Gjykimi për blerjen e kosës për bari, konfirmohet aktakuza ndaj zyrtarëve të Komunës së Pejës dhe biznesmenit

Pejë
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Dhjetor 13, 2019

Pejë – Gjykata Themelore në Pejë e ka konfirmuar aktakuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj Durim Sherementit, shefi i kabinetit të kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Përveç Sheremetit, aktakuza është konfirmuar edhe ndaj tre zyrtarëve tjerë komunalë, Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara dhe Gëzim Shala.

Në këtë rast, për mashtrim, akuzohet edhe pronari i firmës “Green Construcion-Shpk”, Ilir Kelmendi.

Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, theksohet se kërkesat e të akuzuarve për hudhjen e kësaj aktakuze është e pabazuar.

Sipas këtij aktvendimi, kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu ka vlerësuar se aktakuza e Prokurorisë së Pejës, së bashku me provat e bashkëngjitura provojnë dyshimin e bazuar mirë se është kryer vepra penale, ndërsa thuhet se të pandehurit nuk kanë ofruar argumente bindëse që aktakuza të hudhet.

Të akuzuarit me mbrojtësit e tyre aktvendimin e Themelores e kanë atakuar në Gjykatën e Apelit.

Të akuzuarit, në seancën fillestare të mbajtur më 1 tetor 2019, ishin deklaruar të pafajshëm, ndërsa kundërshtimet e tyre për aktakuzën, i kishin parashtruar në seancën e shqyrtimit të dytë që ishte mbajtur më 5 nëntor 2019.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 maj 2019, Durim Sheremeti akuzohet se ka nënshkruar raportin për pranimin e mallit, lidhur me tenderin për blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Brestovik në Pejë, në vlerë prej 11 mijë e 929.41 euro, pa pasur mandat dhe kompetencë për të nënshkruar.

Në aktakuzë thuhet se ai kishte nënshkruar pranimin e mallit në emër të Organit Mbikëqyrës –menaxherit të projektit Faik Zekaj, pa pasur kompetencë për këtë edhe pse me vendim të Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, menaxher i projektit për këtë tender ishte Faik Zekaj.

Sipas aktakuzës, menaxheri i projektit për tender Faik Zekaj, kishte refuzuar të nënshkruajë këtë pranim, pasi ai kishte qenë në dijeni se makina e barit që është sjellë nga operatori ekonomik nuk është sipas projektit të kërkesës, parametrave dhe specifikave të përcaktuara në tender.

Aktakuza përshkruan se makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik, ishte në vlerë prej dymijë euro dhe me këtë veprim është dëmtuar buxheti i Komunës për shumën prej 9.929.41 euro, duke i mundësuar përfitim operatorit ekonomik, këtu të pandehurit Ilir Kelmendi, shumën prej 9 mijë 929.41 euro.

Dispozitivi i dytë i aktakuzës i ngarkon zyrtarët komunalë Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara dhe Gëzim Shala, se me 19 shtator 2017, si zyrtarë komunalë në Komunën e Pejës, në cilësinë e anëtarëve të komisionit për pranimin e mallit, lidhur me tenderin për makinën e barit, me dashje nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare.

Sipas aktakuzës, ata pa pasur një vendim në formë të shkruar se janë caktuar anëtarë të komisionit për pranimin e mallit lidhur me tenderin “Kontratë, Blerja e Makinës për Mirëmbajtje të Barit Artificial për Qendrën Sportive Brestovik” dhe të njëjtit nuk kishin kontrolluar fare nëse malli (furnizimi) i pranuar i plotësonte kushtet e specifikuara në kontratë dhe atë pa prezencën e menaxherit të projektit Faik Zekaj dhe pa prezencën e operatorit fitues, nënshkruajnë pranimin e mallit të makinës.

Sipas aktakuzës, të pandehurit nënshkruajnë pranimin e mallit edhe pse kanë qenë në dijeni se ata duhet të bëjnë verifikimin nëse makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik i plotësonte kushtet në kontratë dhe në vlerë monetare, me ç’rast i shkaktojnë dëm Komunës se Pejës, 9 mijë e 929.41 euro, kurse përfitimin biznesmenit Ilir Kelmendi, në shumë prej 9 mijë 929.41 euro.

Kurse, i pandehuri Ilir Kelmendi, akuzohet nga Prokuroria Themelore në Pejë se ka kryer veprën penale të mashtrimit, ashtu që si pronar i firmës “Green Construcion-Shpk”, duke  paraqitur fakte të rreme të me qëllim të përfitimit ë kundërligjshëm të dobisë pasurore.

Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri Kelmendi kishte fituar tenderin nga Komuna e Pejës, ai nuk i përmbahet kushteve të tenderit ku në shënimin e Komunës së Pejës është paraparë vendi i origjinës së makinës të jetë Turqia dhe firma e makinës së barit të jetë prodhuese e “Uçegen Firça”, ashtu që ai nuk e ka sjellë makinën sipas kontratës së firmës “Uçegen Firça”, por të firmës “Alpina”, e cila sipas aktakuzës, makina e barit e sjellë nga i pandehuri ishte me çmim të tregut prej dy mijë euro dhe nuk ka ofruar as dorëzuar dëshmi për blerjen e makinës dhe me këtë veprim i ka shkaktuar dëm Komunës së Pejës, prej 9.929.41 euro. /BetimipërDrejtësi