Gjykimi ndaj Qemajl Mustafës dhe të tjerëve, mbrojtja konteston ligjshmërinë e provave

IMG_5034 (1)
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Maj 27, 2021

Prishtinë – Mes polemikave të shumta, ka vazhduar të enjten administrimi i provave në gjykimin ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 36 të akuzuarve tjerë, në lidhje me akuzat për korrupsion me tendera.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në Komunën e Gjilanit janë bërë dallavere me 18 tenderë, për çka po akuzohet ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, 27 zyrtarë tjerë komunal dhe përfaqësues të operatorëve ekonomik.

PSRK pretendon se të akuzuarit kanë bërë kurdisjen e tenderëve, me qëllim që ato t’i fitojnë disa biznese të caktuara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky rast është duke u gjykuar nga Gjykata Themelore në Pejë mirëpo për shkak të numrit të madh të të akuzuarve, seanca e së enjtes është mbajtur në objektin e Ministrisë së Drejtësisë në Prishtinë.

Seanca ka vazhduar me administrimin e provave që ishin siguruar përmes zbatimit të masave të fshehta të vëzhgimit dhe hetimit, si komunikimet përmes SMS-ve dhe zbulimi i të dhënave financiare për disa nga të pandehurit.

Sipas prokurorit special, Agron Bajrami, këto prova si dhe të gjitha prova tjera janë siguruar konform ligjit.

Por, këto prova janë kundërshtuar nga mbrojtësit e të akuzuarve në këtë rast.

Sipas mbrojtësit të të akuzuarit Qemajl Mustafa, avokatit Ismet Shufta, të njëjtat prova janë shfrytëzuar gjatë hetimeve nga prokurori i EULEX – it, mirëpo hetimet e zhvilluara nga prokurori i EULEX-it ishin pushuar.

Sipas tij, këto prova janë shfrytëzuar për një hetim tjetër, ku edhe ishte nxjerr një aktvendim për pushim të hetimeve dhe si rrjedhojë e kësaj, ai tha se këto prova duhet të shpallen të papranueshme.

Lidhur me ligjshmërinë e këtyre provave reagoi edhe vet i akuzuari Mustafa.

“Ky prokuror është komplet konfuz”, tha i akuzuari Mustafa, për çka kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka – Mekaj, i tërhoqi vërejtjen dhe i tha që nuk guxon të personalizohet çështja pasi që prokurori përfaqëson prokurorin.

Madje, ajo kërkoi nga i akuzuari që prokurorit të shtetit të mos i drejtohet me përemër “ky” por t’i i drejtohet “prokuror apo prokuror i shtetit”.

Mustafa vazhdoi duke thënë se si është e mundur që pas pushimit të hetimeve të zhvillohen hetime e të ngritët aktakuzë.

“Unë nuk e kam të qartë kur kanë fillu hetimet ndaj Qemajl Mustafës dhe të tjerëve”, tha Mustafa.

Për këto dilema të Mustafës, prokurori Agron Bajrami tha se në seancën e mbajtur të mërkurën e ka sqaruar këtë, por tha se e ka sqaruar edhe më parë gjatë gjykimit para trupit gjykues të kaluar.

“Pushimi i hetimit ka ndodhur për një aktivitet tjetër të prokurimit i cili nuk është objekt i kësaj aktakuze”, tha prokurori Bajrami.

Lidhur me masat e vëzhgimit dhe hetimit, gjykatësja Kuka – Mekaj kërkoi të sqarohet se për sa kohë mund të përdoren provat e marra.

Duke ju përgjigjur gjykatëses, prokurori Bajrami tha se Kodi i Përkohshëm Penal i Kosovës nuk ka paraparë ndonjë kufizim dhe po ashtu masat kanë mundur të zbatohen me urdhëresën e gjykatës pa aktvendim të fillimit të hetimeve.

Mbrojtësi i të akuzuarës Hatixhe Daku, avokati Shemsedin Piraj deklaroi se provat e propozuara janë të papranueshme pasi që të njëjtat, sipas avokatit, janë marr në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Asllan Syla, avokati Florent Latifaj deklaroi se provat me të cilat prokuroria po pretendon të vërtetoj tezën e aktakuzës janë të papranueshme. Ai i propozoi gjykatës që këto prova të propozuara të shpallen të papranueshme dhe të veçohen nga shkresat e lëndës.

Një propozim i tillë u mbështet nga avokatët tjerë mbrojtës të të akuzuarve.

Lidhur me propozimin e avokatit Latifaj, gjykata kërkoi mendimin e prokurorit Bajrami i cili deklaroi se prokuroria konsideron se provat e nxjerra nga zbatimi i masave në përputhje me urdhëresat janë prova të ligjshme ngase të njëjtat sipas tij, janë nxjerrë nga gjyqtari kompetent në përputhje me kërkesën e prokurorit.

“Në kohën kur janë nxjerr këto masa, Kodi i Përkohshëm i Procedurës Penale nuk ka kërkuar në mënyrë shprehimore ekzistimin e aktvendimit të fillimit të hetimeve apo fillimin e procedurës penale. Për më tepër, sa i përket ligjshmërisë së këtyre masave përgjigjen e ka dhënë edhe Gjykata Themelore në Pejë” tha ai.

Gjykatësja kërkoi nga prokurori t’i përgjigjet avokatit me bazë ligjore.

Mirëpo, prokurori kërkoi nga gjykatësja që të mos t’ia imponoj mendimin.

“Të lutna gjyqtare mos ma impono mendimin”, tha prokurori.

Më pas, gjykatësja tha që gjykata nuk është e lidhur për vendime pasi që sipas saj, në çdo fazë të procedurës është obligim i gjykatës që të vlerësoj pranueshmërinë e provave.

Por, prokurori sërish insistoi se këto prova janë marr në përputhje të plotë me dispozitat ligjore dhe aktgjykimi i gjykatës duhet të bazohet në këto prova.

Paraprakisht, gjykata administroi të gjitha provat e propozuara nga ana e prokurorisë me aktin akuzues.

Provat e administruara u lexuan nga dispozitivi i aktakuzës dhe për to nuk u dha sqarim për secilën provë veç e veç, ndonëse kryetarja e trupit gjykues kërkoi nga prokurori që të elaboroj secilën provë veç e veç se çka vërtetohet me to, si dhe të përshkruaj veprimet inkriminuese për secilin të akuzuar veç e veç.

Prokurori u përgjigj duke thënë se të gjitha shkeljet e pretenduara janë të cekura në secilin përshkrim, të secilës vepër penale në çdo pikë të aktakuzës.

“Në secilën pikë të dispozitivit të aktakuzës janë të specifikuara shkeljet për të akuzuarit”, tha prokurori Bajrami.

I akuzuari Qemajl Mustafa deklaroi se nëse vazhdohet vetëm me lexim të provave nuk do të mund ta kuptojnë se për çfarë akuzohen.

“Meqenëse prokurori nuk ka bërë individualizimin e veprimeve inkriminuese, gjegjësisht të mbrojturit tim i cili ka qenë kryetar i komunës dhe zyrtari kryesor administrative, në kuptimin e përgjegjësisë, kompetencave dhe detyrave, atëherë nuk kam mënyrë tjetër përpos të them se i kundërshtoj të gjitha provat”, tha mbrojtësi i të akuzuarit Mustafa, avokati Shufta.

Provat e administruara i kundërshtoi edhe mbrojtësi i të akuzuarës Hatixhe Daku, avokati Shemsedin Piraj dhe mbrojtësit e tjerë të të akuzuarve në këtë rast, me përjashtim të mbrojtëses së të akuzuarit, Vehbi Geci, avokates Aurora Mulhaxha.

Avokatja Aurora Mullhaxha tha se nuk i kundërshton provat pasi që asnjëra nga to, nuk ka të bëj me të mbrojturin e saj.

Sipas saj nuk qëndrojnë konstatimet e prokurorit pasi që komisioni ka vendosur konform ligjit të prokurimit publik.

Provat e prezantuara i kundërshtoi edhe avokatja Venera Gashi e cila mbron të akuzuarin Famir Halili. Sipas saj, asnjëra nga provat e propozuara nga prokuroria nuk paraqet veprim inkriminues.

Mbrojtësi i të akuzuarit Iljaz Rashiti, avokati Qerim Ferizi shtoi se procedura për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij ka shkuar konform dispozitave ligjore.

Provat e propozuara dhe të administruara gjatë gjykimit të së enjtes i kundërshtuan të gjithë të akuzuarit përmes mbrojtësve të tyre, duke deklaruar se përmes provave të administruara nuk vërtetohet asgjë dhe se asnjëra nga to nuk inkriminojnë të mbrojturit e tyre.

Ndërkaq mbrojtësi i të akuzuarit Asllan Syla, avokati Florent Latifaj kundërshtoi provat e prokurorisë duke thënë se personi i cili ka nënshkruar dokumentet të cilat pretendon prokuroria nuk është i mbrojturi i tij, duke thënë se bëhet fjalë për një person tjetër.

Gjatë kësaj seance, u bë administrimi i disa vendimeve për të cilat prokurori Bajrami tha se dëshmojnë se i akuzuari Qemajl Mustafa ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

“Konsiderojmë se këtu, me nxjerrjen e këtyre e vendimeve ka filluar i gjithë ky aktivitet i kundërligjshëm. Të gjitha janë të nënshkruara nga ish kryetari komunës, Qemajl Mustafa, vendime këto të nxjerra në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, në kundërshtim me udhëzimin administrativ të KRPP-së”, tha prokurori.

Me këto vendime, sipas prokurorit inkriminohen i akuzuari Mustafa dhe e akuzuara Hatixhe Daku.

Propozimi për administrimin si prova të vendimeve të Kuvendit Komunal të Gjilanit, të cilat i përmendi prokurori, u mbështet nga avokati Shufta, i cili tha se me këto vendime do vërtetohet se asamblistët e Kuvendit Komunal të Komunës së Gjilanit në mënyrë unanime kanë vendosur të merret një vendim për pagesën e komisioneve përmes operatorëve ekonomik.

Lidhur me këtë, avokati dorëzoi një procesverbal me të cilën sipas tij dëshmohet vendimmarrja e Kuvendit Komunal.

Ai tha se i mbrojturi i tij, tani i akuzuari Mustafa ka vepruar drejtë sipas vendimit të sovranit, pra Kuvendit Komunal të Komunës së Gjilanit.

Edhe avokati Shemsedin Piraj e mbështeti avokatin Shufta duke thënë se vendimi i marr nga e mbrojtura e tij, e akuzuara Daku, për kompensimin e komisionit përmes operatorëve ekonomik është i ligjshëm dhe i drejtë.

Mirëpo lidhur me këtë, prokurori Bajrami deklaroi se nuk është kontestuese se kuvendi ka votuar për një vendim të tillë, mirëpo është nën kompetencë të kryetarit të komunës që vendimet që nuk janë në përputhje me ligjin t’i kthej në rishqyrtim.

Provë tjetër e administruar gjatë këtij shqyrtimi ishte deklarimi i pasurisë së të akuzuarit Qemajl Mustafa.

Me administrimin e kësaj prove, sipas prokurorit vërtetohet se i akuzuari Mustafa ka deklaruar se nga viti 2012 ka borxh ndaj Ridvan Asllanit, 80 mijë euro.

Sipas prokurorit kjo ndërlidhet me faktin se një person i afërt, me personin që Mustafa i ka pasur borxh është fitues i njëri prej tenderëve.

“Kjo tregon lidhjet e mëhershme të të akuzuarit Mustafa me fituesin e tenderit”, shtoi prokurori.

Kjo u arsyetua nga mbrojtësi i të akuzuarit Mustafa duke thënë se Gjilani është qytet i vogël dhe shumica e njerëzve njihen mes vete.

Arsyetim të ngjashëm dha edhe vet i akuzuari i cili tha se është njohur më parë edhe me të gjithë operatorët ekonomik.

“Unë me krejt këta operator e krejt këta zyrtarë jom njoft. Me të drejtë e tha mbrojtësi im, na jemi një komunitet i vogël dhe njihemi krejt mes veti dhe kemi relacione shoqërore e familjare”, tha i akuzuari Qemajl Mustafa.

Pas kalimit të orarit zyrtar të punës së gjykatës, seanca u ndërpre për të vazhduar të premten nga ora 9:30 ku pritet të vazhdohet me administrimin e provave. Po ashtu, pritet të merret vendimi lidhur me pranueshmërinë e provave të kontestuara gjatë seancës dhe të bëhet dëgjimi i ekspertit përpilues të ekspertizës financiare.

Ky rast gjykohej nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Sylë Lokaj, mirëpo pas pensionimit të tij, gjykatëse e rastit është caktuar Nushe Kuka-Mekaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në Komunën e Gjilanit janë bërë dallavere me 18 tenderë, për çka po akuzohet ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 27 zyrtarë tjerë komunal.

PSRK pretendon se të akuzuarit kanë bërë kurdisjen e tenderëve, me qëllim që ato t’i fitojnë disa biznese të caktuara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë, dëmtim të buxhetit përmes ekspertizës financiare, kanë konstatuar ekspertët e caktuar nga Gjykata e Themelore e Pejës, Hysni Selmanaj dhe Ukë Sadikaj.

Gjithsej 18 tenderë janë përfshirë në ekspertizë financiare me urdhrin e gjykatës në fjalë, për të vlerësuar nëse dhënia e tyre ishte bërë në përputhje me rregullat e prokurimit publik dhe nëse ka pasur dëmtim të buxhetit të Komunës së Gjilanit.

Përkundër shumë kundërshtimeve nga prokurori special Agron Bajrami, që ekspertiza financiare të mos bëhet me arsyetimin se e njëjta nuk mund ta vlerësojë ligjshmërinë e aktivitetit të prokurimit në kurdisjen e tenderëve, kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj kishte aprovuar propozimin e mbrojtësit të pandehurit Mustafa, avokatit Ismet Shufta.

Kështu, gjykatësi Lokaj kishte vendosur që në këtë çështje penale të bëhet një ekspertizë financiare e dosjeve të tenderëve, për të vërtetuar nëse në aktivitetin e prokurimit ishin zbatuar dispozitat e Ligjit për Prokurimit Publik.

Pas tre muajsh ekspertim, ekspertët financiar kanë konstatuar shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik në vetëm 3 prej 18 tenderëve, ku shuma e dëmit si pasojë e shkeljeve të ligjit sipas ekspertëve ishte 6,248.88 euro.

Kurse 15 tenderët tjerë, sipas ekspertëve, ishin bërë në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik.

Mirëpo në 12 aktivitete të prokurimit, ekspertët kanë konstatuar rritje të çmimit të kontratës për pagesën e Komisioneve për Mbikëqyrje dhe Pranim Teknik, në shumën prej 67,257.43 euro, e cila shumë u ishte dhënë operatorëve ekonomik nga buxheti i Komunës.

Sipas ekspertizës financiare të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, në tenderin me numër GI-651-09-146-521, Komisioni Vlerësues në përbërje prej Drita Bajrami, Agim Hoxha dhe Ramush Musliu, kishte bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik, duke mos përfillur çmimin më të lirë të ofruar dhe kishte rekomanduar të lidhet kontrata me operatorin ekonomik “Bejta Commerce”, edhe pse ky operator kishte ofruar 537.30 euro më shumë se operatorët tjerë.

Tenderi i dytë me numër GI-651-09-059-521 që ishte përfshirë në shkelje të Ligjit, ishte kur anëtarët e Komisionit për Vlerësimin e Ofertave me përbërje prej Qefsere Sadriu, Llaz Rashiti dhe Musa Nasufi. e kishin zbatuar vendimin e ish-kryetarit Mustafa, i cili ka rekomanduar që kontrata t’i jepej operatorit ekonomik “Bass Com”, edhe pse kjo kompani sipas ekspertëve kishte ofruar çmimin më të lartë për 2,252.40 euro më shumë se operatorët tjerë ekonomik.

Sipas ekspertëve, ish-kryetari Qemajl Mustafa kishte bërë shkelje ligjore kur kishte nxjerrë vendimin që të mos përzgjidhet operatori ekonomik me çmim me të ulët.

Dhe tenderi i tretë, që sipas ekspertëve ishte dhënë në shkelje të Ligjit të Prokurimit ishte tenderi me numër GI-651-10-063-521 sipas të cilit, anëtarët e Komisionit Vlerësues, Drita Bajrami, Qefsere Sadriu dhe Vehbi Geci, nuk kishin aplikuar zbritjen e ofruar në ofertë të operatorit ekonomik prej 3,459,18 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Komunës në këtë shumë.

“Dëmi i shkaktuar i buxhetit Komunal në Gjilan, në këto tri raste kap shumën prej 6,248.88 euro”, thuhet në ekspertizën e bërë nga ekspertët Hysni Selmanaj dhe Ukë Sadikaj.

Në këtë ekspertizë është konstatuar edhe një dëmtim i buxhetit të Komunës së Gjilanit në shumën prej 67,257.43 euro në 12 aktivitet të prokurimit, për pagesën e Komisioneve për Mbikëqyrje dhe Pranim Teknik, e cila shumë sipas ekspertëve u ishte dhënë operatorëve ekonomik nga buxheti i Komunës.

Një mënyrë të tillë të pagesës së Komisionit përmes operatorëve ekonomik me buxhet të Komunës ekspertët financiar e kanë cilësuar kundërligjore, duke e bërë përgjegjës ish-kryetarin Mustafa dhe asamblistët të cilat kishin miratuar një vendim të tillë për bërjen e pagesave.

“Ne ekspertët mendojmë se me rritjen e shumës së Kontratës për pagesën e komisioneve me mjete të Buxhetit Komunal, Komuna ka pasur dëme në dy aspekte: për shumën e shtuar në kontratë, ku mjetet janë derdhë në llogari të operatorit ekonomik sipas kontratës dhe komisionet për mbikëqyrje të punëve dhe për pranim teknik me këtë metodologji ishin jo të pavarura por nën ndikim e Operatorëve Ekonomik të cilëve u ishin dhënë mjetet për pagesë të këtyre komisioneve dhe të njëjtit s’kishin pavarësi të plotë për një mbikëqyrje reale dhe pranim real të punëve të kryera nga Operatori Ekonomik”, thuhet në ekspertizën financiare.

Gjykata e Apelit, në shkurt të vitit 2019, kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në rastin e ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 38 të akuzuarve tjerë, duke vendosur kështu që të njëjtit të gjykohen për veprat për të cilat akuzohen.

Kështu, Apeli e kishte ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, të 30 nëntorit 2018, në atë mënyrë që, kërkesat e mbrojtësve për hudhje të aktakuzës i ka refuzuar, ndërsa procedura tani në këtë çështje juridiko penale, sipas Apelit, duhet të vazhdohet sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, të parapara për caktimin e seancës së shqyrtimit gjyqësor.

Gjykata Themelore në Pejë, me 2 gusht 2017 me aktvendim e kishte hudhur si pjesërisht të parregullt aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për sa i përket pikave. I, II, III, IV, V, VI, VII, VIU, X, XI, XII, XIV, XV, XVI, XVII, XVIII. Ndërkaq kishin mbetur në fuqi pikat IX dhe XIII të aktakuzës.

Por, me 22 shtator 2017, Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), sipas të cilit, Mustafa dhe të tjerët kthehen në bankën e të akuzuarve për të gjitha pikat e aktakuzës.

Më 18 prill 2018, Gjykata Themelore në Pejë me aktvendim, e kishte konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, porse, kjo gjykatë kishte miratuar hudhjen e aktakuzës për veprën penale “krimi organizuar”, nga neni 274 paragrafi 2 i Kodit Penal të Kosovës (KPK), lidhur me veprat penale “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”, nga neni 236 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, pika 5 të KPK-së, kundër të pandehurve Basri Kqiku, Avdil Pireva, Florim Zuka, Skender Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Rrustem Hajdari, Asllan Asllani dhe Asllan Syla.

Por, në shtator të vitit 2018, Gjykata e Apelit sërish e kishte kthyer në rivendosje këtë rast.

Në nëntor 2018, Gjykata Themelore në Pejë kishte vendosur se në rastin e Mustafës dhe të akuzuarve tjerë, s’ka elemente të veprës penale të krimit të organizuar.

Gjykata kishte pushuar procedurën penale ndaj 10 të akuzuarve të cilët ngarkoheshin me veprën penale të keqpërdorimeve në ekonomi dhe 19 të akuzuarve për keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje, për shkak të parashkrimit relativ të veprës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prej 29 të akuzuarave se si grup kriminal kishin kryer veprën penale të korrupsionit lidhur me dhënien e tenderëve në Komunën e Gjilanit, sipas vendimit të gjykatës, vetëm 12 të akuzuar, do të ballafaqoheshin me akuzat e Prokurorisë Speciale për korrupsion dhe atë me kualifikim të ri të veprës penale.

Kjo pasi, Gjykata Themelore në Pejë, kishte refuzuar vetëm kërkesat e të pandehurve, Qemajl Mustafa, Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Ramush Musliu, Behar Mehmeti, Hamdi Ismajli, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Naser Sylejmani dhe Nazim Jashari, e për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ne shkelje te nenit 422 par.l dhe 2 pika 2.1 lidhur me nenin 31 të KPK-së.

Ndërsa, kishte pushuar procedurën penale për shkak të arritjes së parashkrimit relativ të ndjekjes penale ndaj te pandehurve: Drita Kajtazi-Bajrami, Agim Hoxha, Qefsere Sadriu, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Muhamet Kastrati,- Heset Mahmuti dhe Fatmir Halili, lIaz Rashiti, Musa Nasufi, Ibrahim Foniqi, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku, Selvije Shefkiu- Mustafa, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi dhe per Merita Canaj-Shabani, që akuzohen për veprën penale keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar në shkelje të nenit 422 par.l dhe 2 pika 2..1 lidhur me nenin 31 te KPK-së .

Mirëpo, në prill të vitit 2019, Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në këtë rast, ashtu që kishte vendosur konfirmojë aktakuzën në këtë rast dhe çështja të kalojë në shqyrtim gjyqësor.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 16 shtator 2016 kishte ngritur aktakuzë ndaj Qemajl Mustafa, Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Qefsere Sadriu, IIjaz Rashiti, Musa Nasufi, Muhamet Kastrati, H.M, Fatmir Halili, Drita Bajrami, Agim Hoxha, Ramush Musliu, Selvije Shefkiu, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi, Merita Canaj-Shabanaj, Ibrahim Foniqi, Behar Mehmeti, Hamdi Ismajli, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku, Nazim Jashari, Basri Kqiku, Avdi Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skender Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Asllan Asllani dhe Asllan Syla, për veprat penale “krimi i organizuar”, “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.

Sipas aktakuzës, zyrtarët duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, kanë keqpërdorë detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre ose duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare. Ndërsa, të pandehurit tjerë duke vepruar si pronarë apo përfaqësues të këtyre operatorëve ekonomik, kanë ushtruar veprimtari ekonomike me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për operatorin ekonomik tjetër, me rastin e ofertimit në aktivitete të prokurimit, pranë asaj komune.

Sipas provave, të cilat i janë bashkëngjitur aktakuzës, ish kryetari i kësaj komune, ka koordinuar me veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht me tani të pandehurit, më saktë pronarët apo përfaqësuesit e operatorëve ekonomik (bizneset) e cekura në aktakuzë.

Ndryshe, procedura penale ka pushuar për të akuzuarin H.M, pasi i njëjti ka ndërruar jetë, ndërsa është veçuar procedura për të akuzuarin Govori./Betimipërdrejtësi