Gjykimi ndaj ish-drejtorit dhe zyrtares në Skenderaj, komuna thotë se s’është e dëmtuar

IMG-0540b19c054287cff70748a2dcf7e8f6-V
Author

Raporton: Djellza ZYHRANI

Nëntor 7, 2019

 


Mitrovicë –  Komuna e Skenderajt, ka deklaruar se nuk është dëmtuar në rastin ku ish-drejtori i Urbanizmit në këtë komunë, Hasan Shala, si dhe zyrtarja e kësaj drejtorie, Sanije Ahmeti, po akuzohen se i kanë shkaktuar dëm kësaj komune.

Ata akuzohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që të përfitojë dobi pasurore organizata e biznesit NNSH “ILEAA-GR”, lidhur me projektin për rregullimin e pishave të parkut në Skenderaj, duke dëmtuar buxhetin në vlerë prej rreth 90 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë, ata ngarkohen me dy vepra penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe të mashtrimit në detyrë.

Të enjten, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, përfaqësuesi i Komunës së Skenderajt, Enver Qerkini, ka hequr dorë nga kërkesa pasurore juridike në këtë rast.

Ai ka thënë se më 12 tetor 2011, komuna kishte kërkuar sqarim lidhur me rastin konkret nga kryetari i Skenderajt dhe Drejtoria e Financave.

“Drejtoria  e Financave na ka kthyer një përgjigje lidhur me këtë çështje, e cila thekson se vlera e kontratës lidhur me operatorin ekonomik për kryerjen e punimeve nuk është tejkaluar dhe në këtë rast Drejtoria e Financave ka thënë që ne nuk kemi ekspert të kësaj fushe për të vlerësuar dëmin financiar”, ka thënë Qerkini.

Pasi që ai ka thënë se komuna heqë dorë nga kërkesa pasurore juridike në këtë rast, gjykatësi Beqir Halili ka thënë se duhet vërtetuar faktin se a ekziston dëm në këtë çështje penale.

Gjykatësi Halili, ka thënë se për të vërtetuar këtë fakt nëse punët janë përfunduar sipas kontratës që është objekt i aktakuzës duhet caktuar ekspert, me ç` rast, është caktuar eksperti i ndërtimtarisë Qazim Fazliu.

Gjykatësi ka deklaruar se detyrat ekspertit do t`i caktohen me urdhëresë të posaçme, ndërsa seanca e radhës do të caktohet pas pranimit të ekspertizës.

Në seancën e së enjtes, kanë prezantuar prokurori Ismet Ujkani, si dhe mbrojtësit e të pandehurve, Ahmeti dhe Shala, avokatët Drita Shabanhaxhaj, si dhe Gani Rexha.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 15 korrik 2016, Hasan Shala, në cilësinë e drejtorit të Urbanizimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Skenderajt, si dhe Sanije Ahmeti si inxhiniere e arkitekturës në këtë drejtori, po akuzohen se  duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që të përfitojë dobi pasurore personi tjetër dhe atë organizata e biznesit NNSH” ILEAA-GR”.

Bazuar në aktakuzë, e akuzuara Sanije Ahmeti si mbikëqyrëse e punimeve të projektit për rregullimin e parkut “Te pishat” në Skenderaj më 28 shtator 2011, ka kërkuar nga zyra e prokurimit që të bëhet riformatimi- ndryshimi i pozicioneve të parapara me kontratën numër 643-11-033-521 të datës 21 korrik 2011.

Kontratë, kjo e cila sipas aktakuzës, ishte e nënshkruar në mes Komunës së Skenderajt dhe kompanisë NNSH” ILEAA-GR” në Skenderaj, për rregullimin e pishave të parkut në Skenderaj në vlerë prej 88.004,00 euro.

Kurse, i akuzuari Hasan Shala, sipas aktakuzës, më 4 tetor 2011, ka marr vendim me anë të së cilit është aprovuar kërkesa, duke ndryshuar pozicionet e punës së rrethojës të parapara me kontratë me zëvendësimin e platosë më kubeja dhe murit mbrojtës për punime në terren edhe pse kompania NNSH” ILEAA-GR” kishte filluar realizimin e punëve sipas kontratës.

Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se ndryshimi i pozicioneve në paramasë nuk lejohet dhe se implementimi është dashur të bëhet në pajtim me kushtet e përcaktuara me kontratën e nënshkruar dhe asnjë kusht i kontratës nuk duhej ndryshuar pas nënshkrimit të saj.

Me këtë organi i akuzës i ngarkon me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Përveç kësaj, Sanije Ahmeti akuzohet edhe se si inxhiniere e arkitekturës në Drejtorinë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit në Komunën e Skenderajt, me qëllim të përfitimi të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo kompaninë NNSH” ILEAA-GR” në Skenderaj ka bërë prezantimin e rremë të raporteve të datës 12 dhjetor 2011, mbi përfundimin e punëve në rregullimin e parkut te pishat në Skenderaj duke cekur se punët janë kryer ashtu siç është paraparë me kontratë.

Në aktakuzë thuhet se e akuzuara në fjalë ka vënë në lajthim personat e autorizuar zyrtar në kryerjen e pagesave në shumën prej 80.190,00 euro, si dhe në shumën prej 7.814,00 euro edhe pse kompania NNSH “ILEAA-GR” nuk i kishte përfunduar punët ashtu siç ishte paraparë me kontratë.

Me këtë po akuzohet se ka kryer veprën penale “mashtrimi në detyrë”, nga neni 341, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Përkohshëm të Kosovës, në bashkim real me veprën penale si nën pikën 1 të dispozitivit. /BetimipërDrejtësi