Gjykimi ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Drenas, dëshmitari thotë se Drejtoria e Inspektoratit s’e thirri asnjëherë për rrënim të objekteve pa leje

Raporton: Blerta BARKU

Prishtinë- Dëshmitari Haxhi Lladrovci ka deklaruar se Drejtoria e Inspektoratit të Komunës së Drenasit nuk e kishte thirrur asnjëherë për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje, që janë objekt i aktakuzës.

Këtë deklarim, dëshmitari Lladrovci e bëri në seancën e së martës në gjykimin ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Komunën e Drenasit, Fitim Veliqi, i cili po akuzohet për keqpërdorimi të detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Lladrovci duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Fitore Sadiku,  ka deklaruar se gjatë periudhës 23 shtator 2015 deri më 12 korrik 2016, asnjëherë nuk ishte ftuar nga Drejtoria e Inspektoratit  e Komunës së Drenasit për rrënimin e  objekteve të ndërtuara pa leje dhe atë për objektet: objektin “Viva Fresh” të pronarit Shaip Bujupi, objektin “Ana Princes” me pronar Faik Kastratin, objektin “Hajdini Palace” me pronar Xhelil Lekun dhe objektin “Aktiv” me pronar Florim Shalën.

Fillimisht, i njëjti sqaroi se si pronar i kompanisë “Durimi” sh,p.k, ka pasur kontratë me Komunën e Drenasit  për rrënimin e objekteve pa leje në atë komunë, mirëpo  periudha që e kanë pasur nuk i kujtohet,  por që ekziston kontrata që e dëshmon një gjë të tillë.

Ai tha se obligim e tij në kontratë me Komunën e Drenasit ka qenë përgjigjja e ftesave të ndryshme  nga Drejtoria e Ispektoratit në Komunën  e Drenasit,  përkatësisht këto ftesa janë bërë  për rrënim e objekteve pa leje, tarracave, si dhe ka pasur raste për mbindërtime.

Tutje, i  njëjti tha se zakonisht ka qenë i ftuar nga inspektorët.

Pas kësaj, dëshmitari tha se ka pasur rast kur i njëjti ka refuzuar për ta rrënuar ndonjë objekt pa leje, duke shtuar se bëhet fjalë për dy raste.

Sipas tij, rasti i pari ka qenë në Komoran përkatësit një shtëpi private, për shkak se mjetet nuk ishin teknikisht të afta për të ndërhyrë në rrënimin e objektit, andaj edhe kishte kërkuar që ky rrënim të shtyhet për një ditë tjetër.

Ndërsa, ai tha se rasti tjetër që ka refuzuar ka qenë në qendër të Drenasit, një shtëpi  e sapofilluar për shkak se mjetet që do të përdoreshin, nuk do të mund depërtonin deri tek objekti  për rrënim.

Sipas tij, rruga ishte e ngushtë dhe do të mund të dëmtohej  ndërtesa  që ishte me leje.

Për këto dy raste tha se ishte kontaktuar nga inspektori Fitim Veliqi, duke shtuar se krahas këtyre dy rasteve, të tjera nuk kishte refuzuar.

Në anën tjetër, duke iu përgjigjur pyetjeve të të akuzuarit Veliqi, dëshmitari Haxhi Lladrovci ka pohuar se qëndron deklarata e tij e dhënë në prokurori më 22 dhjetor 2020, ku deklaroi se ka pasur kontratë me Komunën e Drenasit nga viti 2015-2017 dhe kontrata ka parashikuar obligimet e palëve për rrënimin e objekteve pa leje, në rastet kur inspektori nxjerr vendim për një gjë të tillë.

Po ashtu, pasi që u ballafaqua nga i akuzuari Veliqi me dy kërkesa  që janë për dy  objekte që nuk i ka ofruar shërbimet e që janë të nënshkruara prej menaxherit të kontratës, dëshmitari tha se asnjëherë nuk i kishte pasur këto shkresa.

Tutje, i njëjti tha se në njërën nga kërkesat e prezantuara nuk ka nënshkrim, ndërsa në tjetrën nuk është nënshkrimi i tij.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet avokates Zahide Gjonaj,, dëshmitari deklaroi se në bazë të kontratës me komunën, nuk theksohet se kush është përgjegjës për ta ftuar.

Mirëpo, tha se i  përgjigjet çdo zyrtari komunal, e në rastin konkret inspektorit, duke shtuar se i përgjigjet edhe ftesave, vendimeve, kërkesave dhe telefonatave.

Në fund, dëshmitari Lladrovci tha që ka qenë operatori i vetëm ekonomik për rrënimin e  objekteve pa leje në Komunën  e Drenasit dhe se e ka pasur tenderin e fituar.

Ai tha se sa e ka dëgjuar gjatë seancës, tenderi ka qenë i fituar për periudhën 2015-2017, por nuk mund të di konkretisht me data, por kjo mund të provohet dhe se kompania e tij “Durimi”, sh.p.k e ka përfshirë vetëm Komunën e Drenasit.

Lladrovci shtoi se në këtë periudhë kohore kanë rrënuar objekt pa leje dhe atë një objekt mbindërtim, një objekt i cili ka qenë pronë e hekurudhave dhe disa tarraca.

Po ashtu, deklaroi se me inspektorin Veliqi ka pasur raporte jo të mira pasi që i kishte thënë që të i bënte disa punë që nuk ka mundu.

Dëshmitari tha se i kishte thënë që me ekskavator të depërtonte në një rrugë që nuk e ka zënë dhe e ka refuzuar, e po ashtu se i kishte thënë inspektorit Veliqi të mos e kontaktojë më për këtë punë, pastaj kishte qenë i detyruar që ta telefononte drejtorin Milaim Hajdari.

Pas kësaj, ai tha se kishte dalë në vend së bashku me drejtorin Hajdari dhe se edhe ky i fundit e kishte parë që në atë pjesë nuk mund të depërtohet.

Tutje, dëshmitari Lladrovci tha se nëse nuk ka pasur rrënime, tenderi ka qenë i kotë, për shkak se nuk ka pasur përfitime.

Ai tha se në kontratë nuk është paraparë mënyra e komunikimit dhe tha se për të njëjtin ka mjaftuar që përmes njoftimit me telefonatë tregohej se këto është objekti që duhet të rrënohet.

Tutje, i njëjti tha se nuk ka kërkuar mjet identifikues për të identifikuar personat zyrtarë, sepse i ka njohur të gjithë inspektorët komunal të Komunës dhe se të dhënat për të vepruar i ka marrë përmes telefonit ku i është prezantuar inspektori dhe i ka treguar cili objekt është pa leje, në  lokacionin konkret.

Lladrovci shtoi se të gjitha telefonatat i ka pranuar personalisht.

Lidhur me procedurën e rrënimit të objektit, dëshmitari tha se inspektori merr vendim për rrënim, ia nënshkruan drejtori, njoftohet policia, njoftohet kompania operative ekonomike për rrënim dhe caktohet data, ora, intervenohet dhe kur përfundon nënshkruhet nga inspektori, përfaqësuesi i policisë dhe përfaqësuesi i kompanisë, pastaj kalon në ekzekutim.

Sipas tij, kontrata e ka obliguar të shkojë tek një objekt që të bëjë rrënimin e tij dhe nuk ka pasur ndonjë specifikë tjetër.

Gjithashtu, sipas tij kontrata lë për të kuptuar se aty ku ka mundet të punohet dhe aty ku nuk është mundur të punohet dhe nuk ka se si të punohet.

Ndërsa, pasi që u ballafaqua i njëjti me kontratën, respektivisht me mënyrën komunikimit në nenin 5, ku thuhet që ‘ju do të komunikoni vetëm me shkrim’, ai tha se gjatë shqyrtimit ka thënë që ka komunikuar në të gjitha format pasi që ka qenë i hapur për të komunikuar, mirëpo ka pasur vetëm telefonata.

Në fund tha se realisht në Kosovë komunikimet zyrtare bëhen shkel e shko, për shkak se në bazë të rregullës është dashur të shkruhet kërkesa përmes e-mailit dhe për këtë kishin lënë gjurmë, të cilat do të kishin ndihmuar si prova.

Më pas, dëshmitari Haxhi Lladrovci deklaroi se asnjëherë nuk kishte qenë i informuar për këto objekte që janë objekt i aktakuzës, pasi që po të kishte qenë i informuar do ta mirëpriste një gjë të tillë dhe se do t’i rrënonte të njëjtat për shkak se e ka pasur obligim.

Seanca e radhës për  këtë rast pritet të mbahet më 28 qershor 2022.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 30 dhjetor 2020, Veliqi po akuzohet se në vazhdimësi nga 23 shtatori 2015 dhe 30 korriku 2016, në cilësinë inspektorit të ndërtimit nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtim Nr.04/l-175 dhe Ligjin për Ndërtim Nr.04./L-110, me Udhëzimet Administrative MMPH nr 18/2013, duke mos ndërmarrë veprime administrative juridike për objektet përgjatë brezit të autostradës “Ibrahim Rugova”.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Veliqi nuk ka bërë rrënimin e objektit “Viva Fresh” të pronarit Shaip Bujupi, objektin “Ana Princes” me pronar Faik Kastrati, objektin “Hajdini Palace” me pronar Xhelil Leku, objektin “Aktiv” me pronar Florim Shala. Nga mos rrënimi i këtyre objekteve pa leje, thuhet se kanë përfituar personat e lartcekur, ndërsa Komunës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 34 mijë e 176 euro.

Me këtë, Veliqi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal, e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë