Gjykimi ndaj ish-drejtorit të Shëndetësisë në Kllokot, dëshmitari thotë se ish-infermierja asnjëherë s’shkoi në punë

70024841_1096351497226318_9024528498592579584_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Shtator 9, 2019

Gjilan – Tekniku medicinal në Komunën e Kllokotit, Nenad Rajkoviq, ka deklaruar se ish-infermierja Daniella Mirkoviq asnjëherë nuk kishte shkuar në punë.

Pikërisht, mos shkuarja e ish-infermieres në punë, është bërë shkak që Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Shëndetësisë në Komunën e Kllokotit, Miroslav Stoliq, i cili tash po akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ai akuzohet se kishte lejuar që Mirkoviq të merrte pagë pa qenë fare në punë, duke e dëmtuar buxhetin e komunës në shumë prej 9,979.90 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në dëshminë e tij, në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Gjilan, tekniku medicinal, i ftuar nga prokuroria në cilësinë e dëshmitarit, Nenad Rajkoviq, ka thënë se ish-infermierja Mirkoviq ka qenë e punësuar në ambulancën e Kllokotit, si motër medicinale, por sipas tij, edhe pse ajo ka qenë e punësuar aty, asnjëherë se ka parë atë në vendin e punës, përkatësisht duke punuar.

“Në të njëjtën ambulancë ka ekzistuar evidenca e punëtorëve, dhe çdo ditë ka ekzistuar në listë edhe emri i Danielës, dhe asnjë herë në atë listë s’kam parë nënshkrim të saj. Secilit punëtorë i ka figuruar në listë emri i ardhjes dhe shkuarjes”, ka thënë dëshmitari Rajkoviq.

Ai ka thënë se drejtor i Shëndetësisë në atë kohë ka qenë Miroslav Stoliq, dhe se i njëjti është pyetur pse ajo nuk ka shkuar në punë, ndërkaq siç ka thënë dëshmitari, përgjigja e ish-drejtorit ka qenë se kjo nuk është punë e tyre.

“Përveç drejtorit, kemi pas edhe shefin e ambulancës, i cili ka qenë Slavica Marinkoviq, dhe i njëjti e ka ditur që Daniella nuk është duke ardhur në punë. Unë nuk e di nëse Slavica e ka njoftuar drejtorin që Danillea nuk është duke ardhur në punë”, ka thënë Rajkoviq.

Ai ka deklaruar se derisa është rinovuar objekti i ambulancës, ata kanë dal në një objekt tjetër dhe të gjitha funksionet i kanë kryer aty.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Ramadan Leka, se kush i ka formuluar listat e punëtorëve, për ardhjen dhe shkuarjen nga puna, dëshmitari Rajkoviq është përgjigjur se ato lista i ka përpiluar shefi i ambulancës, Slavica Marinkoviq.

Ndërkaq, ai ka thënë se nuk e njeh nënshkrimin e Daniella Mirkoviq, por ka thënë se çdo ditë që ai ka shkuar në punë, nënshkrimin e saj nuk e ka parë në listat e evidentuara.

Tutje, ai ka thënë se mund të ketë pasur edhe ndonjë tjetër punëtor që nuk ka nënshkruar në listat evidenciale, por që kjo sipas tij, nuk është punë e tij për të mbajtur evidenca të tilla.

Dëshmitari Rajkoviq ka thënë se ai nuk ka njohuri se ish-infermierja Mirkoviq është suspenduar nga puna, sepse edhe ashtu në atë kohë atë nuk e ka parë duke ardhur në punë.

“Unë mendoj që krejt komuna e ka ditur që e njëjta nuk është duke ardhur në punë. 30-50 metra ka qenë larg ambulanca nga drejtoria e Shëndetësisë, dhe jemi parë me drejtorin sa herë kemi shkuar dhe dalur nga puna”, ka deklaruar dëshmitari Rajkoviq.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, Zyhi Haziri se ish-drejtori i Shëndetësisë, tashmë i akuzuari Miroslav Stoliq, kishte shkuar për t’i vizituar punëtorët ndonjëherë dhe se a kishte mbajtur ai ndonjë mbledhje me ta, dëshmitari Rajkoviq është përgjigjur duke thënë se ish-drejtori natyrisht se i kishte vizituar ata, dhe se kanë mbajtur edhe mbledhje të përbashkëta, por që sipas tij, ai nuk ka dijeni nëse është përpiluar ndonjë procesverbal lidhur me mbledhjet e mbajtura.

Deklaratën e dëshmitarit Rajkoviq, nuk e ka kundërshtuar prokurori Shaban Spahiu, dhe as përfaqësuesja e palës së dëmtuar, Komunës së Kllokotit, Lirije Zeqiri-Halabaku, ndërkaq në kuptim të mbrojtjes dhe duke e konsideruar joreale, atë e ka kundërshtuar pala mbrojtëse, avokati Leka bashkë me të akuzuarit Stoliq.

Kryetari i trupit gjykues, Zyhdi Haziri, seancën tjetër e ka caktuar të mbahet më 25 shtator 2019, me fillim në ora 13:00, ku palët prezente janë njoftuar gojarisht për mbajtjen e saj, ndërsa për dëshmitarin Miroslav Steviq, do të lëshohet urdhëresë për sjellje me dhunë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të datës 25 shtator 2018, Miroslav Stoliq, duke qenë në pozitën e Drejtorit të Drejtorisë për Arsim, Shëndetësi, Shërbime Sociale, Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Kllokotit, me qëllim të përfitimit të interesit pasuror për personin tjetër përkatësisht Daniella Mirkoviqin, e pranuar në punë si infermiere më 11.01.2016, në Qendrën e Mjekësisë Familjarë në Kllokot, e cila kishte pranuar të ardhura personale gjerë më ë 01.02.2018, pa u lajmëruar fare në punë, përkatësisht dhe pa i kryer detyrat e punës për të cilat ishte pranuar.

E për këtë sipas aktakuzës, i pandehuri Miroslav Stoliq nuk kishte ndërmarr asnjë veprim për shkëputjen e marrëdhënies së punës ndaj saj, përkatësisht ndalesën e pagesës së të ardhurave mujore sipas kontratës, në lartësi prej pagës mujore prej 399.19 euro, me çka e ka dëmtuar buxhetin e komunës së Klloktit në lartësi prej 9,979.90 euro.

Me çka, akuzohet se kryer vepër penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi