtetë se në vitin 2013 kishte filluar ndërtimin e një ndërtesë afariste në Pejë afër “Parkut të Madh”, për të cilin ndërtesë tha se kishte siguruar lejen e ndërtimit.

Pas dënimeve nga inspektorët, dëshmitari tha se kishte pasur kontakt në zyrën e të akuzuarit Demë Dashit për t’u ankuar lidhur me punën e inspektorëve të ndërtimit mirëpo sipas tij, i akuzuari i kishte thënë se nuk bën  me ndërtu deri në një afat kur të ndërrohet plani urbanistik.

Ai tha se ishte i zhgënjyer me Kryetarin e Komunës së Pejës dhe tani të akuzuarin, pasi nuk i kishin bërë zgjidhje.

Në pyetjen e avokatit Isa Osdautaj, dëshmitari tha se lidhur me këtë çështje kishte pasur kontakt edhe me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muahxheri, prej të cilit kishte kërkuar të ndihmonte për vazhdimin e lejes, mirëpo sipas dëshmitarit, nuk i kujtohet se çfarë i kishte thënë kryetari Muhaxheri.

“A të ka thënë kryetari i Pejës se shko vazhdo punimet se unë flas me Demën”, e pyeti avokati Osdautaj dëshmitarin Berisha, me këtë të fundit që e mohoi një gjë të tillë.

Duke ju përgjigjur pyetjeve të të akuzuarit, dëshmitari tha se nga Drejtoria e Urbanizmit i kishin thënë se nëse do të ketë ndonjë ndryshim të planit urbanistik, atëherë edhe atij do t’i jepet leja.

Për shkak se avokati Osdautaj tha se nuk i posedonte të gjitha provat materiale të cilat ishin paraparë të lexoheshin në seancën e së hënës, e njëjta u ndërpre për të vazhduar me 23 maj 2019, ora 10:30, kur pritet edhe të jepet fjala përfundimtare.

Po ashtu, prokurori Uka hoqi dorë nga dëgjimi i dy dëshmitarëve tjerë që ishin paraparë të dëgjoheshin, Kujtim Krasniqi dhe Shpend Shabanaj pasi u njoftua nga gjykatësi Sali Berisha se pasi ishte lëshuar urdhër me sjellje të detyrueshme, ishte njoftuar nga Policia se të njëjtit nuk gjenden në adresën e dhënë.

Këta dy dëshmitarë të cilat janë propozuar në akuzë për tu dëgjuar në shqyrtim kryesor, nuk janë dëgjuar as në polici dhe as në prokurori.

Ndryshe, në seancën e kaluar të mbajtur më 12 prill të këtij viti,  zyrtarja ligjore në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fisnike Kelmendi, kishte deklaruar se zbatimi i vendimeve për rrënimin e objekteve pa leje, bie në përgjegjësi të drejtorit të Inspektoratit në nivel komunal.

Ajo kishte thënë se pavarësisht se Ligji për Inspektoratin nuk e përcakton saktë se kush e bënë ekzekutimin e vendimit për rrënim të objekteve pa leje, sipas saj, MMPH-ja kishte dhënë opinion për këtë çështje, që siç ka thënë ajo, një gjë e tillë bie në përgjegjësi të drejtorit të Inspektoratit, derisa sipas ligjit të ri, ajo ka thënë se kjo çështje ka kaluar në kompetencë të inspektorit për ndërtim.

Në seancën e 15 qershor të vitit të kaluar  ish-drejtori i Inspeksionit në Komunën e Pejës, Demë Dashi, ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Sali Berisha, pas seancës së shqyrtimit të dytë ka marrë vendim që të aprovojë si të bazuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit Demë Dashi, avokati Isë Osdautaj për kundërshtimin e provave si të papranueshme, duke përjashtuar nga shkresat e lëndës dëshmitë e dëshmitarëve Hasan Idrizaj, Visar Kelmendi, Bashkim Hadërgjonaj, Arben Qakaj, Sali Qelaj, Gani Mavraj, Mendu Mende, Bakir Burri, Metë Ademaj, Astrit dhe Alma Imami, Abedin Kurtulaj, Gjihad Deçani, Ekrem Lluka, Tafil Alimusaj, Smajl Temaj, Rexhë Zeka, Kujtim Hadërgjonaj, Isa Selimaj, Haxhi Karaqica, Shkelzen Hadërgjonaj, Ideal Gashi dhe Adem Berisha.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda të ngritur më 27 mars 2018,  Demë Gashi akuzohet se si person zyrtar në pozitën Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Pejës, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri 14 nëntor 2016, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Gjithmonë sipas aktakuzës, me këto veprime i pandehuri Gashi ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm për tjetrin dhe atë Hasan Idrizaj, Arben Qekaj, Artan Gjoci, Metë Ademaj, Agim Lokaj, Artan Gjoci, Sami Karaqica, Visar Kelmendi, Abedin Kurtulaj, Hekuran Selimaj, Kujtim Hadergjonaj, Rexhe Zeka, Sali Qelaj, me mbi 500.00 euro.

Kjo çështje penale është deleguar prej Prokurorisë Themelorë Pejë në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, për shkak të hetimit të drejtë dhe objektiv. /Betimipërdrejtësi