Gjykimi për falsifikim të tenderit 800 mijë euro për rinovimin e objektit të PSRK-së, gjykata vendos t’i ftojë edhe dy dëshmitarë tjerë
Raporton: Nuraje BLLACA
Prishtinë – Në gjykimin ndaj të akuzuarit Tahir Sopa, përfaqësues i firmave “NBT ING SHPK” dhe “NPN Bajramaj”, i cili po akuzohet se me dokument të falsifikuar kishte fituar tender mbi 800 mijë euro për rinovimin e objektit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), është vendosur se do të dëgjohen si dëshmitarë organi mbikëqyrës dhe menaxheri i projektit për këtë rast.
Ky vendim është marr në seancën e së premtes nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Naser Foniqi, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
‘‘Për sqarimin e kundërthënieve në mes të pretendimeve të palës së dëmtuar dhe mendimit ndryshe të të akuzuarit, për tu sqaruar në detaje nëse tani i akuzuari gjatë punimeve ka shkatërruar dhe demoluar gjërat të cilat është dashur t’i ruaj, në cilësi të dëshmitarit do të dëgjohen organi mbikëqyrës dhe menaxheri i projektit, Artan Hajdini dhe Zenun Tolaj e që në rastin konkret kanë vepruar, të cilët do të ftohen për seancën e radhës’’, ka thënë gjykatësi Foniqi.
Ndryshe, në këtë seancë ka munguar përpiluesi i kërkesës pasurore juridike, Genc Hoxha, për të cilin përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Valon Cërvadiku ka thënë se ‘‘ai tani është dekretuar gjyqtar dhe nuk e përfaqëson Këshillin Prokurorial të Kosovës’’.
Andaj në mungesë të dëshmitarëve si më lart, seanca e sotme është ndërprerë dhe e radhës është caktuar për 18 gusht 2022.
Ndryshe, më 26 nëntor 2021, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Naser Foniqi, e kishte dërguar këtë rast në Departamentin e Përgjithshëm, por që më tutje ishte vendosur që kompetent për ta trajtuar këtë rast është Departamenti i Krimeve të Rënda.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 27 korrik 2021, Tahir Sopa më 12 dhjetor 2019, në cilësinë e përfaqësuesit të firmave “NBT ING SHPK” dhe “NPN Bajramaj”, kishte prezantuar dokument të falsifikuar për të fituar tenderin në vlerë mbi 800 mijë euro, për rinovimin e objektit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Në aktakuzë thuhet se të dyja këto firma, përfaqësuesi i të cilave ka qenë i akuzuari Sopa kishin aplikuar në tenderin e shpallur nga autoriteti kontraktues, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe se njëra nga kushtet për përmbushjen e kontratës ka qenë një deklaratë që vërteton disponueshmërinë e 200 mijë euro në llogarinë bankare, si vlerë për të siguruar tenderin.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Sopa kishte prezantuar letër-përkrahje të lëshuar kinse nga NLB Banka për përkrahjen e kompanisë “NBT ING SHPK” për garancion bankar në vlerë 200 mijë euro, e cila letër-përkrahje ka rezultuar si e falsifikuar.
Për këto veprime, Sopa ngarkohet se me vetëdije kishte shkelur rregullat e prokurimit publik duke paraqitur dokumentacion të rrejshëm, me anë të cilit është shpallur fitues i tenderit në vlerë 811 mijë e 372 euro e 13 centë, me këtë rast i kishte shkaktar dëm buxhetit të KPK-së.
Sopa po ngarkohet me veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, nga neni 415, paragrafi 3, i Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.