Gjykimi ndaj Lavdim Krasniqit e të tjerëve, dëshmitari thotë se dikush do të jap llogari për shpalljen si provë të papranueshme të video-incizimit nga gjykata

Raporton: Anesa HOXHA

Prishtinë – Bashkim Mulloli, dëshmitari bashkëpunues i cili ka edhe cilësinë e të dëmtuarit në gjykimin për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi, dhe tre të akuzuarve tjerë, Ardian Krasniqi, Marigonë Berisha dhe Flora Doda ka thënë se për video-incizimin e shpallur të papranueshme nga gjykata në këtë rast, dikush do të jap llogari.

Një deklarim të tillë, dëshmitari e ka bërë pasi që kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi ka pyetur atë nëse përgjigjet që po ia jepte prokurorit Zejnullah Gashi kishin të bënin me video-incizimin/CD-në e cila është shpallur si provë e papranueshme në këtë rast.

Fillimisht prokurori Gashi ka pyetur dëshmitarin Mulolli nëse i njëjti ishte takuar ndonjëherë me të akuzuarit Lavdim dhe Marigonë, për të cilën dëshmitari është përgjigjur se ishte takuar me të njëjtit dhe se në prezencë me të kishin qenë edhe përfaqësuesit e Ambasadës së Amerikës dhe zyrtarët e Policisë së Kosovës të cilëve tha se nuk ua dinte emrat.

“Mos është përgjigje qikjo për qato që u bo video-incizimi?. Jo nëse është ajo, ajo është shpallur provë e papranueshme, aty nuk ka takim, ajo llogaritet që nuk ka ekzistua asnjëherë”, tha gjykatësi Ajvazi.

“Jo takim ka pas po që e keni gjujt ju..”, tha dëshmitari Mulolli me ç’rast ndërhyri gjykatësi Ajvazi duke thënë “Jo se kemi gjuajt ne por ligji është ashtu”.

“Jo, qysh e ka gjujt ligji, dikush ka me kthy ato, dikush ka me pagu për ato e kush ka me pagu unë nuk e di”, tha dëshmitari.

“Ti a po e kanos gjykatën a çka”?, pyeti gjykatësi Ajvazi.

“Jo valla spe kanosi, so kanosje kjo”, replikoi dëshmitari Mulolli.

Lidhur me këtë gjykatësi Ajvazi ka obliguar prokurorin që pas përfundimit të kësaj seance të merr në deklaratë dëshmitarin bashkëpunues lidhur me fjalët që i është drejtuar i njëjti gjykatës, në të kundërtën gjykatësi Ajvazi tha se do të njoftohen edhe instancat më të larta.

Në ndërkohë prokurori Gashi ka pyetur dëshmitarin se në çfarë aspekti i ka thënë ai këto fjalë, dëshmitari është përgjigjur duke thënë se në bazë të ligjit dhe Ambasadës Amerikane.

Ai ka thënë se do të merr në deklaratë dëshmitarin bashkëpunues si dhe ka kërkuar nga gjykata që në procesverbal të konstatohet edhe përgjigja e dëshmitarit e dhënë paraprakisht.

“Patjetër se do ta marrë vetëm konstatohet atë se dëshmitari tha në bazë të ligjit dhe Ambasadës Amerikane”, tha ai.

Fillimisht, dëshmitari bashkëpunues duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të akuzuarit Ardian Krasniqi, avokatit Alban Makolli ka deklaruar se i akuzuari Ardian Krasniqi ia kishte kthyer lëndën në rigjykim nga Gjykata Supreme.

Dëshmitari bashkëpunues ka thënë se atë ditë e kishte lutur të akuzuarin Ardian të merrte shumën prej 5000 mijë euro, por i njëjti nuk ka pranuar pasi që i kishte thënë se këtë punë e ka kryer pa interes.

Ndërsa, për shumën prej 15 mijë eurove të cilën dëshmitari kishte deklaruar se ia kishte dhënë të akuzuarit Ardian para lidhjes së kontratës për shitblerjen e  veturës, ai tha se kishte dëshmi që ka poseduar këto para dhe se për të njëjtat edhe kishte marrë kredi.

“Po more kom marrë kredit, dhe se kom pagu hala, e kom te përmbaruesi lëndën. Po more kom dëshmi plotë, mirëpo nuk kom mujt mi kthy kamerat, jena munu mi kthy po s’kemi mujt që ka ardh te lokali mi marrë”, tha ai.

Ndërsa në pyetjen e avokatit Makolli “Ju ndër të tjera keni deklaruar se Ardianit nuk i keni besuar, si është e mundur që ju të ja jepni një shumë kaq të madhe parash prej 15mijë euro një personi të cilit nuk i besoni”, gjykatësi ka tërhequr vërejtjen dëshmitarit pasi që i njëjti ka përdorë gjuhë fyese.

“KTGJ tërheq vërejtjen pasi i njëjti shanë gjatë gjykimit dhe sillet në mënyrë jo korrekte me palët në procedurë, gjithashtu KTGJ kërkon nga pro që edhe njëherë të ja kujtoj të drejtat dhe obligimet që rrjedhin nga mosdëshmia apo sjellja arrogante në shqyrtim gjyqësor”, tha gjykatësi Ajvazi.

Tutje, dëshmitari ka deklaruar se kishte qenë i varur nga i akuzuari Ardian dhe se nuk ka pasur mundësi tjetër vetëm se të lidhte kontratën për shitblerje të veturës dhe pse i njëjti ishte në njohuri se po i bënin dallavere.

“Jom kon i varun prej tij s  e kom pas punën qysh e kom pas, për qata, skom pas qare këta më kanë mbajt në duar”, tha ai.

I pyetur se pse nuk e kishte lajmëruar rastin në polici i njëjti para se të lidhej kontrata për shitblerjen e veturës, dëshmitari bashkëpunues u përgjigj “u kon tu ma kry punën mirë, qysh më ka thonë”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gjykatësit Ajvazi, dëshmitari tha se ishte e saktë ajo që kur ishte takuar me të akuzuarin Ardiani, i njëjti i kishte thënë që për dy-tri ditë do ta njoftonte se a mund të kryente punë për lëndën e tij në Gjykatën Supreme.

Më pas dëshmitari ka thënë se pasi që i akuzuari Ardian nuk ishte lajmëruar për tri ditë ai e kishte thirr dhe se i njëjti i kishte thënë që kishte lajme të mira për të.

Ndryshe në fillim të seancës prokurori Zejnullahu ua ka dorëzuar mbrojtjes vendimin që është shpallë dëshmitarë bashkëpunues Bashkim Mulolli.

Gjithashtu në këtë seancë gjykatësi Ajvazi ka lejuar prokurorinë që pas marrjes në pyetje nga mbrojtja t’i parashtroj pyetje të drejtpërdrejta dëshmitarit duke shtuar se kjo e drejtë do ti jepet edhe mbrojtjes dhe të pandehurve krejt kjo me qëllim të zbardhjes së rastit.

Ndryshe, shqyrtimi fillestar në këtë rast është mbajtur më 6 tetor 2021, ku të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë më 25 nëntor 2021 kishte aprovuar pjesërisht kërkesat e mbrojtësve të akuzuarve Lavdim Krasniqi e Marigonë Berisha duke hudhur poshtë dy pika të aktakuzës ndaj Krasniqit me të cilat ngarkohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe Berishës për veprën penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” si dhe ka shpallur të papranueshme si provë një CD dhe transkriptimin e saj.

Kurse, ajo ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Lavdim Krasniqit për hudhje të aktakuzës lidhur me veprën penale “ushtrim ndikimi” dhe “mosraportim ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Tutje, ka lënë në fuqi aktakuzën ndaj Ardian Krasniqit për veprat penale në vazhdimësi dhe bashkëkryerje “ushtrim ndikimi”, veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Për Marigonë Berishën, ka mbetur në fuqi pika e akuzës ku ngarkohet për “Falsifikim të dokumenteve”. Ndërsa, për Flora Dodën, vepra penale për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Mirëpo Gjykata e Apelit më 4 shkurt 2022 ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë, me ç’rast ka vendosur që Lavdim Krasniqi të gjykohet edhe për dy pikat e aktakuzës për korrupsion. Ndërsa ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë që CD të shpallet si provë e papranueshme.

Gjithashtu, Apeli ka anuluar vendimin e shkallës së parë edhe sa i përket të akuzuarës Marigona Berishës për veprën penale “Blerja, posedimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” dhe çështjen e ka kthyer në rishqyrtim dhe rivendosje në shkallën e parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Lavdim Krasniqi në cilësinë e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial (KPK) dhe Ardian Krasniqi në cilësinë e shoferit të tij personal akuzohen se nga janari i vitit 2018 e deri në fund të vitit 2019, në bashkëkryerje, në vazhdimësi, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, kanë kërkuar dhe pranuar të holla dhe dhurata për vete dhe për tjetrin nga Bashkim Mulolli.

Siç thuhet në aktakuzë, përmes të akuzuarit Ardian Krasniqi disa herë të njëjtit kanë pranuar të holla, duke arritur shifrën prej 40 mijë euro, si dhe dhuratë, një veturë në vlerë prej 25 mijë euro, për asistenten e të akuzuarit Lavdim Krasniqi, të akuzuarën Marigonë Berisha.

E që këto përfitime sipas aktakuzës, janë pranuar nga të lartcekurit duke premtuar se do të ushtrojnë ndikimin e tyre mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, në Kolegjin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, për uljen e dënimit, sipas Kërkesës për Mbrojtje të ligjshmërisë, për të dënuarin Bashkim Mulolli, si dhe të shtyhet ekzekutimi i dënimit për te njëjtin.

Me këto veprime prokuroria i ngarkon ata se në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.

Tutje, prokuroria i ngarkon Marigonë Berishën dhe Ardian Krasniqi se veç e veç kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.

Sipas aktit akuzues, e akuzuara Berisha më 16 dhjetor 2019 kishte falsifikuar dokumentin më të cilin ajo pretendonte se në zyrën e noterit Safadin Blakaj i ka paguar Bashkim Mulollit shumën prej 8 mijë e 400 euro dhe dënimet kundërvajtëse në vlerë 600 euro, e që më pas është konstatuar se nënshkrimi i Mulollit në këtë dokument nuk është i tij.

Ndërsa, Ardian Krasniqi po akuzohet se më 19 gusht 2020 kishte falsifikuar testin e COVID-it me të dhënat e Bashkim Mulollit, se kinse ky i fundit kishte rezultuar pozitiv, më të cilin test do t’i mundësohej të njëjtit shtyrja e ekzekutimit të dënimit.

Aktakuza Lavdim dhe Ardian Krasniqin i ngarkon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktin akuzues thuhet se dy të akuzuarit Krasniqi, për shkak të obligimeve që kishin ndaj Bashkim Mulollit kishin keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që kishin penguar arrestimin e Albi Mulollit i cili ishte i dyshuarit për kryerjen e vrasjes se rënde në tentative, duke ia mundësuar këtij të fundit arratisjen nga Kosova për në Shqipëri më veturën zyrtare të akuzuarit Lavdim Krasniqi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Lavdim Krasniqi ngarkohet edhe për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” në bashkëkryerje me Flora Dodën, pasi që në cilësinë e personave përgjegjës kishin shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik.

Prokuroria pretendon se në muajin shkurt të vitit 2021, të akuzuarit Krasniqi dhe Doda, kanë predikuar fituesin dhe kanë diskriminuar operatorët e tjerë ekonomik, duke favorizuar operatorët ekonomik (OE) “Graniti Shpk” dhe “Solos Studios“ si dhe përkundër vendimit të Sekretariatit të KPK-së, në fillim të vitit kalendarik, i cili në kuadër planifikimit të prokurimit kontrata e KPK-së ka qenë e lidhur me OE, “Mobeland Shpk”. Të njëjtit kanë porositur dhe pranuar mobile në vlerë prej 9 mijë e 480 euro, e që pas disa ditësh është lidhur kontrata dhe janë zhvilluar procedura fiktive në kundërshtim me ligjin.

Gjithashtu, Lavdim Krasniqi akuzohet edhe për mosdeklarim të pasurisë, pasi që sipas prokurorisë, i akuzuari Krasniqi më 31 mars 2020 në deklaratën për deklarim të pasurisë nuk ka përfshirë shumën e të hollave prej 40 mijë euro, të cilat i ka pranuar nga Fitim Arifi për shitjen e banesës, si dhe të hollat në shumën prej 10 mijë euro, të cilat ia ka dhënë mikut të tij Alush Zariqi, në emër të blerjes së dy banesave.

Krejt në fund prokuroria e ngarkon Marigonë Berishën edhe për veprën penale ”Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve te përfituar me kryerjen e veprës penale”, sepse më 16 dhjetor 2019 e ka pranuar një veturë në vlerë prej 25 mijë euro nga Bashkim Mulolli edhe pse ka qenë e vetëdijshme se kjo veturë ishte fituar më vepër penale të shkaktuar nga Lavdim dhe Ardian Krasniqi. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë