Gjykimi ndaj gruas së “Sandokanit” dhe zyrtarit tjetër, refuzohet ankesa e PSRK-së për pezullimin e pensioneve për 31 veteranë të luftës

Pallati 11
Author

Raporton: Medina KADRIU

Mars 23, 2020

Prishtinë – Kolegji shqyrtues në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) ndaj vendimit të Departamentit Special, me anë të së cilit ishte refuzuar kërkesa për pezullimin e pensioneve për 31 përfitues të statusit veteranë të luftës.

Kjo kërkesë për lëshimin e masës së përkohshme për sigurimin e kërkesës pasurore juridike nga PSRK ishte bërë në rastin ku dy zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Sanije Rexha dhe Kushtrim Bala, akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ushtrim ndikimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ata akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë, u kanë mundësuar qytetarëve të Shqipërisë, që në mënyrë të kundërligjshme të fitojnë statusin e veteranëve të luftës, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumë prej 133.280.00 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, më 28 janar 2020, e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për lëshimin e masës së përkohshme për sigurimin e kërkesës pasurore juridike, me të cilën është kërkuar që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Departamenti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve dhe Viktimave Civile lidhur me pezullimin e pensioneve për 31 përfituesit- veteranë të luftës deri në përfundim të procedurës penale.

Kundër këtij aktvendimi kishte ushtruar ankesë PSRK-ja, për shkak të mos vërtetimit drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së të drejtave themelore të palës, si dhe të drejtën procedurale që ka për qëllim garantimin e të drejtës nga nën paragrafët 1.1 deri 1.3 të nenit 45, paragrafi 1 i Kodit të Procedurës Penale të Kosovës (KPPK).

Sipas PSRK-së, procedura për realizimin e kësaj kërkese në procedurë penale është e rregulluar me nenet 467 dhe 469 të KPPK-së, mbi bazën e të cilave prokuroria e ka paraqitur një propozim të tillë, duke pasur parasysh faktin se në këtë rast konkret, kërkesa është adresuar kundër personave të tretë, ngase ata kanë dhe janë duke përfituar dobi pasurore përmes veprave penale që dyshohet se i kanë kryer të pandehurit.

Tutje, në ankesë, kjo prokurori ka vlerësuar se edhe sikur të duhej të zbatoheshin dispozitat  e LPK-së, sikurse ka konstatuar gjykata në aktvendimin e ankimuar, edhe në këtë rast përmbushen të dy kushtet sipas nenit 267, paragrafi 1 i LPK-së,  përkatësisht besueshmëria e ekzistimit të kërkesës, si dhe rreziku se pa caktimin e kësaj mase, pala kundërshtare do të pamundësonte apo vështirësonte dukshëm realizimin e kërkesës.

“Gjegjësisht nga fakti, si rezultat i kryerjes së veprës penale nga këtu të pandehurit, personave të tretë, 31 përfituesve, u është mundësuar përfitimi i pensionit veteran-luftëtar, edhe pse këta persona të tretë nuk i kishin përmbushur kriteret e përcaktuara me ligj dhe mbi këtë bazë të njëjtit janë eudke përfituar pensionin e paraparë për kategorinë e veteranit-luftëtar, ku për pasojë është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës”, thuhet se ka qenë pretendimi i prokurorisë.

Mirëpo, më 6 shkurt, kolegji shqyrtues i përbërë nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyqi dhe gjyqtarët Avni Syla e Agim Kuçi, ka gjetur se ankesa e PSRK-së është e pabazuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vlerësimit të këtij kolegji, pretendimet ankimore nuk qëndrojnë, ndërsa gjykata në këtë çështje penale me aktvendimin e ankimuar me të cilin ka refuzuar kërkesën për lëshimin e masës së përkohshme për sigurimin e kërkesës pasurore juridike, është kujdesuar sipas thënieve të kërkesës të vlerësojë të njëjtat.

“Dhe në mënyrë të artikulueshme ka dhënë arsye të mjaftueshme se në rastin konkret nuk janë përmbushur kushtet ligjore për të aprovuar kërkesën e prokurorisë për masën e përkohshme për sigurimin e kërkesës pasurore juridike në këtë çështje penale”, thuhet në vendim të këtij kolegji.

Tutje, thuhet se edhe përkundër pretendimeve të PSRK-së, se si rezultat i kryerjes së veprës penale nga të pandehurit është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës dhe vazhdon të dëmtohet nga personat e tretë , të cilët kanë përfituar sipas përshkrimit faktik të veprimeve inkriminuese të të pandehurve duke propozuar të urdhërohet MPMS, të pezullojë pagesën e pensioneve të 31 përfituesve deri në përfundim të kësaj procedurës penale, e që një arsyetim i tillë, nga gjykata është cilësuar i pabazuar.

“Sepse për caktimin e kësaj mase të propozuar, gjatë një procedure penale në mënyrë komulative duhet plotësuar disa kushte dhe atë sendet që janë marrë me vepër penale të gjenden te personi i tretë, propozuesi duhet ta bëj të besueshme ekzistimin dhe lartësinë e kërkesës, si dhe të ketë rrezik për realizimin e kërkesës së tij nëse nuk mbrohet në mënyrë përkatëse”, thuhet në vendim.

Tutje, thuhet se prokuroria nuk ka arritur t’i bëj të besueshme këto rrethana, gjegjësisht ekzistimin e kërkesës apo të drejtën subjektive, si dhe të argumentojë faktin se ekziston rreziku se pa këtë masë të propozuar, me veprimet konkrete, të cilat në të ardhmen do të mund të ndërmerreshin nga të pandehurit, do të ndryshohej apo pengohej gjendja ekzistuese.

Andaj, thuhet se sipas, vlerësimit të kolegjit, gjykata në aktvendimin e ankimuar ka dhënë mjaftë arsye të mbështetura në dispozitat ligjore sa i përket refuzimit të kërkesës.

Po ashtu, thuhet se rezulton se një kërkesë e tillë nga PSRK- nuk është në pajtim as me dispozitën ligjore të sipërcituar nenin 458, paragrafi 2 të KPPK-së, ngase kërkesa pasurore juridike sipas kësaj dispozite mund të përfshijë “ kompensimin e dëmit, kthimin e sendit ose anulimin e një veprimi të caktuar juridik”.

Ndërsa, thuhet se kjo dispozitë nuk përfshinë edhe pezullimin e ndonjë veprimit të caktuar juridik si ka kërkuar PSRK-ja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, më 6 janar, dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm para gjykatësit Musa Konxheli, për veprat penale që u vihen në barrë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 16 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Sanije Rexha dhe Kushtrim Bala, nën akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ushtrim i ndikimit.

Sipas PSRK, Sanije Rexha akuzohet se në cilësi të personit zyrtar, Udhëheqëse e Divizionit për Kontroll të Brendshëm dhe të Jashtëm në DIFDL të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në bashkëveprim e të akuzuarin Kushtrim Bala, gjatë muajit tetor  të vitit 2017, në bashkëveprim, kanë shfrytëzuar pozitat e tyre zyrtare.

Ata akuzohen se kishin tejkaluar autorizimet zyrtare, pa autorizim kanë marrë 31 formular për aplikim për njohjen e të drejtës së veteranit të luftës dhe kanë shkuar në Republikën e Shqipërisë, në qytetin e Krumës ku kanë plotësuar 31 formular për aplikim  për persona të ndryshëm nga Republika e Shqipërisë.

Të dy të akuzuarit, më pas formularët e plotësuar i sollën në Kosovë, dhe i dorëzuan në  MPMS, duke u mundësuar atyre fitimin e statusit të veteranit të  luftës në shumë prej 133.280.00 euro, në mënyrë të kundërligjshme”

Me këto veprime ata akuzohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPK-së.

Po ashtu, ata akuzohen se në cilësi të personave zyrtarë, kanë ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në zyrtaren me inicialet V.B, për pranimin e katër formularëve, për aplikim për statusin e veteranit të luftës që i kishte sjellë Sokol Pogba, shtetas i Republikës së Shqipërisë, me qëllim që këtyre katër personave t’u sigurojë pa të drejtë përfitimin e statusit të veteranit të luftës dhe të drejtën në kompensim për këtë status në bazë të ligjit.

Me këto veprime ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të KPK-së. /BetimipërDrejtësi