Gjykimi për falsifikim të lejeve me armë, prokurori ndalon dëshmitarin për intervistim, thotë se ndryshoi deklaratat e tij

20190909_102918
Author

Raporton: Medina KADRIU

Shtator 9, 2019

Prishtinë – Me arsyen se dëshmitari Flakron Maqani ka ndryshuar deklaratat lidhur me atë se si ishte pajisur me leje të armës, prokurori Shkëlzen Ibrahimi, ka thënë se të hënën, e ka ndaluar atë për ta intervistuar.

Një gjë të tillë, prokurori Ibrahimi e ka bërë pasi që ka përfunduar seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Hashim Rexhepi, po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Atdhetar Rexhepi për falsifikim të dokumentit, mashtrim dhe mbajtje në posedim të paautorizuar të armëve, si dhe Qëndrim Veselaj, i akuzuar për deklarim të rremë.

Prokurori Ibrahimi, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, se e ka autorizuar Policinë që dëshmitari Maqani të ndalohet dhe të shoqërohet në prokurori për të dhënë deklaratë.

“Meqenëse, në deklaratat e mëparshme është paralajmëruar se ka për detyrë të thotë të vërtetën,  në të kundërtën nëse nuk e tregon të vërtetën mund të ndiqet sipas nenit 390 ose 391 të KPRK-së, e meqenëse i njëjti edhe gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor u njoftua me këtë detyrim, ai në tërësi deklaroi të kundërtën që ka deklaruar në deklaratat e mëhershme në polici më 19 shtator 2017 dhe 14 mars 2018 dhe meqë ka ndryshim të deklaratave të tij dhe i njëjti është i detyruar ta thotë të vërtetën, atë e kam ndaluar që të vijë në zyrën time të jap një deklaratë”, ka thënë prokurori Ibrahimi.

Një veprim i tillë është marrë, pasi që dëshmitari Maqani, është dëgjuar në seancën e së hënës, i cili kryesisht është ballafaquar me deklaratat e tij të dhëna në polici.

Dëshmitari Maqani, në fillim të dëshmisë së tij, ka deklaruar se qëndron pranë deklaratës që ka dhënë në prokurori, por jo edhe asaj që ka dhënë në polici.

“Unë qëndroj prapa deklaratës së dhënë në prokurori. Pa gjumë kam qenë 48 orë në dy deklaratat në polici, se kam qenë në ndërrimin e natës”, ka thënë ai.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Ibrahimi, ai ka pohuar se ka pasur leje për armë dhe shenjëtari.

Dëshmitari Maqani, është pyetur nga prokurori Ibrahimi lidhur me procedurën me anë të së cilës është pajisur me leje për armë dhe leje për armë shenjëtarie.

“Jom shku kom apliku në stacion të policisë në Vranjefc, e kam plotësuar aplikacionin, i kam kry të gjitha procedurat qysh janë, testin, gjuajtjen. Jam shku në Ministri të Punëve të Brendshme dhe i kam dorëzu letrat”, ka deklaruar ai.

Pas këtij deklarimi, ai është ballafaquar me deklaratën e dhënë më 19 shtator 2017, në stacion policor, në pyetjen se si i kishte siguruar këto leje.

“Përmes një shoku tim Jahir Krasniqit e kam parë që ai është në këto leje dhe më ka drejtuar te Atdhetar Rexhepi, menaxher apo pronar nuk jam i sigurt i kompanisë “Fazani” që merret me tregti të armëve dhe municione. Pas kësaj unë jam takuar me Atdhetar Rexhepin dhe Atdhetari më ka thënë me ja dhënë letërnjoftimin kopje, vërtetimin që nuk jam në hetime dhe gojarisht e kam autorizu që procedurat tjera me i kry Atdhetari sepse ai vet më ka thënë që punët tjera sa i përket marrjes së lejeve i kryen ai. Lejen për armë shenjëtarie e ka marrë shenjëtari. me 8 dhjetor 2016, ndërsa lejen për armëmbajtje e ka marr me 28 prill 2017 dhe që të dyja këto mi ka dhënë Atdhetar Rexhepi”, kishte thënë ai.

Në këtë deklaratë të dhënë në polici, dëshmitari kishte thënë se nuk ka mbajtur trajnime në poligonin “Fazani”, pasi siç kishte deklaruar ai, Atdhetar Rexhepi i kishte thënë “nuk ke nevojë, unë i kryej të gjitha”.

Për këto deklarata, dëshmitari Maqani ka thënë se nuk i kujtohet. “Nuk po them as saktë, e as pasaktë kur nuk më kujtohet”, ka thënë ai.

Prokurori sërish e ka pyetur dëshmitarin nëse mund të tregojë se si i kujtohet që ka marrë lejen, ndërkaq dëshmitari Maqani është përgjigjur duke thënë “Qysh deklarova pak ma herët”.

“Qysh e ke marr lejen tregona, qysh po të kujtohet se është deklarata e jote, jo e jemja?”, ka pyetur sërish prokurori Ibrahimi

“Po more vëlla, po mu nuk po më kujtohet”, ka thënë dëshmitari.

“Ka procedura aty gjyqtare, unë po du me ditë prej tij qysh e ka marr lejen, se hini në zonën kriminale”, ka deklaruar prokurori Ibrahimi.

Ndërkaq, kryetarja e trupit gjykues, Shpresa Hasaj- Hyseni, ka deklaruar se dëshmitari po qëndron pranë deklaratës që dha më herët, e nëse ka hyrë në atë zonë, sipas saj, prokuroria e ka fuqinë shtetërore.

Dëshmitari ka vazhduar duke thënë se nuk i kujtohet nëse ka bërë trajnimi te poligoni “Fazani” dhe se armën e ka blerë te ky poligon, në vlerë rreth 1300 apo 1400 euro, e se faturë për këtë blerje të armës nuk ka.

Ai ka thënë se të akuzuarin Atdhetar Rexhepi e ka paguar vetëm për armën, por jo edhe për lejen për armëmbajtje.

Sërish, prokurori Ibrahimi, e ka ballafaquar dëshmitarin Maqani, me deklaratën e dhënë në polici më 19 shtator 2017, ku në pyetjen “A e keni paguar Atdhetar Rexhepin për tu pajisur me armëmbajtje dhe nëse po sa”, dëshmitari ishte përgjigjur “po e kam paguar 4000 euro, sepse më ka thënë duhen për procedura”.

Dëshmitari Maqani, ka deklaruar se ndoshta e ka thënë një gjë të tillë, por që nuk i kujtohet.

E më pas, ka deklaruar se kjo nuk është e vërtetë, duke shtuar se sapo ishte deklaruar më herët se paratë i ka dhënë vetëm për armë.

Kryetarja e trupit gjykues, Shpresa Hasaj- Hyseni, e ka pyetur dëshmitarin se për çfarë i ka dhënë 4000 euro, mirëpo dëshmitari ka deklaruar se ai nuk kishte thënë se i kishte dhënë 4000 euro.

Prokurori Ibrahimi, më pas ka pyetur dëshmitarin nëse ishte pajisur prindi i tij me leje për armë, e dëshmitari ka pohuar një gjë të tillë.

Gjithashtu, prokurori e ka pyetur atë se si është pajisur prindi i tij me këtë leje.

“Procedura e njëjtë sikur e jemja se bashkë me të kam qenë. Jena kon në stacion policor, kena apliku, procedurat me radhë si i deklarova më herët për veti, ashtu kanë qenë si për prindin”, ka thënë dëshmitari.

Prokurori Ibrahimi, në vijim e ka ballafaquar sërish me deklaratën në polici ku ishte pyetur nëse dëshiron të shtojë diçka.

“Dua të shtoj se unë kam menduar se lejen për armëmbajtje e kam në rregull, sepse e kam dorëzuar te Atdhetari dokumentacionin që duhet për të aplikuar. Gjithashtu, dua të shtoj se për babain, njëjtë i kam dorëzuar dokumentacionin te Atdhetar Rexhepi dhe kam paguar 4000 euro për tu pajisur me leje për armëmbajtje babai im”, ishte përgjigjur dëshmitari në polici.

Ndërsa, në pyetjen tjetër nëse ka marr edhe babai i tij lejen për armë, ai ishte përgjigjur “Po, e ka marr nga Atdhetari”.

Edhe për këto deklarata dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohen, ndërkaq kur është ballafaquar me nënshkrimet e tij në deklaratën në polici, ai e ka konfirmuar se është i tij.

“Po,  nënshkrimi im është, e kanë manipulu deklaratën”, ka thënë ai.

Kurse, kur është ballafaquar edhe me deklaratën e dhënë në polici, më 14 mars 2018, dëshmitari Maqani sërish ka pohuar se nënshkrimi është i tij.

Në vijim, prokurori ka vazhduar ta ballafaqojë atë me deklaratën në polici, kur ishte pyetur nëse i qëndron deklaratës së dhënë me shkrim në polici më 19 shtator 2017,  përgjigja e tij kishte qenë “qëndroj pranë deklaratës së dhënë më 19 shtator 2017”.

Dëshmitari Maqani e ka konfirmuar këtë deklarim.

Tutje, prokurori Ibrahimi ka thënë se gjatë bastisjes në shtëpinë e të akuzuarit Hashim Rexhepi, në kuletën personale të Atdhetar Rexhepit ishte gjetur mes tjerash edhe leja e shenjëtarisë me emrin e dëshmitarit, datë të  lëshimit më 8 dhjetor 2016 dhe skadimi më 7 dhjetor 2021.

Kurse, dëshmitari ka thënë se nuk ka ndonjë shpjegim për të dhënë për këtë rrethanë.

Prokurori ka vazhduar të bëjë ballafaqimin e dëshmitarin me deklaratën e dhënë më 14 mars 2018.

“Po, unë lejen e shenjtërisë ja kam kthyer Atdhetar Rexhepit pasi që kam kuptuar se më ka mashtruar për leje për armëmbajtje. Gjithashtu, ja kam kthyer edhe armën e markës “STEYE”, kishte thënë ai, kurse prokurori e ka pyetur se cila deklaratë është e saktë.

“Armën e kam dorëzu në polici me gjithë lejen për armëmbajtje e lejen e bardhë”, ka deklaruar dëshmitari Maqani.

“Sa më kujtohet diku mas vitit të ri, unë ja pata kthyer Atdhetarit, arsyeja që un ja ktheja lejen e shenjëtarisë dhe revolen është se policia ma morën lejen e bardhë që ishte e falsifikuar. Sipas policisë kjo leje nuk figuron, unë për dy revole ja pata jep ka 2000 euro për me ma rregullu lejen për mua e babain tim. Kur ja dorëzova paratë nuk u kon askush”, kishte thënë dëshmitari në deklarimin e mëhershëm.

Tutje, kishte thënë se për mashtrimin e kishte kuptuar kur e kishte thirrur polici

“Për mashtrimin e kam kuptu kur me thirri polici, prej kohës kur ja kam dorësu lejen e shenjëtarisë dhe armën Atdhetarit, nuk më janë kthyer dhe se di çfarë janë bërë me to. 4000 euro Atdhetari më tha që ka mi qu për revole por se di për kë, unë konsideroj që jam dëmtu” , kishte thënë ai.

Në gjykatore, ai ka thënë se kjo deklaratë e tij është e saktë.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit Ibrahimi, ai ka thënë është takuar me Atdhetar Rexhepin, mirëpo për këtë çështje nuk kanë biseduar dhe se i akuzuari nuk ka ndikuar që dëshmitari të ndërrojë deklaratat e dhëna në polici.

Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit mbrojtës të Atdhetar Rexhepit, Gani Hoxha, ai ka deklaruar se i është nënshtruar provimit të testit në poligonin “Fazani” dhe se ka qenë në neuropsikiatri për të marrë certifikate për aftësi.

Gjithashtu, ai ka thënë se ka marrë certifikatë edhe në polici e gjykatë për të vërtetuar se nuk është në hetime.

Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetjet e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Suzana Çerkini, ai ka thënë se është e vërtetë se të akuzuarit i ka shokë dhe nuk i ka familjarë.

Ai ka thënë se nuk kontakton shpesh me ta dhe se nuk e ka ndier vetën të obliguar që të dëshmojë në mënyrën që ka dëshmuar gjatë kësaj seance në gjykatore, e se ka treguar realitetin.

“Meqenëse keni qenë pa gjumë, a e keni njoftu policinë se nuk je në gjendje me dhënë deklaratë?”, ka pyetur anëtari tjetër i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi.

“Po, kanë thënë se do japësh deklaratë të shkurtë, unë jam pajtu me dhënë deklaratë pasi kanë thënë se do jetë deklaratë e shkurtë”, ka thënë ai.

“A të kujtohet se në cilin institucion e ke marr certifikatën e mjekut?”, ka pyetur gjykatësi Krasniqi.

“Brenda objektit të QKUK. Te ni mjek vetëm e kam marr letrën, ndërsa kontrolla kam bërë te disa mjek. Kontrollat i kam bo të syve, të veshëve, krejt. Në përgjithësi qysh jon”, ka thënë ai.

Tutje, dëshmitarit i ka parashtruar pyetje kryetarja e trupit gjykues, Shpresa Hasaj- Hyseni.

“Deklaratën që sot e dhe, the që ke mbajtur ushtrime trajnime te poligoni “Fazani”, deklaratën që ke dhënë në polici, ti je përgjigj “Jo, nuk kam mbajtur, pasi që Atdhetar Rexhepi më ka thënë nuk ke nevojë, unë i kryej të gjitha”, ka thënë ajo.

Tutje, ka thënë se dëshmitari është duke rënë në kundërshtim me vete, pasi gjatë seancës po thotë se i ka kryer trajtimet, ndërkaq në polici ka thënë që nuk ka i ka kryer trajnimet.

Dëshmitari Maqani ka vazhduar duke thënë se nuk i kujtohet një gjë e tillë.

Ai sërish duke u përgjigjur në pyetjet e gjykatëses Hasaj- Hyseni, ka thënë se të akuzuarin Atdhetar Rexhepi e ka paguar vetëm për revole.

Kurse, ka thënë se e ka paguar 1300 apo 1400 euro, ndërkaq gjykatësja Hasaj- Hyseni e ka ballafaquar me deklaratën në polici ku kishte thënë se e kishte paguar 1600 euro.

“E vërteta është 1300 – 1400, afër kam thënë qaty, kam mendu që është çmim i afërt”, ka thënë ai.

“Qito 4000 euro që keni thënë që i keni paguar te Atdhetar Rexhepi, në emër të çka kanë qenë?”, ka pyetur gjykatësja Hasaj- Hyseni.

“Nuk më kujtohet që e kam dhënë këtë deklaratë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, ka thënë se lejet për herë të fundit i kanë marrë në Ministri të Punëve të Brendshme dhe se nuk i kujtohet nga kush.

Ai ka thënë se gojarisht e ka autorizuar të akuzuarin Atdhetar Rexhepi për tu marrë me punët lidhur me sigurimin e armëve.

“Pse?”, ka pyetur gjykatësja Hasaj Hyseni, ndërkaq dëshmitari ka thënë “Me më ndihmu për letra”.

Ai sërish ka mohuar se është kërcënuar apo shantazhuar nga dikush.

“Kur e ke marr armën, a e ke ditë që është mënyrë jo e rregullt e blerjes së armës, meqë nuk të ka dhënë faturë?”, ka pyetur gjykatësja Çerkini.

“Po, po e kom ditë”, ka thënë dëshmitari Maqani, si dhe ka deklaruar se bashkë me armë nuk i është dhënë garancioni.

Ai ka thënë se nuk ka dyshuar që mënyra se si po i jepen lejet nuk është në rregull, si dhe ka thënë se parashtron kërkesën pasurore juridike.

Seanca e ardhshme në këtë rast pritet të mbahet më 17 shtator, me fillim nga ora 13:30.

Ndryshe, në këtë rast më herët kryetar i trupit gjykues kishte qenë Mustaf Tahiri, ndërkaq prokuror Feti Tunuzliu.

Gjykatësit Mustaf Tahiri, nuk i është vazhduar transferi në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe tanimë gjykon lëndë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndërkaq prokurori Tunuzliu është pensionuar.

Të pandehurit kishin pasur të caktuar masën e paraburgimit, të cilën më pas Gjykata e Apelit ua kishte zëvendësuar me arrest shtëpiak, ndërsa më pas ata ishin liruar nga kjo masë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, duke i lënë që të mbrohen në liri.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 29 qershor 2018, Atdhetar Rexhepi gjatë periudhës kohore 2016/2017 ka përpiluar dokumente publike false, ashtu që ka falsifikuar plotësisht lejet për armëmbajtje duke shënuar në to të dhënat e nevojshme të personave siç janë Hashim Rexhepi, Flakron Maqani e Fitim Imeri.

Akti akuzues thotë se këto leje nuk i plotësojnë tiparet e sigurisë sipas teknologjisë standarde dhe janë printuar në teknikën “elektrografi” që nuk kanë pasur reaksion nën rrezet “UV” dhe nën rrezet “Ik” dhe nuk janë respektuar procedurat për lëshimin e lejeve për armëmbajtje pa leje të përcaktuara me dispozitat e Ligjit për Armë dhe Rregulloren për armëmbajtje në Republikën e Kosovës.

Pastaj, thuhet e ka rregulluar edhe tri leje të tjera për armëmbajtje në emër të personave tjerë fizik sikur Jahir Krasniqi, Selman Maqani e Qëndrim Veseli kinse të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, Departamenti për Siguri Publike.

Me këto veprime thuhet se ka kryer veprën penale ”falsifikimi i dokumentit”.

Gjithashtu, thuhet se me anë të paraqitjes së rreme të fakteve të përshkruara në pikën e parë të këtij dispozitivi gjatë viteve 2016/2017 ka lajthitur personat fizik si Flakron Maqani, Fitim Imeri, Jahir Krasniqi, Selman Maqani dhe Qëndrim Veselaj duke i nxitur në dëm të pasurive të tyre t’i japin veç e veç nga 5000 euro.

Më këtë thuhet se ka kryer veprën penale “mashtrimi”.

Sipas aktakuzës, i njëjti ka mbajtur në posedim armë duke shkelur ligjin për armë me çka pretendon prokuroria se ka kryer veprën penale “ mbajtja në posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, Hashim Rexhepi, si person zyrtar, drejtor i SH.P.K “Fazani” licencuar nga Ministria e Punëve të Brendshme për poligonin civil të qitjes, kategori e hapur, tipi 0-1 në Komoran, për tregti me armë, pjesë të armëve dhe municion në Drenas, për qendër trajnimi për aftësimin teorik dhe praktik dhe për kushte minimale të ruajtjes së armëve të zjarrit dhe municionit ka lejuar dhe mundësuar të pandehuri Atdhetar Rexhepi dhe nuk ka përmbushur detyrat  zyrtare me qëllim që të përfitojë ky i fundit.

Sipas aktit akuzues, derisa kjo SH.P.K ka funksionuar ligjërisht, i pandehuri është përmbajtur gjatë ushtrimit të detyrave dhe përgjegjësive të veta që kanë të bëjnë me armë dhe leje për to duke mos penguar të pandehurin Atdhetar Rexhepi që të ndërmjetësojë mes “Fazani” me persona fizik për të kryer shërbime për blerje, shitje dhe furnizim me armë dhe leje për armëmbajtje.

Tutje, thuhet se Atdhetar Rexhepi, nuk ka pasur asnjë pozitë në “Fazani” dhe ka kontaktuar me Flakron Maqanin, Jahir Krasniqin dhe Fitim Imerin, të cilët i ka mashtruar dhe për pasojë pasi ua ka kërkuar dhe marr lejet për armët, më nuk ua ka kthyer si dhe dosjen e aplikim për armë në emër të Festim Lushtakut të cilat kanë qenë në portofolin e Atdhetar Rexhepit. Portofol të cilin e ka mbajtur i pandehuri Hashim Rexhepi në rrobat e veta që janë gjetur gjatë kontrollimit të përkohshëm të shtëpisë së pandehurve.

Me këtë akuzohet se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.

Qëndrim Veselaj, po akuzohet për deklarim të rremë, meqenëse sipas aktakuzës në cilësinë e dëshmitarit ka dhënë deklaratë të rremë në vitin 2016 në deklaratën me shkrim të dhënë në MPB.

Aty thuhet se ka deklaruar se kinse i ka humbur leja për armëmbajtje që e kishte marr nga i pandehuri Atdhetar Rexhepi dhe dëshiron të pajiset me leje të re për armëmbajtje edhe pse në fakt asnjëherë më parë MPB nuk i kishte lëshuar leje të tillë.

Me anë të precizimit të aktit akuzues nga prokurori Feti Tunuzliu, në shkresë thuhet se në pikën 1.1 që ka të bëj me të pandehurin Atdhetar Rexhepi, pas shënimit të viteve “2016/17”  ka shtuar fjalët “në shtëpinë e vet në fshatin Zabel i Epërm, Komuna e Drenasit”, fjalë që i ka shtuar edhe në pikën e tretë që ka të bëj me të njëjtin të akuzuar.

Sipas aktakuzës, edhe në pikën e dytë që ka të bëjë me këtë të akuzuar pas shënimit të viteve, ka shtuar fjalët “në kompaninë Fazani” në Komoran dhe disa lokacione në Drenas e Prishtinë.

Ndërsa, në pikën e 2 që ka të bëj me të akuzuarin Hashim Rexhepi, pas emrit Flakron Maqani ka shtuar fjalët “gjatë periudhës kohore dhjetor 2016 deri në prill 2017”, pas emrit Jahir Krasniqi ka shtuar “ditën e pacaktuar të muajit mars 2016 dhe pas emrit Fitim Imeri ka shtuar fjalët “ditën e pacaktuar të muajve nëntor/dhjetor 2016”. /BetimipërDrejtësi