Gjykimi për aksidentin me fatalitet, për herë të dytë shtyhet seanca për shkak se mbrojtja nuk pajiset me shkresat e lëndës

Foto nga seanca, 18 nentor, rasti 1
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Nëntor 18, 2019

 


Podujevë – Për herë të dytë, nuk ka arritur të mbahet seanca fillestare ndaj të akuzuarit për rrezikim të trafikut publik, Milazim Rekaliu.

Sikur në herën e parë, edhe në të dytën, shkak për dështimin e seancës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, ka qenë se mbrojtja e të akuzuarit ende nuk është pajisur me shkresa të lënës.

Aktakuza në këtë ishte ngritur më 17 mars 2015, e ku Rekaliu akuzohet për aksidentin që kishte ndodhur më 17 korrik 2011, në rrugën magjistrale Podujevë-Prishtinë, nga i cili kishte humbur jetën një grua, së bashku me foshnjën dy ditëshe, si dhe ishin lënduar pesë persona të tjerë, përfshirë edhe tani të akuzuarin.

Në seancën e së hënës, mbrojtësi i të akuzuarit Rekaliu, avokati Besian Syla, ka thënë se pavarësisht kërkesës që ka bërë në Prokurori, organi i akuzës ende nuk e ka pajisur atë me shkresat e lëndës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Edhe përkundër kërkesës së datës 1 nëntor 2019, para seancës së kaluar, siç kemi deklaruar edhe në seancën e kaluar nuk i kemi shkresat e lëndës. Gjykatën e njoftojmë se deri më tani ende nuk i kemi pranuar shkresat e lëndës”, ka deklaruar avokati Syla, i cili ka kërkuar që për këtë arsye të shtyhet seanca e së hënës.

Sipas tij, i akuzuari nuk është i gatshëm të deklarohet rreth fajësisë, pa i poseduar shkresat e lëndës.

Propozimin e avokatit Syla, për shtyrjen e seancës, nuk e ka kundërshtuar as prokurorja e çështjes, Hava Krasniqi, e cila ka thënë se e merr obligim për ta pajisur mbrojtjen me shkresat e lëndës.

“Është dashtë me na kontaktu mbrojtja”, ka thënë prokurorja Krasniqi, megjithëse për këtë, avokati Syla ka thënë se kishte shkuar në Prokurori disa herë.

Pas kësaj, gjykatësi Bahtiri, ka thënë se kjo është papërgjegjësi totale e administratës në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, për shkak se sipas tij, më 1 nëntor 2019, mbrojtja ka parashtruar kërkesë me shkrim për tu pajisur me shkresa të lëndës.

“Gjykata në procesverbal të 4 nëntorit 2019, ka obliguar prokurorinë që të pajisë me shkresa mbrojtësin, e deri në seancën e sotme mbrojtja deklaroi se nuk është pajisë me shkresa të lëndës”, ka thënë gjykatësi Bahtiri.

Ai ka thënë se obligohet prokurorja që të njoftojë Kryeprokurorin e Shtetit dhe shefin e administratës në lidhje me këtë çështje.

Më pas, kjo seancë është shtyrë për 11 dhjetor 2019, në orën 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 17 mars 2015, Milaim Rekaliu akuzohet se më 17 korrik 2011, rreth orës 14:45, në rrugën magjistrale Podujevë-Prishtinë, me të arritur në fshatin Sekiraqë, duke drejtuar automjetin e tipit “Mercedes 220 CDI”, ka shkelë Ligjin mbi Trafikun Publik dhe ka vënë në rrezik jetën e njerëzve.

Ai akuzohet se duke mos pasur kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, ka ndërmarrë veprimin e tejkalimit të kolonës së automjeteve, me çka në mënyrë direkte është ndeshur me veturën “VW 19 Golf”, i cili ishte duke lëvizur në shiritin e kundërt të rrugës.

Në aktakuzë thuhet se si pasojë e këtij aksidenti, lëndime vdekjeprurëse ka marrë, viktima femër F.P, së bashku me foshnjën femër dy ditëshe, e të paemëruar. Ndërkaq, sipas aktakuzës, lëndime trupore kishin pësuar H.P, J.P, Sh.P, I.B, Sh.R, dhe vet i akuzuari.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, nga neni 378, paragrafi 9, lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi