Gjykimi ndaj Naser Kelmendit vazhdon me leximin e deklaratave të dëshmitarëve

Raporton: Nuraje BLLACA

(Përditësuar, ora 16:07) – Në sesionin e pasdites, seanca e së mërkurës në rigjykimin ndaj Naser Kelmendit, i akuzuar për trafikim me narkotik ka vazhduar me leximin e deklaratave të dëshmitarëve, të dhëna në shqyrtimin e kaluar.

Fillimisht u lexua deklarata e dëshmitarit Mit’hat Koqo, e 8 dhjetorit 2016 nga kryetarja e trupit gjykues Suzana Çerkini, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Çerkini lexoi tërë deklaratën e tij përveç pjesës që ka qenë e mbyllur për publikun dhe pjesën e deklaratës që kishte të bënte me vrasjen e Ramiz Delaliqit, me arsyetimin se nuk është relevante për çështjen.

Lidhur me këtë deklaratë, prokurorja speciale Merita Bina-Rugova dhe mbrojtësi i të akuzuarit Kelmendi, avokati Besnik Berisha nuk patën ndonjë vërejtje.

Mirëpo, avokati Berisha sqaroi idenë se pse ishte propozuar të dëgjohej dëshmitari Mit’hat Koqo.

“Ideja e propozimit të dëshmitarit Mit’hat është për shkak se pretendimet e K1 kanë qenë njohje e gjatë mes tij dhe Naser Kelmendit, ndërkohë që me dëshminë e tij dhe provave të tjera që gjykata ia ka falë besimin, është konfirmuar se tek në vitin 2008-2009 kur ishte përgatitur një atentat ndaj Naserit dhe familjes së tij, nga grupi i kryekriminelit të Bosnjës Zijav Turkoviq, pjesë e të cilit ishte edhe dëshmitari K1. E kjo është provuar deri në Gjykatën Kushtetuese në Bosnje, se s’ka dyshim që K1 ka varrosur njerëz të gjallë në emër të grupit të Turkoviqit. Kështu që, njohja e Naserit dhe tij ka qenë dita e parë kur ky ka thirrur Mit’hatin, pra K1, se  po përgatitet një atentat ndaj Naserit’’, tha avokati Berisha.

Sipas tij, të gjitha rrethanat që i ka dëshmuar ky dëshmitar e që janë të pranuara nga gjykata e shkallës së parë dhe i ka konfirmuar edhe Gjykata e Apelit, janë ato rrethana sipas Berishës, që gjykata e Apelit thotë se duhet me i marrë në konsideratë në rastin e vlerësimit të kredibilitetit të dëshmitarit K1 dhe K2.

Tutje, është vazhduar të lexohet edhe deklarata e dëshmitares Margareta Hoxhiq, e 31 janarit 2017, e cila u ndërpre për të vazhduar në seancën e radhës.

Seanca e paraparë për 19 maj 2022 është anuluar me kërkesë të mbrojtjes për rrethana personale të akuzuarit Kelmendi.

‘Dje në orët e pasdites ka humbur djalin e motës së tij dhe si daja i vetëm, natyrisht i mërzitur pa fund e ka të pamundur mos të jetë në ngushëllime familjare, e që duhet t’i qëndrojë afër motrës në këto momente të vështira familjare. Edhe pse kishim arsye njerëzore dhe ligjore mos me qenë këtu, në mënyrë që mos të vinte një njoftim në çastet e fundit, Naseri u torturua të jetë këtu me trup e me mendje diku tjetër, në mënyrë që të vazhdohet sado pak me këtë çështje, andaj kërkoj mirëkuptimin e gjykatës për anulimin e seancës së nesërme”, tha avokati Berisha.

Propozimi i tillë u aprovua nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Çerkini, ashtu që seancat e radhës për këtë çështje penale u caktuan për 5 dhe 6 korrik 2022.

 

Gjykimi ndaj Naser Kelmendit, kërkohet të shpallet i kundërligjshëm urdhri për shpalljen e dëshmitarit K1 si dëshmitar bashkëpunues

Prishtinë – Avokati Besnik Berisha, si mbrojtës i të akuzuarit Naser Kelmendi, i akuzuar për trafikim me narkotik, në seancën e së mërkurës ka kërkuar që urdhri për shpalljen e dëshmitarit K1 si dëshmitar bashkëpunues të shpallet i kundërligjshëm.

“Meqë është fakt notor për bindjen tonë se dëshmitë e dëshmitarit K1 mbështeten në një urdhër të kundërligjshëm, kërkesa jonë është të shpallet urdhri si provë e papranueshme së  bashku me të gjitha dëshmitë e siguruara të dëshmitarit K1 që derivojnë nga data e shpalljes së vendimit në mënyrë të kundërligjshme”, ka thënë avokati Berisha.

Këtë kërkesë, e ka kundërshtuar prokurorja speciale Merita Bina-Rugova duke thënë se këtë kërkesë mbrojta ka pasur mundësi ta parashtronte gjatë shqyrtimit të mëparshëm.

Ndërsa, është refuzuar nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Suzana Çerkini, me arsyetimin se aktakuza e 4 korrikut 2013 është e ngritur vetëm kundër të akuzuarit Naser Kelmendi, jo edhe të akuzuarve të tjerë që kanë qenë të dyshuar në këtë çështje penale, siç është rasti i dëshmitarit K1, K2 apo të tjerë.

Rrjedhimisht, gjykatësja Çerkini ka aprovuar propozimi i prokurores Bina-Rugova, që të lexohen deklaratat e dëshmitarit K1 të dhëna në shqyrtimin e mëparshëm gjyqësor, duke thënë se trupi gjykues do të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë këtyre provave sërish para marrjes së vendimit përfundimtar në këtë çështje penale.

Paraprakisht, prokurorja Bina-Rugova ka propozuar që deklaratat e këtij dëshmitari të lexohen që nga faza e hetimeve, por këtë e ka kundërshtuar avokati Berisha duke thënë se deklarata e dëshmitarit K1 në hetuesi dhe gjitha dëshmitë e tij deri në shpalljen dëshmitar bashkëpunues, janë shpallur prova të papranueshme, andaj e njëjta në vazhdim ka precizuar propozimin e saj.

Po ashtu, në fillim të kësaj seance, avokati Berisha ka kërkuar që administrohen si provë edhe shënimi zyrtar i ish-kryetares së trupit gjykues lidhur me vizitën e saj dhe komunikimin me dëshmitarin bashkëpunues, kërkesa e prokurorit drejtuar njësisë së mbrojtës së dëshmitarëve dhe përgjigja e këtij institucioni dërguar gjykatës e përcjellë tek palët si dhe korrespodenca në mes të prokurorisë, hetuesve të krimit të organizuar dhe zyrtarëve policorë të Malit të Zi, duke i konsideruar si prova të domosdoshme për një vendim të drejtë.

Në vazhdim, prokurorja Bina-Rugova është pajtuar që të konsiderohen të lexuara deklaratat e dëshmitarëve të tjerë, kurse avokati Berisha ka kërkuar që dëshmitarët që janë të arritshëm në Kosovë, të ftohen dhe të dëgjohen në këtë shqyrtim.

Kurse, lidhur me deklaratat e tjera të dëshmitarëve, avokati Berisha nuk është pajtuar që të konsiderohen të lexuara, por ka kërkuar që  të lexohen një nga një.

Andaj, meqë për këtë çështje nuk ekzistoi pajtimi i mbrojtësit të të akuzuarit Kelmendi, avokatit Berisha, kryetarja e trupi gjykues, gjykatësja Çerkini e revokoi aktvendimin e 28 marsit 2022 lidhur me refuzimin e propozimit të mbrojtjes për dëgjimin e këtyre dëshmitarëve, duke thënë se të njëjtit tani e tutje gjykata do të provojë t’i ftojë në seancat e radhës.

Seanca pritet të vazhdojë në sesionin e pasditës me leximin e deklaratave të dëshmitarëve në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 1 shkurt 2018, kishte shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarit Naser Kelmendi, i cili akuzohej për disa vepra penale. Kelmendi ishte dënuar me gjashtë vjet burgim, vetëm për pikën 8 të aktakuzës, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale për trafikim me narkotikë.

Ndërsa, ishte shpallur i pafajshëm për veprat tjera penale që lidhen me vrasjen e Ramiz Delaliqit, për krim të organizuar si dhe për pikat tjera të aktakuzës, që lidhen me shitjen dhe prodhimin e substancave narkotike.

Në arsyetimin e këtij aktgjykimi, kryetarja e trupit gjykues, Anna Adamska Galant, kishte thënë se gjykata kishte vendosur ta lirojë nga këto pika, pasi nuk është provuar se Naser Kelmendi ka kryer këto vepra penale. Sipas saj, gjykata kishte vlerësuar se nuk kishte prova për të mbështetur akuzën për vrasje.

Në dënimin e shqiptuar, atij i ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa ishte obliguar që t’i paguajë shpenzimet procedurale pjesërisht në vlerë prej 5 mijë euro.

Gjykata kishte vendosur ta caktojë edhe masën e paraburgimit ndaj tashmë të dënuarit Kelmendi, pasi sipas saj, dënimi është mbi pesë vjet.

Prokuroria kishte ngritur aktakuzë në korrik të vitit 2014, kundër Naser Kelmendit, të cilin e ngarkonte me 9 pika të aktakuzës.

Kelmendi, i cili është gjykuar nga një trup gjykues me shumicë të gjyqtarëve të EULEX-it, ishte arrestuar në maj të vitit 2013, ndërsa nga ajo kohë kishte qëndruar në paraburgim deri më 28 shkurt të viti 2017, kur iu zëvendësua kjo masë me atë të arrestit shtëpiak.

Më pas, Gjykata e Apelit e kishte kthyer prapë në paraburgim, ndërsa më 17 mars të vitit 2017, ishte liruar nga paraburgimi përsëri nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ndaj këtij vendimi ishte ankuar prokurori, ndërsa Gjykata e Apelit e kishte miratuar ankesën e tij duke e kthyer në paraburgim prapë të akuzuarin Kelmendi.

Më vonë, Kelmendi, në qershor të vitit 2017, prapë është liruar nga paraburgimi për tu mbrojtur në liri, gjë që e bën edhe tani pasi që ndaj tij, nuk ka të caktuar ndonjë masë për sigurimin e prezencës së tij në gjykatë, pasi që u është përgjigjur rregullisht ftesave të gjykatës.

Prokuroria Speciale, Naser Kelmendin e ka ngarkuar me veprat penale: krim i organizuar, vrasje e rëndë, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim i paautorizuar i narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike, të përmbledhura në 9 pika të aktakuzës.

Prokuroria pretendonte se Kelmendi në bashkëkryerje me Fahrudin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Milovan Jeremiqin, Lubisha Buhan “Çume”, Milan Ostojiqin, “Sandokanin”, Naser Oriqin, Senad Sahinpasiqin, Nebojsha Vukomanoviqin, Raseta Stranjan, Benjamin Halimoviqin, Edin Ahmetshahiqin dhe të tjerë, ka organizuar, formuar, mbikëqyrur, udhëhequr dhe apo drejtuar grupin kriminal të organizuar dhe të strukturuar, apo ka marrë pjesë aktivisht në këtë grup të organizuar kriminal që kanë kontribuar në kryerjen e krimeve të rënda, e që veçohet vrasja e “kryegangsterit rival” Ramiz Delaliq- “Çelo”, në vitin 2007.

Për vrasjen e Delaliqit, sipas prokurorisë, Naser Kelmendi, në vitin 2006, ka bërë një sërë takimesh në Sarajevë, me Fahredin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Senad Sahipasiqin, Naser Oriqin dhe me të tjerë, për  të planifikuar dhe për të bërë komplotin dhe për të vrarë, Ramiz Delaliq.

Prokuroria pretendonte se si rezultat i këtyre takimeve të organizuara, Naser Kelmendi është ofruar dhe ka pranuar përgjegjësi për të identifikuar dhe punësuar varësit që do të kryenin vrasjen e Ramiz Delaliqit, për kryerjen e kësaj vrasje prokuroria ka thënë se Kelmendi ka angazhuar me pagesë Strahinja Raseta dhe Nebojsha Vukomanoviq nga Serbia, për të vrarë Ramiz Delaliqin, më 27 qershor 2007 në Sarajevë rreth orës 23:30.

Tutje, sipas aktakuzës, së paku nga viti 2000 deri në 2012, Naser Kelmendi si kreu dhe drejtuesi i grupit të gjerë kriminal të strukturuar dhe të organizuar, ka menaxhuar dhe drejtuar blerjen, përgatitjen, transportin, shitjen dhe shpërndarjen e një sasie të madhe heroine, ekstazie, spind dhe droga të tjera, nëpërmjet një rrjeti të organizuar kriminal të themeluar mirë, që përfshinte dëshmitarin K1- përgjegjës për menaxhimin dhe përzierjen e narkotikëve për Naser Kelmendin, K2, i cili ka udhëhequr dërgesat ndërmjet Turqisë, rajonit të Ballkanit dhe Holandës, K3-shpërndarës i drogës në Beograd, Liridon Kelmendin, menaxher i shpërndarjes së drogës për në Serbi dhe për në vendet tjera evropiane, Mehanoviq Haris – vozitës dhe truprojë, Sead Akeliq – vozitës, Zelko Boziq – automekanik, i cili krijonte hapësira të fshehta në automjete për drogat, Hakija Kreliq që mbante kontakte në Turqi, Ilir Kastrati – që mbante kontakte në Turqi, Asmir Kalac – koordinator i dërgesave të drogës, dhe të tjerë.

Prokuroria pretendon se përmes rrugëve të koordinuara mirë për trafikimin e narkotikëve, dërgesave të mëdha me ekstazi janë marrë nga Holanda dhe janë transportuar për në Bosnjë- Hercegovinë dhe Kosovë, ku janë ripaketuar dhe transportuar më tej për në Stamboll dhe Droga e marrë në Stamboll u transportua përsëri përmes Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës dhe më pas u dërgua dhe iu shit tregtarëve dhe shpërndarësve në të gjithë Evropën.

Naser Kelmendi po akuzohet se në bashkëkryerje me Kl, K2, K3, Liridon Kelmendi, Haris Mehanovic, Sead Akeljic, Zeljko  Bozic, Hakija  Krlic, Iljier Kastrati, Asm_jr Kalac dhe të tjerët pa autorizim, kanë kultivuar, prodhuar, përpunuan ose përgatiten substance, të deklaruara si droga të rrezikshme narkotike me qëllim të shitjes, shpërndarjes ose ofrimit të tyre për shitje. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë