Gjykimi ndaj të akuzuarit për mosmirëmbajtje të ashensorit, të dëmtuarit tregojnë për rastin

foto  (1)
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Maj 14, 2019

Viti – I dëmtuari Abaz Mjekiqi ka deklaruar se në banjën “Nëna Naile”, në Kllokot, në maj të vitit 2015, mbingarkesa në ashensor ka bërë që nga kati i shtatë i ndërtesës, të bien në katin përdhesë.

Një deklaratë të tillë, ai e ka dhënë në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, ku ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit për veprën penale “asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës”, Sami Syla.

“Në banjën ‘Nëna Naile’ jam kanë me gruan dhe pas dy ose tre dite kem shku te mjeku nalt në katin e shtatë. Pasi mbarum kontrollën, unë me gruan dhe dy motra medicinale hipëm në lift. Pastaj kanë ardhë tre ose katër gra, dhe një djalë i ri. Unë reagova, me tha kush po të vet ty edhe na kem pagu si ti, dhe e ka shtyp pullen, lifti si vetëtima u lëshu të poshtë dhe ra në fund. Unë me gruan kem mbet në këmbë se u mbajtëm për një hekur, tjerët u rrëzuan, në fillim nuk hetova dhimtë, kur ram poshtë dulën motra dhe tjerë me na ofru ndihmë”, ka deklaruar Mjekiqi

Ai ka thënë se të akuzuarin nuk e kishte parë aty.

Në këtë seancë, në cilësi të dëshmitares është dëgjuar edhe e dëmtuara Miradije Mjekiqi, e cila ka thënë se nuk i kujtohen detajet mirë.

“Mbetem pranë deklaratës së dhënë në Polici, ngase tash nuk me kujtohen detajet vetëm e di se bashkë me bashkëshortin kemi shku në Banjën e Kllokotit “Nëna Naile”. Pas disa dite saktësisht nuk e di kemi hyp në lift, shumë persona dhe mandej lifti ka krisë nuk e di se qysh, na jem përplasë, kur kemi ra poshtë dikush na i qeli derën prej jashtit, mu mu marrshin shumë mentë”, ka thënë ajo.

Në këtë seancë, kanë qenë të paraparë të dëgjohen edhe dëshmitarët Shefqet Krenezi, Skender Sejdiu dhe Hajrije Xhafa, por të cilët kanë munguar.

Gjykatësja e rastit, Drane Simani, në mungesë të tre dëshmitarve tjerë, pas propozimit të prokurorit Esat Ademi me aktvendim ka ndërprerë shqyrtimin gjyqësor.

Seanca e radhës është caktuar më 2 qershor 2019, nga ora 09:00, ku palët prezentë janë ftuar nga seanca e së martës, ndërsa për dëshmitarët Shefqet Krenezi dhe Skender Sejdiu do të përsëritet urdhëresa për sjellje me detyrim, ndërsa dëshmitarja Hajrije Xhafa, do të ftohet në mënyrë të rregullt.

Sipas aktakuzës së ngritur më 19 qershor 2015, nga Prokuroria Themelore në Gjilan i pandehuri Sami Syla akuzohet  se me 11 maj 2015, rreth orës 09:00, në Kllokot, në banjën “Nëna Naile”, në cilësinë e personit përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, nga pakujdesia nuk e ka mirëmbajtur në gjendje të rregullt ashensorin në këtë objekt.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që derisa në ashensor kanë qenë disa persona duke lëvizur nga lart-poshtë, ashensori ka lëvizur me shpejtësi dhe nuk është ndalur në vendin e caktuar dhe ka ra në katin përdhesë, ashtu që si pasojë e kësaj mosmirëmbajtje kanë pësuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Azra Hajra, Hajrije Xhafa, Zet’hane Haliti, të cilat për shkak të natyrës së lëndimeve janë detyruar të kërkojnë ndihmën mjekësore.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “asgjësimi, dëmtimi ose heqja  e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 367, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Kosovës. /Betimipërdrejtësi