Gjykimi ndaj ish-drejtorit të Inspekcionit në Pejë, gjykata ndalon publikimin e deklaratave të dëshmitarëve

Author

Raporton: Driton NOCAJ

Shtator 14, 2021

Pejë – Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj ka marrë vendim me të cilin ka ndaluar publikimin e deklaratave të dëshmitarëve në rastin ndaj ish-drejtorit të Inspekcionit në Komunën e Pejës, Demë Dashi.

Ky i fundit po akuzohet nga Prokuroria Themelore e Gjakovës për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Pejë, gjykatësja Kuka-Mekaj ndaloi publikimin e dëshmive të dëshmitarëve të thirrur për tu dëgjuar, Arben Çeku, Mentor Beqiraj, Metë Ademaj dhe Hekuran Selimaj,

Vendimin në fjalë gjykatësja e arsyetoi me faktin e mbrojtjes së procesit penal, me qëllim të shmangies së bashkërendimit të dëshmive të dëshmitarëve.

Deklaratat e dëshmitarëve gjykatësja tha se mund të publikohen pas përfundimit të dëgjimit të tyre.

Ndryshe, seanca e së martës u mbajt në mungesë të avokatit Gëzim Kollçaku, i cili mbron të akuzuarin Dashi. Kjo pasi ky i fundit u pajtua me një gjë të tillë.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet më 16 shtator 2021, nga ora 9:30.

Ndryshe, gjykimi ndaj të pandehurit Dashi nuk ka përfunduar ende në shkallë të parë dhe rasti është kthyer në pikën fillestare për të dytën herë me radhë. Njëherë pas pezullimit nga puna të ish-kryetarit të trupit gjykues, Sali Berisha. Më pas, kjo lëndë ishte bartur tek ish-kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri, e cila ka ndërruar jetë dhe tani rasti për gjykim ka kaluar tek trupi gjykues, i kryesuar nga Nushe Kuka-Mekaj, me anëtarë Arben Mustafaj dhe Musë Povataj.

Ish-drejtori i Inspekcionit në Komunën e Pejës, Demë Dashi, në seancën e 15 qershorit 2018, ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa, ish-kryetari i trupit gjykues, Sali Berisha, pas seancës së shqyrtimit të dytë ka marrë vendim që të aprovojë si të bazuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit Demë Dashi, avokati Isë Osdautaj për kundërshtimin e provave si të papranueshme, duke përjashtuar nga shkresat e lëndës dëshmitë e dëshmitarëve Hasan Idrizaj, Visar Kelmendi, Bashkim Hadërgjonaj, Arben Qakaj, Sali Qelaj, Gani Mavraj, Mendu Mende, Bakir Burri, Metë Ademaj, Astrit dhe Alma Imami, Abedin Kurtulaj, Gjihad Deçani, Ekrem Lluka, Tafil Alimusaj, Smajl Temaj, Rexhë Zeka, Kujtim Hadërgjonaj, Isa Selimaj, Haxhi Karaqica, Shkelzen Hadërgjonaj, Ideal Gashi dhe Adem Berisha.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda e ngritur më 27 mars 2018, ngarkon Demë Gashin se si person zyrtar në pozitën Drejtor i Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Pejës, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri 14 nëntor 2016, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumëbanesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me këto veprime i pandehuri Gashi ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm për tjetrin dhe atë Hasan Idrizaj, Arben Qekaj, Artan Gjoci, Metë Ademaj, Agim Lokaj, Artan Gjoci, Sami Karaqica, Visar Kelmendi, Abedin Kurtulaj, Hekuran Selimaj, Kujtim Hadergjonaj, Rexhe Zeka, Sali Qelaj, me mbi 500.00 euro.

Kjo çështje penale është deleguar prej Prokurorisë Themelorë Pejë në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, për shkak të hetimit të drejtë dhe objektiv.

Me çka ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, për të cilin parashihet dënimi prej pesë muaj deri pesë vite burgim. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.