Gjykimi ndaj ish-deputetit Krasniqi dhe tjerëve, dëshmitari thotë se pasi dëgjoi shpërthimin, pa dy persona duke u larguar me një motor

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prishtinë –Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshmitari Egzon Metolli tha se pasi që kishte dëgjuar një shpërthim, ka parë dy persona të dyshimtë e një motor, duke u larguar, sipas tij, ka qenë një motor i vogël dhe drejtuesi i tij kishte pasur helmetë.

Këtë deklarim, dëshmitari Metolli e bëri në gjykimin ndaj ish-deputeti Frashër Krasniqi dhe tre aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, lidhur me aktakuzën për sulmin në Kuvend.

Paraprakisht, në seancën e sotme ka ndryshuar përbërja e trupit gjykues, ku në vend të gjykatëses Suzana Çerkini ka ardhur gjykatësja Valbona Musliu-Selimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili njoftoi palët se gjykatësja Çerkini ka qenë e angazhuar me një seancë tjetër, e me pajtimin e palëve seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarëve.

Dëshmitari Egzon Metolli, si personi i parë që kishte lajmëruar policinë pas shpërthimit në Kuvend, tha se nuk i kujtohet deklarata e dhënë në polici në vitin 2016, pasi që ka kaluar një kohë e gjatë.

“I kam lajmëruar pjesëtarët e policisë për një rast shpërthimi që ka ndodhur te xhamia, afër një parkingu të madh, kam thënë se është një shpërthim dhe një motor është i dyshuar edhe po largohet prej atyhit”, tha Metolli.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Arifi, avokati Ramiz Krasniqi, pyeti sërish dëshmitarin rreth deklaratës së tij në polici, për të cilën dëshmitari deklaroi se nuk i kujtohet.

Lidhur me këtë deklaratë, avokati Krasniqi ia tregoi dëshmitarit një pjesë në të cilën ishte e skicuar një skicë dhe disa shigjeta drejtuese, për të cilën avokati Krasniqi tha se është shumë e rëndësishme për mbrojtjen që të dihet se a e ka skicuar dëshmitari apo është përpiluar nga pjesëtarët e policisë, e për këtë dëshmitari deklaroi se nuk e ka vizatuar skicën.

Tutje, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit N.M, i cili ka deklaruar se ka punuar si shitës ambulativ i telefonave në sheshin e Prishtinës, më saktësisht ka shitur telefonin e tipit “Samsung”, me të cilin supozohet se kishin kontaktuar të akuzuarit.

Dëshmitari N.M  shtoi se personin të cilit ia ka shitur telefonin në fjalë e ka identifikuar në polici dhe qëndron pranë atij identifikimi.

Në pyetjen e anëtares së trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani, se a mund ta identifikojë sot atë person, dëshmitari tha se po pasi që e njeh edhe në bazë të mediave edhe e ka parë sot në seancë.

Dëshmitari Sylejman Ramadani, i cili po ashtu kishte punuar si shitës ambulant i telefonave në Prishtinë, ka deklaruar se telefonin në fjalë e ka ndërruar me një klient të tij dhe më pas nuk ka ditur se çfarë kishte ndodhur me atë telefon deri në momentin kur është ftuar të deklarohet në polici.

Në fund, në cilësi të dëshmitarit u deklarua Korab Veseli, i cili në ditën kritike ka qenë duke punuar si rojtar i një objekti në afërsi të Kuvendit, i cili tha se lidhur me këtë ngjarje nuk ka parë asgjë, vetëm ka dëgjuar një zhurmë të madhe.

“Kam qenë në vendin e punës, kam punuar si rojtar objekti, kam filluar në ora 19:00 dhe nuk e di në sa ora kam dëgjuar një zhurmë të madhe, unë kam qenë brenda kur ka ndodh, dola jashtë dhe nuk vërejta kurgjo, pastaj kanë ardhë pjesëtarët e policisë dhe më kanë thënë me hy brenda”, tha Veseli.

Pas kësaj, prokurorja e çështjes Fikrije Fejzullahu propozoi që seanca e caktuar për ditën e nesërme të shtyhet për një datë tjetër, pasi që për të nesërmen kishte të obligueshme pjesëmarrjen në Komision Evropian, propozim ky që u aprovua nga trupi gjykues.

Seancat e radhës për këtë çështje u caktuan të mbahen më 14, 15 dhe 16 qershor 2022.

Në këtë proces gjyqësor, i cili ishte kthyer në rigjykim, Krasniqi, Batusha, Haliti dhe Arifi po akuzohen se janë përgjegjës për sulmin në Kuvendin e Kosovës në gushtin e vitit 2016, që është kualifikuar si vepër terroriste.

Këtë rast, fillimisht e kishte gjykuar gjykatësi Beqir Kalludra, por pas avancimit të tij në Gjykatën e Apelit me vendimin e 21 dhjetorit 2020, të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), lënda ka kaluar tek gjykatësi Kushtrim Shyti, e më pas përfundimisht këtë lëndë do ta gjykojë gjykatësi i Departamentit Special, Vesel Ismaili.

Pas rigjykimit, para trupit gjykues të udhëhequr nga gjykatësi Kalludra, ishin caktuar gjithsej gjashtë seanca, prej të cilave vetëm tri kishin arritur të mbahen.

Pasi gjykatësi Kalludra, më 27 nëntor të vitit 2017, kishte shpallur fajtorë katër të akuzuarit, duke i dënuar me 21 vjet e gjashtë muaj burgim, në seancën e parë pasi rasti ishte në rigjykim, më 4 mars 2020, ish-mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Tomë Gashi, kishte kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Beqir Kalludra, mirëpo kjo kërkesë ishte refuzuar.

Ish-deputeti Frashër Krasniqi ishte dënuar me 8 vjet burgim, Atdhe Arifi ishte dënuar me 6 vjet burgim, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë si dhe Adea Batusha me 2 vjet heqje lirie.

Pas ankesave në Gjykatën e Apelit, kolegji i instancës së dytë gjyqësore, kishte vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë është bërë me shkelje ligjore dhe e kishte anuluar të njëjtin dhe në këtë mënyrë, lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Për rastin e aktivistëve të dënuar të VV-së, më 9 shkurt 2018, ishte diskutuar edhe në Kuvendin e Kosovës dhe në fund të seancës, Kuvendi kishte miratuar disa rekomandime ku kërkohej që për rastin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit, të kërkohet dhe të mundësohet një hetim i plotë, i pavarur ndërkombëtar i tërë rastit, nga ndonjëri nga vendet perëndimore të BE-së, përfshirë vendet neutrale të Evropës Perëndimore dhe Zvicrën.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në dhjetor të vitit 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër, Frashër Krasniqit, Atdhe Arifit, Egzon Halitit dhe Adea Batushës, të cilët i akuzon për kryerjen e veprës penale të terrorizmit.

Ndaj katër aktivistëve të Vetëvendosjes, PSRK-ja ka ngritur aktakuzë, katër muaj pasi të njëjtit, bashkë me tani të ndjerin Astrit Dehari, u arrestuan si të dyshuar për sulmin e 4 gushtit 2016, ndaj objektit të Kuvendi të Kosovës, por që Dehari kishte vdekur në nëntor të vitit 2016 në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të pandehurit kanë vepruar si grup i organizuar “me qëllim që të shkaktojnë frikësimin serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës se pasigurisë për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit duke pasur për qëllim, që Kuvendi i Kosovës të detyrohet të mos ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi dhe me këtë rast, të shkaktojë frikësim serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës së pasigurisë tek qytetarët e Kosovës, më datë 4 gusht 2016, rreth orës 23:05 nga parkingu përball Kuvendit të Kosovës me raketahedhës dore kanë kryer sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë