Gjykimi ndaj Nenad Rikalos e të tjerëve, drejtori i DMP-së thotë se fillimisht edhe ai ishte i dyshuar për këtë rast

Raporton: Lavdim MAKSHANA

Prishtinë – Në gjykimin për korrupsion ndaj ish-ministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Nenad Rikalo dhe shtatë zyrtarëve tjerë, drejtori i Drejtorisë për Miratimin e Projekteve (DMP) në këtë ministri, Nehat Veliu ka thënë se për këtë rast, në maj të vitit 2019, ka dhënë një deklaratë në prokurori në cilësinë e të dyshuarit.

Një deklarim të tillë Veliu e ka bërë në seancën e së mërkurës, në rastin ku ishministri Rikalo, sekretari i përgjithshëm i MBPZHR-së, Kapllan Halimi dhe gjashtë zyrtarëve tjerë, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, po akuzohen se në bashkëveprim, u kanë mundësuar përfitim të grandeve në mënyrë të kundërligjshëm disa kompanive, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, dëshmitari Nehat Veliu ka deklaruar se kriteret e aplikimit kanë qenë të përcaktuara me një udhëzim administrativ, i cili sipas tij ka përcaktuar kriteret e aplikimit.

Ai tha se në bazë të nenit 26 të këtij udhëzimi, është nënkuptuar se kanë pasur të drejtë të aplikojnë kompanitë si partnerë, e që sipas tij është një lloj konzorciumi i përbashkët.

“Te neni 26 i këtij udhëzimi janë përcaktuar kriteret e përbashkëta të pranueshmërisë, konkretisht paragrafi 3 sqaron se nëse një aplikacion dorëzohet nga një grup i korporatave. Kërkesat minimale aplikohen për tërë grupin si tërësi dhe kompanitë operative kanë te drejtë t’i përdorin referencat e njëra tjetrës dhe kjo nënkupton se këto kompani kanë pasur të drejtë të aplikojnë si partner, që është një lloj konzerciumi i përbashkët që e kanë cek edhe ne aplikacion”, deklaroi ai.

Dëshmitari Veliu ka shtuar se trajtimi i konzerciumeve nga ana e tij nuk është bërë, pasi tha se nuk ka pasur të drejtë të merrte pjesë.

Sipas tij, që nga momenti i kontrollit administrativ, vlerësimit, kontrollit në terren e deri te miratimi janë bërë nga grupi punues, për të cilin grup tha se nuk ka paraqitur probleme lidhur me këtë raport.

I njëjti shtoi se pasi nuk janë paraqitur probleme lidhur me këto raporte të vlerësimit, në fund është bërë aprovimi nga ana e tij.

Lidhur me pjesëmarrësit që kanë aplikuar si konzerciume, se si ishte bindur dëshmitari se ato kanë aplikuar si konzerciume, ai ka sqaruar se këtë e kishte parë në bazë të udhëzimeve administrative si dhe vet subjektet kishin deklaruar se kanë qenë një lloj konzorciumi.

Tutjje. Veliu tha se për programin në fjalë ka qenë një auditim i një auditori të jashtëm, për të cilin tha se nuk e ka parë por që ka qenë në dijeni.

Drejtori i Drejtorisë për Miratimin e Projekteve në MBPZHR tha se i kujtohet se më 8 maj 2019 ka dhënë një deklaratë në prokurori në cilësinë e të dyshuarit.

Prokurorja Habibe Salihu e ka pyetur dëshmitarin nëse qëndron pranë deklartaës së dhënë në prokurori, mirëpo një pyetje e tillë është refuzuar nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Mentor Bajraktari. Kjo me arsyetim se kanë qenë tjera rrethana kur dëshmitari është marrë në pyetje në prokruori.

Për pyetjen e prokurores kanë reaguar edhe mbrojtësit e të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, dëshmitari ka deklaruar se si AZHB-ja janë vetëm implementues të programeve. Ai ka theksuar se të gjitha aktet nënligjore janë të bazuara në Ligjin për Bujqësi.

Veliu ka thënë se ekipi vlerësues nuk ka paraqitur vërejtje për as një fazë të projektit dhe se sipas tij, gjithçka ka rezultuar në rregull për atë periudhë, në bazë të raportit të vlerësimit dhe raportit të inspektoratit.

Në fund, duke u përgjigjur në pyetjet e gjykatësit Bajraktari, dëshmitari Veliu ka thënë se si Agjenci merren edhe me përgatitjen e programeve, përveç implementimit të tyre.

Pas dëgjimit të tij, në seancën e radhës që është caktuar për 26 tetor 2021, në cilësi të dëshmitarit pritet të dëgjohet zyrtari kryesor financiar në i MBPZHR, për të cilin gjykatësi Bajraktari tha se do ta verifikoj emrin e tij dhe do ta ftoj me ftesë të rregullt.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” në janar 2021 ka raportuar për konfirmimin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) ndaj Nenad Rikalos dhe të tjerëve nga Gjykata e Apelit. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë më vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë