Gjykimi ndaj ish-drejtuesve të Telekomit të Kosovës, Z-Mobile thotë se nuk e ndien veten të dëmtuar

72384655_418788758780970_8583933749593374720_n
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Tetor 10, 2019

Prishtinë – Drejtuesit e kompanisë Dardanfon.net, përkatësisht Z-Mobile, Blerim Devolli dhe Milot Gjikolli e kanë njoftuar Gjykatën Themelore në Prishtinë, se ata nuk e ndiejnë veten të dëmtuar dhe nuk i bashkëngjiten ndjekjes penale, në rastin e ish-drejtuesve të Telekomit të Kosovës.

Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, akuzohen ish-kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, si dhe Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mustafa bashkë me Ejup Qerimin, që drejtoi PTK-në në periudhën 2012-2014, si dhe Rexhë Gjonbalajn, ish-kryesues i Bordit të drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje, akuzohen se i kanë shkaktuar Telekomit të Kosovës humbje afro 30 milionë euro, lidhur me kontratën me Z-Mobile.

Në seancën e së enjtes, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala ka njoftuar se përmes një parashtrese të dëmtuarit Milot Gjikolli dhe Blerim Devolli e kanë njoftuar gjykatën se nuk i bashkëngjiten ndjekës penale dhe nuk e konsiderojnë veten të dëmtuar në këtë proces gjyqësor.

Në këtë seancë, këshilltari ligjor në Darafon.net, Valon Basha  është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit.

Ai tha se kishte pasur njohuri rreth marrëveshjes të lidhur mes PTK dhe Dardafon.net dhe se e kishte lexuar shpesh këtë marrëveshje.

Ai deklaroi se nuk i din procedurat se si ishte nënshkruar kjo marrëveshje, pasi që punën në këtë kompani e kishte nisur një vit më vonë, pasi që ishte arritur ajo.

Duke u përgjigjur në pyetjen rreth mosmarrëveshjeve që kanë pasur këto dy kompani për zbatimin e kësaj kontrate, ai tha se mosmarrëveshjet kanë qenë rreth interpretimit të dispozitave të kësaj marrëveshje.

“Përkatësisht ne kemi pretenduar çdoherë se kjo marrëveshje na mundëson neve që të kemi shërbime 3G dhe 4G, numeracion shtesë, si dhe SIM-kartela pa ndonjë kufizim. Këto kanë qenë pikat kryesore të mosmarrëveshjes”, tha ai.

Ai ka thënë se mos implementimi i këtyre pikave, përkatësisht i asaj rreth liferimit të SIM-kartelave duhet të jetë viti 2012.

“Nuk e di saktë, rreth kërkesës tonë për numrat shtesë duhet të jetë fundi i vitit 2013, dhe e fundit shërbimet 3G dhe 4G duhet të jenë në vitin 2014-2015”, tha ai.

Sipas tij, kompania Z-Mobile, kishte bërë kërkesa me shkrim që i ishin drejtuar Telekomit lidhur me mosmarrëveshjet.

“Në shumicën e rasteve këto kërkesa kanë qenë të drejtuar kryeshefave aktual apo edhe ushtruesve të detyrës si dhe në rast të tjera edhe bordit. Kemi marrë përgjigje, por ka pasur raste kur nuk kemi marrë përgjigje. Prej Agron Mustafës kemi marrë përgjigje, ndërsa prej Qerimit sa më kujtohet nuk kemi marrë përgjigje. As nga kryetari i Bordit nuk kemi marrë përgjigje”, ka thënë ai.

Ai ka treguar edhe për natyrën e kërkesave që ia kanë adresuar menaxhmentit të Telekomit.

“Kanë qenë për vonesat e liferimit të SIM-kartelave mundet me qenë periudha 2012-2014, ndërsa për interpretim të numeracionit shtesë ajo duhet të jetë në fund të 2013, e deri në fillimin e procedurës së Arbitrazhit, ndërsa 3G dhe 4G duhet të jenë të mëvonshme, duhet të jetë një vit me vonesë, por e di se e fundit prej këtyre problemeve ka qenë shërbimet 3G dhe 4G”, tha ai.

Ai ka thënë se i akuzuari Mustafa kishte ardhur në pozitë pasi kishte filluar procedura në Gjykatën e Arbitrazhit, dhe se ata e kishin njoftuar se kishin mosmarrëveshje rreth kontratës, por sipas dëshmitarit, i akuzuari Mustafa në përgjigjën e tij kishte thënë se ai sapo kishte ardhur në pozitë dhe se kur të shqyrtojë situatën do të caktojë një takim.

Sipas tij, me të akuzuarin Mustafa kishin zhvilluar dy takime, ku takimi i fundit kishte qenë rreth implementimit të vendimit të Arbitrazhit, ndërsa më të akuzuarin Qerimi tha se kishin pasur një takim para se çështje të shkojë në arbitrazh, i cili sipas tij, nuk ishte mbajtur fare pasi i akuzuari Qerimi e kishte lëshuar menjëherë takimin.

“Nuk më kujtohet a ka qenë takim mirëseardhës apo ka pasur ndonjë mosmarrëveshje apo diçka të tillë, perceptimi im personal është se ka qenë i ofenduar nga përbërja e ekipit tonë, për shkak se nuk ka qenë prezent aksionari Blerim Devolli por ka qenë prezent z.Gjikolli”, ka thënë dëshmitari.

Sipas dëshmitarit, ai kishte pasur takime edhe me menaxhmentin e PTK-së, dhe se qëndrimi i tyre lidhur me implementimin e kësaj marrëveshje, kishte qenë se asnjëra nga kërkesat e Dardafon.net nuk ishin të paraparë në marrëveshje.

Pasi numeracionin që Dardafon e kishte pasur në dispozicion kishte qenë i shfrytëzuar mbi 90%, dëshmitari tha se kishin paraqitur kërkesë në ARKEP, për alokim të numrave shtese pasi besonin që iu takonin këta numra.

Ai ka thënë se kishin vendosur që çështja të shkojë në arbitrazh, për shkak se kontrata e lidhur në mes Dardafon.net dhe Telekom, përmbante një dispozitë me të cilën thuhet se në rast të mosmarrëveshjes çështja do të zgjidhet në Arbitrazhin pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare.

Pikat e mosmarrëveshjes për të cilat kishin parashtruar padi në arbitrazh, dëshmitari tha se nuk ishte paraparë në kontratën e lidhur mes tyre, pasi sipas tij në një pjesë të kontratës thuhet se duhet që Dardafonit t’i liferohen shërbimet GSM apo 2G, ndërsa në një tjetër dispozitë thuhet se Dardafonit duhet t’i liferohen të gjitha shërbimet pa ndonjë diskriminim.

Ai tha se kishte njohuri edhe rreth marrëveshjes së 24 majit 2017 për ekzekutimin e vendimit final të arbitrazhit, e lidhur mes PTK-së dhe Dardafon, e cila ishte nënshkruar nga kryeshefi ekzekutiv Agron Mustafa dhe drejtorit menaxhues Milot Gjikolli.

Sipas tij, kjo marrëveshje kishte të bëjë me implementimin e vendimit të Arbitrazhit dhe se palët mes vete ishin marrë vesh që borxhi nga vendimi të paguhet me shërbime për një periudhe të caktuar, në mënyrë që të shpëtohej Telekomi nga bankrotimit, për shkak se sipas dëshmitarit, shuma e dakorduar nga Arbitrazhi ishte 32-33 milionë euro.

Mirëpo, sipas tij, Dardafon e kishte shkëputur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit të Arbitrazhit, për shkak të mos përmbushjes nga Telekomi.

“Kjo marrëveshje e lidhur derisa ka qenë Agron Mustafa ka shkuar në ekzekutim në tërësi, pra është respektuar ajo marrëveshje, por me ardhjen e menaxhmentit aktual ka ngecur në zbatim dhe kjo ishte arsyeja që kemi bërë kërkesë për shkëputjen e kësaj marrëveshje”, ka dhënë dëshmitari.

Lidhur me vendimin e ARKEP-it, dëshmitari tha se ky institucion kishte vendosur që të rezervohet për “Dardafon.net” numeracioni 0457, por jo edhe dhënie në shfrytëzim.

Në pyetjen e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Nushe Kuka -Mekaj se a e kishte bërë me dashje Telekomi moszbatimin e kontratës apo për shkak të mosmarrëveshjeve të dispozitave të kontratës, dëshmitari ka thënë se sipas përshtypjes së tij, mosmarrëveshjet kishin lindur për shkak të interpretimit të dispozitave ligjore.

Në seancën e së enjtes janë administruar provat e propozuara në aktakuzë, si dhe janë propozuar prova të reja nga ana e mbrojtjes.

Pas leximit të këtyre provave nga ana e prokurorit special Naim Abazi, i akuzuari Ejup Qerimi nuk pati vërejtje në këto prova, ndërsa mbrojtësi i të akuzuari Mustafa, avokati Artan Qerkini dhe mbrojtësi i të akuzuarit Gjonbalaj, avokati Teki Bokshi deklaruan se kishin vërejtje në kuptim të mbrojtjes.

Avokati Bokshi tha se këto prova ishin irelevante, pasi aktvendimet e Gjykatës Themelore dhe të Apelit të Departamenteve për Çështje Administrative, kishin të bëjnë lidhur me masat e përkohshme dhe nuk ishin veprime të vendosur në mënyrë meritore.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Mustafa, avokati Artan Qerkini ia dorëzoi gjykatës dy prova, me anë të së cilave tha se synonin të rrëzonin pretendimet e Prokurorisë Speciale.

Ai ia ofroi gjykatës vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), në të cilin vendim sipas tij, konstatohet se në procedurë të prokurimit ishin respektuar dispozitat e Ligjit të Prokurimit, bashkëngjitur me dokumentin e titulluar “përgjigje kërkesës për interpretim”, të KRRPP-së në të cilin sipas tij, konstatohet se procedura e prokurimit kishte qenë e hapur, e jo siç pretendohet në aktakuzë se kishte qenë tender një burimor.

Si provë tjetër, ai ia ofroi gjykatës dokumentin e ARKEP-it me titull “njoftim dhe udhëzime shtesë për ekzekutimin e vendimit numër 381”, në të cilin dokument sipas avokatit, ky institucion e sqaron këtë vendim dhe përcakton se PTK kishte qenë e obliguar vetëm ta bëjë rezervimin e numrave, por jo edhe shpërndarjen.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Gjonbalaj, avokati Teki Bokshi tha se provat materiale i kishte dorëzuar së bashku me kërkesën për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Lidhur me këto propozime për plotësim të provave, prokurori special Naim Abazi tha se shumica prej tyre ishin në favor të akuzës, mirëpo tha se për rëndësinë e tyre do të përgjigjet në fjalën përfundimtare.

Trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Lutfi Shala, aprovuan propozimet e avokatëve për plotësimin e procedurës së provave.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 11 tetor 2019, në ora 09:00, ku të akuzuarit do të japin mbrojtjen e tyre.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2018, e kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj Agron Mustafës, Ejup Qerimit dhe Rexhë Gjonbalajt.

Sipas këtij aktvendimi, të marr më 7 dhjetor 2018, hudhja e aktakuzës  ndaj tyre ishte bërë për shkak se nuk është vërtetuar që të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkoheshin.

Por, në shkurt të vitit 2019, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të ushtruar ndaj aktvendimit të gjykatës së shkallës së parë në rastin ndaj ish-drejtuesve të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj.

Kështu, Apeli ka vlerësuar se çështja ndaj ish-drejtuesve të Telekomit që po akuzohen për korrupsion, duhet të gjykohet pasi që paraprakisht, gjykata e shkallës së parë kishte hudhur poshtë aktakuzën ndaj tyre.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 17 gusht 2018, kishte ngritur aktakuzë, ndaj Ejup Qerimit, Agron Mustafës dhe Rexhë Gjonbalajt, me pretendimin se të njëjtit kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i KPRK-së.

Sipas aktakuzës, nga 19 shkurti 2015 kur Agron Mustafa ishte zgjedhur në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së e deri me 24 maj 2017, edhe pse nuk kishte qenë kompetent në kontestin mes PTK-së dhe tani të dëmtuarës DARDAFON.net (Z-Mobile), kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final të arbitrazhit.

Me ketë veprim, sipas prokurorisë, janë shkaktuar vonesa në lifterimin e Sim-kartelave, nuk kishte furnizuar me bllokun e numeracionit dhe nuk i kishte dhënë shërbimet 3G dhe 4G të dëmtuarës.

Edhe pse për këtë kontratë, për veprën penale “lidhja e kontratave të dëmshme”, me aktgjykim të formës së prerë në qershor 2011, ishin liruar pesë persona, e po ashtu edhe pse autoriteti rregullativ i komunikimeve elektrike dhe postare, tani të dëmtuarës Z-Mobile iu ishte lejuar përdorimi i numeracionit jo-gjeografik 045, i njëjti këto vendime nuk i kishte zbatuar.

Në këtë mënyrë, siç pretendon prokuroria, përkundër përpjekjeve të të dëmtuarës për zgjidhje të kësaj marrëveshje dhe për eliminimin e arbitrazhit të mundshëm, Mustafa nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim në lidhje me këtë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Mustafa, në procedurën e arbitrazhit kishte angazhuar kompaninë “Studioligji”, për të përfaqësuar kompaninë në arbitrazh, në të cilën procedurë gjykata ndërkombëtare e Arbitrazhit kishte marrë vendim në dobi të së dëmtuarës.

Në bazë të këtyre veprimeve të Mustafës, prokuroria po pretendon, se PTK-ja ka qenë e detyruar që ti paguajë të dëmtuarës Z-Mobile 32.856.407.28 euro, pa llogaritur shpenzimet tjera të procedurës së arbitrazhit, në vlerë mbi 500.000 euro, dhe 65.000 funta.

Lidhur me këtë kontest në mes PTK-së dhe Z-Mobile, si në gjykatat vendore ashtu edhe në atë të arbitrazhit, pas të cilave procedura gjyqësore, PTK-ja ishte dëmtuar miliona euro, përpos Mustafës, për periudhën 2012-2014, është duke u akuzuar edhe kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Ejup Qerimi, dhe kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj.

Sipas prokurorisë, të njëjtit kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, në dëm të të dëmtuarës Z-Mobile, e po ashtu duke i shkaktuar dëm edhe PTK-së. /Betimipërdrejtësi