Gjykimi ndaj ish-inspektorit të tregut në Prizren, dëshmitari thotë se matjen e largësisë së objekteve e bënin përmes shikimit apo Google Maps

Fatmir Gashi 3
Author

Raporton: Avni BERISHA

Shkurt 14, 2020

Prizren – Ish-inspektori i lojërave të fatit në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Shemsi Shala ka deklaruar se nuk kanë pasur mjete për matjen e largësisë së objekteve, por se atë e bënin përmes shikimit apo Google Maps, duke shtuar se ia kishte marrë mendja se largësia e objektit të lojërave të fatit me xhaminë, që janë objekt i akuzës, nuk është 500 metra, ashtu siç parashihet me ligj.

Një deklaratë të tillë, ai e ka dhënë të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, në seancën e shqyrtimit kryesor ndaj ish-inspektorit të tregut, Fatmir Gashi, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gashi akuzohet se në gusht të vitit 2014, si inspektor komunal i tregut në kuadër të Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, në kundërshtim me nenin 66 të Ligjit për Lojërat e Fatit, jep pëlqimin për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit për lojërat e fatit “Game Plus”, për njësinë në Prizren, në rrugën “Jusuf Gërvalla”, e cila njësi është 300 metra afër xhamisë.

Dëshmitari Shala ka thënë se inspektorët e ATK-së asnjëherë nuk kanë pasur pajisje matëse, për të konstatuar largësinë në mes objekteve të lojërave të fatit dhe atyre shkollore dhe fetare.

“Ne si inspektorë asnjëherë nuk kemi pasur pajisje matëse për të konstatuar largësinë, nuk kemi pas mjete, instrumente matëse, por kemi verifikuar në bazë të shikimit dhe në bazë të Google Maps dhe pasi që unë kam marrë pjesë në këtë rast kam menduar se largësia në mes të pikës së lojërave të fatit dhe xhamisë nuk ka 500 metra. Mua mu ka dok ashtu. Atëherë kam vendosur që të refuzoj hapjen e pikës së biznesit”, ka thënë Shala, duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuari Gashi, avokatit Sender Morina, se si i kanë bërë këto matje inspektorët e ATK-së.

Dëshmitari Shala ka thënë se ai gjatë vitit 2017 ka bërë inspektimin e pikës së lojërave të fatit “Game Plus” dhe pasi që kishte dalë në terren, sipas mendimit të tij, largësia mes pikës së lojërave të fatit dhe xhamisë nuk e ka pasur distancën e kërkuar me ligj.

Sipas tij, matja e largësisë nga objektet kulturore dhe fetare, përmes Google Maps, nuk është matje zyrtare pasi që nuk parashihet me ligj.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjen e prokurores së rastit, Ervehe Gashi, dëshmitari Shala deklaroi se inspektorët e ATK-ës nuk kanë pasur asnjëherë asnjë vendim administrativ se si të bëhet matja e largësisë së objekteve.

“Me sa e di unë as ligji nuk e parasheh, as në atë kohë nuk kemi pas asnjë udhëzim se si duhet të bëhet matja, tani nuk e di se janë mbyllur pikat e lojërave të fatit.”, ka deklaruar dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka thënë se së bashku me kolegët e tjerë, ditën kur e ka bërë inspektimin, kanë përpiluar një raport në të cilin kanë konstatuar që largësia në mes të objektit në mes xhamisë dhe pikës se lojërave të fatit nuk ka distancë prej 500 metra, mirëpo sipas tij, këtë e kishin konstatuar në bazë të shikimit vizuel.

“Prej derës së pikës së lojrave të fatit, e cila është prapa, nuk shihet xhamia, mirëpo kur del në rrugë menjëherë shihet dhe është drejtë”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq duke u përgjigjur në pytjen e anëtares së trupit gjykues, gjyqtares Teuta Krusha, se a është bërë matja e largësisë në vijë ajrore apo e largësisë së rrugës, dëshmitari ka deklaruar se e kanë bërë matjen e rrugës.

“Ne e masim rrugën më të shkurtër në mes të dy pikave, konkretisht në mesë të xhamisë dhe pikës së lojërave të fatit”, tha ai.

Pas dëgjimit të dëshmitarit dhe leximit të provave materiale, avokati Morina i ka propozuar trupit gjykues që t’i jepet kohë shtesë për përgatitjen e mbrojtjes së të akuzuarit.

Trupi gjykues e ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes, ndërsa seancën e radhës e ka caktuar për 21 shkurt 2020, në ora 13:15.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 24 maj 2019, i pandehuri Fatmir Gashi akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Fatmir Gashi akuzohet se me 29 gusht 2014 në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i tregut në kuadër të Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me dashje shkel ligjin lidhur me detyrat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 66 të Ligjit për Lojërat e Fatit, jep pëlqimin për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit për lojërat e fatit “Game Plus”, për njësinë në Prizren, në rrugën “Jusuf Gërvalla”, e cila njësi është 300 metra afër xhamisë.

Sipas aktakuzës, thuhet se në bazë të këtij pëlqimi ky biznes është licencuar nga Divizioni për Lojërat e Fatit, me ç’rast biznesit në fjalë i sjellë dobi duke ia aprovuar kërkesën dhe duke e lejuar që ta ushtrojë veprimtarinë e tij, deri me 28 korrik 2017, kur Divizioni për Lojërat e Fatit i ATK-së e mbyll këtë veprimtari.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtare. /Betimipërdrejtësi