Gjykimi ndaj policit që akuzohet se përvetësoi 5 eurot e personit të ndaluar, i dëmtuari thotë se nuk është i interesuar për ndjekje penale

image
Author

Raporton: Liridon Pnishi

Qershor 25, 2020

Prizren – I dëmtuari Sylë Shala ka deklaruar se nuk është i interesuar për ndjekje penale, në rastin e zyrtarit policor Selman Ukzeka, i cili po akuzohet për përvetësim të 5 eurove.

Ukzeza po akuzohet se si zyrtar policor në Qendrën e Ndalimit në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren, në maj të vitit 2019, pa ia marrë shënimet personale të ndaluarit-të dëmtuarit Sylë Shala, bën regjistrimin e gjësendeve të tij, me ç’rast përvetëson njërën nga bankënotat prej 5 euro që i posedonte i dëmtuari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë rast, në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prizren, është dëgjuar i dëmtuari Shala, i cili deklaroi se një zyrtar policor me emrin Remzi Bujari, së bashku me një polic tjetër me rroba civile, emrin e të cilit tha se nuk e din, ia kanë sjellë dy bankënota me nga 5 euro për ushqim.

Shala bëri të ditur se gjatë marrjes në pyetje me vete ka pasur kuletën, zingjirin e qafës, orën e dorës dhe dy kartëmonedha nga 5 euro.

Ai tha se për pranimin e bankënotave nga 5 euro nga polici Remzi Bujari ka nënshkruar në letrën e konfiskimit të parave.

I dëmtuari po ashtu deklaroi se gjatë arrestimit ka pasur me vete gjithsej 1,460 euro dhe bankënota tjera hungareze të pavlera, duke shtuar se polici Bujari i ka thënë të nënshkruaj që i ka marrë dy bankënota nga 5 euro nga paratë e konfiskuara, për ta sjellë ushqim natën.

Gjatë seancës i dëmtuari deklaroi se nuk është i interesuar për këtë ndjeke penale dhe se nuk parashtron kërkesë pasurore juridike.

Pas dëshmisë së të dëmtuarit, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Avni Thaqi, i propozoi trupit gjykues që si dëshmitar të ftohet edhe Bahtijar Belloda.

Trupi gjykues aprovoi kërkesën e palës mbrojtëse.

Ndryshe, në fillim të seancës, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Metush Biraj, i akuzuari u deklarua përsëri i pafajshëm për veprën që i vihet në barrë.

Në këto rrethana, palët në procedura dhanë fjalët e tyre hyrëse.

Prokurori Biraj, gjatë fjalës hyrëse, deklaroi se në bazë të provave që janë grumbulluar gjatë hetimeve e që i janë bashkangjitur aktakuzës, do të vërtetohet se i akuzuari ka kryer veprën penale si në aktakuzë.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Avni Thaqi deklaroi se qëndron pranë pretendimeve se i mbrojturi i tij është i pafajshëm dhe se prokuroria nuk ka ofruar prova të mjaftueshme e bindëse se i mbrojturi i tij është fajtor.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osnmani njoftoi palët se seanca e radhës për këtë rast do të mbahet me 17 korrik 2020, në ora 10:30.

Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 31 tetor 2019, Selman Ukzeka akuzohet se me 10 maj 2019, në cilësinë e zyrtarit policor në Qendrën e Ndalimit në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, përvetëson pasurinë e cila i është besuar për shkak të detyrës apo pozitës së tij.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari, pa ia marrë shënimet personale të ndaluarit-të dëmtuarit Sylë Shala, i drejtohet me pyetjen: “A janë këto gjësende, 2×5 euro, aksesori, ora e dorës dhe kuleta e juaja?” dhe në momentin kur i ndaluari shfrytëzon tualetin, i akuzuari bën regjistrimin e gjësendeve, me ç’rast përvetëson njërën nga bankënotat prej pesë euro.

Sipas aktakuzës, kur i dëmtuari del nga tualeti, i pandehuri ia jep formularin për nënshkrim, e bastis në trup dhe e dërgon në dhomë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri, pas 30 minutave, shkon në dhomën e ndalimit dhe e pyet të dëmtuarin për disa kartëmonedha të huaja, të cilat pasi i nxjerr nga kuleta ia ofron të dëmtuarit në shikim, e më pas në formular të pranimit e regjistron se i dëmtuari, përveç gjësendeve të lartpërmendura, i ka pasur vetëm 5 euro e 20 cent. /BetimipërDrejtësi