Gjykimi ndaj ish-zyrtarit të MTI-së, ndalohet fotografimi e video-incizimi dhe kërkohet që dëshmitaret e i akuzuari të publikohen me iniciale

Raporton: Anesa HOXHA

Prishtinë- Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten ka ndaluar video-incizimin dhe fotografimin, në rastin ku Xh.S, ish-zyrtar i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) po akuzohet për keqpërdorim të informatës zyrtare. Po ashtu, kërkoi nga monitoruesit që emrat e të akuzuarit Xh.S dhe tri dëshmitareve nga zyra e Bashkimit Evropian, që priteshin të dëgjohen në këtë rast, A.M-K, L.G dhe M.S, të publikohen vetëm me iniciale.

Ky vendim është marrë pas propozimit të përfaqësuesit të dëshmitareve, avokatit Ibrahim Virtytaga dhe mbrojtësi të akuzuarit Xh.S, Mahmut Halimi, mirëpo gjykata nuk ka dhënë arsyetim për të, raporton ”Betimi për Drejtësi”.

Një kërkesë e tillë, sipas avokatit Ibrahimaga është bërë me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të personalitetit të tyre.

“Ato nuk dëshirojnë që në publik të asocohen në ndonjë formë në këtë procedurë penale, këtu janë për të dëshmuar sipas propozimit të prokurorisë dhe të njëjtat nuk dëshirojnë që të ekspozohen në publik me të dhënat e tyre personale ose me fotografi”, tha ai.

Këtë kërkesë e ka përkrahur edhe avokati Halimi, i cili ka kërkuar që edhe emri i të mbrojturit të tij të publikohet me iniciale dhe të mos bëhet video-incizmi.

“Por, as të akuzuarit klientit tim, për shkak se shkel në mënyrë të drejtpërdrejtë parimin e prezumimit të pafajësisë. Ne jemi duke jetuar në Kosovë dhe kemi një mentalitet të një niveli jo të dëshiruar të kulturës juridike, në momentin që shihet një në media se po akuzohet, atij praktikisht ju ka shqiptuar dënimi”, tha ai.

Propozimet në fjalë janë kundërshtuar nga prokurorja speciale Drita Hajdari, cila tha se këto përjashtime janë duke u kërkuar vetëm se dëshmitaret e propozuara nga prokuroria, vinin nga zyra e BE-së.

“Me ligj kërkohet justifikim në një mënyrë të argumentohet çfarë pasoja mund të ketë dikush nga një paraqitje e tillë në publik, e jo vetëm për një arsye se Kosova është e vogël, ajo është e vogël për të gjithë dhe po ju del edhe fotografia edhe emri si dhe të dëshmitarëve të tjerë dhe rasteve të tjera, kështu që zonjat e nderuara që punojnë në Bashkimin Evropian nuk i privilegjon për një kërkesë të tillë, sepse ato janë dëshmitare në këtë procedurë, janë të obliguara për të dëshmuar”, tha ajo.

Pas kësaj, në këtë seancë ka vazhduar me dhënin e dëshmisë së saj, dëshmitarja A.M.-K.

Gjatë përgjigjeve në pyetjet e avokatit Halimi, dëshmitarja ka thënë se informatat për kushtet dhe kriteret e kontratës së një tenderi publikohen në ueb-faqe të zyrës së BE-së me dokumentin publik të quajtur “Njoftimi mbi kontratën”, në të cilën listohen kriteret që tenderuesit duhet t’i përmbushin para se të aplikojnë.

Sipas dëshmitares, i akuzuari Xh.S në rastin konkret nuk ka pasur mundësi të ndërhyjë në ndryshimin e përmbajtjes së këtij informacioni, pasi që dokumenti pas shpalljes ka qenë publik dhe nuk ka pasur ndërhyrje.

Këto kritere të listuara ajo ka thënë se përcaktohen nga zyra e BE-së dhe se L.D si përfitues nuk ka mundur të ndryshojë kriteret e kontratës për përzgjedhjen e ekspertëve pasi që sipas saj, kontrata ishte anuluar dhe nuk ishte implementuar fare.

Lidhur me e-mailin e dërguar nga i akuzuari Xh.S drejt dëshmitares më 23 korrik 2013, në të cilin ishte kërkuar ndryshimi në listën e ekspertëve në tenderin “rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportit”, ajo ka thënë se nuk ishte bërë ky ndryshim.

Por, ka shtuar se pas anulimit të tenderit të parë dhe rishpalljes së tenderit të dytë ka pasur ndryshime të termave referuese të cilat janë bërë nga zyra  e BE-së.

Tutje i akuzuari Xh.S ka pyetur dëshmitaren se si bëhet vlerësimi i një kriteri, e që dëshmitarja ka treguar se kjo bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara dhe subjektit të projektit si dhe nevojave të projektit, duke pohuar se gjatë këtij vlerësimit është obligative të respektohen kriteret e vlerësimit.

Në pyetjen e të akuzuarit nëse dëshmitares i kujtohej bashkëpunimi me të dhe si e vlerësonte këtë bashkëpunim, dëshmitarja tha se kishte qenë bashkëpunim zyrtar dhe korrekt.

Gjatë rimarrjes në pyetje, prokurorja Hajdari ka kërkuar nga dëshmitarja arsyen e ritenderimit të tenderit në rastin konkret për herë të dytë, me këtë rast tha se kjo ka ndodhur për shkak të gabimeve në procedurën e shortlistimit të kompanive.

Dëshmitarja A.M-K, tha se i kujtohej se herën e parë këtë tender e kishte fituar kompania “Sofreco” ndërsa herën e dytë kompania “IDI”.

Sipas saj, termat e referencës nuk mund të ndryshohen në momentin kur një tender lansohet dhe është në proces të vlerësimit.

Lidhur me këtë, prokurorja Hajdari ka kërkuar sqarime nga dëshmitarja pasi që sipas saj, nga dëshmitarja kishte kundërthënie në mes të deklaratës së dhënë në gjykatë dhe atë para policisë më 21 mars 2016.

Prokurorja ia rikujtoi përgjigjen e dhënë në pyetjen e hetuesit që ia kishte bërë në polici, duke i thënë se a është e vërtetë që kushtet e referencës kanë ndryshuar nga hapja e parë tek hapja e dytë dhe siç shihet janë realizuar propozimet e Xh.S.

“Ju jeni përgjigjur: nuk më kujtohet saktë, por e di se ka pasur ndryshime tek termat e referencës si për çështje të ekspertëve ashtu edhe disa detaje tjera si p.sh është specifiku nëreferencë përpilimi i strategjive kombëtare e jo siç ka qenë për strategji parciale, etj”, tha prokurorja.

Ndërsa, iu drejtua dëshmitares se sot deklaroi që nuk ka pasur ndryshime, madje ato as që lejohen, e për këto kundërthënie, i kërkoi sqarim.

Dëshmitarja tha se në momentin kur tenderi është anuluar, anulohen të gjitha procedurat dhe projekti duhet të shkojë në ritenderim, e që kjo sipas dëshmitares llogaritet si procedurë e re tenderuese.

Tutje, prokurorja Hajdari ka thënë se në deklarimin e saj në polici dëshmitarja ishte marrë në pyetje lidhur me tenderin e parë, ku ishte i përfshirë i akuzuari Xh.S dhe se sipas saj,  asnjë pyetje nuk ka pasur nga ana e hetuesit për ritenderim.

“Madje hetuesi iu ka pyet për e-mailin e Xh.S të datës 23 korrik 2013 dhe ju ka njoftuar me përmbajtjen e e-mailit ku ai në këtë e-mail propozon ndryshime për ekspertët, pastaj në pyetjen a ishin këto sugjerime në kompetencën e Xh.S, përgjigja juaj ka qenë “Po”, tha prokurorja Hajdari.

Tutje, prokurorja shtoi se në pyetjen e radhës se a ka ndikuar propozimi i tij tek dëshmitarja, kjo e fundit ka thënë “me siguri po”.

“Këto propozime të Xh.S ju kanë prezantuar shefit tim dhe ekipit vlerësues të termave të referencës të cilët pas shqyrtimit të termeve të referencës, secili ka dhënë propozimet e tyre se cilat referenca të përfshihen në dosjet të tenderit. Mandej rrjedh ajo përgjigja që ka ardhur deri tek ndryshimi ekspertëve të referencës”, shtoi tutje prokurorja, duke cituar përgjigjen e dëshmitares.

Andaj, prokurorja ka kërkuar sqarime nga dëshmitarja se si kishte ardhur deri tek ndryshimi i kriterit për ekspert në procedurën e ritenderimit.

Por, kjo pyetje është kundërshtuar nga avokati Halimi pasi që sipas tij ishin parashtruar katër pyetje nga prokurorja dhe se në pyetjen e parë ka vërejtur që prokurorja me qëllim të  dezorientimit të dëshmitares e shtroi pyetjen se hetuesit iu kanë parashtruar pyetje vetëm lidhur me tenderin e parë, pra kur Xh.S ka qenë anëtar i komisionit.

“Ndërsa nga ajo që rezulton nga pyetja që ju referua prokurorja në faqen e fundit pasuesin e dytë, shihet fare mirë se përgjigjja e kësaj dëshmitareje ka pasur të bëjë me tenderin e dytë dhe jo me të parin”, tha ai.

I njëjti shtoi se këtë pyetje të hetuesit e konsideron si shumë sugjestive, ngase sipas tij nga përmbajtja  e kësaj pyetje nënkuptohet se pyetja ka qenë e shtruar lidhur me tenderin e dytë dhe përgjigjja gjithashtu ka qenë për të dytin dhe jo të parin.

Lidhur me këtë ka reaguar prokurorja Hajdari e cila ka thënë se qëllimi i pyetjes së saj ishte eliminimi i çdo kundërthënie në deklaratën e dëshmitares si dhe kërkesa për sqarim nga dëshmitarja.

Avokati Halimi ka kërkuar nga gjykata që të lexohej edhe njëherë pyetja e prokurores, por që kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi ka thënë se ajo ishte e konstatuar në procesverbal.

Pas lejimit të pyetjes nga trupi gjykues, dëshmitarja ka thënë se njoftimi mbi kontratën dhe termat e referencës janë dy dokumente përbërëse të një tenderi.

“E para është “njoftimi mbi kontratën”, në të cilën specifikohen kriteret që kompanitë duhet t’i përmbushin në momentin e aplikimit në një tender dhe janë “termat e referencës”, e cila është pjesë e dosjes së tenderit që u dërgohet tenderuesve për të parë specifikat e projektit”, tha ajo.

Ndërsa theksoi se aty listohen qëllimet  e projektit, aktivitetet, rezultatet dhe imputet, siç janë ditët e ekspertëve, në mënyrë të përmbledhur e jo të ndara specifikisht për ekspert dhe të gjitha këto përcaktohen në termet e referencës.

Tutje, dëshmitarja ka shtuar se termat e referencës mund të ndryshohen vetëm para se t’iu dërgohen tenderuesve, gjatë procesit përpilimit të termave të referencës dhe mund të ndryshohen gjatë implementimit të projektit, pra pasi procesi i tenderit të përfundon.

Dhe se sipas saj, e-maili i pranuar nga i akuzuari Xh.S për ndryshimin e ditëve të ekspertëve në termat e referencës ishte refuzuar nga e njëjta, me arsyetimin se  procesi ishte ende në vlerësim.

“Kam thënë që ato mund t’i rishqyrtojmë pasi që projekti të fillojë të implementohet, gjithnjë sipas rregullave të cilat sapo i përmenda. Projekti-tenderi në fjalë është anuluar nëse e kujtoj mirë në dhjetor të vitit 2013 dhe është rishpallur apo ritenderuar proces i cili ka filluar me publikimin e njoftimit të kontratës për herën e dytë”, tha ajo.

Ndërkaq, në herën e dytë në ritenderim, sipas saj, këto dokumente janë ndryshuar, mirëpo kjo është fazë e re tenderuese dhe se tha që ato kanë pësuar ndryshime para publikimit të njoftimit të dytë të kontratës.

Në pyetjen e gjykatëses Medie Bytyqi se a lejohet komunikim me operatorët ekonomik të interesuar për tenderë, e në rast se lejohet kur dhe në çfarë mënyre bëhet komunikimi, dëshmitarja ka thënë se  nuk lejohet.

Më pas, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dy dëshmitareve- zyrtare nga zyra e Bashkimit Evropian, L.G dhe M.S, të propozuara nga prokuroria.

Ndryshe në seancën e kaluar, avokati Virtyt Ibrahimaga kishte dorëzuar një shkresë në gjykatë, me të cilën kishte njoftuar se dëshmitarja të cilën e përfaqësonte ai, A.M.-K. mund të dëgjohet si dëshmitare por me kufizim që të japë dëshmi vetëm për veprimet inkriminuese ndaj të akuzuarit Xh.S.

Dhe në seancën e së enjtes, avokati Ibrahimaga ka dorëzuar shkresën me përmbajtje të njëjtë edhe për dy dëshmitaret tjera nga zyra e BE-së të cilat i përfaqësonte ai.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale Drita Hajdari, dëshmitarja L.G ka thënë se në projektin “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportit”  ka qenë si anëtare e komisionit vlerësues të këtij projekti.

Sipas dëshmitares vlera e këtij projekti kishte qenë 2 milionë euro dhe se përfitues i saj ka qenë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM).

Anëtarë tjerë në këtë komision vlerësues ajo tha se kishin qenë dëshmitarja A.M-K. dhe i akuzuari Xh.S, të cilët kishin për detyrë vlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomik.

Ndërsa ky komision, sipas dëshmitares L.G ka pasur udhëheqësen për të cilën tha se nuk i kujtohej emri, por që sipas saj ajo ishte ndërkombëtare, si dhe sekretarja e këtij komisioni M.S.

“Ne e kemi pasur listën, faktikisht udhëheqësi i komisionit që në këtë rast ishte kolege ndërkombëtare, por për momentin nuk po më kujtohet emri, ajo na ka njoftuar për listën e ofertuesve për ata operator që kanë dorëzuar ofertë për këtë tender”, tha ajo.

Dëshmitarja L.G, ka thënë se anëtarët e komisioni gjatë vlerësimit të përmbushjes së kritereve kanë pasur para vetes dosjen e çdo operatori ekonomik që ka aplikuar dhe secili nga ta e ka vlerësuar operatorin veç e veç.

“Komisioni vlerësues ka filluar prej dosjes së parë dhe vazhdon më tutje secilën dosje e vlerëson nëse janë përmbushur kërkesat e dosjes së tenderit dhe në bazë të vlerësimit vendosen pikët, poentohet secila ofertë”, tha ajo.

E ky poentim, sipas dëshmitares fillimisht bëhet individualisht e pastaj në mes të anëtarëve të komisionit diskutohet mbi bazën e poentimit dhe dakordohen për pikët përfundimtare.

Ajo tha se janë dy faza për përzgjedhjen e fituesit, e që fillimisht është faza e vlerësimit teknik dhe pastaj ajo e vlerësimit të ofertës financiare.

“Përcaktimi bëhet në bazë të poenave teknike dhe në bazë të poenave të ofertës financiare, ku në total 80% e ka peshën vlerësimi teknik dhe 20% vlerësimi financiar dhe kjo bëhet me llogaritje e cila bëhet nga kolegët nga seksioni i prokurimit”, tha ajo.

Sipas dëshmitares, në fillim kur fillon puna e komisionit nga anëtarët e komisionit nënshkruhet edhe deklarata e konfidencialitetit.

Tenderin në rastin konkret, për herë të parë ajo tha se e kishte fituar një konsorcium i udhëhequr nga kompania franceze “Sofreco”, por që nuk e dinte arsyen e anulimit të këtij tenderi.

“Nuk më ka interesuar për ecurinë pasi që është kryer puna e komisionit vlerësues, faktikisht pas kryerjes së detyrës time nuk më kanë interesuar më arsyet më”, tha ajo.

Mbrojtësi i të akuzuarit Xh.S, avokati Mahmut Halimi ka kërkuar shpjegim nga dëshmitarja se cilat janë dokumentet që paraqesin natyrën konfidenciale dhe cilat janë ato dokumente që kanë karakterin zyrtar informues për publikun.

Dëshmitarja u përgjigj se informatat që janë publike ato publikohen në ueb-faqen “EuropeAid Tender”, ndërsa konfidenciale janë informatat që zhvillohen në dhomën e vlerësimit dhe se sipas saj të njëjtat nuk guxojnë të dalin jashtë asaj dhome.

“Për shembull, numri i ofertave që janë pranuar është konfidenciale, kush janë operatorët që kanë konkurruar, edhe bisedat mes anëtarëve të komisionit janë konfidenciale, vlerësimet, të gjitha, thash çdo informatë është konfiendciale për anëtarët  e komisionit”, tha ajo.

Tutje, dëshmitarja ka shtuar se kushtet dhe kriteret e kontratës i përcakton zyra e BE-së si autoritet kontraktues dhe se sipas saj në përcaktimin e kritereve të ardhura nga BE nuk mund të ndërhyjë askush.

Gjatë përgjigjeve në pyetjet e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Bytyqi, dëshmitarja ka thënë se për një tender të caktuar anëtarët e komisionit nuk kanë të drejtë të komunikojnë me operatorët ekonomik.

Më pas, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitares M.S e cila ka dhënë deklarim të ngjashëm me dëshmitaren. L.G.

Ajo ka thënë se ka qenë anëtare e komisionit vlerësues në tenderin në rastin kritik, ku sipas saj në fazën e parë kishte qenë kryesuese e komisionit ndërsa në fazën e dytë kishte qenë në cilësinë e sekretares së këtij komisioni.

“Në fazën e parë të parakualifikimit, kryesuese e komisionit vlerësues kam qenë unë, sekretare Arbene Abrashi si dhe anëtarë me të drejtë vote kanë qenë Xh.S, A.M-K dhe L.G”, tha ajo.

Sipas dëshmitares M.S, detyrë e këtij komisioni ishte vlerësimi i aplikacioneve, që rezulton me një listë të ngushtë apo shortlist të operatorëve ekonomik, të cilët ftohen për fazën e dytë të tenderimit.

“Në fazën e dytë ,kryesuese  e komisionit vlerësues ka qenë Tuula Halltala Njemi, unë sekretare e komisionit vlerësues, ndërsa anëtarët me të drejtë vote kanë qenë anëtarët si në fazën e parë”, shtoi ajo.

Lidhur me këtë projekt, ajo ka thënë se i njëjti është proceduar në bazë të ligjit të prokurimit publik të BE-së dhe jo të ligjit të Kosovës.

“Unë nuk e njoh mirë procesin e prokurimit publik të Kosovës, por e njoh prokurimin publik të BE-së e cila bazohet në udhëzuesin praktik për procedurat e kontraktimit për projekte të financuara nga BE-ja”, tha ajo.

Sipas dëshmitares, dokumenti “Njoftimi për kontratë”, i cili publikohet në ueb-faqe, përmban në pika të shkurta njoftimin se çka është projekti, kriterin financiar për kompaninë, të cilat duhet të përmbushen, kriteri profesional si dhe kriteri teknik për selektimin e operatorëve ekonomit.

Ndërsa, dokumenti “termat e referencës”, përmban atë se çka është objektivi i projektit, aktivitetet, rezultatet dhe se siç tha ajo gjithashtu përmban kriteret për selektimin e ekspertëve kyç në projekt.

Tutje dëshmitarja ka deklaruar se ndryshimi i kritereve për “Njoftimin mbi kontratë” e cila bëhet nga zyra e BE-së, mund të bëhet deri në 11 ditë para afatit të fundit të caktuar për dorëzimin e aplikimeve nga operatorët ekonomik.

“Në këtë rast afati i fundit për dorëzim të aplikacioneve ka qenë më 1 korrik të vitit 2013 dhe 11 ditë para këtij afati mundesh me bë ndryshim dhe nëse ka ndryshim duhet me qenë transparent dhe është publik po në atë faqe ku publikohet njoftimi mbi kontratën”, tha ajo.

Por që siç tha dëshmitarja, kriteret nuk mund të ndryshohen pas publikimit të listës së ngushtë të operatorëve ekonomik.

Edhe kjo dëshmitare ka thënë se ka nënshkruar deklaratën e konfidencialitetit duke shtuar se atë  e kishte nënshkruar në dy fazat, para hapjes së ofertave.

“Deklarata nënshkruhet para hapjes së ofertave si dhe kryesuesja e komisionit vlerësues e ka për detyrim me i citu në pika të shkurta elementet të kësaj deklarate dhe ky obligim është përmbushur nga kryesuesja”, theksoi ajo.

Avokati Halimi ka pyetur dëshmitaren nëse në përmbajtjen e tekstit të betimit ishin të përfshira pasojat juridike për atë që nxjerr informata, e që dëshmitarja e cila ka pasur këtë deklaratë me vete ka lexuar një pjesë të saj.

“Këtu thuhet unë e kuptoj që çdo nxjerrje e të dhënave të paautorizuara prej meje do të rezultojë në terminimin e rolit tim si anëtar i këtij komisioni vlerësues dhe gjithashtu do të më bëjë përgjegjëse ndaj masave juridike nëse lëshoj informata”, tha ajo

Në këtë seancë gjithashtu trupi gjykues ka refuzuar propozimin e avokatit Halimi që në cilësi të dëshmitarëve të ftohen një ekspert i teknologjisë informative për të shpjeguar përmbajtjen e e-maileve të nxjerra nga kompjuteri i L.D dhe sekretari i MTI-së për të shpjeguar procedurat dhe nocionet e dokumenteve konfidenciale dhe publike.

Avokati Halimi gjithashtu ka shtuar se pas konsultimit me të mbrojturin e tij do t’i drejtohet gjykatës me një shkresë që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet edhe L.D, i cili kishte qenë i akuzuar në këtë rast.

Meqenëse ishte fundi i orarit të punës, seanca është ndërprerë dhe ajo e radhës ku pritet të vazhdojë dhënien e dëshmisë së saj M.S është caktuar për 7 dhjetor 2021.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 korrik 2017, kishte refuzuar kërkesat e avokatëve mbrojtës të Xh.S dhe L.D për hudhjen aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ndaj këtij aktvendimi, avokatët mbrojtës kishin parashtruar ankesa në Gjykatën e Apelit.

Më 25 korrik 2017, Gjykata e Apelit e kishte refuzuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Xh.S, ndërsa e kishte aprovuar ankesën e mbrojtësit të L.D me arsyetimin se ndaj L.D, nuk ka prova të mjaftueshme që e mbështesin dyshimin e bazuar mirë se i njëjti e kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

Pas kësaj, edhe Gjykata Supreme kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur kundër aktvendimeve të gjykatës së shkallës së parë dhe të dytë.

Ndryshe sipas aktakuzës së ndryshuar pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Xh.S akuzohet se më 5 dhjetor 2018, si person zyrtar, udhëheqës i Divizionit për mbështetje të bizneseve dhe zhvillimeve regjional në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka keqpërdorur informatën zyrtare me qëllim të përfitimit e përparësisë për kompaninë “Menagment Development Association” (MDA) e cila ka ofertuar në tenderin, sipas projektit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportiť”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian, në vlerë prej dy milionë euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi më 30 prill 2013 ishte publikuar njoftimi për kontratë për tenderin në fjalë, i akuzuari Xh.S, gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator të vitit 2013, i ka dërguar L.D, menaxher në kompaninë MDA, dokumente të brendshme të MTI-së dhe informacione lidhur me kushtet dhe kriteret për tender.

Në bazë të këtyre informatave, vazhdon akuza, L.D i kishte ndryshuar pastaj kriteret e kontratës për përzgjedhjen e ekspertëve në këtë projekt, duke e përshtatur në atë mënyrë ofertën e kompanisë se tyre për tenderin në fjalë.

Pas kësaj, sipas aktakuzës, Xh.S, si anëtar i komisionit për vlerësim të ofertave në këtë tender, më 24 shtator 2013 kishte nënshkruar deklaratën e paanshmërisë dhe konfidencialitetit, e cila e obligonte që ta ruajë rreptësisht fshehtësinë në lidhje me çdo informatë të marrë si rezultat i përfshirjes së tij në vlerësimin e ofertave në procesin e prokurimit.

Mirëpo, përkundër kësaj në aktakuzë thuhet se Xh.S në kundërshtim me deklaratën e nënshkruar, ka dërguar tek L.D, informacione në lidhje me vlerësimin dhe poentimin e ofertave në këtë proces të prokurimit, duke e njoftuar për përparësitë e kompanisë MDA krahas kompanive tjera konkurruese në këtë tender.

Ai po akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i informatës zyrtare” nga neni 423, par. 2, lidhur me par. 1 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dymbëdhjetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në ketë̈ artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë̈ fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë