Gjykimi ndaj Rikalos dhe të tjerëve, zyrtari financiar thotë se në MBPZHR më 2018 ishin shpenzuar 43 milionë euro

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Prishtinë – Në gjykimin për korrupsion ndaj ish-ministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Nenad Rikalo dhe të tjerëve, zyrtari financiar, Veton Qoqaj ka thënë se në vitin 2018 në këtë ministri në kategorinë subvencione dhe transfere ishin shpenzuar rreth 43 milionë euro, ku përfshihet edhe programi i veçantë i përmendur në aktakuzë.

Këtë deklaratë, Qoqaj e ka dhënë në cilësinë e dëshmitarit, në seancën e së martës, i ftuar sipas detyrës zyrtare nga trupi gjykues, në gjykimin ku bashkë me Rikalon po akuzohen edhe sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Kapllan Halimi dhe gjashtë zyrtarët tjerë, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Mentor Bajraktari, dëshmitari Qoqaj ka deklaruar se i njëjti në MBPZHR me akt emërim, e ka pozitën certifikues-aprovues, ndërsa ushtron pozitën e zyrtarit kryesor për financa pranë kësaj ministrie.

I pyetur se si shkon procedura e hartimit të buxhetit për një ministri, dëshmitari Qoqaj ka thënë se në fillim të vitit vjen qarkorja e parë vjetore nga ministria e financave, e cila sipas tij i ka kufijtë e vet financiar për 5 kategori ekonomike dhe atë për paga dhe mëditje, mallra dhe shërbime, shpenzime komunale, subvencione dhe transfere, dhe pasuri jofinanciare (kapitale).

Ai tha se pas pranimit të qarkores së parë me kufij buxhetor, zyrtari kryesor financiar e përgatit qarkoren buxhetore në bazë të kërkesave të pranuara dhe e dërgon tek ministri përkatës për nënshkrim, e pastaj sipas tij dërgohet në ministri të financave.

Ndërsa, i pyetur nga gjykatësi Bajraktari lidhur me programin e veçantë të përmendur në aktakuzë, dëshmitari ka thënë se buxheti i alokuar në kategorinë ekonomike subvencione dhe transfere  në MBPZHR për vitin 2018 ka qenë 46 milionë e 655 mijë 993 euro, prej të cilave sipas tij ishin shpenzuar 43 milionë e 667 mijë e 248 euro, e që sipas tij kjo shumë përfshin edhe programin e veçantë të përmendur në aktakuzë.

“Në pasqyrat vjetore financiare, shpenzimi i buxhetit në këtë kategori është 43 milionë e 667 mijë e 248 euro, duke përfshirë në këtë shpenzim edhe pagesat e masës së veçantë, ndërsa ka pas mjete të lira prej 2 milionë e 988 mijë e 744 euro”, ka deklaruar dëshmitari Qoqaj.

Për këtë pretendim, dëshmitari Qoqaj ia solli gjykatës pasqyrën financiare të vitit 2018 si dhe korrigjimin e pasqyrave financiare për vitin 2018.

Ndërsa, në pyetjen e gjykatësit Bajraktari, se a është bërë pagesë gjatë vitit 2018 për granatet për përfitues sipas programit të veçantë, dëshmitari ka thënë se janë bërë pagesat dhe sipas tij këto pagesa janë bërë sipas kodit ekonomik të ristrukturimit të potencialit fizik, në kategorinë ekonomike subvencione dhe transfere.

Ai shtoi se pagesa për programin e veçantë ka qenë me dy këste, e që sipas tij kësti i parë ishte paguar, ndërsa kësti i dytë sipas tij ishte paguar vetëm sa i përket atyre projekteve për të cilat kishin bërë kërkesë.

Tutje, dëshmitari Qoqaj tha se nëse buxheti është i planifikuar vetëm në kategori ekonomike e jo në zëra, atëherë shpenzimi i këtij buxheti sipas tij duhet të bëhet saktë sipas planifikimit.

“Në vitin 2018 buxheti ka qenë i ndarë vetëm në kategori ekonomike e jo në zëra, pra nuk ka qenë i koduar që nënkupton se nëse buxheti është i alokuar me kodin treshifror, atëherë shpenzimi i tij duhet të bëhet saktë sipas atij planifikimi në të gjithë zërat ekonomik që janë planifikuar”, ka thënë dëshmitari Qoqaj.

Tutje, dëshmitari Qoqaj ka shtuar se pavarësisht kërkesave të mbajtësve të buxhetit apo njësive të kërkesës, është ministri ai i cili i orienton politikat dhe rrjedhimisht buxhetin për ato politika.

“Kërkesat bëhen nga drejtori, i cili e arsyeton kërkesën dhe vetëm brenda kufijve të vijës buxhetore, ndërsa është ministri ai i cili i orienton politikat dhe rrjedhimisht buxhetin për ato politika”, ka thënë dëshmitari Qoqaj.

Në pyetjen e të akuzuarit Rikalo, dëshmitari Qoqaj ka thënë se përveç ministrit, qasje në planifikim dhe realizim të buxhetit kanë drejtorët e departamenteve, të cilët sipas tij marrin pjesë në planifikimin e buxhetit.

Ndërsa, i pyetur se a është ministri i detyruar me ligj që të zbatojë atë vendimin e Qeverisë edhe pse ajo nuk është e planifikuar ndoshta për atë vit dhe ekzistojnë mjetet e destinuara për atë vit, dëshmitari e pohoi një gjë të tillë dhe shtoi se në vitin 2018, nga mjetet buxhetore të MBPZHR i janë hequr 1 milion euro kategorisë për subvencione, për shkak të vendimeve të Qeverisë.

“Në vitin 2018, Ministria e Bujqësisë, në kategoritë ekonomike subvencione dhe transfere me Ligj të buxhetit të vitit 2018 kanë qenë të aprovuara 47 milionë e 657 mijë e 22 euro për këtë kategori, mirëpo me vendimet e Qeverisë, buxheti në fund të vitit ka qenë 46 milionë e 655 mijë e 993 euro, pra i janë hequr rreth një milion euro, për çka kjo ministri është i detyruar ta zbatojë këtë vendim”, ka thënë dëshmitari Qoqaj.

Ai tha se sipas Ligjit mbi Menaxhimin e  Financave Publike, MPBZHR në vitin 2018 sipas buxhetit të alokuar dhe buxhetit të planifikuar ka pasur mjaftueshëm buxhet që të mund t’i mbulojë shpenzimet e planifikuara dhe sipas tij kjo ministri sipas ligjit ka mundur të hy në obligime të reja.

Pas dëgjimit të dëshmitarit Qoqaj, gjykatësi Bajraktari seancën e radhës e ka caktuar për 23 nëntor 2021.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” në janar 2021 ka raportuar për konfirmimin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) ndaj Nenad Rikalos dhe të tjerëve nga Gjykata e Apelit/BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë më vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë