Gjykimi ndaj policëve të akuzuar për krim të organizuar dhe korrupsion, dëshmitari thotë se për të transportuar drunjë në Serbi u kishte dhënë para policëve 

IMG-0522
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Prill 30, 2021

Prishtinë – Dëshmitari Milan Saviq ka thënë se transportuesit e mallrave nga Kosova në Serbi, u kishin dhënë para policëve që tu mundësohej kalimi përmes kufirit.

Ai këtë deklaratë e ka dhënë në gjykimin ndaj tre zyrtarëve policorë, Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq, të cilët po akuzohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur me keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për marrje ryshfeti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Saviq duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Burim Qerkini, ka thënë se kishte punuar si transportues i kamionëve me dru nga viti 1991 e deri në vitin 2014, dhe sipas tij, kishin kaluar edhe përmes kalimeve alternative për shkak se Policia e Kosovës nuk i kishte pranuar dokumentacionin e Serbisë dhe anasjelltas.

Për transportimin e mallrave nga Kosova në Serbi, dëshmitari tha se ka pasur raste kur policia kufitare i kishte kthyer apo ndonjëherë edhe u kishte tërhequr vërejtjen që të mos kalojnë.

“Atëherë ne kemi filluar të kalojmë pasi nuk kemi pasur tjetër zgjidhje dhe disa polic e kanë shpikur që ne jemi të obliguar t’iu paraqitemi atyre, e gjithë kjo ka filluar nga komandanti i Policisë Rade Radosavljeviq”, ka thënë dëshmitari.

Sipas tij, Rade Radosavljeviq u kishte thënë se mund të transportonin mallra për në Serbi vetëm nëse do ti lajmëronin ata paraprakisht dhe të paguanin një shumë të hollash përmes personave të caktuar.

Ai ka thënë se çdo ndërrim e kishte pasur numrin e caktuar të telefonit ku ishin lajmëruar, dhe se të gjithë transportuesit ishin lajmëruar në këta numra duke e përfshirë edhe dëshmitarin.

“I kam pasur 2-3 numra për të thirrur policinë, nuk e di me sa ndërrime ka punuar policia, besoj se 2-3”, ka thënë dëshmitari.

Sipas tij, ndërrimet i kishte udhëhequr udhëheqësi i ndërrimeve dhe se në njërin ndërrim udhëheqës sipas dëshmitarit kishte qenë polici me nofkën “Regi”, në tjetrin Dragan Vasoviq, ndërsa për Millan Javanoviqit, i njohur me nofkën “Llaki”, tha se nuk i kujtohet nëse kishte qenë udhëheqës i ndërrimit.

Dëshmitari ka treguar për mënyrën se si kishte ndodhur komunikimi mes treansportuesve dhe policëve.

Sipas tij, një ditë para se të transportonin mallrat nga Kosova në Serbi i kishin kontaktuar policët të cilët kishin qenë kompetent të përgjigjeshin në numrat që transportuesve u kishin dhënë.

Ai ka thënë se fillimisht i kishin dhënë nga 30 euro për një kamion, por pastaj u kishin thënë se duhej të paguanin nga 50 euro.

“Këto para janë lënë në vende të caktuara, në disa pompa, në shitore, në shitoret që kanë qenë afër rrugës”, ka thënë dëshmitari.

Por sipas dëshmitarit kishte ndodhur 1-2 herë kur paratë ua kishte dorëzuar edhe në duar, por ka thënë se nuk i kujtohet se cilit polic ia kishte dhënë paratë.

Ai ka thënë se të akuzuarin Ana Vasoviq e njeh vetëm si figurë, por sipas tij nuk është në dijeni nëse e njëjta ishte lajmëruar në numrat të cilët transportuesit kishin thirrur pë ti lajmëruar policët.

“Nuk e di kush është lajmëruar në atë telefon, me Anën nuk kam pasur asnjëherë ndonjë kontakt, në telefon kur është lajmëruar ne vetëm i kemi lënë paratë ku kemi pasur. Shumicën e rasteve në telefon janë lajmëruar meshkuj, ndërsa rrallë 1-2 herë është lajmëruar ndonjë femër”, ka thënë dëshmitari.

Të akuzuarin Veroljub Dimitrijeviq dëshmitari ka thënë se e kishte fqinj, por sipas tij ai asnjëherë nuk kishte bashkëpunuar me të dhe se i njëjti ka qenë polic i thjeshtë, ndërsa për të gjitha sipas tij kishte vendosur komandanti Rade Radosavljeviq.

Ndërsa për të akuzuarin Izet Uskoviq sipas dëshmitarit kishte punuar në ndërrimin e policit me nofkën “Regi”, por ka thënë se personalisht nuk e kishte kontaktuar asnjëherë.

Pasi dëshmitari ka deklaruar se nuk i kujtohet se cili ndërrim ka qenë kur i njëjti i kishte transportuar drunjtë, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Albina Shabani-Rama e ka ballafaquar me deklaratën e dhënë në Inspektorat Policor në të cilin kishte deklaruar se kishte kaluar në ndërrimin e të akuzuarës Vasovuq dhe policit “Llaki”.

“Në ndërrimin e Anës shumicën  e rasteve është lajmëruar Llaki”, ka thënë dëshmitari.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 19 maj 2021, në ora 09:30.

Ndryshe, në këtë rast akuzoheshin edhe Aleksandër Dimitrijeviq dhe Darko Saviq, por pas dëgjimit të tyre në cilësi të dëshmitarëve bashkëpunues, për ta ishte veçuar procedura penale dhe me 15 mars 2021, të njëjtit ishin shpallur fajtorë dhe ishin dënuar me 1,000 euro gjobë për kontrabandim me migrantë, ndërsa ishin liruar për “dhënia e ryshfetit”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 23 prill 2020, nga PSRK-ja Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq akuzohen se nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, në bashkëpunim edhe me të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq dhe Dragan Radojeviq, të cilët gjenden në arrati, duke vepruar si grup i organizuar, nën udhëheqjen e të pandehurit Rade Radosaljeviq, komandant i stacionit në SPMK Leposaviq, me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror kishin marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit.

Sipas PSRK-së, të akuzuarit kishin lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshëm dhe atë si mallra ushqimor, transportin e drunjëve, barnave dhe derivateve, nga Serbia për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, nëpërmjet rrugëve ilegale.

Prokuroria pretendon se tre të akuzuarit, derisa kanë qenë në detyrë zyrtare, duke mbikëqyrë rrugët e brezit kufitar në fshatrat Mure, Sharpel dhe Tresava, dhe duke bashkëpunuar edhe me të pandehurit Aleksandër Dimitrijeviq, Darko Saviq dhe persona të tjerë, si transportues të mallrave, ku nga të njëjtit për kalimin e automjeteve me mallra kanë pranuar shuma të ndryshme të parave, sipas tarifave të përcaktuara për çdo automjet dhe atë nga 20 euro për vetura të vogla, 30-50 euro për furgona dhe 100-150 euro për çdo kamion.

Sipas PSRK-së, një pjesë të këtyre parave ata e kanë marrë për vete, një pjesë e parave ka shkuar për udhëheqësin e grupit-komandantin e stacionit, tani të pandehurin Rade Radosavljeviq, ku kanë pas obligim që secili ndërrim të paguaj dhe atë në baza mujore shumën prej 700 euro, ndërsa pjesa tjetër është ndarë tek policët e ndërrimit, e që këtë shumë të parave e kanë marrë direkt nga ana e kontrabanduesve apo edhe në vende të caktuar ku ata janë udhëzuar që t’i lënë, si tek pompa e derivateve “Çekalic”, dyqani “Te Mira”, si dhe në veturën e tani të pandehurit Millan Jovanoviq-Llaki, me ç’rast kanë përfituar shuma të konsiderueshme të parave dhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

E akuzuara Ana Vasoviq-Baraq akuzohet se duke vepruar si anëtare e grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, saktësisht udhëheqëse e ndërrimit në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale, duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë si dhe me kontrabanduesit, në atë mënyrë që dhe pas komunikimit dhe marrëveshjes me ta ka dhënë udhëzimet për kohën dhe vendin ku duhet të kalojnë dhe nga ta ka pranuar shuma të ndryshme të parave, qoftë personalisht apo në vende të caktuara, ku një pjesë e ka mbajtur për vete dhe pjesën tjetër për komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit Rade Radosavjleviq.

I akuzuari Veroljub Dimitrijeviq akuzohet se duke vepruar si anëtarë i grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, polic patrullues në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë si dhe me kontrabanduesit, në atë mënyrë që ka zbatuar udhëzimet e shefave të ndërrimit dhe komandantit të stacionit dhe pas komunikimit me të njëjtët, i ka udhëzuar kontrabanduesit se në cilat vende dhe në çfarë kohe të kalojnë, ku nga ta ka marrë shuma të ndryshme të parave dhe një pjesë të shumës e ka mbajtur për vete, kurse pjesën tjetër e ka dorëzuar për udhëheqësit e ndërrimeve dhe komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit Rade Radosavljeviq.

I akuzuari Izet Uskoviq akuzohet se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, zëvendës i udhëheqësit të ndërrimit në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë, e sidomos me të pandehurin Dragana Radojeviq, të cilin e ka pas epror ku ka zbatuar udhëzimet e tij dhe të komandantit të stacionit, duke udhëzuar kontrabanduesit se në cilat vende të kalojnë, duke marrë shuma të ndryshme të parave dhe duke shkuar në vende të caktuara për të mbledhë shumat e parave e të cilët kontrabandistët i kishin lënë dhe të njëjtat shuma i ka dorëzuar për udhëheqësin e ndërrimit dhe komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit, Rade Radosavljeviq.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”.

Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq akuzohen se që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, me qëllim të përfitimit material të kundërligjshëm kanë kontrabanduar mallra, dhe atë mallra ushqimorë, transportin e drunjëve, barnave dhe derivateve, nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, duke iu shmangur kontrollit doganor dhe tarifave doganore me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave, në atë mënyrë që duke bashkëpunuar me tani të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq, Ana Vasoviq Baraç, Izet Uskoviq dhe Dragan Radojeviq, në cilësinë e personave zyrtarë në Policinë e Kosovës në SPMK-Leposaviq, me ç’rast kanë përfituar shuma të konsiderueshme të parave dhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq se kanë kryer veprën penale “Kontrabandë me mallra”.

Sipas dispozitivit të tretë të kësaj aktakuze, Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq akuzohen se që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, me qëllim të kalimit të mallrave kontrabandë nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, u kanë dhënë shuma të parave apo përfitim tjetër personave zyrtarë-policëve të SPMK në Leposaviq, në mënyrë që personat zyrtarë të veprojnë ose të mos veprojnë në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare, ku me të njëjtit janë dakorduar që me rastin e kalimit të mallrave të paguajnë shuma të parave sipas tarifave të përcaktuara për çdo automjet, dhe atë nga 20 euro për vetura të vogla, 30-50 euro për furgona dhe 100-150 për çdo kamion, që këto shuma të parave i kanë paguar tek zyrtarët policorë, por edhe i kanë lënë nëpër vende të caktuara si tek pompa e derivateve “Cekaliç”, dyqani “Te Mira”, si dhe në veturën e tani të pandehurit Millan Jovanoviq-Llaki, ku pas hetimit nga ana e policisë edhe janë arrestuar.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq se kanë kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”. /BetimipërDrejtësi