Gjykimi ndaj veterinarit, fermeri thotë se asnjëherë s’është lëshuar dokumentacion për kafshët e kontrabanduara

73497946_1385867381587249_459722012189786112_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Tetor 23, 2019

 


Gjilan – Dëshmitari Daut Reqica, ka deklaruar se për kafshët e kontrabanduara të tij, veterinari asnjëherë nuk kishte lëshuar ndonjë dokumentacion përkatës për to.

Një deklaratë të tillë, dëshmitari Reqica, e ka dhënë në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Gjilan, në gjykimin ndaj mjekut të veterinarisë në zyrën regjionale në Ferizaj, Mexhid Haxhimusa, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në këtë rast, për moslajmërim të veprës penale po akuzohet edhe Artan Pajaziti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së mërkurës, dëshmitari Reqica ka deklaruar se e ka një fermë të lafshëve dhe se njeh të akuzuarin Haxhimusa.

“Mexhidi ka punuar si veteriner në Ferizaj. Unë aty kam shkuar për mjekimin e kafshëve, por edhe kur ka pas nevojë për martikulimin e kafshëve. Mexhidi nuk ka lëshuar certifikatë apo pasaportë për kafshët e mia të cilat kanë qenë të kontrabanduara, e për të cilën vepër e kam pranu fajësinë. Ndërsa, për të tjerat, para matrikulimit përkatësisht lëshuarjes së certifikatës, gjithnjë i ka vizituar kafshët. Matrikula është numri identifikues që i vendoset kafshës në vesh”, ka thënë dëshmitari Reqica.

Sipas tij, në pasaportën e kafshës shkruhen të dhënat përkatëse të saj, pronari dhe numri i matrikulës.

Ai ka thënë se përpos këtyre dokumenteve, nëse kafsha transportohet në treg, atëherë nevojitet edhe certifikata për gjendjen shëndetësore të saj.

“Gjithherë ka qenë në vizitë Mexhidi, pastaj është dërguar në treg kafsha. Në fermën time, pos kafshëve që unë vet i kam rritur, është e vërtetë se kam blerë edhe kafshë tjera të kontrabanduara. Mexhidi për këto nuk ka pas njohuri, sepse nuk e kam njoftuar unë, kurse për kafshët e kontrabanduara ai nuk ka lëshuar ndonjë dokument”, ka deklaruar dëshmitari.

Ai ka thënë se i akuzuari Haxhimusa ka shkuar tek ai për vizita kur ai e ka ftuar, derisa sipas tij, inspektorët e veterinarisë janë të obliguar të vizitojnë parregullsitë eventuale të fermave.

Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Artan Pajaziti, të caktuar sipas detyrës zyrtare, avokatit Ilmi Dalipi, se ai a e njeh të mbrojturin e tij, dëshmitari Reqica ka thënë se e njeh dhe se Pajaziti punon si punëtor teknik, tek i akuzuari Haxhimusa.

“Kur ka pas nevojë që s’ka mujtë me ardhë Mexhdi, e ka dërgu Artanin për vizitë të kafshëve. Ka ndodhë që ai viçit t’ia jap ndonjë injeksion, ose ndonjë preparat tjetër pluhur. Edhe matrikulat i ka vendos Artani me lejen e Mexhidit, por unë nuk kam marr diçka të shkruar nga ai për autorizim, por unë e kam thirr”, ka deklaruar Reqica.

Sipas tij, për bartjen e kafshëve në treg duhet pajisur me certifikatë mbi gjendjen mjekësore të kafshëve, por në shumë raste ai nuk është pajisur me to.

“Pasaporta në atë kohë, kohën kur bëhet fjalë në akuzë, e di që kam marrë, por certifikatë për gjendjen shëndetësore nuk kam marrë sepse në atë kohe ka qenë një sëmundje e kafshëve, gungore. Matrikula dhe pasaporta kur ka pas nevojë janë lëshuar nga Mexhidi, pasi ai ka ardhë në vizitë paraprakisht”, ka thënë dëshmitari Daut Reqica.

Ai ka thënë se sa i përket kafshëve që kanë qenë pa dokumentacion, ka ndodhë që i akuzuari Haxhimusa, të ketë bërë ndonjë kontroll shëndetësore tek to, e më pastaj, ai të lëshojë ndonjë raport për pagesë, por jo edhe certifikatë mbi gjendjen shëndetësore të kafshëve.

Dëshmitari tjetër në këtë rast, Bekim Reqica, duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtësit të akuzuarit Haxhimusa, avokatit Mustafë Musa, ka deklaruar se ai nuk e njeh të akuzuarin Haxhimusa dhe se nuk ka bashkëpunuar me të.

Ai ka thënë se transporton naftë me cisternë në “HIB Petrol”, dhe se në kohën kur pretendohet të jetë kryer vepra penale, ai vetëm ka vozitur kamionin, duke i bartur kafshët e vëllait të tij, Daut Reqicës, kurse sa i përket dokumentacionit të kafshëve, ai ka thënë se nuk ka pasur qasje në to, dhe rrjedhimisht nuk din asgjë për to.

Dëshmitari i fundit në seancën e së mërkurës, Eset Shefkiu, ka deklaruar se të akuzuarin Mexhid Haxhimusa, ndonjëherë e ka parë në tregun e kafshëve, e që sipas tij, i akuzuari kishte fituar një tender për udhëheqjen e tregut në Ferizaj.

“Mexhid Haxhimusën në treg e kam parë, e ka udhëheqë tregun sepse e ka fitu një tender. E di që është veterinar, por që unë me të nuk kam bashkëpunu, e as nuk e di lokalin ku e ka. Tregun e ka udhëheq duke lëshuar biletat për hyrje prej dy eurove, që i bie se punëtorët e tij kanë punuar aty, kanë bërë matjen e kafshëve e këso punësh”, ka thënë dëshmitari Shefkiu.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Agron Uka, dëshmitari ka thënë se për transportimin e kafshëve është e vërtetë se duhet pasur pasaportë, certifikatën për gjendjen shëndetësore, lejen e transportin, me të cilën bëhet dezinfektimi i kafshës e kamionit, por edhe ato duket të kenë matrikula.

“Unë kafshët i kam transportuar në Ferizaj me vathë por nuk ka ndodhë ndokush që aty në treg të më jap ndonjë dokumentacion për kafshë. Kur kam pas nevojë me u pajis me dokumentacion unë jam pajisur tek Nue Marku në Viti, i cili ka ordinancën e tij, i cili është veterinar, dhe na pajis me pasaportë dhe certifikatë. Edhe vathët ia vendosin veterinerët dhe atë njëherë ne vit kur dalin për vizitë, eventualisht në dy vite”, ka thënë dëshmitari Shefkiu.

Ai ka thënë se nuk ka biseduar ndonjëherë me Hasxhimusën në telefon, që ai t’i dërgojë kafshët në Ferizaj dhe të furnizohet me dokumentacion.

Sipas tij, në vitin 2016, nuk e din nëse kafshët kanë qenë të pajisura me matrikula në Ferizaj.

Kryetari i trupit gjykues, Agim Ademi, seancën tjetër e ka caktuar të mbahet më 12 dhjetor 2019, me fillim në ora 9:30.

Palët prezente janë njoftuar gojarisht për mbajtjen e saj, ndërkaq me ftesë të rregullt do të ftohet shefi i inspekcionit veterinar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Arsim Arfi, në cilësinë e dëshmitarit.

Ndryshe, në këtë rast për kontrabandim me kafshë kanë qenë të akuzuar edhe Izet Toqilla dhe Kadri Rrahmani, të cilët në seancën e 18 qershorit 2019, në shqyrtimin kryesor pasi kishin pranuar fajësinë, janë dënuar secili me nga tetë muaj burgim me kusht.

Shpallja e këtij aktgjykimi kishte ndodhur, pas propozimit të mbrojtësit të akuzuarit Toqilla, avokatit Esat Gutaj, me arsyetimin e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të të mbrojturit të tij.

Ndërkaq, ndaj të akuzuarit Zenun Zejnullahu ishte veçuar procedura, pasi që ka një kohë të gjatë që ai është i paarritshëm për gjykatën.

Në këtë çështje penale, të akuzuar të tjerë ishin edhe Heset Shefkiu, Avni Bilalli, Arif Ahmeti, Daut Reqica, Meriton Hasani, Nesim Hasani, Mejdi Zejnullahu, Murat Ilazi, Bekim Reqica dhe Indrit Haxhimusa, por që për të njëjtit ishte veçuar procedura, pasi që kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 28 shkurt 2017, i akuzuari Mexhid Haxhimusa, nga muaji i vitit 2016 deri më 8 nëntor 2016, në regjionin e Vitisë dhe Ferizajt, më qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror për vete apo tjetrin, në cilësinë e personit zyrtar-mjek i veterinarisë në zyrën regjionale në Ferizaj, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, ashtu që është qasur pa autorizim në sistemin e identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve të Agjencisë së Veterinarisë dhe të Ushqimit të Kosovës (AVUK).

Sipas aktakuzës, Mexhid Haxhimusa, ka lëshuar certifikata, numra identifikues dhe pasaporta të kafshëve, për të cilat e ka ditur se të njëjtat janë të kontrabanduara nga të akuzuarit Heset Shefkiu, Bekim dhe Daut Reqica etj, dhe në këtë mënyrë ia ka mundësuar që të pandehurve me këto dokumente që të transportojnë me kamion kafshët e kontrabanduara nga Republika e Maqedonisë, nëpër territorin e Republikës së Kosovës për në Republikën e Shqipërisë.

Më këto veprime, prokuroria thotë se ai ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i detyrës zyrtare” nga neni 422 paragrafi 1 i KPRK-së.

Kurse, sipas akuzës në fjalë, të akuzuarit Heset Shefkiu, Avni Bilalli, Arif Ahmeti, Daut Reqica, Meriton Hasani, Nesim Hasani, Zenun Zejnullahu, Izet Toqilla dhe Kardri Rrahmani, akuzohen për veprën penale në bashkëkryerje “kontrabandimi i mallrave” nga neni 317 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të kodit në fuqi, pasi që të njëjtit që nga muaji korrik i vitit 2016 deri më 9 nëntor 2016, me qëllim përfitimi pasuror në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi kanë kontrabanduar kafshë dhe kanë kaluar vijën kufitare si dhe kanë shmangur kontrollin doganor.

Ata, përmes Republikës së Maqedonisë, jashtë pikës së rregullt kufitare, përmes fshatit Debëllde-Komuna e Vitisë, me traktor dhe kamionë kanë bartur gjedhe, ashtu që të akuzuarit Heset Shefkiu dhe Avni Bilalli në Maqedoni i kanë blerë kafshët dhe i kanë sjellë në fshatin Debëllde, ku Shefkiu i ka vendosur shenjat e matrikulimit dhe i ka ngarkuar në kamion duke i dërguar në fshatin Greme tek i akuzuari Arif Ahmeti, i cili përveçse ka strehuar kafshët i njëjti edhe ka kontrabanduar kafshë dhe nga i pandehuri Mexhid Haxhimusa ka siguruar matrikulla e dokumente për transportin e tyre për në Republikën e Shqipërisë tek i akuzuari Izet Toqilla.

Ata, përmes Republikës së Maqedonisë, jashtë pikës së rregullt kufitare, përmes fshatit Debëllde-Komuna e Vitisë, me traktor dhe kamionë kanë bartur gjedhe, ashtu që të akuzuarit Heset Shefkiu dhe Avni Bilalli në Maqedoni i kanë blerë kafshët dhe i kanë sjellë në fshatin Debëllde, ku Shefkiu i ka vendosur shenjat e matrikulimit dhe i ka ngarkuar në kamion duke i dërguar në fshatin Greme tek i akuzuari Arif Ahmeti, i cili përveçse ka strehuar kafshët i njëjti edhe ka kontrabanduar kafshë dhe nga i pandehuri Mexhid Haxhimusa ka siguruar matrikulla e dokumente për transportin e tyre për në Republikën e Shqipërisë tek i akuzuari Izet Toqilla.

Kurse, siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Daut Reqica  së bashku me të akuzuarin Bekim Reqicam me kamionin e tyre nga Maqedonia kanë kontrbanduar kafshë dhe kanë siguruar dokumente dhe matrikulla nga i pandehuri Mexhid Haxhimusa dhe të njëjtat kafshë i kanë dërguar në thertoren në fshatin Llukë e Epërme-Komuna e Deçanit, kurse të pandehurit Kadri Rrahmani dhe Murat Ilazi, kanë kontrabanduar kafshë duke i transportuar me traktor përmes rrugëve malore deri te shtëpia e të pandehurit Heset, edhe të pandehurit Nesim e Meriton Hasani në bashkëkryerje me të akuzuarit e tjerë kanë kontrabanduar dhe strehuar kafshët me qëllim të transportojnë në Shqipëri, tek i akuzuari Izet Toqilla.

Gjithmonë sipas aktakuzës, i akuzuari Zenun Zejnulahu vazhdimisht me automjetin e tij transportues ka bartur kafshët e kontrabanduara të pandehurve Heset dhe Avni, ashtu që, më 9 nëntor 2016, në Suharekë është ndalur nga policia, ku janë gjetur 11 kafshë me dokumente të falsifikuara, kurse gjatë bastisjes në pronat e të akuzuarve: Zenun Zejnullahu janë gjetur 15 krerë gjedhe të kontrabanduara, te Arif Ahmeti janë gjetur 9 krerë gjedhe, te Daut Reqica, 26 krerë gjedhe si dhe te Nesim e Meriton Hasani, 14 krerë gjedhe, gjithsej 64 krerë gjedhe, duke iu shmangur në këtë mënyrë detyrimeve doganore në vlerë prej 16.333.00 euro.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Arif Ahmeti, Daut Reqica, Zenun Zejnullahu, Heset Shefkiu, Avni Bilalli dhe Nesim e Meriton Hasani, akuzohen edhe për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve” nga neni 398 paragrafi 1, pasi që më 9 nëntor 2016, gjatë bastisjes sipas urdhrit të Gjykatës Themelore në Gjilan, në shtëpitë e të akuzuarve janë gjetur dokumente të falsifikuara me qëllim që të njëjtat ti përdorin si origjinal.

Ashtu që, siç thuhet në akuzë, në shtëpinë e Arif Ahmetit janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë matrikulla, tri pasaporta të kafshëve dhe tre formularë nga sistemi AUV-it, në shtëpinë e Daut Reqicës janë gjetur dhe sekuestruar 26 krerë kafshë dhe 8 matrikulla të papërdorura dhe 134 matrikulla më nga një numër dhe tri palë mjete për matrikulim; në shtëpinë e Zenun Zejnullahut janë gjetur dhe sekuestruar 3 vathë matrikullimi të gjedheve dhe 12 pasaporta të gjedheve; në shtëpinë e Heset Shefkiut janë gjetur 49 vathë matrikullimi të gjedheve, 23 pasaporta të gjedheve dhe një palë mjete për vendosjen e vathëve të matrikullimit të gjedheve, 14 pasaporta të kafshëve, 14 certifikata të kafshëve dhe tri pasaporta të tjera për kafshë kurse në shtëpinë e Nesim e Meriton Hasani, janë gjetur dhe sekuestruar 134 pasaporta të kafshëve dhe 116 matrikulla, të cilat dokumente nga të gjithë të akuzuarit janë përpiluar dhe ndryshuar me qëllim që të njëjtit t’i përdorin si origjinal me rastin e kontrabandimin të kafshëve.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Indrit Haxhimusa dhe Artan Pajaziti, akuzohen se nga muaji korrik 2016 deri më datë 8 nëntor 2016, në ordinancën veterinare “Indriti”, në Ferizaj, të pandehurit kanë qenë në dijeni për identitetin e kryerësit të veprës penale të akuzuarit Mexhid Haxhimusa, ashtu që nuk e lajmërojnë një fakt të tillë edhe pse zbulimi me kohë i kryerësit të veprës penale varet nga ky lajmërim.

Andaj, Indrit Haxhimusa dhe Artan Pajaziti, akuzohen se në bashkëkryerje “moslajmërimi i veprave penale apo kryersve të tyre” nga neni 386 paragrafi 1 nënparagrafi 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Kurse, Meriton Hasani dhe Mejdi Zejnullahu, me rastin e bastisjes, tek shtëpia e të akuzuarit Hasani, është gjetur arma e llojit “Zastava 635”, ndërsa, tek shtëpia e të akuzuarit Zejnullahu, është gjetur pushka e gjuetisë, për çka akuzohen edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi