Gjykimi për katër thasët me marihuanë, njërit të akuzuar i refuzohet pranimi i fajit, tjetrit kërkesa për hudhje të aktakuzës

Albert Memia etj foto (1)
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Shkurt 12, 2020

Gjakovë – Gjykata Themelore në Gjakovë, të mërkurën, e ka refuzuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari Armand Muçaj, derisa për të bashkakuzuarin Albert Memia, kjo gjykatë e ka refuzuar kërkesën për hudhjen e aktakuzës për transport të narkotikëve me qëllim të shitjes.

Ata akuzohen se në gusht të vitit 2019, nga Shqipëria kanë transportuar në Kosovë katër thasë me marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 29 kilogramë e 317 gramë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, në seancën e së mëkurës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, mbrojtësi i të akuzuarit Armand Muçaj, avokati Meshari Selimaj deklaroi se nuk kanë parashtruar kërkesë për hudhje të aktakuzës, pasi që ata kanë bërë sërish kërkesë për negocim të marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, mirëpo ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Ai kërkoi nga gjykata që t’i jepet mundësia edhe njëherë të akuzuarit Muçaj që të deklarohet lidhur me fajësinë.

Më pas, i akuzuari Muçaj deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet, duke shtuar se veprën penale e kanë kryer së bashku me të akuzuarin Memia.

Ndërkohë, mbrojtësi i të akuzuarit Memia, avokati Gëzim Kollçaku, kërkoi nga gjykata që të hudhet poshtë aktakuza e ngritur ndaj klientit të tij.

Ai tha se kërkesën për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës e ka bazuar në dy baza, në atë se gjykata ka bazë që provat t’i shpall të pambështetshme, si dhe nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur një dyshim të bazuar mirë se i pandehuri Memia, e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

E prokurori Ramiz Buzhala i propozoi gjykatës që ta refuzojë kërkesën për hudhje të aktakuzës të paraqitur nga avokati Gëzim Kollçaku, pasi që sipas tij, aktakuza ka prova të mjaftueshme që e mbështesin dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen.

Ndërsa, lidhur me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Armand Muçaj, ai kërkoi nga gjykata që të mos e pranojë, pasi që vepra është kryer në bashkëkryerje dhe se dëgjimi i tij në shqyrtim gjyqësor i kontribuon zbardhjes së rastit.

Më pas, gjykatësi Mentor Bajraktari e ka refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës të parashtruar nga mbrojtësi i të akuzuarit Memia, si dhe e ka refuzuar pranimin e fajit nga ana e të akuzuarit Muçaj pasi që gjendja faktike duhet të shqyrtohet gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Albert Memia dhe Armand Muçaj po ngarkohen me veprën penale “blerje, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, nga neni 267, paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 29 gusht 2019, rreth orës 12:30, pa autorizim transportojnë me qëllim të shitjes substanca narkotike, në atë mënyrë që në ditën kritike të pandehurit në fshatin Mejdan në Tropojë, e vendosin substancën narkotike në bagazh të automjetit të të pandehurit Albert Memia, i cili pasi kalon pikën kufitare në Qafë-Morinë, sipas marrëveshjes paraprake takohet me të pandehurit Armand Muçaj, tek pompa e derivateve “TZ”, në fshatin Mejë, pastaj me automjetin e tij të markës “Mercedes” niset në drejtim të qendrës tregtare “ETC” në Gjakovë, ku e parkon veturën në parkingun e kësaj qendre.

Siç thuhet tutje në aktakuzë, pastaj me automjetin “Mercedes” të të pandehurit Armand Muçaj  vazhdojnë rrugën në drejtim të qendrës tregtare “Landi Star”, meqenëse policia kishte informacione se në veturën e të pandehurit Albert Memia, i cili kohë më parë e kishte parkuar te qendra tregtare “ETC”, kishte substancë narkotike, të njëjtit ndalohen nga ana e njësitit DHTN-së, të cilët pasi i kanë arrestuar i shoqërojnë tek automjeti i Albert Memias, ku pas kontrollit në pjesën e pasme, në bagazhin e automjetit kanë gjetur katër thasë të mbushura me substancë narkotike, e dyshuar për marihuanë, ku pas ekzaminimit ka rezultuar të jetë marihuanë, me peshë prej 29 kilogramë e 317 gramë. /Betimipërdrejtësi