Gjykimi për grabitje në “Exfis” dhe në “Kosova Thëngjilli”, njëri i akuzuar nuk pranon të përfaqësohet nga një avokat tjetër i caktuar nga Oda e Avokatëve

IMG_7071
Author

Raporton: Lavdim MAKSHANA

Qershor 9, 2021

Prishtinë – Në gjykimin ku Abit Gllareva dhe Basri Korça po akuzohen për grabitje e armëmbajtje pa leje, ky i fundit nuk ka pranuar të përfaqësohet nga një avokat tjetër i caktuar nga Oda e Avokatëve, pasi avokatja paraprake, Florie Curri ka njoftuar gjykatën se nuk mund të marrë pjesë në seancë.

Gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni ka njoftuar të akuzuarin Korça se avokatja Curri nuk ka mundur të prezantoj për shkaqe shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi.”

Gjithashtu, gjykatësja Hasaj-Hyseni tha se kishte kërkuar nga Oda e Avokatëve që t’ia caktonin një avokat tjetër të akuzuarit Korça në mënyrë që të mos dështoj seanca e paraparë të mbahet këtë të mërkurë.

E Oda e Avokatëve si mbrojtëse të të akuzuarit Korca e ka caktuar avokaten Flutura Hoxha, me përfaqësimin e të cilës, i akuzuari Korça nuk u pajtua, për çka ka kërkuar që të shtyhet seanca.

Në këto rrethana, seanca u ndërpre, për të vazhduar më 7 shtator 2021, në ora 09:30.

Ndryshe, në fazat e mëhershme, dy të akuzuarit e kanë pranuar fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Kurse, i  akuzuari Korça e ka pranuar fajësinë edhe për grabitjen në pompën e derivateve “Exfis”, por jo edhe për atë në “Kosova Thëngjill”.

Këto pranime ishin aprovuar nga gjykata.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 20 korrik 2020, Abit Gllareva dhe Basri Korça po akuzohen se në marrëveshje paraprake e me qëllim të përfitimit të pasurisë së luajtshme, me përdorimin e forcës, të maskuar dhe të pajisur me armë kanë grabitur të dëmtuarit Sejdi Gela e Zeqir Jupolli.

Sipas aktakuzës, më 15 dhjetor 2019, rreth orës 23:36 minuta, me veturën e tipit “Hoday”, të maskuar dhe të armatosur, i pandehuri Abit Gllareva me revolen e tipit “CZastava”, ndërsa i pandehuri Basri Korça me thikë, kanë shkuar në pompën e derivateve të naftës “Exfis” që gjendet në Obiliq, janë futur në zyrë ku ishte punëtori-tani i dëmtuari Sejdi Gela, ia drejtojnë armët dhe i drejtohen me fjalët “qiti paret”. Aty thuhet se nën kërcënimin e armëve nga i njëjti marrin shumën e parave rreth 280 euro dhe një paketë me lloje të ndryshme të cigare në vlerë prej rreth 540 euro, si dhe telefonin Mobil “Iphone S”. Pas kësaj thuhet se me veturë largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, shkojnë në fshatin Prugovc, tentojnë që ta djegin veturën me benzinë, e pastaj largohen në drejtim të panjohur. Me këtë, sipas aktit akuzues, të dëmtuarit i shkaktojnë frikë të madhe dhe dëm material.

Tutje, sipas aktit akuzues, më 14 dhjetor 2019, rreth orës 18:11 minuta, në zyrën e kompanisë SH.A. “Kosova Thëngjill”, aty ku bëhen pagesat për qymyrin e shitur, që gjendet në oborrin e Termocentralit Kosova “A” në Obiliq, të maskuar dhe të armatosur, i pandehuri Abit Gllareva me revole ndërsa Basri Korça me thikë, futen në zyrën ku ishte duke punuar tani i dëmtuari Zeqir Jupolli dhe i drejtohen me fjalët “qiti paret, vraje vraje”. Tutje, aty thuhet se e sulmojnë tani të dëmtuarin duke i shkaktuar lëndime trupore, e më pastaj arrijnë që t’i marrin shumën e parave prej rreth 600 euro, ku 60 euro kanë qenë të dëmtuarit Zeqir Jupolli, ndërsa pjesa tjetër e kompanisë. Në aktakuzë thuhet se nga aty marrin edhe dy telefona, njëri “Samsung GalaxyS” dhe tjetri “Nokia” i thjeshtë, një jakne të kolegëve të të dëmtuari dhe dy kartela të bankës. Më pas, të njëjtit thuhet se largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, me ç’rast të dëmtuarve u shkaktojnë dëm material, kurse Zeqir Jupollit edhe lëndime trupore.

Me këtë, Gllareva dhe  Korça po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Grabitje” nga neni 317, paragrafi 3  lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPRK-së.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, të pandehurit, nga koha e pacaktuar e deri më 4 mars 2020, kanë poseduar armë me të cilat kanë kryer veprat penale të përshkruara si në dispozitivin e parë të aktakuzës. Në momentin e arrestimit thuhet se të pandehurit Abit Gllareva i është gjetur dhe sekuestruar revolja e tipit “Zoraki M”, me një karikator dhe 4 fishekë.

Me këtë, secili veç e veç akuzohet për kryerjen e veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të  KPRK-së. /BetimipërDrejtësi