Gjykimi ndaj ish-inspektorit në Prizren, pronari i objektit thotë se s’kishte leje ndërtimi, por vetëm të punës

Bashkim Krasniqi1
Author

Raporton: Avni BERISHA

Shtator 11, 2019

Prizren – Pronari i kompleksit hotelier, përkatësisht shtëpizave nga konstruksioni i drurit “Crazy Love” në Prizren, Xhavit Bytyqi ka thënë se ai nuk posedon leje ndërtimi, por ka leje të punës, e cila i është lëshuar nga Komuna e Prizrenit.

Një deklaratë të tillë, ai e ka bërë të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prizren, ku ka vazhduar gjykimi ndaj ish-inspektorit të ndërtimit, Bashkim Krasniqi, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Krasniqi akuzohet se gjatë vitit 2014, nuk e ka ekzekutuar vendimin e Drejtorisë së Inspektorateve në Prizren, për rrënimin e kompleksit “Crazy Love”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së mërkurës, dëshmitari Xhavit Bytyqi, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Metush Biraj, ka thënë se ai nuk ka leje për këtë objekt.

“Jo nuk kam leje ndërtimi, por kam leje të punës dhe tatimet i kam paguar rregullisht”, ka thënë   Bytyqi.

Kurse, i akuzuari Krasniqi, ka kërkuar nga ky dëshmitar të tregonte se sa herë e ka parë atë të shkonte në vendin e ngjarjes.

“Po keni qenë disa herë. Ma keni shkrujt dënimin që jam duke ndërtu pa leje, e kam pagu dënimin, e di që ke qenë dy-tri herë”, është përgjigjur Bytyqi.

Duke u përgjigjur në pyetjen e trupit gjykues, se pasi që dëshmitari ka deklaruar se nuk kishte leje të ndërtimit, nëse e dinte se kush e ka nënshkruar lejen e punës dhe cili organ e ka lëshuar atë, por Bytyqi ka thënë se nuk e din për një gjë të tillë, duke shtuar se për leje të punës, kishte aplikuar në Komunën e Prizrenit.

Në seancën e së mërkurës, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar edhe koordinatori komunal i inspektorateve në Prizren, Fail Hoxha.

Dëshmitari Hoxha, ka shpjeguar procedurën e ekzekutimit të një konkluzioni, pasi për një gjë të tillë, është pyetur nga prokurori Biraj.

Ai ka thënë se Inspektori i Ndërtimtarisë duke zhvilluar procedurën administrative, pos akteve tjera juridike merr edhe konkluzion për ekzekutimin e dhunshëm të objekteve pa leje.

Sipas tij, në momentin kur e merr konkluzionin, një shkresë të tillë ia dërgon edhe palës me qëllim të njoftimit që do të bëhet ekzekutimi i dhunshëm.

“Madje, inspektori ka obligim që së bashku me kontraktuesin e ekzekutimit të dhunshëm të objekteve, të dalë në vendin e ngjarjes dhe më për së afërmi të njihet me e objektin që do të rrënohet dhe sa kohë nevojitet për me ekzekutu dhe mjetet e punës që duhet me i përdor. Pas kësaj inspektori ma sjell mua lëndën dhe ne e bëjmë kërkesën policisë 72 orë më herët për asistim për ekzekutimin e lëndës”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa, në pyetjen e të akuzuarit Krasniqi, se a është konkluzioni akti i fundit që merr inspektori dhe se a ka qenë i njoftuar drejtori i Inspektorateve me këtë lëndë, dëshmitari është përgjigjur duke thënë se po.

I akuzuari gjithashtu e ka pyetur atë nëse lënda ka ardhur deri në ekzekutim, a ka mundësi që inspektori ta ndante lëndën dhe të mos e bëj ekzekutimin pa dijeni të eprorit dhe se a duhet eprori t’i jepte atij urdhër për ekzekutim.

Dëshmitari Hoxha, është përgjigjur duke thënë se inspektori nuk mund ta bëj një gjë të tillë pa dijeninë e eprorit dhe se eprori duhet t’i jepte urdhër për ekzekutim.

Ai ka vazhduar dëshminë e tij edhe në pyetjet e trupit gjykues, se për veprimet e tij, inspektori a duhet ta njoftojë drejtorin dhe se në rastet kur drejtori nuk e lejon një ekzekutim, sipas konkluzionit të marrë, a mundet inspektori për kundër faktit që vet e ka marrë atë konkluzion të dal dhe ta rrënojë objektin.

“Po inspektori e njofton drejtorin e tij për të gjitha veprimet e ndërmarra, po ka mundësi që vetë të bëjë rrënimin, por këtë duhet ta bëj me shkrim”, ka deklaruar dëshmitari Hoxha.

Në këtë seancë, ka qenë e paraparë të dëgjohej edhe dëshmitari tjetër, Bedri Bytyqi, por që ai ka munguar.

Ndërkaq, në seancën e së mërkurës, palët në procedurë i kanë dhënë edhe fjalët e tyre hyrëse.

Prokurori i rastit, Metush Biraj, ka deklaruar se nga provat e grumbulluara që do të administrohen në këtë gjykim, e që i janë bashkëngjitur lëndës, sipas tij, do të provohet përtej dyshimit të bazuar se i akuzuari Krasniqi, ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Driton Shehu, ka thënë se aktakuza e ngritur nuk ka mbështetje të mjaftueshme në provat e propozuara, pasi që sipas tij, me këto prova konsiderojnë se nuk rezulton dyshimi i bazuar mirë se klienti i tij, e ka kryer një vepër të tillë penale.

Por, pasi që ka munguar dëshmitari Bedri Bytyqi, trupi gjykues e ka ndërprerë seancën e së mërkurës dhe seancën e radhës e ka caktuar më 18 tetor 2019, në ora 10:00.

Së bashku me Krasniqin, në këtë rast është i përfshirë edhe i akuzuari për heqje të vulave zyrtare apo shenjave, Adil Kukiqi.

Mirëpo, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 17 korrik të këtij viti, Kukiqi e ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë, aktgjykimi për të cilin do të shpallet pasi që të përfundoj procedura penale edhe ndaj të akuzuarit Krasniqi.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 19 prill 2019, i pandehuri Bashkim Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i pandehuri Adil Kukiqi akuzohet se ka kryer veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave”.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Krasniqi, gjatë periudhës kohore prej majit 2016 e deri në dhjetor 2018, në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, nuk i përmbush detyrat zyrtare, ashtu që shkel Ligjin për Ndërtimtari, duke mos rrënuar objektin ndërtimor pa leje të investitorit firmës “Agro Kuka” me pronar Adil Kukiqi, me qëllim që të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari nuk ndërmerr masa të duhura në kuadër të kompetencave të tij, për mos lejimin e ndërtimit të objektit dy katësh të firmës “Agro Kuka”, i cili nuk kishte leje ndërtimi fare.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Kukiqi, me 28 gusht 2017, pas vendosjes së shiritave nga inspektorët komunal, i njëjti nuk e përfill vërejtjen për ndalimin e punimeve dhe heq shiritin e vendosur duke dëmtuar vulat zyrtare dhe vazhdon ndërtimin e objektit pa leje.

Ndryshe, i akuzuari Krasniqi është duke u gjykuar edhe për një rast tjetër që ka të bëjë me veprën e njëjtë penale, atë të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. /Betimipërdrejtësi