Gjykimi ndaj ish-ministrit Nenad Rikalo dhe të tjerëve, dëgjohet në cilësi të dëshmitares drejtoresha e DPZH-së në Ministri të Bujqësisë

20210427_134450
Author

Raporton: Medina KADRIU

Prill 27, 2021

Prishtinë – Me dëgjimin e dëshmitares Shqipe Demaj, të martën, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka vazhduar gjykimi që po zhvillohet ndaj ish-ministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Nenad Rikalo, sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie, Kapllan Halimi dhe gjashtë zyrtarëve tjerë, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri.

Dëshmitarja Demaj ka thënë se mbanë pozitën e drejtoreshës në Departamentin për Politika Zhvillimore në Ministrinë e Bujqësisë, ku tha se është përgjegjëse për hartimin e strategjisë së programit një vjeçar dhe afatgjatë.

Duke u përgjigjur në pyetje të prokurores Habibe Salihi, ajo ka thënë se fillimisht sipas procedurave për të përgatitur një program të zhvillimit rural afatgjatë, hapi i parë që merret është analiza sektoriale.

“Pas rezultateve të analizës sektoriale, përpilohet strategjia me objektivat strategjike. Mandej trajtohen masat të cilat adresojnë ato çka dalin nga strategjia dhe analiza sektoriale. Programi ka edhe disa kapituj të tjerë që kanë të bëjnë me strukturat menaxhuese, diskutimi me palët me interes, çështje gjinore, ambientale. Në bazë të programit afatgjatë, ne përgatisim programin vjetor sipas buxhetit që është i ndarë nga Ligji për Buxhetin”, deklaroi Demaj.

Sipas saj, i gjithë ky program bëhet në përputhje me politikat e përbashkëta bujqësore të Bashkimit Evropian.

Ajo ka thënë se programi i ka tre vlerësime, ku është vlerësimi eksante, që e vlerëson kualitetin e programit, koherencën mes problematikës, objektivat strategjike të identifikuara, masat që ndërmerren të adresohen problemet, strukturat menaxhuese dhe çështjet gjinore e ambientale.

“Vlerësimi ekstante është i pavarur, jashtë institucional, ne e kemi pas të financuar nga Bashkimi Evropian. Pastaj, është vlerësimi afatmesëm për me vërtetu a është duke shkuar në drejtimin e duhur. Edhe ky vlerësim është i pavarur dhe është financuar nga BE. Pas periudhës 7 vjeçare është vlerësimi që tregon çfarë rezultate të ndikimit ka pasur për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Të gjitha janë të pavarura, mund të jetë edhe ndonjë donator, por në këtë rast tre vlerësimet kanë qenë të financuara nga BE”, ka thënë ajo.

Tutje, dëshmitarja është pyetur nga prokurorja Salihi se cilat janë kriteret për dhëniet e granteve për bujqësi.

“Kriteret janë të shumta dhe varet prej sektorit, masës dhe nën masës. Çdo masë edhe sektor i ka specifik kriteret”, ka thënë ajo.

Lidhur me projektin e programit të veçantë, dëshmitarja Demaj deklaroi se nga këshilltarja e ministrit Davica Laman ka pranuar një e-mail, ku i është kërkuar të bëj një arsyetim për një draft mase e se titulli nuk i kujtohet, por se është i konstatuar në e-mail.

“ Unë e kam këshillu këshilltaren e ministrit që unë nuk muj me marr përsipër një dokument që nuk është bo nga departamenti jem, që nuk ka kalu nëpër procedurat sipas udhëzimit administrativ, përshkrimit të detyrave të Departamentit dhe në kapacitetin tim e kam këshillu për hapat e mëtutjeshme qysh kjo masë me marr formë ligjore dhe transparente”, ka thënë dëshmitarja.

Sipas saj, ajo as nuk ka refuzuar të bëj masa e as nuk i ka thënë ta bëj dikush tjetër, por se i ka dhënë këshilla së si të shkohet sipas hapave, të cilat i sqaroi gjatë seancës.

Ndër të tjera, dëshmitarja Dema ka thënë se sipas procedurave, çdo draft vendoset në diskutime publike me shoqërinë civile, ku me këtë nënkupton fermerët, shoqatat e fermerëve dhe grupet e interesit që vijnë nga sektori.

“Pas këtyre diskutimeve, dokumenti e merr formën finale dhe i propozohet ministrit që ta miratojë”, shtoi Demaj.

Sipas dëshmitares,  nuk është vepruar në bazë të sugjerimeve që ajo i ka dhënë.

Po ashtu, Demaj ka thënë se nuk e di kush e ka përpiluar draftin dhe se i njëjti i ka ardh në email nga këshilltarja e ministrit.

“Pas një kohe nuk e di sa është bërë një trup punues nga drejtoret e departamenteve me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm. Unë kam marr pjesë në një takim si anëtare e atij grupi dhe drafti ka qenë shumë i dobët dhe kam bërë disa sugjerime. Detyrat e grupit punues kanë qenë me draftu dokumentin, me përfundu masa”, deklaroi Demaj.

Ajo ka thënë se grupit prapë ua ka dërguar një “template” dhe më pas më nuk ka marrë pjesë në grup, si dhe ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë analize apo studim.

Prokurorja Salihi e ka pyetur dëshmitaren se a e di në bazë të cilave kritereve janë zgjedhur regjionet që do të financohen, ku dëshmitarja mohoi këtë.

“Unë e shpjegova formën që e bëjmë me programe të rregullta. Departamenti që e ka në përshkrim të punës e përgatit draftin, është përgjegjës me rregullore, mandej del në trupe punuese, në diskutim publik me shoqëri civile dhe ekspert. Mirëpo, përgjegjësia i mbetet gjithmonë departamentit që e ka punuar”, ka thënë ajo, ku shtoi se në këtë rast nuk ka qenë departamenti ku punon.

Ajo është pyetur nëse grupi punues ka pasur kompetencë profesionale për të përgatitur këtë draft program, kurse dëshmitarja deklaroi se dokumentet duhet të përgatiten nga strukturat që janë të përcaktuara me rregullore të ministrisë, ku shtoi se mendon se nuk duhet të ketë dupilifikime.

Ndërkaq, sa i përket faktit se a ka pasur buxhet të planifikuar për këtë projekt të veçantë, ajo deklaroi se në kodin e saj buxhetor nuk ka pasur.

Dëshmitarja ka thënë  se në programet e rregullta koncersiumet nuk kanë qenë përfitues.

Prokurorja Salihi e ka pyetur dëshmitaren se a ka pasur ndonjë presion apo ndikim lidhur me punën e saj në këtë grup punues, ku dëshmitarja mohoi këtë. Ndërkaq, shtoi se presion nuk ka pasur, por se e ka pas si lutje në e-mail e sa i kujtohet shkruan “Ju lutna”, e që nuk e konsideron se ka pasur presion.

“Unë kam shkuar në Japoni dhe më nuk kam pas qasje në këtë punë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se në bazë të vendimit kryetare e grupit punues ka qenë këshilltarja e ministrit, Davica Laman, ndërkaq në takimin që ka marrë pjesë ajo e ka udhëhequr Ekrem Gjoka, ndërkaq tha se në këtë takim nuk i kujtohet se është mbajtur procesverbal e se ka nënshkruar procesverbal.

Sipas saj, në Ligjin për Bujqësi nuk është e cekur se a mund të jenë përfitues të granteve koncersiumet.

Ndërkaq, ajo tha se në programin e rregullt një përfitues shumën maksimale që mund ta fitoj brenda një viti për një projekt është në masën 103, që është industria ushqimore e që është 200 mijë euro.

Kurse, tha se nuk mund të përgjigjet në pyetjen se a mund të jetë shuma milionëshe për program të veçantë pasi nuk e di rrjedhën, analizën e rekomandimet për programin e veçantë.

Miodrag Brkljaq  avokat i Nenad Rikalos, ka thënë se dëshmitarja nuk është përgjigjur se kush i sjell politikat bujqësore dhe nëse mund të përgjigjet në këtë pyetje, ku dëshmitarja tha se orientimet politike prezantohen nga ministri dhe qeveria në planin e qeverisë.

Ndërsa, ajo tha se për çdo vit qeveria dhe pastaj parlamenti përmes Ligjit të Buxhetit i ka aprovuar këto politikat për të cilat ajo foli, ndërkaq pohoi se ekzistojnë politikat që i ka sjell qeveria.

Avokati Brkljaq, tha se më herët dëshmitarja deklaroi se puna e grupit ka qenë të draftoj dokumentin, ai kërkoi të kuptoj çka do të thotë kjo, e dëshmitarja tha “ me përfundu dokumentin”.

Dëshmitarja pohoi se departamenti i saj ka qenë kompetent për përpilimin e programit të rregullt dhe se baza ligjore e punës së saj është rregullorja e punës së Ministrisë së Bujqësisë.

“Me ligjin e Bujqësisë a është paraparë procedura për nxjerrjen e programit të veçantë”, ka pyetur avokati i Rikalos, e këtë e mohoi dëshmitarja.

Avokati Brkljaq tha se në vitin 2013 kur ka qenë ministër Stavileci është nxjerr programi i veçantë që ka prodhuar veprim juridik, që ka pas të bëj me punimin e frigoriferëve dhe se departamenti i dëshmitares ka bërë atë program. Ai ka pyetur dëshmitaren nëse kjo është e vërtetë.

E dëshmitarja e ka mohuar këtë dhe deklaroi se e vetmja e veçantë e programit të vitit 2013 ka qenë rritja e mbështetjes publike për komunat që kanë lartësi mbidetare mbi 700 metra.

Avokati ka pyetur dëshmitaren nëse edhe programi i vitit 2018 ka qenë në harmoni me Ligjin e Bujqësisë, ku dëshmitarja tha se nuk e di sepse ajo nuk e ka bërë këtë program.

Avokati i të akuzuarit Rikalo ka thënë se dëshmitarja  e ka cekur se vetëm njëherë ka qenë në takim të grupit punues e se duhet t’i rikujtoj se policit hetues i ka thënë decidivisht se tre herë ka qenë prezent në takimin e grupit punues.

“Mu sot në moment po më kujtohet që kam marrë pjesë vetëm njëherë, mirëpo duhet të jenë regjistrimet, ama sot ashtu mu kujtua, njëherë që kam marrë pjesë”, ka thënë dëshmitarja.

Dëshmitarja deklaroi se gjatë punës së saj kur diskutojnë draftet e masat, i identifikojnë të gjitha vërejtjet që bëhen dhe për punën e saj nga viti 2014 deri në 2020 e ka për të gjitha vitet tabelën e komenteve.

“Nuk mund ta jap një opinion për një çështje për të cilën unë nuk jam përgjegjëse. Unë krejt ndihmën time që po mundem me dhënë në mënyrë shumë të pavarur me tregu qysh unë e kam bo punën teme”, ka thënë dëshmitarja.

Tutje, dëshmitarja tha se në fillim të draftit është parë që nuk është i shkruar mirë.

“Nga pozita që unë e kam qu formën se si me ndihmu, do të thotë nuk e ka pas të përshkruar mirë seksionet. Në atë takim nuk janë diskutuar çështjet teknike e as regjionet”, ka thënë dëshmitarja, si dhe shtoi se nuk ka dijeni sa takime janë mbajtur me grup punues.

Ndërkaq, avokati i Rikalos deklaroi se ajo ka thënë në deklaratë të policisë se në takimin e parë ka propozuar drejtimet për përgatitjen e programit dhe se ka tentuar që program i veçantë të përgatitet sipas procedurave të programeve të rregullta.

Ai ka pyetur se a do të thotë kjo se askund nuk ekziston procedura e paraparë si punohet një program i veçantë.

Kurse, dëshmitarja tha se jo vetëm në deklaratën në polici, por edhe në email e ka shprehur formën se si duhet të përgatitet programi.

Ajo tha se absolutisht nuk e di se si punohet programi i veçantë e se nuk ka njohuri që ka procedura të programeve të veçanta e se sugjerimet e saj kanë qenë që të zbatohen procedurat normale sikurse programi i rregullt.

Seancat e ardhshme në këtë rast ku pritet të vazhdoj marrja në pyetje e dëshmitares nga ana e avokatit të Rikalos dhe mbrojtësve të tjerë pritet të mbahet me 6 maj, në ora 9:30.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me 26 dhjetor 2019, të pandehurit Nenad Rikalo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri dhe Ekrem Gjoka, akuzohen se në bashkëveprim, gjatë vitit 2018, me qëllim që tu mundësojnë përfitim në mënyrë të kundërligjshëm kompanive si: konzorciumit “ Novus” SH.P.K, për fitimin e grandit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore” në Prishtinë, konzorciumit “Dhemetra” SH.P.K për fitimin e grandit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organit” (duke mos qenë fare në listën e projekteve të cilat mbulohen me financim përmes grandeve), koncorziumit “ DOO Zubin Potok” për fitimin e grandit “ Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, si dhe konzorciumit NTP “Arena Engineering” në Pejë, për fitimin e grandit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit” në Pejë, me qëllim kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural neni 5.1, neni 8, neni 13 paragrafi 1.2, neni 4, neni 14.2 Ligji 03/L098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, neni 8 dhe 9, rregullores ( QRK) nr. 37/2013, neni 7.1, paragrafi 1.1, Udhëzuesi dhe Doracaku për hartimin e konceptit të dokumenteve nga Zyra e Kryeministrit.

Këtë thuhet se e kanë bërë ashtu që i pandehuri Nenad Rikalo, në cilësinë e Ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka tejkaluar kompetencat e tij, ka hartuar një “Program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grandit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt, me datë 26 mars 2018, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin me nr. ref. KM 91/18 për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshme të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, me ç ‘rast edhe programin ua dorëzon vet të përfunduar, ndërsa komisionin e kishin formuar vetëm formalisht.

Tutje, thuhet se i pandehuri Kapllan Halimi, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në këtë ministri, ka tejkaluar kompetencat e tij ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka nxjerr vendimin me ref.nr. ZSP 266/18 për t’ua mundësuar përfitim në mënyrë të kundërligjshme kompanive të sipërcituara, emëron grupin punues në përbërje prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale , duke qenë në dijeni se ky grup nuk është kompetent dhe nuk ka njohuri për përpilimin e këtij programi, derisa ishte në dijeni se ky grup ishte vetëm formal, duke ditur se drafti është dorëzuar nga vet ministri Rikalo.

Sipas akuzës, i pandehuri Shefki Zeqiri, në cilësinë e personit zyrtar në këtë ministri, gjatë vitit 2018, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, e ka hartuar dhe aprovuar Udhëzimin Administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat Rurale më pak të zhvilluara”, edhe pse e kishte ditur që ky program ishte hartuar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Rregulloren (QKR) nr. 37/2013, duke i anashkaluar procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë që është kompetencë e Departamentit të Politikave për zhvillim Rural në MBPZHR.

Ndërsa, sipas akuzës, i pandehuri Ekrem Gjoka, në cilësinë e personit zyrtar, ushtrues detyre i Kryeshefit të AZHB-së, në mënyrë të kundërligjshme ka marrë vendimin ref.nr. ZHB-07/4/54/2018 për formimin e grupit punues, i cili grup do të bëj kontroll administrative, vlerësim, miratim dhe kontraktimin e projekteve të masës të infrastrukturës rurale, në përbërje prej: Lindar Krasniqi, Shkelzen Morina, Albana Zeqiri dhe Leon Thaçi, duke anashkaluar faktin se ky ekip duhet të formohet prej drejtorit, të monitorohet prej drejtorit dhe ky grup të raportonte te Drejtori i Drejtorisë për Miratimin e Projekteve dhe Zhvillim Rural, kështu i pandehuri Gjoka me qëllim ka vepruar në atë mënyrë që t’u mundësonte përfitim kompanive të lartpërmendura në mënyrë të kundërligjshme ngase vet ishte pjesë e grupit kur ministri ua kishte dorëzuar draftin e gatshëm, duke vepruar në këtë mënyrë buxhetit të Republikës së Kosovës në bashkëveprim i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 4.000.000 euro.

Sipas akuzës, Të akuzuarit Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi e Albana Zeqiri, më 14 gusht 2018, duke bashkëvepruar në cilësinë e personave zyrtarë pranë MBPZHR-së, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim që t’u mundësoj përfitim në mënyrë të kundërligjshme kanësh pallur fitues konzorciumin “Novus” sh.p.k për fitimin e grandit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore”, në Prishtinë, kanë shpallur fitues konzorciumin “Dhemetra” sh.p.k për fitimin e grandit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organik” në Gjilan, kanë shpallur fitues konzorciumin “DOO Zubin Potok”, për fitimin e grandit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, kanë shpallur fitues konzorciumin NTP “Arena Engineering”, për fitimin e grandit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit”, në Pejë, të cilët nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat rurale më pak të zhvilluara”. /BetimipërDrejtësi