Gjykimi ndaj noterit që akuzohet se shpalli trashëgimtar nipin e jo fëmijët e trashëgimlënësit, dëshmitari thotë se s’ka dhënë nënshkrim

Raporton: Nuraje BLLACA

Prishtinë- Në gjykimin ndaj noterit Sinan Visoka i cili po akuzohet për keqpërdorim detyre, pasi që dyshohet se kishte shpallur trashëgimtar nipin e jo fëmijët e trashëgimlënësit, është dëgjuar dëshmitari Riza Mustafa, i cili tha se nuk ka dhënë nënshkrim që toka e babait të tij, të kalonte tek nipi i tij, tani i akuzuari Lirim Mustafa.

Dëshmitari Mustafa ka thënë se të akuzuarin Lirim Mustafa e ka djalë të vëllait dhe se i njëjti nuk kishte dhënë kurrfarë nënshkrimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht ai sqaroi se babai i tij i ndjerë ka pasur katër djem dhe një vajzë, atë, Shefkiun, Azemin, Skenderin dhe Naxhijen dhe se i njëjti ka pasur patundshmëri në vendin e quajtur Obrançë në Komunën e Podujevës.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Dulina Hamiti, dëshmitari Riza Mustafa tha se prona kontestuese ka qenë në emër të babait të tij dhe ai nuk kishte pasur njohuri për  shqyrtimin e trashëgimisë dhe bartjen e kësaj prone derisa i kishte treguar djali i vëllait, Gazmendi.

Tutje, ai sqaroi se Lirimi është djali i Shefkiut, i cili ka edhe tre djem të tjerë, Gazmendin, Armendin dhe Blerimin.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësueses së palës së dëmtuar, avokates Saranda Keqekolla, dëshmitari tha se kjo pronë pa letra i ishte ndarë Shefkiut, duke shtuar se me letra nuk ishin ndarë asnjëherë.

Kurse, kur e njëjta e pyeti dëshmitarin për raportet që kanë mes vete djemtë e Shefkiut, kryetarja e trupit gjykues Shpresa Hasaj-Hyseni ia refuzoi pyetjen duke thënë se raportet familjare nuk janë objekt shqyrtimi i kësaj aktakuze.

Tutje, dëshmitari duke u përgjigjur në pyetjet e avokates Keqekolla tha se nuk kishte qenë në dijeni për këtë bartje prone dhe se nuk e kishte ditur as motivin por që për këtë i kishte pyetur edhe vëllezërit e tjerë, por që sipas tij as ata nuk kishin pasur njohuri.

Ndërkaq, kur është pyetur nëse ka folur me Lirimin për të marrë ndonjë përgjigje, ai tha se ‘ata nuk flasin me neve, Lirimi dhe Armendi, personalisht me mua’.

I pyetur nga avokati Albert Haliti, si mbrojtës me autorizim zëvendësues i të akuzuarit Visoka, dëshmitari Riza Mustafa tha se qëndron deklarata e tij e dhënë në polici më 30 qershor 2020 se në atë kohë kishte pasur njohuri se Lirimi sipas tij e kishte bërë bartjen në bashkëpunim me noterin pa i treguar askujt.

Në vazhdim, dëshmitari u përgjigj në pyetjet e avokatit Arsim Bilalli, si mbrojtës i të akuzuarit Lirim Mustafa.

Dëshmitari tha se ‘me llaf e këna, ba ama me letra s’jena nda’, ndonëse e pranoi se kur është bërë kjo ndarje, kurse theksoi prona prej 993 m2 i ka takuar Shefkiut, ashtu siç e ka deklaruar edhe në polici më 30 qershor 2020.

Avokati Bilalli kërkoi konfirmim edhe në deklarimin e tij në polici për deklaratën ‘jo nuk kam asnjë pretendim, sepse prona ka qenë e vëllait dhe ju takon djemve të tij’, ku dëshmitari Riza tha që se është e vërtetë por se ndihet i dëmtuar sepse shtëpia në atë pronë është ndërtuar bashkë me vëllezërit dhe se njëri nga lokalet në atë shtëpi sipas tij, i takon të njëjtit.

Ai shtoi se shtëpia ka qenë tre kate, duke përfshirë bodrumin, lokalet dhe shtëpinë lart, ku kur avokati Bilalli i prezantoi një foto, ai e pohoi se ajo është shtëpi e ndërtuar bashkërisht, duke shtuar se tani është shtuar edhe kati i katërt nga djemtë e vëllait.

Dëshmitari Riza Mustafa i është përgjigjur edhe anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Alban Ajvazi, e që tha se nuk ka shkuar tek djemtë e vëllait kur kanë filluar ndryshimet në shtëpi, sepse sipas tij lokali është ende pa ndryshime.

Ai tha se me dijeninë e tij askush nuk e shfrytëzon atë shtëpi, ndonëse secili vëlla ka nga një kat, e që kur u pyet nga gjykatësi Ajvazi se ‘ku mbet lokali yt tash, pse nuk u interesove’, ai tha se është tek ata që e kanë uzurpua,r duke përmendur emrat e Lirimit dhe Armendit.

Në këtë rast, gjykatësi Ajvazi e pyeti se sipas tij a i bie që kati i katërt është uzurpuar, duke ia paraqitur një foto të shtëpisë e që sërish dëshmitari pohoi se është shtëpia në pronën kontestuese.

Sërish gjykatësi Ajvazi i tha dëshmitarit që deklarimi i rremë është vepër penale, shtëpia në foton e kaluar është e ndryshme nga kjo tani, duke shtuar se nuk po e tregon të vërtetën.

Për këtë, dëshmitari Riza tha që ajo është shtëpia që kishte ndërtuar ai, kurse fotoja e fundit është shtëpia me ndryshimet e bëra.

Kurse, i pyetur për një shenjë të vendosur në shtëpi, e cila lexon Gaz-Med, dëshmitari tha se nuk e kishte vërejtur, por që nipi i tij Gazmendi e kishte njoftuar se punon me produkte medicinale, duke shtuar se nuk ka njohuri se cili kat i takon Gazmendit.

I njëjti e përsëriti se ka pretendim në lokal, por që nuk dëshiron të hapë procedurë pa biseduar fillimisht me djemtë e vëllait të tij.

I pyetur nga gjykatësja Hasaj-Hyseni, nëse e ka njoftuar Gazmendi si i ka dhënë autorizim Lirimit për të shkuar tek noteri, ai tha se nuk e di.

Para përfundimit të kësaj seance, avokati Bilalli kërkoi ballafaqimin e dëshmitarit Riza Mustafa me Gazmend Mustafa, pasi që ky i fundit kishte thënë se nuk ushtron asnjë aktivitet biznesor, ndërkaq në seancën e sotme Riza Mustafa ka thënë se ai merret me biznesin e produkteve medicinale.

Këtë propozim e ka kundërshtuar prokurorja Hamiti dhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Keqekolla, me arsyetimin se kjo nuk është objekt i akuzës, kurse gjykatësja Hasaj Hyseni tha se lidhur me këtë propozim do të vendos pas dëgjimit të të gjithë dëshmitarëve.

Ndryshe, në këtë seancë ka munguar dëshmitarja Naxhije Demiri, pasi sipas gjykatës është ftuar me mbiemër gabimisht dhe se e njëjta për seancën e radhës do të ftohet me ftesë të rregullt.

Seanca e radhës është caktuar për 16 shtator 2022, ku  pritet të dëgjohet edhe Azem Mustafa.

Sipas aktakuzës së ngritur me 30 tetor 2020, i akuzuari Sinan Visoka në cilësinë e noterit më 15 shkurt 2016, në zyrën e tij në rrugën “Lordi Bajron”, në Podujevë, kishte përpiluar aktvendim mbi shqyrtimin e trashëgimisë pa prezencën e trashëgimtarëve ligjor Gazmend, Blerim, Skender, Azem, Rizah Mustafa dhe Nexhije Demiri, të trashëgimlënësit Rexhep Mustafa.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Visoka kishte shpallë trashëgimtar ligjor të akuzuarin Lirim Mustafa, nip i të ndjerit Rexhep Mustafa për ngastrën kadastrale në sipërfaqe 993 m2, duke ia mohuar të drejtën e trashëgimisë ligjor të dëmtuarve, të cilëve iu kishte shkaktuar edhe dëm pasuror.

Ndërsa, i akuzuari Lirim Mustafa thuhet se me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, në mënyrë mashtruese dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, iu kishte shkaktuar dëm pasuror të dëmtuarve, të cilin i akuzuari Visoka e kishte shpallur trashëgimtar.

Pas këtyre, dy të akuzuarit më 15 shkurt 2016, e kishin vënë në lajthim Drejtorinë për Kadastër të Komunës së Prishtinës, e cila e kishte nxjerrë aktvendim, me të cilin e kishte aprovuar kërkesën e të akuzuarit Lirim Mustafa, ku paluajtshmëria në sipërfaqe prej 993 m2, kishte kaluar në emër të tij.

Për këto veprime, Visoka po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe në bashkëkryerje më të akuzuarin Lirim Mustafa edhe për veprën penale “Mashtrimi”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë