Gjykimi ndaj ish-kryeshefit të IPK-së dhe dy tjerëve, polici thotë se s’i kujtohet nëse kontaktoi prokuroren kujdestare pas intervistimt të të dëmtuarit

Raporton: Albina KRASNIQI

Prishtinë – Dëshmitari Behar Ramadani, zyrtar policor, ka deklaruar që nuk i kujtohet nëse ka kontaktuar prokuroren kujdestare pas intervistimit të tani të dëmtuarit Q.V, në gjykimin ndaj ish-kryeshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Fitim Shishani, ish-drejtoreshës për Hetime Speciale, Valbona Osmani si dhe ish-drejtorit të Departamentit për Hetime në këtë institucion, Jetullah Aliu, të akuzuar për privimin e kundërligjshëm të lirisë.

Një deklarim të tillë, dëshmitari Ramadani e bëri të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke u përgjigjur në pyetjen e të autorizuarit të të dëmtuarit V., avokatit Besnik Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk më kujtohet nëse e kemi kontaktu prokuroren, mirëpo meqenëse është emri i saj në procesverbal besoj që e kom kontaktu”, ka thënë dëshmitari.

I njëjti gjithashtu ka thënë që në ditën e intervistimit të të dëmtuarit Q.V në stacionin policor, ka parë në një zyrë tani të akuzuarin Shishani dhe Aliu, si dhe një vajzë të cilën nuk e ka njohur.

“Në kalim e sipër në korridor, nuk më kujtohet cila zyre ka qenë, në një zyre që ka qenë dera hapur ka qenë zotëri Fitimi, Jetullahi dhe një vajzë ka qenë, s’e di cila ka qenë, nuk e kom njohur, këta dy i kam njohur sepse më kanë ligjëru në shkollë Fitimi edhe Jetullahu, mirëpo kontakt nuk kam pas me ta dhe nuk kam bisedu”, ka deklaruar Ramadani.

Tutje, dëshmitari theksoi se me sa i kujtohet atij, shefi i tij i ka thënë që Q.V ta intervistojë në cilësi të të dyshuarit.

“S’më kujtohet saktë, në bazë të kujtesë time se ka kaluar kohë e gjatë më duket se më ka thënë që ta intervistoj në cilësinë e të dyshuarit, nuk besoj që unë se unë se kom hetu këtë lëndë”, tha i njëjti.

Në pyetjen e avokatit Berisha se a japin ndonjë vlerësim ose opinion lidhur me të gjeturat në rastet kur kryejnë veprime të tilla me autorizim të eprorit, dëshmitari Ramadani ka thënë se për rastet të cilat i kanë në rajonin e Ferizajt normalisht që duhet ta njoftojnë.

Mirëpo, sa i përket rastit konkret nuk i kujtohet nëse e ka njoftuar apo jo.

“Për rastet tona që i kemi në rajonin e Ferizajt normalisht që duhet ta njoftojmë eprorin, mirëpo në këtë rast nuk më kujtohet a e kom njoftu a jo”, ka deklaruar Ramadani.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e të akuzuarit Shishani, dëshmitari Ramadani ka thënë se me sa i kujtohet të njëjtin e ka parë në zyrat e hetimeve rajonale.

“Unë kam qenë duke ecur në korridor, dera e zyrës ka qenë hapur, nuk më kujtohet cila zyre por kanë qenë zyret e hetimeve rajonale dhe aty e kam pa, ka kalu një kohë e gjatë mund të gaboj mirëpo mua më duket se e kam parë, ndoshta kanë folë të tjerët në emër të tij dhe mua më ka mbetur ashtu”, ka deklaruar dëshmitari.

Tutje, i njëjti duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarës Osmani, avokatit Florin Vërtopi, ka thënë se të akuzuarën Osmani për herë të parë e ka parë kur ka dëshmuar për çështjen në fjalë.

“Për herë të parë kur kam ardhur këtu në cilësi të dëshmitarit e kam parë në këtë sallë”, ka deklaruar ai..

Ndërsa, i pyetur se a ka pasur ndonjë informacion nga kapiteni i tij Kadri Kadriu në lidhje me ndonjë viktimë të mundshme para se ta marrë në pyetje tani të dëmtuarin Qazimi, i njëjti tha se jo konkretisht për viktimë.

“Jo konkretisht për viktimë, kush është viktima”, ka deklaruar dëshmitari Ramadani.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtares Donika Shala-Abdyli, se a ka mundësi që një person të dëgjohet në cilësi të personi të dyshimtë pa pasur rast të hapur dhe numër të rastit, i njëjti është përgjigjur se në këtë rast kanë kryer vetëm një shërbim.

“Në çdo deklaratë që e marrim në çdo rast, po këtë rast e kemi kry veç një shërbim”, tha Ramadani.

Ai gjithashtu ka thënë se në praktikë ndodhë që një njësi jashtë rajonit të Ferizajt të kërkojë që të intervistohet një person dhe pastaj e marrin procesverbalin.

“Mund të ndodh në praktikë, një njësi që u kon jashtë rajonit të Ferizajt ka raste kur mund të kërkojë që të intervistohet një person, të kryhet një veprim hetimor dhe ata pastaj vijnë e marrin procesverbalin të nesërmen ose pasdite”, ka thënë i njëjti.

Gjithashtu Ramadani ka thënë se nëse konstatohet se ai person ka kryer veprën penale, i njoftojnë që të vijnë ta marrin të njëjtin.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 8 korrik 2022.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 4 nëntor 2019, i kishte liruar nga akuza, Fitim Shishanin, Valbona Osmanin dhe Jetullah Aliun, me arsyetimin se nuk ishte provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale që u vihej në barrë.

Mirëpo pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit, më 27 prill 2020, e ka anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje.

Sipas aktakuzës së ndryshuar në qershor të 2019-ës, Fitim Shishani, Jetullah Aliu dhe Valbona Osmani , akuzohen se me 19 korrik 2013, nga ora 14:00 e deri me 20 korrik 2013, në orën 02:50, fillimisht në Ferizaj e pastaj në Prishtinë, në cilësinë e personave zyrtarë pranë Inspektoratit Policor të Kosovës, me dashje, në marrëveshje dhe konsultim mes veti, duke keqpërdorur detyrën dhe shkelur autorizimet zyrtare, kanë privuar kundërligjshëm nga liria të dëmtuarin Q.V, hetues policor në IPK dhe njëkohësisht e kanë privuar të njëjtin nga e drejta e kontaktit me familjen përmes telefonit.

Tutje, thuhet se në ditën kritike në ora 14:00, i akuzuari Aliu, së bashku me të akuzuarën Osmani, kanë shkuar në oborrin e një moteli, ku kanë hasur me të dëmtuarin Q.V, ku i akuzuari Aliu pa asnjë urdhër paraprak i ka sekuestruar të dëmtuarit revolen zyrtare, distinktivin dhe telefonin mobil.

Në aktin akuzues thuhet se pa autorizim të prokurorit dhe në konsultim me të akuzuarin Shishani, të akuzuarit Aliu dhe Osmani e kanë shoqëruar të dëmtuarin për intervistë si i dyshuar në stacionin policor në Ferizaj, duke e mbikëqyrur të njëjtin pas asnjë liri të lëvizjes së lirë.

Me ç’rast i dëmtuari Q.V është marrë në pyetje si i dyshuar nga një hetues policor, nga ora 16:00 deri në ora 17:00 përkundër autorizimit të prokurorit kujdestar i Prokurorisë Themelore në Ferizaj për të liruar të dëmtuarin.

Gjithmonë sipas aktakuzës e akuzuara Osmani, në konsultim me të akuzuarit Aliu dhe Shishani së bashku me dëshmitarin Burim Raqi, e kanë shoqëruar të dëmtuarin në zyrat e IPK në Hajvali, ku gjendej edhe i akuzuari Shishani, ku i Q.V pa pëlqimin e tij është mbajtur në një sallë të IPK, duke qenë vazhdimisht nën mbikëqyrjen e  të akuzuarve Aliu dhe Osmani.

Tutje, thuhet se nuk është lejuar që i dëmtuari Q.V të largohet nga salla dhe nga ndërtesa e IPK-së, deri në ora 23:50, pas tetë orësh ndalimi, i njëjti është marrë nga hetuesit e DHTQNJ Prishtinë, të cilët janë konsultuar paraprakisht dhe në vazhdimësi me të akuzuarit Aliu dhe Osmani.

Me ç’rast, i dëmtuari thuhet se është intervistuar sërish nga hetuesi policor Besnik Haziraj në zyrat e kësaj drejtorie dhe në konsultim me të akuzuarën Osmani është liruar.

Për këto veprime, tre të akuzuarit akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë”, nga neni 196, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë