Gjykimi për dëmtimin e KEK-ut në vlerë 53 mijë euro, gjashtë të akuzuarit deklarohen të pafajshëm

Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Shtator 10, 2021

Prishtinë – Zeqir Gashi, Qazim Reqica, Rexhep Gashi, Agron Hajdari dhe Nazmi Musliu, të akuzuar se e kanë dëmtuar Korporatën Energjetike e Kosovës (KEK) në vlerën prej 53 mijë euro duke keqpërdorur detyrën e tyre si zyrtarë, janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur të premten.

I pafajshëm është deklaruar edhe i akuzuari për mashtrim, Tefik Hargaja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Bashkim Zeqa, të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për veprat të cilat po ngarkohen.

Ndërsa, të akuzuarit Reqica dhe Rexhep Gashi kanë kërkuar nga gjykata që të iu caktoj nga një avokat sipas detyrës zyrtare, me arsyetimin se janë pensionist dhe nuk kanë mjete për të paguar avokat privat.

Pasi kërkesat në fjalë nuk u kundërshtuan nga prokurori Zeqa, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica mori vendim për caktimin e dy avokatëve nga Oda e Avokatëve të Kosovës.

Gjithashtu, gjykatësja Krasniqi-Jashanica i ka njoftuar të akuzuarit se brenda afatit prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës.

Shqyrtimi i dytë në këtë rast pritet të mbahet më 11 tetor 2021.

Aktakuza e ushtruar në gjykatë në nëntor të vitit 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon Zeqir Gashin, Qazim Reqicën, Rexhep Gashin, se kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare  në KEK- Obiliq, duke pranuar nga operatori ekonomik “Univers-M” katër reduktorë të 15KË nga pozicioni i 33, i të njëjtës kontratë mall ndryshe me atë të kërkuar në kërkesë dhe të shkruar në fletëdërgesë dhe në fatura.

Me këtë, në bashkëkryerje të pandehurit po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënuar me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Tutje, sipas aktit akuzues, me datë kohë dhe vend të njëjtë i akuzuari Hajrizi, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore ka shfrytëzuar detyrën zyrtare, ku si person përgjegjës për përcjelljen e kontratës nga autoriteti kontraktues nuk e ka bërë përcjelljen e saj ashtu siç është e rregulluar me ligj dhe në këtë mënyrë ka mundësuar blerjen e katër reduktorëve të 15KË nga pozicioni i 33 i të njëjtës kontratë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në maj të 2016-ës, në KEK-Obiliq, i akuzuari Musliu duke shfrytëzuar detyrën zyrtare si person përgjegjës për përcjelljen e kontratës nga autoriteti kontraktues, ka nënshkruar kërkesën për blerjen e katër reduktorëve të 14KË nga pozicioni i 11 i kontratës me çmim prej 16 mijë euro për copë, edhe pse në të njëjtën kontratë në pozicionin 33 kishte reduktorë të 15KË me çmim prej 2 mijë e 600 euro për copë.

Me këtë, Hajrzi dhe Musliu po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Ndërsa, Hargaja akuzohet se si person përgjegjës mashtron KEK-un si autoritet kontraktues, duke dorëzuar katër reduktorë të 15 të pozicionit 33 me çmim prej 2 mijë e 600 euro për copë, ndërsa i kishte faturuar si në kërkesën e Autoritetit Kontraktues- KEK, me fletëdërgesë  me çmim prej 16 mijë euro për copë ashtu siç ishte në pozicionin nr.11 të kontratës, duke i shkaktuar dëm buxhetit të KEK-ut në vlerë prej 53 mijë euro.

Me këtë, i pandehuri Hargaja thuhet se e ka kryer veprën penale “Mashtrimi” sipas neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal, vepër kjo që dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet. /BetimipërDrjetësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.